
Një popull është i çliruar kur ai çlirohet nga mentaliteti i tij i sëmurë në bazat diskriminuese ndaj më të dobëtit, dhe mundohet ta shkfrytëzojë dhe ta eliminojë për shkak të sëmundjes së egoizmit dhe maçoizmit të tij të trashiguar nga të parët e tij, apo rrethit ku ai është zhvilluar.
Nëse sëmundjet e tilla duken normale tek një shoqëri apo edhe tek një popull, atëherë i gjithë ai popull duhet trajtuar dhe shëruar nga këto smundje.
Mendoj se nuk ka gjë më të shëmtuar dhe më të ligë se sa një mashkull të abuzojë me një femër, e cila është nënë, motër apo vajzë e dikujt.
Këto dukuri në shoqërinë tonë për fatin e keq kanë ndodhur dhe po ndodhin ende edhe sot, dukuri këto që janë përcjellur brez pas brezi dhe gjithnjë vazhdojnë të përcillen tek brezat e rinj të cilët shohin nënat, motrat apo vajzat e tyre duke u abuzuar, bullizuar apo edhe eliminuar me jetë.
Mënyra e trajtimit të femrës si një qenie e rendit të dytë, se ajo duhet ti nënshtrohet një mashkulli, apo më saktë bashkëshortit të saj, nuk ka filluar “dje”. Ajo i ka rrënjët që në Mesopotaminë e lashtë dhe kjo ide vazhdoi edhe me paraqitjen e feve, duke filluar që nga krishterizmi, pastaj kaloi në sëmundje ngjitëse për mbarë njerëzimin dhe që nga ajo kohë shoqëria po përballet edhe sot me këtë fenomen trishtues dhe diskriminues.
Sot mundohen disa religjione ta paraqesin femrën si të barabartë, por kjo mbetet më shumë si një teori nga foltoret e tyre.
Po të shikoni disa media sot, shifet qartë se si trajtohet femra në fjalorin e tyre!
Disa nga klerikët as që nuk e fshehin fare në ligjiratat e tyre si udhëzime “se si femrat duhet të sillen me burrat e tyre”, apo anasjelltas. Në fakt, populli ynë ka thurur edhe vargje të turpshme të cilat i kanë marrë sikur “fjalë të urta”, por në fakt këto janë fjalë diskriminuese dhe denigruese për femrën. Ja po ua rikujtoj disa nga këto: “Gruja edhe nëse nuk ka faj, duhet me e rrahur njëherë në javë për të ia kujtuar se kush është zot shpije”; “Sherri i burrit është gruaja”; “Një burrë e vyen një grua sa do që një mashkull është i keq”; “Gruaja duhet të ia lajë këmbët burrit dhe të ia pi ujin”; “Zoti i gruas është burri”; apo një tjetër thënje edhe më trishtuese “Aty ku burri i bjen gruas, nuk e djegë zjarri i xhehnemit (ferrit), etj, etj.
Pra i gjithë ky ofendin ndaj femrës duke harruar se ato janë nënat dhe motrat tona, që na rritën me shumë mundime dhe sakrificë.
Duhet të theksojmë se nuk mundemi t’i përgjithësojmë të gjithë njerëzit, për fat të mirë kemi edhe të tillë që vlerësojnë nënat dhe motrat, por flasim për një pjësë e cila e ka për krenari që këto abuzime t’i përcjellin edhe tek brezat e ardhshëm nëpërmes ligjeratave fetare dhe nëpër media apo video inçizime të shumta në kanalin “YouTube”. Kjo është mjaft shqetësuese dhe tronditëse për një shoqëri e cila pretendon të jetë zemërgjerë, humaniste, besimtare dhe më në fund civilizuese.
Mrekullinë e nënave, motrave, e vajzave tona të cilat edhe vetë Zoti që i ka ngritur në një shkallë më të lartë dhe i ka bekuar ato me emrin magjik të quajtur Nënë, i ka bekuar si krijuese të jetës. Pa nënë s’ka jetë!
Gjersa të gjithë thërrasim emrin nënë, duhet të pyesim se ku e morën idenë që femra të trajtohet si qenie e rendit të dytë, përse u manipulua me femrën kur dihet se femra ka pasur dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme në të gjitha kohërat, që nga krijimi i njeriut të parë. Nëse nuk besojmë evolucionin e qenies njerëzore, atëherë po i referohemi një historie tjetër që i takon besimit hyjnor.
Sumeret e lashtë thuhet se e kanë lënë historinë të shkruar në pllakat e argjirit, nga ai vend ku rrodhi edhe feja sipas Sichin ku thuhet: ”Zoti që na krijoi ishte femër e quajtur ‘Ninmah-Nin-Ti’ (Nin do të thotë femër, kurse Ti do të thotë jetë) e quajtur ‘femra e jetës’, që krijuan Adamu dhe Tiamat (Adamin dhe Evën) në kopshtin Eden (Garden of Eden) në Sumeri”.
Andaj kur dëgjojmë ende për manipulimet ndaj femrës ,se si ajo trajtohet duke u abuzuar, nënçmuar, degraduar mizorisht edhe eliminuar duke mos e kursyer atë as para fëmijëve të saj, ku e gjithë kjo bëhet nga bindjet e meshkujve të dobët të cilët janë edukuar dhe ushqyer me ato proverbat popullore të liga, që mendojnë se femra është rob i tyre dhe kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan me të, duke harruar se edhe ata ishin të ushqyer me gjirin e një femre që quanin NËNË.
Mendoni njëherë më mirë ju që abuzoni se a keni nëna, a keni vajza, a keni motra?
Apo mbase as për ato nuk keni respekt?
