Peshkatorja “De Rada“ në Plazhin e Vogël të Ulqinit

Peshkatorja qëndroi tri ditë në plazhin e Ulqinit. Pas tri ditësh, dy rimorkiatorë dhe dy kamionë të mëdhenj, nga Moli i Madh e nxorën peshkatoren “De Rada”, e cila pas procedurave ligjore në Portin e Tivarit vazhdoi lundrimin për Vlorë

Gani Karamanaga

Ishte dhjetor i vitit 1997. Një ditë më parë kishte qenë mot i lig, me shtrëngatë, erë, det të madh si kuçedër. Ditën tjetër doli moti i mirë me diell, ndërsa edhe deti kishte rënë. Në Ranë filluan të dalin peshkatarët dhe qytetarë të tjerë. Për çudi, ata panë se në fillim të plazhit ishte e zhytur në ranë një peshkatore e madhe.

Limani i Vlorës
Në fillim të limanit të Vlorës ishin disa sandallë e flluga për peshkim, ndërsa në afërsi të tyre disa peshkatore. Ndërkaq, në molin e madh të limanit ishte vapori i madh që lundronte në linjën Vlorë – Sicili (Itali).
Peshkatorja “De Rada” e ngarkoi peshkun, duke e vendosur në frigoriferë. Kapedan ishte Rexhep Beci, motorist Can Lanica dhe pesë peshkatarë. U nisën në orët e paradites për Durrës, prej ku peshku do të eksportohej për Itali.

Nisja për peshkim
Në orët e mbrëmjes, kapedan Rexhepi vendosi që të dalin për peshkim në afërsi të Durrësit. Motoristi Can Lanica i tha: “Kapedan, koha është shumë e qetë, nuk më pëlqen. Jam i bindur se është duke ardhur një mot i keq”. Por kapedani nuk mendonte njëjtë dhe “De Rada” doli prej limanit të Durrësit dhe filloi peshkimin.

Furtuna e Hazreti Nuhit
Pas disa kohe filloi shi me erë dhe deti u trazua. Valët sa vinin e rriteshin. Peshkatorja “De Rada” e humbi orientimin. Motoristi Can Lanica tha se kjo situatë i përngjan furtunës së Hazreti Nuhit.
Hazreti Nuhi ishte njëri prej pejgamberëve të dërguar prej Allahut, i cili për të shpëtuar popullin e vet ndërtoi një barkë në të cilën ishin 70 pjesëtarë të popullit të tij. Djali i Hazreti Nuhit nuk dëgjoi të shkojë me babanë dhe popullin tjetër, kështu që mbeti i vetëm në majë të një kodre. Legjenda thotë se Hazreti Nuhi ka jetuar 900 vjet! Gjatë lundrimit çoi furtunë e madhe, por Hazreti Nuhi me gjithë popullin e vet shpëtuan.
Edhe te populli ynë në Ulqin, dita e dhjetë e muajit Muharrem sipas Hixhrit njihet si koha e Ashureve (Akshyreve). Sipas fesë islame, është mirë të agjërohet ditën e nëntë ose të dhjetë të muajit Muharrem.

De Rada në plazhin e Ulqinit
Duke lundruar për këtë mot të keq, në një moment i panë disa drita. Kapedani e mori komandën dhe “De Rada” mbërriti në Ulqin. Para se anija të zhytej në ranë, menduan se ishin në Shëngjin! Por motoristi Can Lanica tha se ky nuk ishte Shëngjini por Ulqini, ku kishte qenë dy herë.

Shpëtimi i peshkatores “De Rada”
Peshkatorja qëndroi tri ditë në plazhin e Ulqinit. Pas tri ditësh, dy rimorkiatorë dhe dy kamionë të mëdhenj, nga Moli i Madh e nxorën peshkatoren “De Rada”, e cila pas procedurave ligjore në Portin e Tivarit vazhdoi lundrimin për Vlorë. Siç u tha në fillim, kjo ngjarje ndodhi në dhjetor të vitit 1997.

Të fundit

më të lexuarat