
Me datë 8 mars në Podgoricë u mbajt marshi protestuest i organizuar për 8 Marsin nga Organizata Joqeveritare “Qendra për të drejtat e femrës’’ në Podgoricë. Ky marsh organizohet që tëtë vite, qëllimi i të cilit është ndërgjegjësimi i barazisë gjinore. Për hërë të parë këtij organizimi iu bashkëngjit edhe Organizata Joqeveritare nga Tuzi “Jeta e sigurt Tuz’’. Shoqata Joqeveritare “Jeta e sigurt Tuz”, si shoqata e parë joqeveritare, autonome, lokale, feministe në Tuz, përpiqet të jetë një instrument i fuqishëm për mbrojtjen dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut. Organizata Joqeveritare “Jeta e sigurt Tuz” me seli në Tuz, është themeluar në vitin 2021, bazuar në përvojën shumëvjeçare të themeluesve në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes për viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit me qenie njerëzore si dhe punën në institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare ndër vite.
Po sjellim edhe fjalimin e znjsh. Leonora Dukaj nga ky tubim në Podgoricë, e cila iu drejtua të pranishmëve në gjuhën shqipe: ‘’Shumë të dashura gra dhe vajza , pjesëmarrës/e të nderuar/a të marshit. Do të doja që me këtë rast t’ju përshëndes në emër të OJQ “Jeta e sigurt Tuz”. Prezenca jonë sot këtu në këtë aktivitet ka një synim të qartë! Nga njëra anë për të promovuar barazinë gjinore, dhe nga ana tjetër të veprojmë maksimalisht kundër të gjitha llojeve të dhunës ndaj grave dhe vajzave. Jemi të vetëdijshme se ende nuk jemi aq të forta sa do të donim për të ngritur zërin dhe së bashku të dëshmojmë aftësinë tonë kundër çdo forme diskriminimi ndaj grave. Lufta për të drejtën e gruas është e madhe dhe e gjerë duke pasur parasysh pozitën tonë si gra e vajza nga Tuzi. Kur flasim për këtë çështje në veçanti theksojmë ndërsektorialitetin – ndërthurjen e aspekteve të ndryshme të identitetit kundrejt luftës së përbashkët për barazi. Disi edhe për fat të keq 8 Marsi ende vazhdon të jetë marshim protestues pavarësisht se ëndërrojmë që në këtë datë të festojmë gratë, arritjet e tyre të shumta, sukseset, triumfet, ngallënjimin e inspirimin. Prandaj nuk na duhen ende urime, na duhen të drejta të barabarta. Ne kemi nevojë për respekt të merituar, trajtim dinjitoz dhe mbështetje të pakursyer. Ne kemi nevojë që ju të respektoni atë që na takon dhe të silleni në përputhje me këtë gjë. Të na trajtoni në rrallë të parë si qenie të barabarta njerëzore. Sfida e madhe e këtij tubimi është të jesh zëri i grave, përvojat e të cilave nuk vihen re, fjalët e të cilave nuk dëgjohen. Dhe për shkak të atyre lëshimeve, si ato gra që udhëhoqën qëndresën për liri dhe demokraci për dekada, edhe ne ende sot duhet të flasim për pasojat e paragjykimeve në bazë gjinore, për rastet evidente të diskriminimit ndaj grave, diskriminimin gjinor, për pasojat e dhunës në familje, në vende të punës, në shkolla, në rrugë, e deri te femicidet, të cilat lënë përjetësisht pasoja për familjen, komunitetin dhe mbarë kombin e sidomos për mirëqenien e gjysmës së popullsisë – grave dhe vajzave. Shtypja e kësaj padrejtësie do të jetë e mundur vetëm kur të gjithë ata që janë përgjegjës për dëmin e shkaktuar të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Kur ligji të jetë më i fuqishëm dhe më specifik, asnjëherë më parë. Nuk duhet as të fshehim faktin që këto dukuri janë gjithnjë e më të pranishme e që sot marrin edhe forma digjitale. Përndryshe do t’u krijonim mundësi më të mëdha dhunuesve për të vepruar. Nëse e lejojmë secili prej nesh, duhet të jetë i vetëdijshëm se jemi të pavlerë në mbrojtjen më elementare të të drejtave të njeriut – të drejtën për një jetë të sigurt dhe pa dhunë. Shoqëria jonë, nëpërmjet veprimit sistematik, duhet të eliminojë energjikisht çdo fenomen të mundshëm të dhunës dhe diskriminimit. Ky duhet të jetë përkushtimi ynë prioritar dhe angazhimi ynë i përditshëm. Të gjithë ne në sistemet tona duhet të besojmë në punën e përbashkët dhe më pas të punojmë shumë dhe me përkushtim për çdo rast individual, përfshirë kompleksitetin e rrethanave dhe identitetit të çdonjërës në mënyrë që të arrijmë ndryshim dhe të shohim një numër më të madh të rasteve të identifikuara dhe të procesuara, si të dhunës ashtu edhe të femicideve, sepse ndoshta një ditë do të jemi përgjegjës për atë që kemi bërë, por shpesh harrojmë se ndoshta do të jemi përgjegjës edhe më shumë për atë që nuk e kemi bërë. Nëse e harrojmë këtë, atëherë kjo e fundit do të jetë më e vështirë dhe më e keqe”.
Në fund të fjalimit, znjsh. Dukaj i falënderoi të pranishmit.
