Regjistrimi i popullsisë çështje statistikore e jo politike

Në çdo shtet regjistrimi i popullsisë trajtohet si çështje statistikore, ndërsa përjashtim bëjnë vendet e pakonsoliduara ku veçohen ato me përbërje multinacionale sikurse është Mali i Zi, proces i cili ka marrë përmasa politike, duke dëshmuar raportet në skenën politike në vend

Nail Draga

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të enjten, më 9 shkurt u njoftua se regjistrimi i popullsisë, ekonomive shtëpiake dhe të banesave do të mbahet nga data 1-15 nëntor të këtij viti. Një informatë e tillë dëshmon se më në fund qytetarët e Malit të Zi do të jenë pjesë e regjistrimit të popullsisë, duke treguar numrin aktual të popullsisë në këtë mjedis.
Mediat njoftuan se sipas rekomandimeve të Kombeve të Bashkuara për regjistrim, ata rekomandojmë se regjistrimi të mos jetë njëkohësisht në vitin e mbajtjes së zgjedhjeve shtetërore dhe atyre lokale. Sipas buxhetit të planifikuar për këtë vit, regjistrimi do të kushtojë 4.7 milionë euro.
Të dhënat nga regjistrimi i popullsisë janë të besueshme dhe do të shfrytëzohen për qëllime statistikore dhe shkencore, si dhe përpunimin e dokumenteve dhe planeve zhvillimore shtetërore.
Pikërisht, duke marrë parasysh seriozitetin e një procesi të tillë statistikor, janë parashikuar edhe dënime për regjistruesit kur tejkalojnë autorizimet ligjore dhe obligimet, si dhe ndaj qytetarëve të cilët japin të dhëna të pasakta, ku denimi është nga 100 e deri në 500 euro.

Pandemia shtyri regjistrimin
Ndonëse regjistrimi i rregullt i popullsisë në Mal të Zi është dashur të mbahet në vitin 2021, për shkak të rrethanave shoqërore (pandemia Kovid-19) dhe atyre politike është shtyrë dy herë, ndërsa data 1-15 nëntor i këtij viti do të jetë definitive nëse në ndërkohë nuk do të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në lidhje me regjistrimin e popullsisë Qeveria e Malit të Zi në mbledhjen e mbajtur më 29 dhjetor 2021, ka miratuar Propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë, të cilin më pas e ka dërguar në Kuvend për miratim. Por, pasi në ndërkohë u bënë ndryshime në Qeveri, ku u formua ajo e reja e cila më 2 qershor 2022 përgatiti propozimin e ri të ligjit për regjistrimin e popullsisë.
Cekim me këtë rast se disa çështje që kanë të bëjnë ne regjistrimin e popullsisë kanë irrituar opinionin si në Mal të Zi dhe jashtë tij, që fillimisht ka të bëjë me metodologjinë e regjistrimit. Fjala është për kategoritë identitare, siç janë ajo e përkatësisë etnike, fetare dhe gjuhës amtare.
Me propozim-ligjin nga 2 qershori 2022, është parashikuar që në kuadër të regjistrimit të popullsisë duhet të evidentohen të dhënat për kategoritë identetare (neni 9).

