Pushtimi i Ukrainës dhe fashizmi rus

Pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt nga Rusia, të përkujton pushtimin e Polonisë nga Gjermania më 1 shtator 1939, që ishte fillimi i Luftës së Dytë Botërore, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me fashizmin rus me konceptin ideologjik të Perandorisë Ruse, kërcënim për fqinjët e saj dhe për rendin e ri botëror

Nail Draga

Dështimi i ideologjisë komuniste dhe socializmit si rend shoqëror filloi me rënien e Murit të Berlinit (9 nëntor 1989), duke pasuar me miratimin e pluralizmit politik (1990), ku kulmin e arriti me shkatërrimin e ish-BRSS në vitin 1991. Ishte kjo një ngjarje me përmasa botërore, ku nga ajo perandori komuniste u pavarësuan republikat, duke u pranuar ndërkombëtarisht.
Në këtë kuadër, edhe Republika e Ukrainës shpalli pavarësinë më 24 gusht 1991. Por nga ajo kohë e deri më tash ka kaluar nëpër shumë sfida, duke mbeshtetur ambiciet perëndimore. Nuk ka dilemë se Rusia nuk mund të pranojë një Ukrainë të fortë, të lidhur me Perëndimin e të jetë pjesë e NATO-s, por të ketë qeveri e kryetar prorus.
Por, Ukraina dallohet nga ish-republikat e tjera të ish-BRSS, sepse ajo është vendi me sipërfaqe më të madhe në Evropë, pas Rusisë evropiane me 603.628 km2 dhe me popullsi prej 44 milionë banorësh! Pikërisht kjo sipërfaqe dhe popullsi, ku dominojnë ukrainasit me 76%, rus 20%, si dhe me resurse të mëdha natyrore, paraqet pengesë për politikën ekspansioniste ruse.

Ukrainasit – popull i protestave
Analistët e ndryshëm vlerësojnë se ukrainasit janë popull i veçantë, madje i quajnë si „popull i protestave“, sepse për këto tridhjetë vite kanë çuar në rrezimin e katër presidentëve me protesta të fuqishme, por edhe me viktima. Kujtojmë me këtë rast vitin 2001 ku u zhvillua fushata e protestave me moton “Ukraina pa presidentin Kuçma”.
Në veçanti te opinioni ka mbetur në kujtesë “Revolucioni Portokalli” në fund të vitit 2004, ku në “Sheshin e Pavarësisë” qindra mijëra protestues u mblodhën në shesh dhe nëpër rrugët aty pranë, dhe ngritën tenda për disa javë. Protestat ishin me moton kundër mashtrimit zgjedhor nga presidenti në fuqi, të cilat çuan në një raund shtesë të zgjedhjeve presidenciale të urdhëruara nga Gjykata e Lartë e Ukrainës, të cilat u fituan nga kandidati i opozitës, Viktor Jushçenko. Ishte kjo fitorja spektakolare e opozitës! Më pas gjatë vitit 2009, Julia Timoshenko u propozua si kandidate për presidente e opozites duke mbledhur ne këtë shesh rreth 200.000 njerëz.
Në veçanti duhen cekur protestat antiruse dhe proevropiane, të cilat filluan ne nëntorin e vitit 2013, e që më pas u kthyen në përleshje të dhunshme, që përfunduan me vrasjen e 100 ukrainasve. Sheshi qëndroi i pushtuar nga protestuesit gjatë gjithë ditës dhe natës, nga 1 dhjetori 2013 deri më 27 janar 2014.
Këto protesta ia arritën qëllimit, sepse çuan ne rrëzimin e presidentit Viktor Janukoviç dhe largimin e tij drejt Moskës, sepse ai ka refuzuar hapjen e negociatave me BE-në kundër vullnetit të popullit ukrainas, duke dëshmuar se ishte në favor të politikës proruse.

Mashtrimi ukrainas në vitin 1994
Kemi të bëjmë me marrëveshjen mes SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Rusisë, të cilët e binden Ukrainën që t’ia dorëzojë Rusisë armët bërthamore, me garancionin e tyre se do ta mbrojnë nëse sulmohet nga një vend tjetër. Por, pushtimi i Ukrainës nga Rusia nga data e 24 shkurtit 2022, dëshmon se ajo është mashtruar, sepse nuk është respektuar marrëveshja e tillë. Madje ky pushtim të kujton sulmin e Hitlerit ndaj Polonisë më 1 shtator 1939, edhe pse një javë më parë ishte nënshkruar marrëveshja Ribentrop-Milotov, përkatësisht Hitler-Stalin, për mossulmim ndaj Polonisë.

Heshtja e ndërkombëtarëve
Duke pasur interesa të ndërsjella, vendet evropiane nga Rusia kanë importuar gaz, naftë dhe mallra të tjera, që ndikojë në forcimin e saj ekonomik duke investuar në armatim. Nga një pozitë superiore ndaj fqinjëve, Rusia sulmoi ushtarakisht Gruzinë (2008) duke ia shkëputur Abhazinë dhe Osetinë Jugore. Duke parë se faktori ndërkombëtar qëndroi në heshtje, ata nuk u ndalën, sepse në vitin 2014 aneksuan Krimenë si dhe i mbeshtetën dy republikat e vetëshpallura në rajonin e Donbasit (Luganski dhe Donjetsk) duke i pranuar së fundi si shtete të pavaruara (21 shkurt 2022)! Ndërsa më 24 shkurt, ndodhi sulmi dhe pushtimi i Ukrainës si shtet sovran, pa asnjë shkas, por me qëllime ekspansioniste, sipas ideologjisë për shtetin e madh të Perandorisë Ruse.

