Terrori i OZN-ës dhe UDB-ës ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1945-1947

Hajrullah Hajdari

Shqiptarët në Jugosllavi pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore jo vetëm që mbetën në statusin e paraluftës, por edhe u copëtuan brenda republikave të Jugosllavisë – Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Posa përfundoi lufta, jeta publike, shoqërore e politike e shqiptarëve ishte vënë nën kontrollin, fillimisht të OZN-ës e pastaj të UDB-së. Strukturat e këtyre organeve trashëguan mentalitetin e armiqësisë së egër të borgjezisë jugosllave ndaj pakicave nacionale të paraluftës.
Shumë familjeve shqiptare të Ulqinit dhe të rrethinës së tij, Plavës, Gucisë e Malësisë periudha kohore 1945-1947 do t’u mbetet në kujtesë si njëra ndër periudhat më të tmerrshme të veprimeve kriminele të pushtetit që po krijohej, pushtetit jugosllav. Shumë shqiptarë patriotë do bëhën viktima të një terrori të paparë. Shumë burra të këtyre trevave, të cilët kurrë nuk u pajtuan më robërinë do të vriten pabesisht, pagjykim të mirëfilltë ose fare pa gjyq.
Pushteti i ri i cili po instalohej në Mal të Zi, në vend që t’i përkrahte dhe t’u jepte kurajë e shpresë shqiptarëve për një jetë më të mirë e më shumë të drejta kombëtare, pa u çliruar në tërësi vendi, në fund të vitit 1944, filloi ndjekjen, maltretimin dhe dënimin e shqiptarëve, të cilat vazhduan edhe gjatë viteve 1945-1947. U ndoqën, maltretuan, burgosen e pushkatuan edhe pa gjyq shqiptarët, të cilët sipas komunistave, nuk kishin bashkëpunuar me forcat partizane ose që gjatë luftës kanë ndihmuar forcat armiqësore të Shqipërisë së atëhershme. U ndoqën, maltretuan dhe u dënuan edhe ata shqiptarë, të cilët në mungesë të pushtetit të organizuar ishin kujdesur për ruajtjen dhe mbajtjen e qetësisë në vendin e tyre, siç është rasti i Hajdar Brahim Zeçeviqit i cili gjatë okupimit ishte plak i katundit Pistullë e në mungesë të pushtetit të organizuar kujdesej për rendin dhe qetësinë në Pistullë.
Në këto kohë të trazuara e të vështira për Ulqinin, nuk ishte vetëm Cafo Begu që ishte angazhuar për kauzën shqiptare. Kishte shumë por më të dalluarit ishin dy klerikë, njëri mysliman Hafiz Hasan Llunji dhe tjetri katolik Don Nikollë Tusha – Noga. Të dy, gjatë viteve 1942-1944 ishin edhe deputetë në Tiranë.
Komunistët dhe pushteti që po instalohej ishin në dijeni të veprimtarisë së tyre patriotike dhe për këtë arsye, fillimisht, pasi të dy ishin klerikë fetarë me ndikim të veçantë në popull, u munduan që t’i bëjnë për vete si bashkëpuntorë të tyre. Për këtë qëllim OZN-a famëkeqe kishte angazhuar disa ulqinakë, me dëshirë apo edhe duke i frikësuar, që edhe më parë kishin qenë bashkëpuntorë të pushtetit të Malit të Zi dhe e kishin njësoj se a i quante dikush shqiptarë apo malazezë. Këta bejlerë apo agallarë ulqinakë filluan t’u shkonin natën vonë në shtëpitë e tyre kinse për biseda shumë të rëndësishme për popullin shqiptarë të Ulqinit. OZN-a e dinte mirë se gjatë viteve 1941-1944 flamuri i Malit të Zi nuk u valëvit asnjëherë të vetme në Ulqin, prandaj bashkëpuntorëve të tyre ulqinakë u vuri detyrë që t’i bindin dy klerikët për çështjen e ngritjes së flamurit të Malit të Zi në Ulqin. Për këtë arsye dhe çështje ata duhet t’i bindin të shkonin në bisedime, së pari në Cetinë e pastaj në Tiranë. Por klerikët nuk ranë në kurth. Ata e dinin se kjo ofertë ishte provokim dhe testim i qëndrueshmërisë së tyre. Nga ana tjetër, OZN-a