Kisha Serbe prekursore e panserbizmit ortodoks

Hajrullah Koliqi

Kisha Ortodokse Serbe është institucion shpirtëror dhe politik serbomadh. Rryma më radikale, malicioze e violente e saj është nacionalizmi shovinist serb (Svetosavski nacionalizam), i cili shpie nga klerofashizmi antikristian dhe antinjerëzor. Ai mori hov në vitet 1990 dhe vijon edhe aktualisht.
Sipas historiografisë kishtare serbe, Kisha Ortodokse Serbe u themelua në vitin 1219 nga Shën Sava (Rastko, djali i vogël i Stefan Nemanjës). Theksojmë se para shek. XIV, serbët nuk kishin mbiemra personalë (patronime, matronime etj.), aq më pak mbiemra me prapashtesa “iq” dhe “viq”. Kisha Serbe u themelua dhe zhvilloi veprimtarinë e saj në unitet me shtetin mesjetar serb, sipas modelit bizantin (gr. symphonia). Gjatë kohës së Mbretërisë së Serbisë (1217-1346), të Perandorisë së saj (1346-1371), por edhe më pas, ajo luajti rol të rëndësishëm shpirtëror, kulturor dhe politik duke përfshirë punën e madhe që bëri për sllavizimin dhe konvertimin fetar të popujve autoktonë josllavë në Ballkan, siç shkruan dhe konfirmon edhe Jovan Cvijiqi.
Kisha Serbe veprimtarinë e saj e vazhdoi edhe pas rënies së Serbisë nën sundimin osman (1459). Kisha Ortodokse në Serbi, ajo në Mal të Zi etj, ranë nën juridiksionin e Patrikanës së Stambollit. Organizimi dhe veprimtaria e tyre u zhvillua në rrethana të reja, kryesisht duke iu përshtatur dhe bashkëpunuar me pushtetin e ri teokratik osman. Madje, klerikët serbë gëzonin edhe favore të caktuara. Kështu, sipas Vasa Çubrilloviqit , “Patriarku i Pejës kishte shumë pushtet edhe shpirtëror edhe politik. Ai gëzonte mbrojtje nga organet administrative turke, kishte përcjellje jeniçerësh të armatosur dhe pushteti turk i ndihmonte në mbledhjen e taksave fetare”. Natyrisht, as Perandoria Osmane nuk lejonte klerikë “problematikë”, siç ishte rasti i mitropolitit të Beogradit, Metodi, të cilin e ekzekutuan në janar 1801 me urdhër të Mustafa pashës, vezir i Beogradit. Përgjithësisht, Kisha Serbe në Perandorinë Osmane kishte pozitë cezaropapiste ku autoritetet shtetërore ndërhynin në punët e saj.
Pozita cezaropapiste e Kishës Serbe do të vijojë edhe në Principatën e Serbisë (1815-1882), ku Kisha dhe klerikët serbë vareshin nga princat serbë. Madje, me urdhër të princit serb, Millosh Obrenoviqit, më 16 qershor 1816 u ekzekutua edhe episkopi e parë serb në Principatën e Serbisë, Milentije Nikshiqi. Status të ngjashëm, Kisha Serbe do të ketë edhe në Mbretërinë e Serbisë (1882-1918). Në vitin 1831 ajo u shkëput nga Patrikana e Stambollit dhe fitoi autonominë e saj. Kjo u realizua në kohën e sundimit të sulltan Mahmudit II, me fermanin e të cilit në vitin 1835 u përcaktua edhe pamja trengjyrëshe e flamurit serb (trobojka). Në vitet ’80 të shek. XIX, në Serbi fillojnë të formohen partitë politike, ku klerikët anëtarësohen masivisht, fillimisht në Partinë Librale, pastaj në Partinë Popullore dhe së fundmi në Partinë Radikale Serbe. Siç shkruan Çedo Mijatoviq, në gjysmën e dytë të shek. XIX klerikët serbë “kanë vepruar si agjentë politikë”.
