
Bashkëjetesa, mirëkuptimi, harmonia dhe respekti ndërfetar i shqiptarëve janë vlera tradicionale të njohura e të pranuara botërisht. Këto vlera shqiptare janë të njohura edhe nga të huajt. Edhe Papa Gjon Pali II, vlerëson se Shqipëria “është për t’u marrë shembull” dhe uron që ajo (Shqipëria) për herë e më tepër të bëhet “atdheu i ikumenizmit, dialogut dhe mirëkuptimit ndërfetar”. Kjo traditë e çmuar i ka rrënjët në popull dhe u kultivua prej tij. Kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim kanë dhënë, sidomos, Rilindësit shqiptarë dhe klerikët mendjendritur e atdhetarë të të gjitha besimeve fetare.
Nga tradita popullore e bashkëjetesës fetare. Ndonëse të ndarë në besime të ndryshme fetare, shqiptarët u shquan për bashkëjetesë ndërfetare në jetë, punë, gëzime, hidhërime, në luftë për liri, etj. Për këtë traditë të mirë dëshmojnë familjet me pjesëtarë të besimeve të ndryshme, martesat ndërfetare, vëllamëria, ndihma e ndërsjellë dhe bashkëpunimi midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme për ngritjen e objekteve fetare, bashkëpunimi midis klerikëve për pajtimin e gjaqeve dhe zgjidhjen e konflikteve të ndryshme midis familjeve të besimeve të ndryshme, etj. Si kisha, ashtu edhe xhamia, për shqiptarin mysliman, ashtu edhe për atë të krishterë, tradicionalisht, janë “shtëpi të Zotit”. Ata i respektojnë dhe urojnë festat fetare të njëri-tjetrit. Madje, ata më mendjehapurit konfirmojnë: “Bajram e Pashkë i kemi bashkë”. Emblematike janë, gjithashtu, edhe këto thënie nga urtia popullore: “Kryqin edhe Hanën, / Nji Zot lejue i ka. / Kryqin ja dha njanit, / Hanën tjetrit vlla”. Ose, “Kush ban kryq, ai i falet dinit. / Beku kjoftë, kush ka ftyrë nierit”.
Rilindësit shqiptarë dhe besimet fetare. Veprimtarët e Rilindjes Kombëtare ishin të vetëdijshëm për përçarje të ndryshme të popullit shqiptar, duke përfshirë edhe ato fetare të cilat, sipas tyre, paraqesin vështirësi për integrimin e tij dhe formimin e kombit unik shqiptar dhe të përparuar, ashtu si kombet e tjerë perëndimorë. Sipas Rilindësve, keqkuptimet apo përçarjet fetare te shqiptarët janë pasojë e injorancës, padijes. Në këtë kuptim, Andon Z. Çajupi shkruan: “Si Ungjillli dhe Kurani, / mos e ndani Perëndinë; / shoku shokun mos e hani, / si punojnë ata që s’dinë”. Ndërkaq, Naim Frashëri shkruan: “Besa s’është mirë të na ndanj’ e të na përndanjë”, sakaq, Pashko Vasa ngulmon: “Të ngresh besimin fetar në parim kombësie dhe të marrësh dogmën për racën apo ritin për atdhe, nuk është aspak e pranueshme”. Ata i respektonin të gjitha besimet fetare (si bashkësi shpirtërore dhe punuan shumë për Shqiptarinë si “fe” politike e të gjithë shqiptarëve). Naimi shkruan: “Të gjithë kemi besë Perëndinë edhe mëm’e atë Shqipërinë”. Dhe, këshillon: “Të most themi kurrë Mysliman’ e të Krishterë, Orthodhoksë e Katolikë, po vetëm Shqipëtarë edhe të bashkuar’ e të pandarë”.
