
Për mua java e kaluar ishte një javë që është vështirë të harrohet në rrjedhën e ngjarjeve të turpshme të politikës shqiptare në përgjithësi dhe asaj ndër-shqiptare, në veçanti. Elita politike nga të dy anët e kufirit i tregoi botës, por sidomos miqve të kombit shqiptar një pasqyrë, një fotografi të tmershme që vetëm armiqtë më të mëdhenj historikë të shqiptarëve do mund ta vizatonin e t’ia paraqisnin miqve dhe armiqve të kombit, për t’u treguar se kush vërtetë janë shqiptarët dhe cilat janë marrëdhëniet me njëri-tjetrin. E kam fjalën për fjalorin e ndyrë prej rrugaçësh, përdorur nga disa anëtarë të klasës politike aktuale që sot përfaqësojnë kombin shqiptar në nivel kombëtar e ndërkombëtar, por në veçanti përleshjet dhe përplasjet, shtyrjet fizike në Parlamentin e Shqipërisë dhe sulmet me grushta në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Këto sjellje banale, në hapësirat e dy kuvendeve shqiptare, nga disa ligjvenës shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri, i treguan botës se sa konfliktuale është sot klasa politike në mes veti dhe midis dy shteteve shqiptare, një situatë ndërshqiptare që për fat të keq të shqiptarëve është pikërisht aty ku i ka dashur gjithmonë historikisht Beogradi e Moska shqiptarët – të ndarë e të përçarë!
“Një komb i ndarë e i përçarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë”, ashtu si nuk mund të qëndrojë edhe një familje kur anëtarët e saj nuk merren veshë me njëri-tjetrin.
Kjo thënje është përdorur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkolni në kohën e Luftës Civile midis jugut dhe veriut në Shtetet e Bashkuara (1861-1865) dhe nga të tjerë pas tij, por që rrënjën e ka në Bibël (Mark 3:25), kuptimi i së cilës është se një komb i ndarë e i përçarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë, ashtu si nuk mund të qëndrojë as të mbijetojë edhe një familje kur anëtarët e saj nuk merren vesh me njëri-tjetrin. Shikoni fotografitë ose videot në Parlamentin e Kosovës dhe në Kuvendin e Shqipërisë, por për fat të keq edhe karrigen bosh të Kosovës në takimin informal në Tiranë për Ballkanin Perëndimor me Komisionarin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Verheli, ku morën pjesë gjithashtu Kryeministri i Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazoviq, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe Kryeministrja e Republikës së Serbisë, Ana Brnabiq. Karrigia e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, ishte bosh.
Për mua është vështirë t’i shikoj këto foto e video më shumë se njëherë, sepse është vështirë tu besoj syve, jo se këto fotografi e video tregojnë ndonjë gjë të re, pasi këto pasqyrojnë realitetin fatkeq të marrëdhënieve aktuale shqiptaro-shqiptare për disa vite tani, por për zhgënjimin tim jo vetëm personal, por besoj se edhe të shumë shqiptarëve, anembanë trojeve shqiptare dhe në diasporë për vetë faktin se ku qëndrojnë sot marrëdhëniet politike në familjen e përbashkët shqiptare. Karrigia bosh e Kryeministrit të Republikës së Kosovës në Tiranë vërteton atë që nuk e kisha besuar kurrë se vetë shqiptarët po ndërtojnë një “Mur të ri të Berlinit”, jo midis shqiptarëve dhe botës tjetër, siç bënte dikur regjimi i Enver Hoxhës që izoloi kombin për një gjysëm shekulli nga bota, por duket sikur sot po ndërtohet një mur virtual midis shqiptarëve nga vetë shqiptarët.
Shikoj këto fotografi dhe pyes veten se cila në të vërtetë është struktura e marrëdhënieve aktuale të kombit shqiptar anembanë trojeve të veta. Shikoj dhe pyes se cilat janë shpresat e përbashkëta, në qoftë se ekzistojnë fare, dhe nëse ekziston besimi i ndërsjellë se kombi shqiptar është dhe mbetet një popull i vetëm i bashkuar, me lidhje të përhershme, në mbrojtje të interesave të përbashkëta kombëtare.
I shikoj këto video e foto të sjelljeve të turpshme të parlamentarëve shqiptarë në Prishtinë e Tiranë dhe i them vetes se kjo klasë politike shqiptare është një klasë politike e dështuar, e pa shpresë sepse këta vërtetë po e tregojnë herë pas here se nuk janë në nivelin e duhur, në nivelin që sot në këtë moment historik, i nevojiten kombit dhe interesave të shqiptarëve anembanë trojeve të veta.
Por, unë jam gjithnjë optimist se populli shqiptar nga të dy anët e kufirit virtual politik, që po e ndërtojnë përfaqësuesit e tij sot, do të dijë, më në fund, të tejkalojë edhe këtë situatë absurde të krijuar midis vëllëzërve dhe mortave të një gjaku, një gjuhe e të një kombi Shqipëri-Kosovë. Jam i besimit se shqiptarët e vërtetë nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe jo politikanët e tyre, do të jenë forca që bashkon dhe jo forca që ndanë e përçanë kombin e lashtë iliro-arbëror. Do të jetë një brez tjetër shqiptarësh që do të jetë i vetëdijshëm për detyrat dhe objektivat e pa realizuara gjatë shekujsh, për t’i arritur këto objektiva, sipas fjalëve të Linkolnit me “armiqësi kundër askujt, me mirësi ndaj të gjithëve…”, me bindjen se lufta për të drejta, për liri dhe demokraci nuk mund të shuhet kurrë dhe se përpjekjet për të drejta të barabarta dhe për një jetë më të mirë për të gjithë, nuk do të ndalen asnjëherë.
Në të njëjtën kohë, liria dhe demokracia, megjithëse nuk është e përsosur, është gjithnjë shpresa më e mirë për të gjithë popujt anembanë botës, përfshirë shqiptarët dhe fqinjtë e tyre, popujt e Ballkanit. Sidomos për popullin shqiptar, megjithëse udhëheqësit aktualë, të cilët për interesa jo kombëtare, por për përfitime personale dhe partiake në këtë proces e sipër flirtimesh të rrezikshme e në kurriz të interesave të përgjithëshme kombëtare, në emër të demokracisë, po luajnë me fatin e kombit duke rrezikuar kështu shtëpinë e tyre të përbashkët shqiptare. At Gjergj Fishta do të thoshte se demokracia është diçka më tepër se “me vu kapelë në krye e me lidhë kravatë në fyt”.
Sjelljet primitive prej rrugaçësh të parlamentarve shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë në sytë e botës, miqve dhe armiqve, i nxinë fytyrën Shqipërisë e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Me sjelljet tuaja në hapësirat e përfaqësuesve të popullit, në vendin më të shenjtë të demokracisë, botërisht ju keni koritur vetën, familjet tuaja dhe emrin e mirë shqiptar. Duhet të ndërmirren hetime nga organet kompetente, me rezoluta të veçanta, t’u kërkohet falje shqiptarëve anembanë trojeve për sjelljet primitive të të ashtuquajturve ligjëvenës, dhe të miratohen ligje që sjellje të tilla në dy parlamentet shqiptare të mos ndodhin kurrë më në shkelje të dhunshme të vlerave kombëtare dhe interesave të shqiptarëve.
