Një etni, një gjuhë, një kulturë, një komb në hapësirën shqiptare

Kjo ishte deviza e të parëve tanë, që na edukuan ta duam atdheun, ta ruajmë gjuhën, kulturën dhe traditat tona dhe të gjithë bashkë të jemi në mbrojtje të vendit. Këto thënie filozofike shqiptare shpesh duken jashtë mode, një patriotizëm arkaik por ja që aty-këtu ngre krye edhe nënvleftësimet për njeri tjetrin, mburrjet jashtë të gjitha konteksteve të mësipërme

Zenepa Dibra

Këto ditë na kanë shqetësuar disa zëra që mendojmë se janë të veçuar por po të përsëriten dhe të përqafohen edhe nga të tjerët përbëjnë një opinion i cili nuk duhet të ekzistojë. Aq ma keq edhe në qoftë se janë të veçuar këto i shfrytëzojnë armiqtë tonë që rrinë gati për çdo gjë që ne kemi mosmarrëveshje. A nuk ishin këto armiq që gati deshën ta përvetësojnë edhe Skënderbeun, që deshën Nënë Terezën ta bëjnë maqedonase, që Migjenin e quanin sllav etj.. Veç nuk kanë sot çfarë të bëjnë me Dua Lipën, Rita Orën, Bebe Rexhën apo xhudistet e mrekullueshme që i bënë krenarë jo vetëm kosovarët, por çdo shqiptar.

Vëllezër të një etnie
Ne shqiptarët e Shqipërisë dhe kosovarët jemi vëllezër të një etnie, të një gjaku, të një kulture, të një tradite. Po jo vetëm me kosovarët por edhe me ulqinakët, me shqiptarët e Maqedonisë , të Çamërisë, e deri në Kalabri kudo ku gjallon gjaku “ynë i shprishur”. Ajo shprehja që ne shqiptarët paskemi xhelozi për kosovarët më është dukur e veçuar, e pa mend, e pakuptimtë se nuk e kam dëgjuar prej të tjerëve por shprehjen se kosovarët na duan më shumë se sa i duam ne, e kam dëgjuar shpesh bile edhe në rrethe intelektualësh. Tash ndër dy vëllezër nuk thuhet unë kam bërë ma shumë dhe ti ke bërë ma pak, unë të dua më shumë dhe ti nuk më do sa të dua unë. Mua bile shpesh nuk më pëlqen biseda që përmendet shpesh si i kemi pritur kosovarët ne gjatë gjenocidit serb. Po pse por çfarë kemi bërë ? Asgjë më shumë se na takon që duhet t’ia hapnim derën vëllait kur atë e kanë nxjerrë jashtë vatanit. Bile edhe ne kemi kujtuar se ne verioret i duam ma shumë kosovarët se ato të jugut por ato ditë gjithë popullsia e jugut tregoi se sa me zemërgjerësi i hapen portat gjithë qytetet dhe fshatrat e tyre. Por kështu vepruan edhe shqiptarët e Maqedonisë, strugarët, tetovarët, shkupjanët, ulqinakët e kudo në botë ku kishte shqiptarë. A mendoni se edhe kosovarët do bënin të njëjtën gjë për ne? A nuk ishin kosovarët që na i gjenden kur u përmbytem, kur ra tërmeti etj.
Nuk lexohet historia por duhet të dihet se historikisht ne e kemi dashur dhe përkrahur popullin kosovar duke i ndenje afër në momentet më të vështira.

