Në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, të dielën mbrëma, më 30 nëntor 2025, u bë promovimi i librit “Xhubleta – pasaportë e identitetit kulturor kombëtar” të autores Rita Kalaj – Shkurtaj, e cila njëkohësisht është edhe kryetare e Shoqatës Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”.
Në fillim të këtij promovimi, para një numri të konsiderueshëm pjesëmarrësish, u tha se xhubleta shqiptare është një monument i gjallë i historisë sonë, i cili përfaqëson tipologjinë e veshjes më të vjetër në botë, një trashëgimi e vjetër mbi 4000-vjeçare.
Autorja e kësaj vepre, Rita Shkurtaj – Kalaj, u shpreh se promovimi dhe ruajtja e xhubletës është nderimi më i madh që mund t’u bëhet nënave tona, gjysheve tona dhe të gjithë atij trungu që na ka përcjellë si trashëgimi kulturore ndër shekuj.
“29 nëntori shënon dyvjetorin e pranimit të xhubletës në UNESCO dhe ky ishte një sukses i dytë dhe shumë i vlefshëm për prezantimin e këtij libri, aq më tepër në Malësi të Madhe ose Malësi të Veriut, pasi kultura nuk ndahet me kufij”, theksoi autorja.
Ajo, duke falënderuar Qendrën për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, shprehu mirënjohje edhe ndaj fyelltarit Shtjefën Ujkaj, i cili, siç tha ajo, ka bërë të mundur ardhjen e saj për herë të parë për xhubletën në Malësi.
Autorja, si specialiste dhe studiuese e xhubletës, u shpreh se epiqendra e rrathëve kulturorë të etnografisë së xhubletës duhet të fillojë nga Malësia nën Malin e Zi.
“Pse? Sepse xhubleta është ruajtur në formën më origjinale, pasi xhubleta këtu flet me të folmen e saj dhe kjo është një arritje shumë e madhe dhe ka një domethënie edhe më të madhe sa i përket vlerave kulturore si identitet kulturor, jo vetëm si pakicë, por edhe si komb”, u shpreh Shkurtaj – Kalaj.
Xhubleta, tha ajo, ka lindur bija fisnike që kanë nderuar fisin në Malësi, dhe se në prehër të xhubletës janë rritur gjithë ata trima me të cilët ne sot krenohemi.
“Xhubleta ka lindur Prek Cala, Dedë Gjon Lula, Dedë Gjon Ujka, Bacë Kurta e shumë figura të tjera me të cilët krenohemi, kështu që nderimi ndaj saj është detyrim i secilit nga ne”, u shpreh Rita Shkurtaj – Kalaj.
Ajo theksoi se “nëpërmjet xhubletës identifikohemi këtu e në të gjithë botën dhe se kjo është një pasuri që na bën të jemi krenarë dhe të vetëdijshëm për gjithçka që ne duhet të bëjmë, duhet të veprojmë dhe duhet të jemi ata ithtarë që do ta mbajmë dhe do ta trashëgojmë e kultivojmë ndër breza”.
Drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, Gzim Hajdinaga, për gazetën “Koha javore” tha se ai personalisht ka kërkuar që promovimi i librit dhe xhubleta të prezantohen në ditët e maratonës së kulturës së pakicave kombëtare, një manifestim i cili është organizuar për herë të parë në vitin 2002 në Mal të Zi, 23 vjet më herët.
“Pas 23 viteve rikthyem përsëri këtë manifestim kulmor, i cili përfshin vlerat e të gjitha pakicave autoktone në Mal të Zi, mirëpo ne shqiptarët jemi popull specifik, ku nga gjuha dallojmë nga të tjerët, pra jemi më të vjetrit. Dhe vetë fakti se të dhënat tashmë të dokumentuara, tregojnë mbi 4 mijë vjet, tregon që xhubleta është e të gjithë shqiptarëve pavarësisht se si quhemi dhe të cilit konfesion jemi”, u shpreh ai.
Hajdinaga më tej theksoi se xhubleta është pasaportë kombëtare dhe një vlerë shumë e çmuar.
“Para disa muajve e promovuam edhe në Guci, në një zonë të shqiptarëve, të cilët për fajin e të gjithëve ne janë lënë pas dore, por e kemi promovuar edhe atje pasi në atë zonë është bartur njësoj xhubleta. Kemi në plan që këtë libër ta përkthejmë edhe në gjuhën malazeze për ta promovuar në Podgoricë dhe në vendet e tjera të pabanuara ndoshta nga shqiptarët, që edhe ata të njihen me këtë vlerë që ka kombi shqiptar e që ndoshta të tjerët na e kanë lakmi”, theksoi ai.
Për këtë libër voluminoz referuan gjerësisht në kumtesat e tyre Prof. Dr. Nertila Ljarja, Dr. Bendis Kraja dhe Dr. Sereta Koperaj.
Në këtë aktivitet kulturor, disa të rinj, duke u veshur me xhubletë dhe veshje kombëtare, demonstruan elementet bazike të xhubletës së Malësisë së Madhe dhe xhubletës, tipologji e Shllakut, si një vlerë e çmuar e trashëgimisë kulturore.
Xhubleta, si pasuri e çmuar e thesarit tonë kulturor kombëtar, që nga jeta e përditshme e paraardhësve tanë – në punë, gëzime dhe hidhërime, vazhdon të jetojë, duke e pasuruar dhe hijeshuar jetën kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve kudo. Ajo është një vlerë kaq e madhe që tashmë është bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
t. u.
