
Mbajtja e zgjedhjeve presidenciale më 19 mars dëshmoi se dy më të votuarit, presidenti aktual Millo Gjukanoviq me 35.37% apo 119.685 vota dhe Jakov Millatoviq me 28.92% apo 97.867 vota, do të ballafaqohen në balotazh më 2 prill, duke paraqitur dilema në opinion dhe te elektorati.
Por, një dilemë e tillë u eliminua mënjëherë, sepse partitë politike të cilat ishin pjesëmarrëse me kandidatët e tyre u deklaruan publikisht se do të mbeshtesin J. Millatoviqin, që ishte sinjal i mjaftueshëm për të kuptuar se ai ka përparësi të madhe ndaj presidentit aktual, i cili u mbështet nga parti të vogla pa ndonjë peshë tek elektorati.
Presidenti në pension politik
Sipas të dhënave nga KZSH, në balotazh të mbajtur më 2 prill 2023, J. Millatoviqi ka fituar 58.88 % apo 221.592 vota, ndërsa M. Gjukanoviqi 41.12 % apo 154.769 vota. Nga numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote prej 524.154 në zgjedhje kanë votuar 380.281 qytetarë (70.14%), ndërsa të vlefshme kanë qenë 376.361 fletëvotime, që ishin më shumë për 37.980 votues apo 10% në krahasim me dy javë më parë.
Kemi të bëjmë me rastin e parë deri më tash në Mal të Zi, por edhe më gjerë, kur presidenti zgjidhet nga partia jashtëparlamentare, duke dëshmuar se qytetarët votuan kandidatin më të preferuar, duke e dërguar presidentin aktual në pensionin politik. Një vendim i tillë i qytetarëve dëshmon se ata votuan lirshëm në mënyrë tolerante, pa diktate që është dëshmi se kemi të bëjmë me evoluimin në kulturën politike të qytetarëve në këtë mjedis.
Si votuan shqiptarët e boshnjakët?
Në krahasim me ruandin e parë më 19 mars, më 2 prill shqiptarët e boshnjakët në zgjedhje kanë dalë në numër më të madh duke e rritur ndjeshëm numrin e votave kryesisht për M. Gjukanoviqin, por një përqindje e konsiderueshme ka qenë edhe për J. Millatoviqin.
Kështu në dy komunat me shumicë shqiptare, në Ulqin 6.515 vota ishin për M. Gjukanoviqin, ndërsa 2.995 për J. Millatoviqin, në Malësi 5.855 vota ka fituar M. Gjukanoviqi, ndërsa 1.284 J. Millatoviqi. Në komunat me shumicë boshnjake si në Rozhajë 11.004 vota ishin për M. Gjukanoviqin, ndërsa 2.213 për J. Millatoviqin, në Plavë fitoi 3.275 M. Gjukanoviqi, ndërsa 1.432 J. Millatoviqi etj. Por, kjo mbështetje nuk ka ndikuar në humbjen e M. Gjukanoviqit, sepse si e tillë është paralajmëruar në zgjedhjet lokale (23 tetor 2023) që u vërifikua bindshëm në këto zgjedhje.
Nuk ka dilemë se shkaku i humbjes se presidentit aktual M. Gjukanoviq nuk duhet kërkuar të elektorati te popujt pakicë (shqiptarë e boshnjakë), por te elektorati me përkatësi malazeze, përkatësisht ortodokse të cilët mbeshtetën J. Millatoviqin, gjë që paraqet moment të veçantë në skenën politike në Mal të Zi.
Të dhënat e publikuara dëshmojnë se në 17 komuna ka fituar J. Millatoviqi, ndërsa M. Gjukanoviqi në 8, tregon se qytetarët kanë votuar për ndryshim, duke dëshmuar se pushtetit të PDS-së i ka ardhur fundi, sepse është koha për figura të reja udhëheqëse pa hipoteka nga biografia e tyre.
Fundi i një pushteti autokratik
Nga zgjedhjet parlamentare (30 gusht 2020) PDS-ja është duke përjetuar rënie të vazhdueshme. Nuk ka si të jetë ndryshe, sepse kemi të bëjmë me një parti politike e cila është konsumuar, ndërsa aferat korruptive dhe kriminaliteti kanë ndikuar në rënien e mbeshtetjes të qytetarëve.
Nuk ka dilemë se pushteti i gjatë tridhjetëvjeçar (1990-2020) pa ndryshime dhe reforma partiake, ka ndikuar që kjo parti e ka legjitimuar vetën me pushtetin, përkatësisht shtetin duke u bazuar në liderin karizmatik, që ka ndikuar për të humbur bazën e legjitimitetit.