Shkodranët për Kosovën
Unë po shkruaj vetëm për Shkodrën, për të treguar me fakte jo me fjalë se çfarë ne shkodranët kemi bërë për Kosovën.
Në Shkodër, shumë emigrantë kosovarë të ndjekur nga reprezaljet serbe kanë gjetur strehim shumë kohë përpara, ku shkodranët u kanë rezervuar një mikpritje vëllazërore Mbas Luftës Ballkanike, numri i tyre u rrit dhe Bashkia e Shkodrës me në krye Muharrem Gjylbegun formoi një komision prej disa qytetarësh shkodranë për t’i ardhur në ndihmë muhaxhirëve (emigrantëve) kosovarë. Shkodra shpejt do të bëhej qendra e aktiviteteve politike dhe e aksioneve luftarake të shumë trimave dhe luftëtarëve kosovarë, si të Isa Buletinit, Bajram Currit etj. Në Shkodër u themelua dhe veproi “Komiteti Mbrojtja Kombëtare Kosovës (1918-1924), ku gjeti mirëkuptim dhe përkrahje nga populli shkodran. Shkodranët jo vetëm që morën pjesë në këtë komitet, por e përkrahen, morën pjesë në aktivitetet dhe protesta e tyre. Ato të parët shpërndanë gazetën “Populli”, organ i këtij komiteti, duke ndihmuar edhe në financimin esaj. Fjalimet e deputetëve shkodranë në parlamentin e v. 1921 të Ndre Mjedës dhe Gjergj Fishtës do të trondisnin mbarë opinionin për theksin e fortë që ato i vunë situatës në Kosovë, gjenocidit serb dhe rolit mbrojtës që duhet të luajë Shqipëria, në krah të vëllezërve kosovarë. Hil Mosi, në fjalën e tij në Kongresin e Triestës, mbajtur më 1913 në Trieste të Italisë, i kujton kongresit se po flitet shumë për Shkodrën e Janinën, e vilajeti i Kosovės e Manastirit po përmendet pak dhe ato s’duhen harruar, se janë tokë shqiptare. Safet Juka, një atdhetare shkodrane me qëndrim në diasporë (Amerikë) do të realizonte një detyrë patriotike ndaj Kosovës me dy libra. Njëri është përkthim nga gjermanishtja në anglisht e librit “Albanian’s Golgotha” i deputetit, gazetarit dhe shkrimtarit austriak Leo Freundlich, që tregon genocidin serb ndaj kosovarëve, kurse libri tjeter i shkruar në anglisht: “Kosova – The Albanians in Yugoslavia in light of Historical Documents”.(Kosova në Jugosllavi në dritën e dokumentave historikë) do t’i shërbente për të publikuar dhe ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare të kosovarëve.
Kompozitori i shquar Palok Kurti, me propozimin e Bajram Currit dhe miratimin e Hasan Prishtinës, do të formonte në Gjakovë dhe Vushtrri orkestrat e para frymore. Paloka ka shkruar dhe një marsh kushtuar Gjakovës, që e ka titulluar “Lamtumire mori Jakove” dhe me ketë marsh që ekzekutoi daullja e Gjakovës, është përcjellë me 12 tetor 1918 nga Gjakova për në Shkodër mes mijëra qytetarëve që kishin dalë ta përcjellin mjeshtrin e madh për të cilin ma shumë se gjysma lotonin për largimin e tij”. Shkodra dha gjak për Kosovën sepse në gjyqin komunist të v. 1946, të zhvilluar në Prizren katër martirë shkodranë Marie Shllaku, Kolë Parubi, At Benardin Llupi dhe Gjergj Martini, që do pushkatoheshin vetëm se ato donin Kosovën e lirë dhe të bashkuar me Shqipërinë. Për këtë është pushkatuar edhe Gjon Serreqi, një shkodran nga familja shkodrane Serreqi. Mos të përmendim pastaj kontributin e jashtëzakonshëm, humanitar, edukues dhe patriotik të dhjetëra arsimtarëve shkodranë, duke filluar nga Mati Logoreci që hapen shkolla në Kosovë dhe edukuan me gjuhën e ëmbël shqipe qindra fëmijë kosovarë. Kam edhe shumë raste tjera që unë i kam rreshtuar në Enciklopedinë e Shkodrës por ju të dashur vëllezër dhe miq kosovarë vetëm një gjë të bëni: Lexoni ma shumë për historinë tonë të kaluar se sot po e bëni ju historinë shqiptare bashkë me ne.

Mbresa nga Gjakova
Kur kam kenë njëherë në Gjakovë në një bisedë, një grua gjakovare më tha: Ju shkodranët e keni kollaj të flitni, se ju nuk e keni provuar gjenocidin serb dhe nuk dini se çfarë asht lufta”. Mua mu mblodh një lëmsh në grykë dhe fatmirësisht që kam disa njohuri për historinë e Shkodrës dhe i thashë: Zojë, respektoj shumë vuajtjet, luftën dhe sakrificat tuaja të gjithë kosovarëve në këtë luftë, por ju nuk e njihni historinë tonë të luftës. Jemi ne shkodranët që kemi la me gjakun e bijve ma të mirë mbrojtjen e tokave të Shpuzës, Kërnicës, Plavës, Gucisë, Hotit Grudës, Tivarit, Ulqinit nga shovinizmi malazias. Dhe në këto luftëra ka pasur me qindra kosovarë vullnetarë që kanë luftuar përkrah vëllezërve të tyre. Shkodra asht bombarduar në mënyrë periodike për 6 muaj e gjysmë tetor 1912-prill 1913, ka vuajtur luftën, varfërinë, poshtërimin e shovinistëve serbo-malazes, që kanë djegur tokat veriore të Shkodrës kanë therë fëmijë, kanë vrarë burra dhe gra të pafajshme. U bombarduan shtëpitë, institucione, Kisha e Madhe, konsullata, u vranë me qindra njërës dhe ju a i dini këto zonjë? Në Luftën e Koplikut më 1920 shkodranët sprapsen sulmet serbo- malazeze që erdhën deri në Koplik, sepse ëndrra e tyre ishte dhe mbetën pushtimi i Shkodrës.

Ta njohim më shumë njëri-tjetrin
Por këto ndodhen shumë ma përpara luftës tuaj dhe regjimi që patëm për 50 vjet nuk na lejoi të njohim historinë e njeri tjetrit as sa intelektuali Rexhep Qosja nuk dinte asgjë për Çamërinë dhe gjenocidin grek atje. Ne na ka dëmtuar shumë regjimi 50 vjeçar i komunizmit për mosnjohjen e historisë së njeri-tjetrit për afrimin tonë, për shkëmbimet tona sa ne në Shqipëri dinim kaq pak për Kosovën dhe historinë e saj sa shumë edhe nuk e dinin ku i binte Kosova. Ama sot të lexohet ma tepër e sidomos brezi i ri që duhet të dijë për sakrificat e përbashkëta që kemi bërë për çështjen kombëtare dhe nuk është koha të tregosh asgjë sa të dua unë ty dhe ti mua. Këtë e tregojnë ngjarjet e kaluara, të sotme dhe do e tregojnë edhe në të ardhmen, me veprime, me përpjekjeje dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Të shkruhet ma shumë jo vetëm për historinë kombëtare por edhe me tregimet, romane, novela, poezi për çdo ngjarje të veçantë që i përket kësaj historie. Në librat e historisë këto të marrin rëndësi të veçantë se vetëm kështu ne do të dimë ta vlerësojmë njeri-tjetrin, të punojmë për njeri tjetrin dhe të mbrojmë interesat tona të përbashkëta në çdo institucion ndërkombëtar.

Të fundit

më të lexuarat