Sanksionet kundër Rusisë
Duke marrë parasysh se Ukraina nuk është në NATO, vendet e BE-së por edhe të NATO-s u zgjuan dhe reaguan menjëherë duke vendosur sanksione të ndryshme ndaj Rusisë, ku dominojnë ato ekonomike, diplomatike, finaciare etj. Madje në këtë situatë kritike, presidenti i SHBA-së ka deklaruar se në këtë moment kemi vetëm dy mundësi të veprojmë, me sanksione ekonomike, apo të fillojmë Luftën e Tretë Botërore. Nuk ka dilemë se për një vend nuk mund të fillohet Lufta e Tretë Botërore, sepse do të kishte pasoja të mëdha, por për momentin çdo gjë do mbesë në sanksione, si dhe në furnizime të ndryshme për popullsinë e Ukrainës, për të përballuar pushtimin dhe për të organizuar rezistencën popullore.

Solidarizimi me popullin ukrainas
Pamjet nga pushtimi i Ukrainës kanë ndikuar në ndërgjegjësimin e komunitetit ndërkombëtar, të cilët kanë organizuar protesta të ndryshme në shumë vende të botës, duke akuzuar pushtimin e një vendi të pavarur, që paraqet rastin e parë në Evropë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kemi të bëjmë me fashizmin tipik si në kohën e Hitlerit, i cili si pasues modern ka Putinin. Bombardimi, shkatërrimi i objekteve të banimit, infrastrukturës, vrasja e popullsisë, shpërngulja e tyre dhe vendosja në vendët fqinje e më gjerë, dëshmojnë se kemi të bëjmë me një okupim klasik në kohën moderne.
Në këtë aspekt, me përjashtim të Bjellorusisë dhe Serbisë, të gjitha vendet evropiane akuzojnë politikën ekspansioniste të Rusisë. Një politikë e tillë ka ndikuar jo vetëm në solidaritetin e popujve dhe vendeve evropiane, por edhe në unitetin e BE-së dhe të NATO-s, duke u bindur se kemi të bëjmë me agresion i cili është në kundërshtim me parimet ndërkombëtare kundër një shteti sovran.

Spastrimi etnik – strategjia e politikës ruse
Ajo çka është duke ndodhur në Ukrainë, nuk është luftë, por spastrim etnik i qyteteve sidomos pranë Detit të Zi e Detit Azov, ku qyteti i Mariupolit është rast kriminal i veçantë ndaj popullsisë, sepse përmes tij lidhet territori toksor nga Krimeja në drejtim të Lindjes ku janë republikat e vetëshpallura në rajonin e Donbasit.
Kemi të bëjmë me një situatë identike sikurse në Bosnjë dhe Hercegovinë (1992-1995) dhe Kosovë (1998-1999) që vepronte ushtria serbe, duke rrethuar e granatuar qytetet, masakruar popullsinë e detyruar të shpërngulet, që ishte qellimi i politikës neofashiste serbe, ku pamjet e prezantura në media e dëshmojnë një konstatim të tillë.
Nga pasojat e luftës, bëhet me dije se deri më 20 mars nga Ukraina janë larguar mbi 3 milionë banorë, ndërsa të zhvendosur brenda vendit janë mbi 2 milionë.

Në pritje të marrëveshjes ndërkombëtare
Pavarësisht se sa do të zgjatë okupimi i Ukrainës, përvoja e deritashme dëshmon se do të kemi një marrëveshje ndërkombëtare për të përfunduar luftën dhe vendosjen e paqes në mes të dy vendëve. Në këtë konferencë përveç dy palëve, do të marrin pjesë edhe shtete që do të jenë garantuese të marrëveshjes së arritur. Ndonëse deri më tash janë organizuar disa takime nga përfaqësuesit e delegacioneve (Ukrainë-Rusi), njoftohet se pala ukrainase ka pranuar të tërheqë nismën për tu bërë pjesëtare e NATO-s, duke mbajtur pozitën neutrale. Një deklarim i tillë duket se është i pranueshëm edhe për palën ruse, por kontestuese do të mbesin statusi i Krimesë, që është aneksuar nga Rusia në vitin 2014, si dhe dy republikat e vetëshpalluara si të pavarura (2014) dhe të pranuara nga Rusia (21 shkurt 2022).
Opinioni është njoftuar se Ukraina ka akuzuar Rusinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, e cila më 16 mars ka marrë vendim të përkohshëm duke urdhëruar Federatën Ruse që mënjëherë të ndërprejë operacionet ushtarake në territorin e Ukrainës. Duhet cekur se urdhri për ndërprerjen e operacioneve ushtarake është masë e përkohshme gjyqësore deri në marrjen e vendimit definitiv për çështjen e ngritur në Gjykatë. Nuk ka dilemë se më pas do të trajtohet çështja e dëmshpërblimit si pasojë e krimeve të luftës nga ushtria ruse në Ukrainë.
Pavarësisht se sa do të zgjasë lufta, Putini e ka të humbur luftën. Atë do ta presë fati i Sllobodan Millosheviqit në përballje me gjykatat ndërkombëtare, sepse ka prova të mjaftueshme për krimet e kryera deri më tash.

Të fundit

më të lexuarat