Diaspora jo vetëm si numër
Në procesin e regjistrimit të popullsisë do të evidentohet edhe diaspora, por kësaj here premtohet se ajo do të jetë e kompletuar. Fjala është që ajo të regjistrohet me elementet e saj kombëtare, gjuhësore dhe fetare. Në këtë formë është regjistruar në vitin 2003, ndërsa në vitin 2011 ndodhi e kundërta, sepse ajo u regjistrua vetëm si numër pa përmbajtjen e identitetit të saj.
Një veprim i tillë ishte në kundërshtim me të drejtën elementare të pjesëtarëve të popujve që janë vendosur në botën e jashtme që njihen me emrin diasporë. Në këtë aspekt kemi diasporën e vjetër që njihet si historike, por edhe atë të kohës së re. Çdo tentim për të eliminuar të dhënat për diasporën ka prapavi politike, duke mos treguar të vërtetën, sepse ajo është pjesë e pandarë e qytetarëve të këtij vendi. Ndërsa sipas të dhënave që disponoj, më shumë së dy të tretat e diasporës janë shqiptarë e boshnjakë e më pak janë malazezë apo serbë, që është dëshmi e pozitës dhe statusit të tyre social në Mal të Zi.
Në diskutimet që janë zhvilluar në fund të vitit që shkoi në lidhje me regjistrimin e popullsisë, në Kuvendin e Malit të Zi është zhvilluar një debat në mes deputetëve për metodologjinë e regjistrimit të popullsisë së asaj në vend dhe në botën e jashtme. Nga ky aspekt ka pasur deputetë, përkatësisht parti politike nga opozita (SD) të cilët kanë propozuar që regjsitrimi i popullsisë të realizohet pa deklarimin e përkatësisë kombëtare, gjuhësore e fetare të popullsisë (!). Një deklarim i tillë ishte disfatist, sepse siç duket dikush i frigohet realitetit, përkatësisht të deklarimit me elementet e identitetit kombëtar, gjuhësor e fetar. Por, fatmirësisht një propozim i tillë nuk pati mbeshtetje nga shumica aktuale parlamentare, e cila vendosi që qytetarët të deklarohen me identitetin e tyre kombëtar, gjuhësor e fetar.

Zgjedhjet parlamentare pas regjistrimit të popullsisë (!?)
Që regjistrimi i popullsisë nuk duhet të mbahet në vitin zgjedhor është rekomandimi i Kombëve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Pikërisht regjistrimi i popullsisë i përcaktuar në muajin nëntor të këtij viti, u mundëson partive politike të cilat janë pjesë e Qeverisë teknike, të tejkalojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në këtë aspekt shumica parlamentare si duket ka bërë llogaritë e veta, duke vlerësuar se regjistrimi i popullsisë eliminon zgjedhjet parlamentare, andaj ato si të tilla duhet të mbahën vitin e ardhshëm (2024). Me një veprim të tillë ata ruajnë pozitat e tyre qeveritare dhe përfitojnë pikë politike për zgjedhjet parlamentare. Një veprim i tillë i shumicës aktuale parlamentare si duket është në favor të të gjithëve e në veçanti të dy partive më të vogla (URA e PSP), nëse në ndërkohë nuk ndodhin të papritura.

Regjistrimi – çështje statistikore
Si më parë edhe tash, regjistrimi i popullsisë ka marrë përmasa të politizimit, duke harruar se kemi të bëjmë me një çështje statistikore që është obligim për çdo shtet. Përmes regjistrimit të popullsisë ofrohen të dhëna mbi numrin e banorëve, strukturën profesionale, kombëtare, gjuhësore, fetare etj. Po ashtu ofrohen të dhëna me lëvizjet migruese të popullsisë në vend apo në botën e jashtme. Të dhënat e tilla të cilat përpunohen dhe publikohen më vonë janë bazë për plane dhe projekte të ndryshme zhvillimore.
Andaj në këtë aspekt nuk ka dilemë se publikimi i të dhënave të përkatësisë kombëtare të popullsisë do të jetë me interes, sepse deri më tash në këtë aspekt ka vërejtje të mëdha, sidomos nga përfaqësuesit e serbëve të cilët theksojnë se numri i tyre është më i lartë se sa e ka paraqitur statistika zyrtare. Ne këtë aspekt, më mirë nuk qëndrojnë as shqiptarët e boshnjakët, sepse numri i tyre ka qenë me i lartë se sa e ka paraqitur statistika zyrtare.
Në regjistrimin e fundit të popullsisë( 2011) sipas përkatësisë kombëtare janë deklaruar: malazezë (45%), serbë (29%), boshnjakë (8.65%), shqiptarë (4.91%), myslimanë (3.31%) si dhe kroatë (0.97%).
Nuk ka dilemë se në saje të ndryshimit të pushtetit, ky regjistrim do të prezantojë të dhënat më reale të përkatësisë kombëtare të popullsisë në Mal të Zi.

Të fundit

më të lexuarat