Ideali kombëtar dhe mirëkuptimi fetar i Rilindësve shqiptarë shprehet, jo vetëm në shkrimet e tyre, por edhe në praktikë. Kështu, p.sh. Naum Veqilharxhi, krahas abetares së tij (1845), me pjesë nga Ungjilli, për nxënësit shqiptarë të besimit mysliman përktheu pjesë nga vepra “Njëmijë e një net”. Edhe Mësonjëtorja e Korçës (1887), cilësohet si shkolla e parë kombëtare shqipe, në radhë të parë, për faktin se ishte shkolla e parë për nxënës shqiptarë të besimeve të ndryshme. Gjithashtu, edhe në Kongresin e Manastirit (1908), kryetar i tij u zgjodh Midhat Frashëri (mysliman), ndërsa nënkryetarë: Luigj Gurakuqi (katolik) dhe Gjergj Qiriazi (protestan nga një familje ortodokse), për të vijuar me përfaqësim të ngjashëm (fetar) edhe në Kuvendin e Vlorës (1912) dhe në Qeverinë e parë shqiptare, ku përfaqësoheshin të gjitha esimet fetare, me çka synohej respekti, mirëkuptimi dhe harmonia ndërfetare e shqiptarëve.
Klerikët shqiptarë për bashkëjetesën fetare. Për harmoninë dhe bashkëjetesën fetare të shqiptarëve kontribut parësor kanë dhënë klerikët e shquar dhe mendjendritur. Këta prijës fetarë (myslimanë, ortodoksë, katolikë) i bashkon besimi në një Zot dhe një Atdhe (Shqiptaria), siç ligjëron poeti kombëtar dhe kleriku i lartë françeskan At Gjergj Fishta: “Vërtet ne kemi Bajram e Pashkë, / por shqiptarinë e kemi bashkë”. Ndërkaq, kleriku patriot mysliman Mulla Idris Gjilani, ndër të tjera, deklaron: “Kemi tri fe, por kemi nji Atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një Gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyrë kemi bashkimin dhe mbrojtjen e Atdheut”. Gjithashtu, duke iu referuar punës së tij, si predikues i fesë islame, dijetari i shquar Imam Vehbi Ismaili shkruan: “E kam theksuar në të gjitha fjalimet fetare, në ato që kam mbajtur para myslimanëve, si dhe në ato që kam mbajtur për jo myslimanët se të gjitha fetë synojnë të mirën e njerëzimit, të gjitha synojnë sigurimin e lumturisë për besimtarët e vet në të dy jetët, por me mjete dhe mënyra të ndryshme”.
Klerikët e mirëfilltë janë edhe studiues të fesë së vet, por edhe feve (religjioneve) të tjera, në mënyrë objektive dhe pa paragjykime. Kështu, p.sh. themeluesi dhe prijësi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Imzot Fan S. Noli, përkitazi me Profetin Muhamed do të shkruajë: “Muhamedit mund t’i atribuohen drejtpërsëdrejti një varg reformash. Këto janë: monoteizmi, zhdukja e idhujtarisë, heqja e flijimeve njerëzore, heqja e vrasjes së fëmijëve, heqja e feudeve fisnore, heqja e kastave shoqërore në gjirin e Islamit, ndalimi i pijeve alkoolike, kufizimi dhe rregullimi i poligamisë, reforma në të mirë të grave dhe të klasave të ulëta”.
Nga tradita e mirë e bashkëjetesës fetare të shqiptarëve meriton të veçohet fjala e klerikut të lartë mysliman Hafiz Ali Kraja, në ceremoninë mortore të At Gjergj Fishtës, më 31 dhjetor 1940, në Shkodër. Fjalën e tij Hafiz Ali Kraja e filloi kështu: “Poet kombëtar, o Patër Gjergj!”, për të vijuar me fjalë të tjera të zgjedhura, të dala nga thellësia e shpirtit, ndër të cilat veçojmë: “Me ty, Patër Gjergji, kombi shqyptar mburret, naltësohet dhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqyptar të përulet, djelmnija intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallëngjim e dhimbje në jetën e pasosme”. Theksoj se këtu kemi të bëjmë me dy kolosë dhe prijës shqiptarë të besimeve të ndryshme, përkatësisht me Hafiz Krajën, klerik i lartë i besimit islam dhe me Patër Gjergjin, klerik i lartë i besimit katolik. Sjellja e tillë e Hafizit të madh është model edhe për kohën tonë.
