Toleranca fetare, vlerë e madhe e shqiptarëve

Qani Osmani

Populli shqiptar me tri besime: islam, ortodoks dhe katolik, ka qenë simbol i harmonisë fetare në historinë e popujve të Ballkanit. Vetë ekzistenca e objekteve të kultit, xhamive, kishave e manastireve, simbolizon të kaluarën e popullit shqiptar. Bashkëjetesa në harmoni e besimeve fetare në trojet shqiptare përgjatë historisë e deri me sot është shembull dhe dhurata më e mirë. Trashëgimia e bashkëjetesës fetare njëkohësisht me vetëdijen se ideja kombëtare qendron dhe duhet të qendrojë mbi çdo ide tjetër, është dhurata më e çmuar që ne si komb e kemi. Pranimi dhe bashkekzistenca e tri besimeve të popullit shqiptar, ka bërë që toleranca ndërfetare të jetë një domosdoshmëri historike, duke shërbyer kështu si mjet dhe faktor që ka siguruar unitetin kombëtar dhe ekzistencën tonë si komb, megjithëse shqiptarët kurrë nuk e kanë ndarë përkushtimin fetar nga interesi kombëtar.
Shqiptarët si popull, pavarësisht besimit fetar, shikuar historikisht gjithmonë i kanë shërbyer kombit. Edhe pse, hoxhallarë apo prifterinj, kjo nuk i pengonte dhe nuk i bënte ata që të mos mendonin dhe t’i shërbenin kombit. Ata ishin prijës të ideve kombëtare duke e mobilizuar popullin në sherbim të kombit.
Anakronike dhe naive është mendesia që kërkon të gjejë rrënjët e “fesë më të vjetër” të shqiptarëve. Kjo ka shpjegimin e vet historik, ashtu siç ka shpjegimin historik pse feja islame u përqafua nga shumica e popullit shqiptar. Faktet gjenden në rrjedhën dhe logjikën e tyre historike. Jane faktorët historikë, shoqërorë e psikologjikë ata që kushtezuan përqafimin e fesë islame nga shumica e popullit shqiptar në të gjitha trevat e veta.
Është absurde dhe naive të flitet për konvertim të detyruar, sepse feja nuk zë dhe nuk lëshon rrënjë, në qoftë se nuk prek botën shpirtërore të njeriut. Akoma më naive tingëllon teza e “konvertimit të detyruar”- sot, kur nje mysliman shqiptar ka disa breza që e trashëgon besimin e tij.
Për një frymë tolerante, krahas feve dhe përfaqesuesve të tyre ndër vite, ka ndikuar edhe trashëgimia socio-antropologjike e shqiptarëve, sistemi shoqëror tradicional dhe ai i vlerave.
Faik Konica do të perforconte: “Unë besoj se dihet gjithkund që shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftra fetare”.
Po të marrin dhe të rendisim shembuj në lidhje me tolerancën fetare ndër shqiptarët gjatë shekujve, nuk do të mundemi t’i përmbledhim në një shkrim kaq të shkurtër. Një eveniment i rëndësishëm në historinë e bashkëjetesës së shqiptarëve është edhe Lidhja e Prizrenit. Kështu në gjysmën e dytë të muajit maj të vitit 1878 u mblodhën në Prizren rreth 300 përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, në shumicën e tyre myslimane. Mbledhja e parë u mbajt më 23 maj në Xhamine e Bajrakut. Pra, në këtë xhami kishte edhe përfaqësues të besimit të krishterë. Kurse më 10 qershor të vitit 1878 mbledhja u zhvillua në Medresenë e Mehmet Pashës (sot muzeu, apo siç njihet si shtëpia e Lidhjes së Prizrenit).
Një nga personalitetet shqiptare të besimit mysliman ka qenë edhe hoxhë Rexhep Voka nga Tetova, i cili ka thënë: “Shqiptarët duhet të ngrihen mbi ndasitë fetare dhe të jenë të bashkuar. Të mos themi ky është mysliman dhe ai është i krishterë, jo toskë, jo gegë, sepse të gjithë jemi shqiptarë, jemi një fis e një farë”.
Ndërsa, kryemyftiu i Shqipërisë, Vehbi Dibra, në Kongresin Mysliman Shqiptar, të mbajtur më 1923, duke u treguar delegatëve për gjendjen fetare dhe duke u treguar se vëllazërimin e bashkimin kombëtar duhet mbajtur mbi gjithçka, kishte thënë: “Myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, në pikëpamje të kombësise kemi një lidhje të plotë e të patundshme e nuk mund të thuhet e të kuptohet asnjë send që e tund atë vëllazni të plotë. Çështja e fesë është një çështje e posaçme e secili është i lirë për me e sigurue forcimin e fesë së vet”.
