
1 Maji është Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Pothuajse në të gjithë botën kjo ditë synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës. Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve për orar 8 orësh të punës, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës. Po kjo festë kaq e rëndësishme për punëtorët e botës, a u kremtua sivjet në Ulqinn dhe si u kremtua? Sot shumë gjëra shtrembërohen dhe përqeshen. Dikur u ushqyen vlera të ndryshme – ndershmëria, solidariteti dhe shpirti kolektiv. Para më se 7 dekadash në kohën e komunizmit u promovuan dhe u shpërblyen punëtorët e mirë dhe u hapën fabrika dhe uzina të reja për 1 Majin. Në atë kohë në ish-Jugosllavi, veçanërisht menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, u mbajtën parada të shumta të 1 Majit me karakter ushtarak dhe civil. Parada të këtilla u mbajtën në të gjitha qytetet e republikat e Jugosllavisë Socialiste, apo të Titos, duke mos anashkaluar as kryeqytetin e Malit të Zi. Autori i këtij shkrimi mban mend festime qendrore në Podgoricë, ku të gjithë i prisnim me padurim festat e 1 Majit. Gjithçka do të niste me agimin tradicional të 1 Majit, me muzikën e orkestrës lokale të qytetit. Me zjarre në malet mbi qytet, parada të sportistëve, fermerëve, punëtorëve dhe grevistëve, udhëtime masive në pikat e piknikëve aty pranë, veçanërisht në malin e Goricës, një vakt të pasur, këngë dhe muzikë. Kështu e festonin dikur punëtorët e Titogradit (Podgoricës së sotme) Ditën e Punës deri rreth tridhjetë vjet më parë. Ka pasur edhe panaire dhe dalje familjare, ku anëtarët e familjeve të punëtorëve kanë takuar përfaqësuesit e menaxhmentit të fabrikës. Edhe ata që nuk shkonin askund dinin ta shënonin dhe ta kremtonin këtë festë, pas një pune të vështirë, sepse bëhej me ndërgjegje. Klasa punëtore gëzohej. Tani kjo ka ikur.
Pastaj erdhi tranzicioni apo periudha e demokracisë, në të cilën është e vështirë të flitet për 1 Majin si festë e punës, sepse punëtori është i degraduar, e nuk mund të flasim as për klasën punëtore kur nuk ka prodhim dhe fabrika. Për klasën punëtore, për këto kohë të hidhura mbeti vetëm një kujtim i ëmbël kur 1 Maji ishte një festë që festonte punën dhe mundin, ndërsa sot janë në lojë disa vlera të tjera. Dikur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve protestohej për të drejtat e punëtorëve, ndërsa sot punëtorët pushojnë dhe të papunët festojnë.
Dita Ndërkombëtare e Punës – 1 Maji në Ulqin, sikurse pothuaj në të gjitha qytetet tjera në këtë vend, edhe sivjet kaloi pa marshime, protesta dhe agime tradicionale të 1 Majit. Për ata ulqinakë që kanë një punë, kjo ishte vetëm një ditë pushimi – nëse e marrin – dhe një mundësi për të shkuar në një udhëtim jashtë qytetit, në bjeshkë apo në natyrë, kryesisht në Plazhin e Madh, në brigjet e Bunës dhe në gjirin e Valdanosit me familjet e tyre. Për një numër të vogël të atyre që nuk kanë punë, 1 Maji ishte një ditë si të tjerat – plot shpresë se do të gjejnë një punë në një vend tjetër ku punëtori vlerësohet e respektohet. Edhe pse ulqinakët kanë më shumë se 30 vjet që jetojnë në demokraci për shumicën e tyre 1 Maji, në vend të një ditë proteste, konsiderohet si ditë feste. Pra, ulqinakët më shumë e duan festën se sa protestën.
Me 1 Maj në Ulqin si tradicionalisht u hapën të gjitha plazhet, u mbajt festimi tradicional në plazhin “Copacabana” dhe manifestimi “Të gjithë për turizmin”. Kjo festë solli në Ulqin, siç deklaruan në Organizatën Turistike, mbi 35.000 turistë vendas e të huaj, që është një paralajmërim i mirë për sezonin e ardhshëm turistik.
Atmosferën e këndshme të festave të 1 Majit e prishi ngjarja e padëshirueshme e cila tronditi opinionin, kur dy të rinj A.SH (22 vjeç) dhe A.LL (20 vjeç) nga Podgorica, rrahën brutalisht dy ulqinakë M.N (22 vjeç) dhe M.M (28 vjeç) në urën e Adës së Bunës, të cilët pasi u morën në pyetje nga punonjësit e rendit dhe qetësisë, më pas u është caktuar masa e arrestit hetimor prej 30 ditësh.
Shumica e bashkëbiseduesve tanë të moshës së re thonë se nuk e dinë fare se 1 Maji është festë e punëtorëve. Madje, njëri prej të rinjve në pyetjen tonë se cila ditë është sot, çuditërisht na u përgjigj: “ Dita e Pavarësisë së Malit të Zi”. Ndërkaq ata të moshës së mesme u shprehën se nuk dëgjojnë më të përmendet se 1 Maji është festë. Për moshën e thyer kjo festë ka mbetur një kujtim i ëmbël për kohën e hidhur aktuale. Ata besojnë se sot 1 Maji është reduktuar në më shumë se një kuptim simbolik dhe nuk mund ta kuptojnë se gjithçka ka humbur kur bëhet fjalë për festat e 1 Majit.
Të drejtat e punëtorëve në disa shtete e qytete të tjera mbrohen nga sindikatat, në qytetin bregdetar të Ulqinit 1 Maji është një datë e zakonshme në kalendarin vjetor, i cili shënon fillimin e sezonit turistik.
