Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën më 11 qershor, kanë marrë pjesë 15 lista zgjedhore, ndërsa të drejtën e votes prej 542.658 qytetarësh e kanë shfrytëzuar 305.125 votues, ku vota të vlefshme kanë qenë 302.217. Sipas të dhënave nga KSHZ, subjektet politike të cilat kanë kaluar pragun elektoral (3%) kanë arritur këto rezultate: Lëvizja Evropa Tani (LET) 77.206 vota (25.55%) dhe kanë fituar 24 mandate të deputetëve, koalicioni “Së bashku“ që është udhëhequr nga PDS, 70.292 vota (23.26%) apo 21 deputetë, koalicioni „Për të ardhmën e Malit të Zi“, 44.603 vota (14.76%) dhe 13 mandate, Koalicioni i Demokratëve dhe LQ “URA“ 37.777 vota (12.50%) apo 11 mandate, Partia Boshnjake, 21.415 (7.09%) apo 6 mandate, koalicioni PSP-DEMOS 9.465 vota (3.13%) apo 2 mandate, Forumi Shqiptar 5.671 vota (1.88%) apo 2 mandate, Aleanca Shqiptare 4520 vota (1.50%) 1 mandat dhe Aleanca Qytetare Kroate me 2.231 vota (0.74%) 1 mandat.
Ndërsa pa status të partisë parlamentare kanë mbetur 6 parti politike të cilat kanë fituar nga 0.48% e deri në 2.9% të votave.
Dalje e ulët e qytetarëve
E veçanta e këtyre zgjedhjeve ka të bëjë me faktin se dalja e qytetarëve ka qenë e ulët me 56.4%, që është për 20% më pak se para tre viteve. Një dalje e tillë e ulët mund të arsyetohet me faktin se qytetarët janë lodhur nga zgedhjet, sepse për dhjetë muaj kanë dalë katër herë në zgjedhje. Fjala është zgjedhjet lokale në tetor të vitit të kaluar, dy herë për zgjedhjet presidenciale (19 mars e 2 prill 2023) dhe tani në ato parlamentare. Nga ana tjetër nuk mund të menjanohet edhe motivimi për të votuar, sepse nga gushti i vitit 2020 në pushtet nuk ka qenë me PDS, përkatësisht ish- presidenti M.Gjukanoviqi, i cili ka qenë konkurrent motivues për të marrë pjesë në zgjedhje.
Ajo që vlen të cekët në këtë fushatë zgjedhore është se ajo është zhvillluar kryesisht në rrjetet sociale pa tensione politike, pa mitingje të mëdha. Ishte kjo një risi qe ndodhi për të parën herë, dëshmi se qytetarët janë lodhur me mitingje dhe retorikë duke akuzuar konkurrentët politikë si vite me parë.
Zgjedhjet e 11 qershorit janë të gjashtat pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi.
Fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve
Në bazë të rezultatëve të publikuara nga KSHZ, del qartë se fitues absolut i zgjedhjeve është Lëvizja Evropa Tani sepse ata si subjekt jashtëparlamentar arritën rezulatat spektakular duke qenë subjekti më i votuar me 25.6% duke fituar 24 mandate të deputetëve. Formimi i këtij subjekti politik në gusht të vitit të kaluar, në skenën zgjedhore u paraqit në zgjedhjet lokale me 23 tetor 2022, duke arritur rezultate befasuese, duke fituar kryeqytetin-Podgoricën. Por, mbështetja e qytetarëve u dëshmua edhe në zgjedhjet presidenciale (19 mars e 2 prill 2023) ku kandidati i tyre J.Millatoviqi fitoi bindshëm ish-presidentin M.Gjukanoviq, duke e dërguar në pension politik. Një eufori e tillë e qytetarëve vazhdoi edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, duke dekompozuar skenën politike në Mal të Zi. Një ndër shkaqet që ky subjekt politik është mbështetur nga qytetarët ka të bëjë deklarimet për luftimin e korrupsionit, e në veçanti në aspektin social duke premtuar se pensioni më i ulët do të jetë 450 euro, ndërsa paga minimale 700 euro dhe ajo mesatare 1000 euro!
Nga ana tjetër, fitues moral i zgjedhjeve është Partia Boshnjake e cila nga 3 deputetë e dyfishoi numrin e tyre në 6, duke dëshmuar se elektorati i tyre më herët ka votuar partitë tjera malazeze që llogariten si qytetare, ndërsa tash iu kthyen subjektit të tyre nacional.
Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe shqiptarët, sepse arriten të kenë një deputet më tepër se në mandatin e kaluar, nga del se kemi pasur një homogjenizimin dhe vetëdijësim të elektoratit shqiptar.