Konvertimi i shqiptarëve në një fe. Në fillim të shek. XX, në kohën kur Perandoria Osmane po shpërbëhej dhe tokat shqiptare po rrezikoheshin nga synimet pushtuese të shteteve fqinje, u aktualizua ideja për konvertimin e shqiptarëve në një fe të vetme evro-perëndimore, e cila do të pranohej nga të gjithë shqiptarët. Kjo për arsye shpirtërore dhe politike. Nevojën për konvertimin e shqiptarëve në fenë protestante, fillimisht, e theksoi Kostandin Kristoforidhi, për të vijuar më pas me intelektualë e protestantë të tjerë të huaj dhe shqiptarë që vepronin në Shqipëri si: vëllezërit Qiriazi, Grigor Cilka, Lef Nosi (pjesëtar i Kishës Ortodokse Greke), etj. Midis tyre u shqua Aqif Pashë Elbasani, atdhetar me autoritet si te myslimanët ashtu edhe te të krishterët. Ai u angazhua që “T’u jepet shqiptarëve vetëm një fe, dhe kështu të bashkohen në një vllazëri shpirtërore”. Sipas tij “Protestantizmi mund ta mundësojë këtë, sepse ai është i lirë nga këto pengesa (përplasje të panevojshme deri në vëllavrasje H. K.) dhe nxit arsimimin, lirinë politike dhe fetare, drejtësinë shoqërore, të gjitha këto që na nevojiten kaq shumë”. Ithtarët e kësaj ideje konsideronin se konvertimi i shqiptarëve në fenë protestante nuk do të diskriminonte apo favorizonte asnjërën nga fetë e vjetra tradicionale (katolike, ortodokse dhe myslimane). Madje, sipas tyre, nëse shqiptarët do të konvertoheshin në fenë katolike, atëherë do t’i hapej rruga ndikimit dhe depërtimit të Italisë në Shqipëri dhe nëse ata do të konvertoheshin në fenë ortodokse do të krijoheshin mundësi për realizimin e aspiratave pushtuese të Greqisë, si dhe për ekspansionin pansllavist rus e serb në trevat shqiptare. Gjithashtu, përcaktimi për fenë protestane, si fe të përgjithshme kombëtare, argumentohet edhe me faktin se ajo është feja e vendeve më të zhvilluara perëndimore si Gjermania, Anglia etj., të cilat në vazhdimësi janë treguar dashamirëse ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë. Edhe Princ Vidi ishte një protestant. Sidoqoftë, protestantizmi si fe e vetme e shqiptarëve ishte një ide me qellim të mirë, për përbashkimin kombëtar të tyre, por ajo mbeti një utopi, sepse shqiptarët asokohe nuk ishin të gatshëm për jetësimin e saj. Për këtë përpjekje të shqiptarëve vite më vonë (më 1931 dhe 1933), do të shkruajë edhe shkrimtari atdhetar Hamid Gjylbegu, për çka me admirim thekson kontributin e madh të Kostandin Kristoforidhit.
Në trajektoren historike të religjionit te shqiptarët, vend të rëndësishëm zë periudha nga viti 1967-1990. Ishte koha kur në Shqipërinë komuniste feja u shpall e paligjshme dhe praktika fetare u ndalua zyrtarisht. Shqipëria u bë vendi i parë ateist në botë. Përkundër fushatës së egër antifetare dhe masave drastike ndaj besimtarëve e klerit myslimanë e të krishterë, aktivitetet fetare në Shqipëri rifilluan në vitin 1991, kur u riaktualizua edhe bashkëjetesa dhe harmonia fetare në vend.
Besimet fetare të shqiptarëve, si myslimane, ashtu edhe të krishtera, në mënyrë historike lidhen me Heroin Kombëtar, me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, i cili ka dy emra, njërin të krishterë (Gjergj) dhe tjetrin mysliman (Skënder), të gjithëpranuar, jo vetëm nga shqiptarët e të gjitha besimeve, por edhe nga të huajt gjatë shekujve deri në kohën tonë. Emrat e tij simbolizojnë bashkëjetesën dhe harmoninë fetare të shqiptarëve, ndërsa mbiemri i tij (Kastrioti) simbolizon Atdheun e tyre të përbashkët – Shqipërinë, e cila sipas Pashko Vasës shtrihet: “Ç’prej Tivari der ne Prevezë, / Kah merr dielli njato rrezë, / Fund e Maj nji’a Shqipnia”.