e kishte të qartë qëllimin e pushtetit, që nëse nuk pranojnë bashkëpunim ata duhet të likuidohen. Klerikët e dinin se nëse pronojnë të shkojnë në Cetinë, atje nuk do t’i prisnin bisedimet por arrestimi, prandaj kjo ishte e papranueshme. Gjatë marrjes në pyetje në zyrat e OZN-ës në Ulqin, ata deklaruan: “ Shqiptarët siç po shihet edhe ne vepër, thanë si me një zë të dy, nuk janë hakmarrës dhe po bëjnë ç’mos për t’i harruar të gjitha të këqijat gjysmëshekullore malaziase: vrasje, rrahje,vjedhje, plaçkitje e çka jo tjetër! Do të përpiqen të harrojnë padrejtësitë e malazezëve edhe në plane tjera: në përdorimin e gjuhës dhe të shkollës shqipe…. Madje, në fund, si nga një gojë, u kishin thënë: – Ju i dini fare mirë përpjekjet tona për çështjen e flamurit. Ne, besë kemi dhënë, para popullit të Ulqinit, në çastet kur ngritnim flamurin kombëtar… Prandaj këmba jonë nuk do të shkojë në Cetinë që të bisedojë për flamurin malazias. Urdhëroni shkoni ju vetë ose gjeni dike që ua merr mendja se do të shkojë!….”
OZN-a nuk u ndal së vepruari. Posa u ngrys nata e parë, filloi arrestimet. Së pari arrestoi Hodo beg Bushatin me të birin Ahmetin dhe Rafo Goranën, oficer i aviacionit. Edhe pse ishte natë Bajrami në errësirën e natës u futen brenda në shtëpinë e myftiut Hasan Llunji, e arrestuan dhe e vëndosën në një shtëpi të improvizuar të OZNA-së në Ulqin. Rreth dhjetë ditë me rradhë Hasani merret në pyetje dhe turturohet mizorisht, e nxirrnin para mitrolezit dhe e kërcënonin me pushkatim. Kërkonin të zbulonte shokët dhe veprimtarinë e tyre por ai ishte i vëndosur. Grupi ulqinak i cili i kishte kërkuar Hasanit dhe Nikollës të shkonin në Cetinë dhe Tiranë për çështjen e ngritjes së flamurit malazez në Ulqin, tanimë pasi kishin marrë funksione anësore e jo aq të rëndësishme, sepse malazezët nuk kishin besim as ndaj tyre, kur i pyesnin për veprimtarinë e këtyre dy klerikëve, me bësueshmëri flisnin e gjykonin para OZN-së.
Ulqinakët, Hasan Llunjin e njihnin jo vetëm si hoxhë por edhe si patrot të palodhur për çështjen kombëtare. Kjo iu bë në dijeni edhe OZN-ës nga bashkëpuntorët hileqarë vendas. OZN-a pa humbur kohë e thiri hoxhën dhe për orë të tëra e mbajtën në hetuesi. Akuzohej ndër të tjera se kishte qenë anëtar i “Komitetit për shpetimin e Ulqinit” i themeluar për qëllime ekonomike dhe jopolitike. Akuzohej po ashtu se bashkëpunonte ngusht me Cafo, Hodo e Rifat Alibegun. Sipas komunistave malazezë, hoxhë Llunji ishte anëtar i “pesëshës së zezë” në të cilin bënin pjesë edhe kleriku katolik Nikollë Tusha, Dushan Kopitoviq, Ivo Kallugjeroviq dhe Miqo Vuçkoviq, ndërsa sipas një dëshmitari në gjykimin e Nikollë Tushës në “pesëshën e zezë” bënin pjesë Nikollë Tusha, hoxhë Llunji, Hodo dhe Rifat Alibegu dhe Ivo Kallugjeroviqi. Ai nuk i pranonte akuzat ndaj tij, kështu që OZN-a filloi të vepronte brutalisht dhe ndërmori sjellje çnjerëzore edhe ndaj familjes së tij dhe të arrestuarve të tjerë, me të cilët mbushej dhoma e hetuesisë. Duke mos pasur argumente për atë që akuzohej, OZN-a e Brigadës VI Bokele e liroi hoxhë Hasanin nga burgu. Mirëpo pas disa ditësh, pikërisht para Myftinisë së Ulqinit, ku tash vendin e tij e kishte zënë dikush tjetër, ai u arrestua. Brigada VI Bokele tanimë kishte marrë rrugën drejt Kosovës që atje të bëntë kërdi. Por në Ulqin vjen e njëjta OZN-a e cila tashmë udhëhiqej nga disa malazezë të Ulqinit. Hoxhë Hasan Llunji pushkatohet pa gjyq nga Ushtria Popullore Çlirimtare.