Humbja tre herë radhazi e PDS-së ndikoi që kjo parti të mos ketë peshën e vet të mëparme, ku edhe dorëheqja e kryetarit të saj M.Gjukanoviqit nga udhëheqja e partisë, ndikoi që edhe koalicioni FD të shpërbehët, që paraqet një moment të veçantë në skenën politike. Pikërisht janë këto subjekte politike humbësit më të mëdhenj, duke humbur numër të votuesve dhe të deputetëve.
Në regjistrin e partive politike në këto zgjedhje ka pasur edhe koalicione joparimore që si qëllim të vetëm kishin realizimin e objektivit të tyre-statusin parlamentar. Në këtë kategori kanë bërë pjesë parti të vogla të cilat pas shumë viteve duke qenë pjesë e koalicioneve me parti më të mëdha, kësaj here nuk arritën të kalojnë pragun elektoral (3%) ku duhet cekur në veçanti PSD e cila ka qenë e pranishme tash 33 vite në skenën politike.
Shqiptarët me dy lista zgjedhore
Ndonëse është pritur që shqiptarët në kuadër të subjekteve politike nacionale do të dalin në zgjedhje me një listë zgjedhore, një ide e tillë mbeti vetëm dëshirë, sepse nuk kishte disponim për bashkim në një listë të përbashkët.
Madje, duke marrë parasysh animozitetin dhe interesin personal e partiak as që është tentuar për një takim konsultativ për mundësinë e formimit të listës së përbashkët.
Diçka e tillë ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare (30 gusht 2020) kur në zgjedhje morën pjesë dy lista zgjedhore, Koalicioni „Lista shqiptare“ (Forca dhe Alternativa Shqiptare) ku fitoi 6.488 vota dhe Koalicioni Shqiptar “Me një za” (PD,UDSH,LDnëMZ) me 4678, që fituan nga një deputet.
Tre deputetë shqiptarë
Edhe kësaj here në garë ishin dy lista zgjedhore: Forumi Shqiptar (ASH,LDSH,UNSH) që fituan 5.671 vota (1.88%) apo 2 mandate dhe Aleanca Shqiptare (Forca,PD,LDnëMZ, Lista për Tuzin), ku fituan 4.520 vota dhe 1 deputet.
Sipas komunave të banuara me shqiptarë këto dy lista kanë fituar këto vota: Forumi Shqiptar 4.346 vota (Tuz 2.966, Ulqin 641,Tivar 132, Guci 322, Plavë 165, Rozhajë 120), ndërsa Aleanca Shqiptare (Ulqin 3.663, Tivar 252, Tuz 278, Guci 116, Plavë 10, Rozhajë 16).
Në komunat tjera Forumi Shqiptar ka fituar ma shumë vota sikurse është rasti në Podgoricë, Nikshiq, Herceg Novi, etj., ndërsa Aleanca Shqiptare më pak, që dëshmohet nga numri i përgjithshëm i votave.
Cekim me këtë rast se Forumi Shqiptar arriti të marrë sasinë e duhur të votave të nevojshme nga Aleanca Shqiptare për mandatin e dytë që mundësohet nga ligji zgjedhor, që së bashku janë tre deputetë duke qenë një arritje e shqiptarëve në këto zgjedhjeve.
Cekim po ashtu se në Parlamentin e Malit të Zi do të jenë edhe 2 deputetë shqiptarë nga lista e PDS-së.
Duhet qeveri stabile
Duke marrë parasysh se nga viti 2020 kemi pasur pushtet jo stabil, madje edhe me qeveri me humbje të votëbesimit, mbetet të shohim se a do të kemi qeveri stabile, sepse që të jetë e tillë, për miratimin e vendimeve dhe ligjeve duhet të sigurojë dy të tretat e deputetëve. Se a do t´ia arrijë qëllimit mbetet të shohim, sepse për formimin e qeverisë ka kombinime të ndryshme.
A do të jenë shqiptarët pjesë e qeverisë?
Pjesëmarrja në qeveri varet nga gatishmëria e mandatarit për kryeministër që edhe pakicat të jenë pjesë e pushtetit ekzekutiv. Nga viti 1998-2020 shqiptarët kanë qenë pjesë e qeverisë, ndërsa nga zgjedhjet e gushtit 2020 ata mbetën jashtë, kurse pas ndryshimit të kësaj qeverie nga viti 2022, ku kryeministër u zgjodh D. Abazoviqi ata u bënë pjesë e saj. Në këtë periudhë kohore shqiptarët u përfaqësuan më tepër se asnjëherë deri më tash në qeveri, si në minsitri e dikastera të ndryshme. Se si do të jetë situata tash pas zgjedhjeve të 11 qershorit, mbetet të shohim edhe pse të gjithë deklarohen se pjesë e qeverisë se re do të jenë dhe pjesëtarët e popujve pakicë ku llogaritën edhe shqptarët.