Kurse, Sami Frashëri kishte deklaruar: “Mos vështroni bese e fe, muslimanë dhe katolikë, ortodoksë, gjithë shqiptarë sa janë dhe tek janë, janë vëllezër. T’ecim të dlire n’udhë të Perëndisë, n’udhët e drejtësisë… në mes shqiptarëve të vërtetë s’ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër të gjithë; janë një trup, një mendje, një qëllim, një besë”.
Pra, krahas tjerash, duhet theksuar faktin se, të qenurit e shqiptarëve me shumicë të besimit mysliman, tregon dy gjëra shumë me rëndësi për historinë e kombit shqiptar. E para është se në mesin e shqiptarëve nuk ka pasur dhunë fetare me rastin e islamizimit të tyre. Dhe e dyta është se kjo tolerancë fetare te shqiptarët i ka shumë borxh besimit islam, sepse askund në histori, përveç trillimeve të ndryshme, te shqiptarët nuk haset në ndonjë dhunë ndaj besimeve të tjera të bëra nga myslimanët si shumicë.
Pra, harmonia dhe toleranca fetare e shqiptarëve si vlerë thuajse unikale kombëtare e fetare, u krijua në shekuj paralelisht me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, nën kujdesin e veçantë të rilindasve tanë dhe në kushte specifike, të ndryshme nga kombet e tjera në Ballkan.
Kemi shembuj të shumtë të tolerancës fetare në të kaluarën ndër shqiptarë të tri besimeve që nuk mund t’i gjesh askund tjetër në Evropë, shembuj që kanë lënë gjurmë edhe në ditët e sotme.
Kur më 28 dhjetor të vitit 1913 u ngrit në Shkodër flamuri kombëtar, myslimanë e katolikë, këmbanën e Kishës së Gjuhadolit e lidhën përmes nje konopi me minaren e Xhamise së Fushë Çeles, në të cilën valëvitej flamuri kombëtar ndërmjet rreshtit të gjatë të kandilave kuq e zi. Duke karakterizuar këtë ngjarje, Fishta tha: “… myslimanë e të krishterë, katolikë e ortodoksë qofshin, dijnë me u vëllaznue në idealin kombëtar. Ky vëllaznim u shpreh edhe në këtë natë simbolikisht me drita kandilash, që si varg yjesh lidhnin minaren e Xhamisë së Fushës së Çeles me kumbanaren e Kishës se Gjuhadolit…”.
Pastaj ta marrim rastin e vitit 1914, kur në kohën e Austro-Hungarisë, në Gjakovë duhej të ndërtohej një kishë për nevojat e shqiptarëve të besimit katolik, Bajram Curri i thotë konsullit austriak: “Ne shqiptarët e besimit mysliman në Gjakovë i kemi 18 xhami, zgjidhe njërën prej tyre ta bëjmë kishë”.
Një rast tjetër të ngjashëm kemi kur disa shqiptarë të besimit katolik deshën te djegin xhaminë e Lezhës. Këtë e merr vesh Gjergj Fishta dhe me të erresuar shkon tek xhamia. Kur ata shkuan për ta djegur, Fishta u flet në emër dhe ata të çuditur i thonë: “Si more ti At, ti edhe prift edhe hoxhë?”. Fishta ju pergjigjet thjesht: “Jo, unë jam prift, por meqë hoxha kishte ca punë në Shkodër, më
tha mua me e ruajt xhaminë se edhe kjo është shtepia e Zotit për shqiptarët!”.
Si përfundim mund të themi se çështjet fetare në hapësirat shqiptare janë të lidhura ngusht me sigurinë tonë kombëtare. Prandaj ruajtja e vlerave kombëtare e fetare të shqiptarëve është një obligim i shqiptarëve kudo që ndodhën, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mali të Zi, në Luginën e Preshevës dhe Çameri, si dhe në diasporë.
Nëse deri më tash para botës jemi krenuar për një harmoni dhe tolerancë ndërfetare të shkëlqyeshme që kemi trashëguar nga të parët tanë, e cila ka qenë për çdo lëvdate dhe respekt, si do t’ia dalim ne, brezi ynë, ta ruajmë nje status quo të tillë. Nëse për një tolerancë dhe harmoni fetare dikush ka meritë, ajo i takon si shumicës ashtu edhe pakicës të cilët ditën të bashkëjetojnë pa pretendime për të mbizotëruar ndaj njëri-tjetrit. Pluralizmi fetar shqiptar ka shërbyer si element bashkues midis njerëzve, familjeve dhe grupeve të ndryshme në shoqerinë shqiptare. Komunitetet fetare mbeten besnike e frymezimeve të tyre fillestare të së mirës dhe paqes, si dhe me përkushtim të madh luajnë rol aktivë në kapërcimin e problemeve sociale, rritjen e edukimit të të rinjve, forcimit të rolit te familjes, kulturës dhe identitetit kombëtar. Toleranca dhe dialogu duhet të përfaqësohen në të gjitha trojet shqiptare në mënyrën më të mirë dhe të jemi shembull edhe në të ardhmen për mbarë botën, ashtu sikurse në të kaluarën tonë.

Të fundit

më të lexuarat