Përpjekje për të ruajtur rrënjët, origjinën, historinë dhe identitetin

Përmes pemës gjenealogjike, autori paraqet të dhëna interesante rreth origjinës dhe evolucionit të fisit Gojçaj, një grup etnik nga zona e Traboinit, në malin e Hotit të Malësisë së Mbishkodrës, duke zbuluar lidhjet familjare dhe historike të këtij grupi. Kjo monografi është një përpjekje për të ruajtur rrënjët, origjinën, historinë dhe identitetin, kryesisht të familjes së autorit, por edhe të familjeve të tjera që ishin pjesë e rëndësishme e jetës në Hot gjatë shekujve

Gjekë Gjonaj

Një fjalë e urtë popullore thotë: “Njeriu i mençur shënon, ndërsa dembeli kujton”. Edhe Shtjefën Palokë Gojçaj e nisi këtë detyrë me shumë sukses për të ndriçuar, dokumentuar dhe argumentuar gjenealogjinë e familjes së tij në librin “Trungu i familjes sime”. Përmes pemës gjenealogjike, autori paraqet të dhëna interesante rreth origjinës dhe evolucionit të fisit Gojçaj, një grup etnik nga zona e Traboinit, në malin e Hotit të Malësisë së Mbishkodrës, duke zbuluar lidhjet familjare dhe historike të këtij grupi. Kjo monografi është një përpjekje për të ruajtur rrënjët, origjinën, historinë dhe identitetin, kryesisht të familjes së autorit, por edhe të familjeve të tjera që ishin pjesë e rëndësishme e jetës në Hot gjatë shekujve.
Autori Gojçaj, me përkushtim dhe pasion, hulumton brezat e familjes së tij, e cila ka një jetë të hershme në trojet tona etnike, por edhe prejardhjen e vëllazërive të Hotit, historinë e lavdishme dhe të përgjakshme të kësaj treve në ruajtjen dhe mbrojtjen shekullore të tokave shqiptare, të pushtuara nga pushtues të ndryshëm.
Ai ofron prova (dëshmi) të mjaftueshme për punën e tij krijuese dhe përgjegjësinë profesionale, të cilat mund të shihen në të gjithë materialin e mbledhur mirë dhe me kujdes, të studiuar, të përpunuar dhe të pasqyruar në monografinë kushtuar familjes së tij dhe pasardhësve të kësaj familjeje, të cilët janë edhe rrëfyesit kryesorë të pemës gjenealogjike, dhe gjithçka që lidhet me historinë e kësaj familjeje në Hot.
Libri trajton edhe disa tema shumë interesante me rëndësi kombëtare. Duke folur për historinë e Hotit, autori nxjerr në pah ngjarje të rëndësishme që ndikuan në zhvillimin e këtij rajoni dhe të fisit Gojçaj, duke mos lënë mënjanë ndikimet socio-kulturore dhe historike.
Nëse e lexojmë me kujdes monografinë kushtuar pemës gjenealogjike të Shtjefën Gojçajt dhe pasardhësve të kësaj familjeje, do të kuptojmë se me sa kujdes, si një bletë që mbledh nektarin, autori mblodhi dhe shkroi informacione rreth familjes, si dhe të afërmve, nga dëshmitë e njerëzve më të shquar, më të respektuar, më të guximshëm dhe më patriotë të Hotit.
Libri “Trungu i familjes sime” ofron një perspektivë personale dhe emocionale mbi identitetin dhe rrënjët e autorit, duke e bërë atë një lexim të vlefshëm për studiuesit, historianët dhe ata që dëshirojnë ta kuptojnë më mirë trashëgiminë kulturore të Hotit.
Në vazhdim të kësaj vepre, autori Shtjefën Gojçaj shkruan për fazat e zhvillimit të Hotit pas Luftës së Dytë Botërore, jetën e vështirë të kësaj popullsie 100 për qind shqiptare për të mbijetuar dhe për të ruajtur tokën e të parëve të tyre, pasqyron figurat e ndritura, guximin dhe veprat heroike të njerëzve më të shquar dhe domethënës të këtij fisi dhe kësaj krahine.
Ai shkruan gjithashtu për lëvizjet e popullsisë (migrimet), që nga vitet ‘70-të të shekullit të kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes një përshkrimi të gjallë të jetës së përditshme, autori shkruan për jetën, zakonet, praktikat, ritualet dhe traditat në vendlindjen e tij dhe Amerikë, të cilat e karakterizojnë fisin Gojçaj, duke i dhënë lexuesit një ndjesi më të thellë të identitetit të këtij komuniteti.
Libri është pasuruar edhe me shumë fotografi interesante, të cilat lidhen me librin dhe protagonistin e tij. Prandaj, monografia “Trungu i familjes sime” është një kontribut jashtëzakonisht i madh që Shtjefën Gojçaj i dha familjes dhe të afërmve të tij, i cili do ta bëjë krenar çdo banor të Hotit, një histori që nuk do të vdesë kurrë, por do të përcillet brez pas brezi.
Vepra të tilla kanë rëndësi të madhe, për faktin se, kur flitet për paraardhësit e familjes, është më e lehtë për pasardhësit ose brezat që vijnë pas tyre të njohin dhe të kuptojnë plotësisht të kaluarën dhe historinë e familjeve të cilave u përkasin.
Monografitë mbi pemën gjenealogjike janë një lloj “dëshmie” e gjallë të një kohe dhe kanë rëndësi të madhe për gjenealogjinë familjare. Vetëm një person me vullnet dhe përkushtim të madh, siç është Shtjefën Gojçaj, krijon një vepër kaq të vlefshme.
Ky është një libër që çdo familje hotiane duhet ta ketë, është veçanërisht i rëndësishëm për brezin e ri dhe ata në emigracion, në mënyrë që ata të mund të njohin dhe të mos harrojnë rrënjët e tyre. Çdo gjysh dhe prind do të bënte mirë t’ua jepte këtë libër fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tyre sot, në mënyrë që të mos e harrojnë nesër. Ky libër, përveç vlerës së tij të vërtetë në ndriçimin e historisë së kësaj familjeje, besoj se është shumë i rëndësishëm edhe për historinë e popullit tonë.

Të fundit

më të lexuarat