
Nëse i behët një retrospektivë pozitës dhe statusit të shqiptarëve në Mal të Zi del qartë se kemi të bëjmë me sfida të vazhdueshme për të mbijetuar. Ishte koha e krizës politike e shoqërore, ku shqiptarët vazhdimisht ishin të rrezikuar. Ndonëse pas Luftës së Dytë Botërore u hapën shkollat në gjuhën shqipe, më pas u paraqiten pengesa të natyrave të ndryshme, sepse shkollimi i shqiptarëve nga ana e pushtetit nuk shihej me simpati. Ishte pikërisht pushteti i kohës, që punoji në unifikimin e shkollave në gjuhën sllave, duke mbyllur shkollën në gjuhën shqipe siç ishte viti 1956/57 në qytetin e Ulqinit, e gjetiu në viset shqiptare Mal të Zi.
Kemi të bëjmë pikërisht me kohën e hegjemonizmit shtetëror të udhëhequr me mentalitetin e kolonialist, ku kundër shqiptarëve realizoheshin skenarë të ndryshëm, sepse bëhej presion special, ku përveç politikës së asimilimit ishte në vepër edhe emigrimi i dhunshëm, që si qëllim final kishte spastrimin etnik të hapësirës etnogjeografike shqiptare në ish- Jugosllavi.
Imponimi i programeve mësimore
Të gjithë jemi dëshmitarë se në shkollat më mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi, si në monizëm ashtu edhe në kohën e pluralizmit është mohuar identiteti në lëndët e identitetit kombëtar. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë më programe shkollore unitare, të imponuara, e poashtu edhe tekste shkollore nga autorë sllavë të përkthyera në shqip. Në këtë aspekt përjashtim bën vetëm teksti shkollor nga gjuha shqipe. Si të tilla, këto tekste janë të përshtatshme vetëm për nxënësit në gjuhën sllave e jo për nxënësit shqiptarë. Pra, kemi të bëjmë me mohimin e të drejtave për nxënësit shqiptarë që të mësojnë për identitetin e tyre kombëtar, sidomos për lëndët e identitetit kombëtar siç janë historia kombëtare, kultura muzikore dhe arti figurativ.
Ndonëse një veprim i tillë është në kundërshtim me të drejtat e garantuara me Kushtetutë(neni 79) dhe standarde ndërkombëtare europiane, pushteti në Mal të Zi nuk ka treguar gatishmëri për ndryshime pozitive në këtë drejtim, për të realizuar në praktikë barazinë qytetare e nacionale edhe për shqiptarët në këtë mjedis.
Do të ishte e logjikshme që në një mjedis demokratik çdo kërkesë e cila është në favor të barazisë nacionale të shqiptarëve në Mal të Zi, që nuk cenon të tjerët duhet të jetë e pranueshme për pushtetin në këtë mjedis. Por, në Mal të Zi ende mungon kapaciteti demokratik i pushtetit, duke mbetur peng i paragjykimeve ndaj shqiptarëve si në kohën e monizmit edhe pse kanë kaluar tre dekada në pluralizëm(!?).
Dështimi i partive politike të shqiptarëve
Çështja e arsimit në gjuhën shqipe në periudhën e pluralizmit ka mbetur pa realizimin e objektivave, përkatësisht nuk është avancuar sipas kërkesave të ligjshme të shqiptarëve. Në këtë aspekt subjektet politike të shqiptarëve këtë çështje e kanë cekur sidomos në fushatat elektorale sa për sy faqe, por konkretisht nuk kanë bërë asgjë, nga del se ka munguar serioziteti dhe guximi profesional për ta trajtuar këtë çështje.
Ndonëse përfaqësuesit e tyre ishin pjesë e pushtetit qendror(1998-2020), në fushën e arsimit kanë dështuar, sepse asnjëherë nuk kanë trajtuar çështjet programore-arsimore, sidomos nga lëndët e identitetit kombëtar. Dhe nga një gjendje e tillë nxënësit shqiptarë në shkollat me mësim në gjuhën shqipe vazhdojnë të mësojmë për të tjerët e jo për veten, që të kujton vendet koloniale. Në këtë aspekt teksti mësimor nga lënda e historisë dhe kulturës muzikore janë dëshmi autentike e një konstatimi të tillë.
Në lidhje më këto çështje shqiptarët nuk janë konsultuar asnjëherë nga dikasteri arsimor qeveritar, sepse ata nuk trajtohen si partner, por iu imponohen programet mësimore dhe tekstet shkollore, nga del se deri më tash mungon vullneti i pushtetit për ndryshime cilësore në fushën e arsimit.
Pasi dallohen nga gjuha, historia, kultura dhe prejardhja etnike shqiptarët si popull autokton janë të veçantë në mozaikun e popujve në Mal të Zi, andaj duhet të kenë të drejta të posaçme arsimore, në favor të mbrojtjes dhe zhvillimit të identitetit kombëtar në një mjedis multinacional sipas standardëve ndërkombëtare.