Filluan arrestime të reja, rrahje dhe vrasje. Në vazhdën e aktiviteteve brutale OZN-a, ato ditë, në zabelin e tij e kishin zënë Muho Bimin Bajtaktarin, Pasi e kishin rrahur për vdekje, e kishin lidhur për një dru dhe duke vallëzuar dhe kënduar përreth tij, ia këputën kokën me thika. Trupin ia kanë lanë aty për disa ditë. OZN-a nuk u ndal vetëm me përndjekjen e ulqinakëve në qytet, ajo aktivitetin e saj e ushtronte kudo që gjendej ndonjë i dyshuar shqiptar. Kështu, ata përmes spiunëve të saj zbuluan se në Shkodër gjendej Memin Resylbegu, punëtor i gjeodezisë në Ulqin, zbuluan vendqëndrimin e tij dhe të lidhur e sjellin në burgun e Ulqinit. Në fillim të dhjetorit 1944, organet e OZN-ës trokasin në derën e shtëpisë së Mustafa (Caf) Cankës të cilin e akuzonin se sa ishte roje në Ullishtë, kinse i kishte maltretuar dhe penguar gratë e malazezëve ulqinakë në veprimet plaçkiste të tyre. OZN-a po ashtu burgosi edhe berberin Zuhdi Ficin të cilin e akuzonin se gjoja iu kishte bërë shërbime në rrojtorën e tij disa përsonaliteteve tani të padeshirueshëm për sistemin që po instalohej.
Për të gjithë të burgosurit OZN-a kërkonte dëshmi të fajësisë për të cilën akuzoheshin. Kështu OZN-a iu kishte dhënë për detyrë servilëve (spiunëve) të saj që nga qytetarët ulqinakë të mblidhnin nënshkrime kundër të burgosurve, të cilët do t’i përdornin si peticion për të kërkuar dënime sa më të rënda. Në mbështetje të atyre nënshkrimeve OZN-a, në emër të gjyqit të popullit, vendosi që për hetime të mëtutjeshme të burgosurit t’i deportojë në Cetinë. Më 15 dhjetor 1944, të katër të burgosurit, myftiu Hasan Llunji, gjeodeti Mumin Resulbegu, rrojtari Zyhdi Fici dhe rojtari Caf Canka, me duar lidhur, nën përcjelljen e rojeve të maskuara dhe të armatosura, u nisen për në Cetinë ku gjoja atje do t’u shqiptohej dënimi përfundimtar. Por q[llimi ishte t’i likuidojnë ata. Të lidhur duarsh me tela, duke i shtyrë e rrahur nga përcjellësit mbërritën disi deri në Braticë, në vëndin e quajtur Kthesa e Hoxhës, ku OZN-a kishte vëndosur pritat. Me të mbërritur në këtë vend, u dëgjuan rrafale të gjata e të shtëna pushkësh. Të gjithë ata, pa gjyq e pa justifikuar fajësinë e tyre, u pashkatuan. Vlen të përmendet se nga pasojat e rrahjes nga përcjellësit e viktimave të përmendura në spitalin e Shkodrës vdiq edhe vëllau i Zuhdisë, Jakup Fici. Të heshtur në shenjë nderimi, të katër të pushkatuarit i vendosën në një varrezë të përbashkët!?
Nga ana tjetër dom Nikollë Tusha – Noga, së bashku me Cafo Begun u arratisën. OZN-a filloi të gjurmojë dhe të bëjë ndjekje me qëllim që këta patriotë t’i zë dhe t’i dënojë. Për një kohë kjo nuk i shkoi përdore. Pas disa muajsh spiunazhi, zbulohen vendet e fshehjes së tyre. Mirëpo, falë strehuesve të ndershëm, arritën t’i shmangen më të keqes. Dom Nikollë Tusha largohet nga fshatrat e Ulqinit dhe vendoset në Juban (Shqipëri), në shtëpinë e kushëririt të tij.

Të fundit

më të lexuarat