Cezaropapizmin në Serbi zytarisht e futën mbreti i Serbisë, Millan Obrenoviqi dhe kryeministri i saj Stojan Novakoviqi. Me kushtetutat e viteve 1869, 1888, 1901 dhe 1903 krijohet baza juridike e përzierjes së shtetit në punët e Kishës. Përgjithësisht, gjatë egzistimit të shtetit të pavarur serb, Kisha Serbe e njohur ndërkombëtarisht në vitin 1879 u shndërrua në kishë shtetërore.
Si politikë zyrtare cezaropapizmi vazhdoi edhe në Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (1918), përkatësisht në Mbretërinë Jugosllave (1929). Sipas modelit të mbretërisë në fjalë dhe nën ndikimin e saj, me dekretin e regjentit Aleksandër Karagjorgjeviq në vitin 1920 u bë edhe bashkimi e të gjitha kishave ortodokse në territorin e Mbretërisë, të cilat deri në vitin 1918 ishin të ndara. Kështu u krijua Kisha Ortodokse Serbe (e unifikuar) e cila në vitin 1922 mori edhe dektretin (gr. tomos) e autoqefalisë së saj, nga Sinodi i Shenjtë i Patrikanës së Stambollit. Në vitin 1930 në Serbi formohet partia politike me tipare klerikale e Dimitrije Lotiqit. Gjatë viteve 1930 në Fakultetin Teologjik Ortodoks (Pravoslavni bogoslovski fakultet) në Beograd, u themelua Kisha Ortodokse Serbe e Shën Savës (Svetosavle), variant etnik serb i ortodoksizmit universal, përkatësisht kishë ortodokse politike serbe. Sipas Lubodrag Dimiqit, për raportin e Kishës Serbe me shtetin e asaj kohe ishte karakteristike “lojaliteti ndaj shtetit jugosllav dhe respektimi i ligjeve të tij”. Kisha Serbe ishe kundër nënshkrimit të paktit trepalësh (25 mars 1941).
Pas Luftës së Dytë Botërore, Kisha Serbe, si të gjitha bashkësitë e tjera fetare në Jugosllavi, ndahet nga shteti. Ajo nuk mund të përzihej fare në punët e shtetit, por shteti shpesh përzihej në punët e saj. Pas shumë përpjekjeve, në vitin 1959, në kuadër të Kishës Ortdokse Serbe, u krijua Kisha Ortodokse Maqedone autonome e cila në vitin 1967 e shpalli veten autoqefale.
Kisha Serbe tradicionalisht mori rolin e intepretuesit së vullnetit të Zotit, ndërsa serbët i veçon si popull hyjnor dhe martir. Ajo propagandon “të drejtën historike” të popullit serb dhe servon një sërë “të vërtetash”, të mbështetura në mite, tregime e mashtrime të vjetra e të reja. Ka të ngjarë se pikërisht nga historiografia obskurantise e Kishës Serbe, radikali Vojisllav Shesheli të ketë mësuar se “tokat serbe” (srpske zemlje) shtrihen “nga Vjena deri në Kostandinopojë”. Ajo afirmon dhe bekon, jo vetëm “botën serbe”, por edhe “botën serbo-ruse”. Malin e Zi e konsideron si “shteti i parë serb”, Kosovën si “Serbi e Vjetër”, Maqedoninë, “Serbi e Jugut”, shqiptarët në përgjithësi si “serbë të shqiptarizuar”, kroatët si “serbë të katolicizuar”, myslimanët si “serbë të islamizuar”. Sipas Kishës Serbe, Shkodra dhe Prizreni ishin, jo vetëm qytete serbe, por edhe seli të sundimtarëve serbë. Sipas saj, “Kosova është toka e shenjtë serbe”, “Jerusalemi serb”. Aty u zhvillua Beteja e Kosovës (1389), ku siç gjykon ajo, ndonëse serbët e humbën luftën, ata dolën fitimtarë (poshtën turqir), natyrisht, jo në Tokë, por në Qiell)!