Pikërisht duke marrë parasysh këtë realitet arsimor, ka qenë e udhës që partitë politike të shqiptarëve në këtë mjedis të angazhohen ne arritjen e memorandumit të bashkëpunimit me ministritë e arsimit në Shqipëri e Kosovë që do të ishte në favor të arsimit në gjuhën shqipe në këtë mjedis. Mos angazhimi I tyre në këtë drejtim dëshmon mungesën e guximit për tu ballafaquar më çështjet e identitetit kombëtar sipas standardëve ndërkombëtare. Çdo deklarim politik në këtë drejtim nuk mund të arsyetohet më asgjë, sepse partitë politike nacionale mbrojtjen dhe avancimin e çështjes kombëtare duhet ta kenë mision të përhershëm programor.
Tekste të dëmshme për shqiptarët
Nëse rastësisht do të pyesësh nxënësit shqiptarë në shkollën me mësim në gjuhën shqipe për ndonjë datë, ngjarje apo personalitet nga historia apo kultura shqiptare, do të zhgënjehesh shumë, sepse ata nuk kanë përgjigje pozitive. Dhe arsyetimi më i shpeshtë është se nuk na mësojnë mësimdhënësit, sepse këto çështje nuk janë paraparë me program shkollor. Madje cekin se tekstet shkollore janë nga autorë sllavë të cilët janë për shkollat në gjuhën sllave, ndonëse janë përkthyer në shqip dhe si të tillë nuk kanë të bëjnë fare me historinë dhe traditën shqiptare. Kemi të bëjmë pikërisht me tekstet shkollore nga lënda e historisë dhe kulturës muzikore, si për shkollë fillore ashtu edhe të mesme, që janë të papranueshme dhe të dëmshme për ne shqiptarët, sepse arsimohen nxënës pa identitet kombëtar.
Madje për vite me radhë na është imponua si virus një padituri duke u bërë shprehi e kohës me pasoja të mëdha sot dhe në të ardhmen. Sepse, kemi të bëjmë me politikën arsimore e cila për ne shqiptarët është e papranueshme, duke qenë dëshmi e mentalitet e të të nënshtruarit edhe në periudhën pluraliste, që është absurd për kohën tonë!
Politizimi i arsimit
Në rrethana të krijuara shoqërore edhe në pluralizëm vite me radhë është e pranishme kriza morale, edhe pse periudha e pluralizmit ka ofruar mundësi të mëdha të prezantimit të vlerave identitare. Por, jemi dëshmitarë së autoriteti i mësimdhënësit ka rënë në nivelin më të ulët shoqëror, sepse në këtë profesion me ndonjë përjashtim të rastit janë orientuar studentet më të dobët. Ndërsa nga ana tjetër, drejtimi i shkollave është politizuar maksimalisht, duke vendosur kuadrat partiake pa marrë parasysh vlerat profesionale dhe autoritetin shoqëror në mjedisin përkatës.
Me përjashtim të rasteve të veçanta në këtë aspekt mësimdhënësit nuk kanë treguar disponim dhe angazhim konkret por në heshtje kanë vazhduar të realizojnë programet mësimore, të cilat për ne shqiptarët janë të imponuar. Një qëndrim i tillë oportunist jep për të kuptuar se të ata ende vazhdon qasja psikologjike e kohës së monizmit, përkatësisht i mentalitetit të nënshtruarit, duke mos marrë nisma në këtë drejtim. Deri më tash nuk kemi pasur rast të dëgjojmë apo të lexojmë ndonjë reagim, në këtë drejtim si nga mësimdhënësit apo të aktivit profesional, për të njoftuar opinionin e gjerë. Në këtë aspekt nuk kanë më pak përgjegjësi as prindërit sepse ka munguar reagimi i tyre për çështjet programore dhe përmbajtjet e teksteve shkollore, që i përdorin fëmijët e tyre. Sepse asnjë prind nuk mund të qëndrojë indiferent kur fëmisë së tij i mohohet edukimi dhe identiteti kombëtar, në emër të gjoja shtetit të qytetarëve. Pikërisht nga programi dhe tekstet e tilla shkollore nxënësi shqiptarë është inferior ndaj të tjerëve sepse mëson pothuaj çdo gjë për të tjerët e asgjë për vetën, që është absurd për kohën tonë dhe më pasoja tek popujt e ndarë në mjediset multinacionale.
Me heshtje nuk ndryshohet gjendja
Duke qenë dëshmitar se edhe në pluralizëm sistemi arsimor nuk ofron barazi për të gjithë qytetarët në edukim e identitet kombëtar, ku rast tipik janë shqiptarët në Mal të Zi, mbetët obligim i yni intelektual për të ofruar modele të pranueshme për të eliminuar diskriminim arsimor sipas standardëve demokratike ndërkombëtare sikurse në vendet multinacionale e multikulturore.
Përfundimisht, nëse vazhdojmë të jemi të heshtur apo statist vetëm për qëllime personale gjendja e jonë nuk do të ndryshojë, ndërsa përgjegjësia bie mbi të gjithë por në veçanti në ata që janë përfaqësues të zgjedhur të shqiptarëve në këtë mjedis, sepse arsimi në shqip, nuk është çështje personale apo partiake, por faktori bazë i mbrojtjes së identitetit tonë kombëtar.