TUFË POEZISH: Ali Gjecbritaj

NË KAFENENË LIBURNA

Sa e shkelëm pragun
aromë kafeje e tym duhani
kundërmon gjithandej.

Freski deti përzier me jod
pica të llojit margarita
oferta me duar të hapura.

Hakiu, Kola, unë e Ilmiu
pimë verë të kuqe
në gotat tona puna ka ngrirë.

Kamerier na sillë edhe një verë!
na erdhi Betimi me xhepin plot
do të na e paguaj nga një gotë.

Do të na qeras për detyrën e re
po thonë së do bëhet deputet
edhe pse pensionist e dimë ne.

Pak ka rëndësi tjetri ia pret
po Ilmiu me krenari
i ka rregulluar të gjithë njerëzit e tij.

Zoti na ruajt pëshpëriti një klient
unë shumë verë kamë kam pirë sot
por më duket ju qenkeni dehë.

Doli nga dera në këmbë të veta
nënë, Hakiu, Kola e e Ilmiu
Dolëm të palarë me duar në xhepa.

LAHUTA

E ka vendin këtu mes trimave
këmbëkryq në kuvendin e burrave
u ça tupani në dasmat tona
në sofrën e parë shtuar në krye të vendit
lahuta me këngët e kreshnikëve
u bë flamurtare e kurorës tonë.

EJA

Shkojmë ku të duash
bashkë jo të ndarë
o i zoti i shtëpisë
a doni miq sonte
mirë se vini
ardhshi të bardhë
me këmbë të mbarë
ndera ju rritë
u paçim gjithmonë
me faqe të bardhë
sa e bukur fjala jonë.

NUMRAT

Një, dy, tre,…nëntë…
me duar me këmbë
dorezash, çorapësh
numra këpucësh
pa lidhëse.
Dhjetë, njëzet…njëqind…
numra vitesh
të lidhur me penj
rruaza me ngjyra
të kapur
për tri palë shoka.
Numra disa sish
ballin kanë gërvishtur
kanë lëvruar arën
me teh thike.
Vetëm numrat
thyen fjalët
e fjetura
e unë ende kërkoj
gabimet
në Teoremën e Pitagorës.
Numrat…
kanë hyrë në qerren e çmendur
me rrota në kërthizë
kanë marrë rrugë të largët
deri atje ku vdekja
është shtrirë
pas ferrës së prerë
që ka mbyllë shtegun
u ka dalë në pritë.
Numri im i panjohur
gjuha e njeriut
fitil kandili
burim drite
në këtë ditë
theu pusinë.

NUK DUA, JO NUK DUA

Nuk dua të trokas me grushte
as me shkelma t’i bie kurrë derës
me njëmijë fjalë rri pas saj jashtë
pres të hapet e pishën brenda ta ndezi
me eshkë si dikur të ngrohem
po ua them para syve tuaj
ta shihni, me veshë ta dëgjoni
zemra më është ndarë dysh
është kryefjalë e imja
në fund nuk i vihet pikë
jo nuk dua, kurrë nuk dua
të ndezi fitila ku zemra bëhet shkrumb
as me vetminë në duar të rrugëtoj
gati ia harruam mbi ballë plakut rrudhat
e kryet e mbuluar me thinja
nuk dua gojën ta bëj flakadan
të ndez pëlhurat e bardha
pa u ngopur me bukë misri
në kasollet e panumërta të kohës
të shpirtit tim binjak të vuajtur.

ZJARRI

Ndize poçin e madh varur në tavan
u mërdhimë nga i ftohti
ndize mbase drita na ngrohë
gjymtyrët e mpira e trupin e ngrirë
unë u betohem se jam gatuar nga drita
në magje jam ngopur me përralla
fshesa t’i marrë përpara
gatimet e gabuara të kohës
me grushte hekur kam kalitur
në kokë kanë pushuar pulëbardhat
e kurorë nusesh me degë ulliri
kanë thurur pëllumbat
në banka të kalbura ku na kanë ulur
nuk dua më të shkruaj
sonte dua zjarr hëna të pikojë rreze
dua duart t’i mbushi me prush
të ngrohet trupi im i brishtë
bora të shkrijë në bjeshkë
lumi të rrjedhë me furi
shtratin me ujë bilur ta mbush
diellit i betohem se u ngroha
u ndez ky zjarr i dritës.

SYRI IM

Më mashtron me flakërim qerpikësh
ortekë lëshon në gjoksin lakuriq
më mashtron me gurrë buzëqeshjesh
mashtrojnë, mashtrojnë sytë e mi.
Matanë bregut ndahet në dy pjesë trupi
me vrap hisedarët për atje janë nisë
secili hisen e vet merr me syrin lakmitar
mua më mashtroi s’më takoi asnjë pjesë.
Syri im tash gjeti një cak në horizont
fener në ujdhesën e largët në det
valët e trazuara me furi rrahin bregun
lajmërojnë kapitenin e anijes në lundrim.
Sot kam shënuar në ditar kuaj të mbathur
trokitje patkonjsh në rrugë të gurta me shkallë
në bebëzat e syve tu shtegun e fjetur në mur
rrezja bie pingul në ballë mbi syrin tim.

Të fundit

më të lexuarat