Kisha Serbe ishte shumë aktive, sidomos gjatë viteve 1990, gjatë agresionit serbomadh në Kroaci, Bosnë e Hercegovinë e në Kosovë. Ajo u bë flamurtare dhe bashkëpunëtore e ngushtë e Sllobodan Millosheviqit me shokë në jetësimin e politikës hegjemoniste serbomadhe. Ata vepruan në sintoni të plotë, në funksion të politikës së përbashkët hegjemoniste, me prirje çetnike-klerikale. Ndërkohë, Kisha Serbe uzurpoi dhe shuguroi gërmadha të kishave mesjetare dhe ngriti kisha të reja serbe në treva joserbe, madje edhe në bashkëpunim me autoritetet shtetërore, organizoi aktivitete të ndryshme liturgjike-politike, protesta religjioze të quajtura “litije”, botoi vepra të ndryshme fetare, pseudoshkencore etj. Kuptimplotë është fakti që në tubimin serb, më 28 qershor 1989 në Gazimestan afër Prishtinës, me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, ku Sllobodan Millosheviqi mbajti fjalimin e tij serbomadh, morën pjesë edhe krerët më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe. Shumë eksponentë të lartë të saj dolën haptas në krah të formacioneve kriminale ushtarake-policore dhe paramilitare serbe-çetnike në Kroaci, Bosnë e Kosovë dhe bashkëpunonin me ata. Klerikët serbë i bekonin ata dhe armët e tyre vrastare. Madje, patriarku i Kishës Serbe, Pavle i bekoi edhe kryekriminelët e luftës: Radovan Karaxhiqin, Ratko Mlladiqin, Arkanin etj. Sipas patriarkut tjetër serb, Irinej, “Dënimi i Ratko Mlladiqit është punë e djallit”. Gjithashtu, Republika Serbe e Bosnës cilësohet si “vepër e Perëndisë”. Edhe “jurishniku” famëkeq, Amfillohije Radoviqi, mitropoliti i Kishës Serbe në Mal të Zi, e bekoi ushtrinë e Republikës Serbe dhe komandantët serbë të luftës. Njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Mali i Zi e cilësoi si “ tradhëtia më e turpshme e Malit të Zi”.
Kisha Serbe veprimtarinë e saj destruktive e vijon edhe aktualisht, gjithnjë në funksion të hegjemonizmit serb, sidomos në “tokat serbe” jashtë territorit administrativ të Serbisë. Nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes Bazë midis kryeministrit aksidental të Malit të Zi, Dritan Abazoviqit dhe patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije më 3 gusht 2022, Kisha Serbe bashkë me Aleksandër Vuçiqin me shokë, arritën të konsolidojnë bazën ligjore për serbizimin e institucioneve, traditës dhe pronave kishtare (madje edhe të varrezave) ortotodokse në Mal të Zi dhe për serbizimin përfundimtar të kësaj republike të pavarur. Ka të ngjarë që Dritan Abazoviqi, për kontributin e tij të dhënë në serbizimin e ortodoksizmit në Mal të Zi, të zëjë një vend nderi në hagiografinë serbe!
Shumë aktual është përcaktimi i statusit të institucioneve fetare ortodokse dhe pronave të tyre në Kosovën e pavarur. Ato janë objekte dhe vlera fetare e kulturore të Republikës së Kosovës, ashtu si institucionet dhe vlerat e bashkësive të tjera fetare në vend. Statusi i tyre eventual nën juridiksionin e Kishës Ortodokse të Serbisë, sipas parimit të eksterritorialitetit, do të ishte rrezik permanent për Kosovën dhe stabilitetin e saj.
Shumë pozitive janë nismat për hapje, bashkëpunim e lëvizje të lirë në Ballkan e më gjerë, por shumë e largët është dita kur Serbia të heq dorë nga politika dhe synimet e saj hegjemoniste ndaj fqinjëve të saj. Për Serbinë, si faktor destabilizimi dhe flamurtare e konflikteve e luftrave të përgjakshme, gjinocidale të shkaktuara nga ajo, është dëshmitare, jo vetëm historia, por edhe aktualiteti i brishtë politik në Ballkan, në kapërcyellin midis shek. XX dhe shek. XXI. Çuditërisht, bota demokratike gjithnjë e toleron atë (Serbinë), ndonëse është katërcipërisht e provuar se ajo, me bekimin edhe të Kishës së saj, ishte dhe është një shtet autokratik, militarist, hegjemonist e luftënxitës dhe aleate e thekur e “Nënë Rusisë”.

Të fundit

më të lexuarat