Duke marrë parasysh se PDS-ja pësoi humbje në zgjedhjet parlamentare më 30 gusht 2020 dhe ato lokale më 23 tetor 2022, humbja në zgjedhjet presidenciale ishte e paralajmëruar, por çështja qëndronte të përqindja numerike e humbjes. Edhe pse në ruandin e parë presidenti aktual M. Gjukanoviqi fitoi 35.6%, ishte sinjal i mjaftueshëm se ai në balotazh do të jetë humbës në mënyrë bindëse, sepse si në zgjedhjet parlamentare e ato lokale, askush nuk dëshiron koalicion me PDS-në, ku edhe kësaj here situata ishte identike. Animoziteti ndaj M. Gjukanoviqit u dëshmua nga të gjitha subjektet politike të shumicës aktuale parlamentare, të cilat kanë mbeshtetur J. Millatoviqin, ndërsa nga ana tjetër M. Gjukanoviqi në këtë raund pati mbeshtetje nga PSD-ja dhe të disa partive të popujve pakicë, që ishte numër i pamjaftueshëm për të përmbysur rezultatin. Ndonëse nga PDS-ja kanë pritur mbështetje maksimale nga popujt pakicë dhe diaspora, një mbështeje e tillë nuk ngjau sipas parashikimeve dhe pa ndikim në rezultatin përfundimtar.
Presidenti i ri pa hipoteka
Fitorja e presidentit të ri bazohet në faktin se ai nuk ka hipoteka nga e kaluara, duke qenë i ri në moshë, me përgatitje profesionale në qendrat ndërkombëtare, duke qenë personi i duhur në momentin e duhur. Ndërsa, duke marrë parasysh edhe animozitetin ndaj presidentit aktual te opinioni i gjerë, mbështetja masive nuk ishte befasuese. Por, duhet thënë se pikë të veçanta fitoi në saje të duelit televiziv tri ditë para zgjedhjeve, duke dëshmuar përgatitje profesionale, qasje konstruktive dhe guxim intelektual në prezantimin e çështjes aktuale në vend.
Përfundoi epoka e kultit të individit
Ndonëse në pluralizëm në vendet e ish-kampit socialist, kulti i individit është bërë pjesë e pandryshuar e konceptit të qeverisjes, rasti i Malit të Zi ishte i veçantë, sepse këtu kulti i individit qëndroi ma gjatë duke përfunduar më 2 prill me zgjedhjen e presidentit të ri.
Shkaku i humbjes së M. Gjukanoviqit është ai vetë, sepse i ka munguar vlerësimi real i situatës në vend, ka mbivlerësuar veten e nënçmuar të tjerët, përkatësisht kundërshtarët politikë. Nga ana tjetër, ai si duket nuk ka qenë i vetdijshëm se është konsumuar politikisht, ndonëse ka qenë në pushtet 34 vite. Madje nuk thuhet kot se pushteti të prish, përkatësisht të zhvlerëson në çdo aspekt, sepse nuk ke së çka ofron andaj bëhesh monoton për qytetarët.
Nga raportet e tilla ka qenë e udhës që presidenti i cili mban edhe pozitën e kryetarit të partisë politike (PDS) të mbeshtesë një kandidat të ri nga partia e tij, e pse jo edhe nga shoqëria civile, në mënyrë qe të largohet pa humbje. Por, në këtë aspekt ai nuk ka treguar ndonjë interesim për të përgatitur ndonjë bashkëpunëtor si trashëgimtar që është dëshmi e tipave autokrat, andaj edhe përfundimi nuk mund të ishte ndryshe por disfatist. Në dështimin e tij në këto zgjedhje nuk mund të përjashtohen as korrupsioni dhe aferat e rënda korruptive në qarqet e ish qeverisjes së PDS-së dhe të bashkëpunëtorëve të tij.
Në fushatën parazgjedhore opinioni i gjerë në Mal të Zi kishte mundësi të dëgjojë nga presidenti M. Gjukanoviq se ai është në mbrojtje të shtetit dhe të ardhmës euroatlantike, por një qasje e tillë nuk ka pasur jehonën e duhur të elektorati, sepse qytetarët janë ngopur me retorikë të tillë e cila më shumë ngjante në demagogji se sa në mesazhe parazgjedhore te votuesit.
Dekompozimi i skenës politike
Përfundimisht, suksesi i Lëvizjes Evropa Tani duhet trajtuar si një evoluim i vetdijës politike të qytetarëve në Mal të Zi, të cilët nuk kanë pasur mundësi të përballojnë liderin i cili ka qeverisur për 34 vite, andaj lirshëm kanë shprehur qëndrimin e tyre duke votuar për ndryshim, i cili fillon me presidentin e ri të vendit. Nga ana tjetër, kjo lëvizje do të ndikojë në dekompozimin e skenës politike në vend, ku do të dëshmohet në zgjedhjet parlamentare të cilat janë paraparë të mbahen më 11 qershor.
Ndonëse kemi të bëjmë me një subjekt politik të ri që është formuar vitin e kaluar, duke arritur rezultate spektakolare në zgjedhjet lokale më 23 tetor, arriti kulmin në këto zgjedhje presidenciale ku pa dilemë do të jetë surprizë edhe në zgjedhjet parlamentare më 11 qershor, sepse qasja e tyre për statusin socioekonomik për qytetarët do të jetë motiv i veçantë për mbështetje nga elektorati.
