
(vazhdon nga numri i kaluar)
Të lexosh Ibrahim Berjashin do të thotë të hysh në një hapësirë ku fjala nuk është vetëm fjalë, por gjendje. Ku vargu nuk është vetëm gjuhë, por përvojë ekzistenciale. Poezia e tij është bërë pjesë e kujtesës sonë letrare dhe shpirtërore. Në poezinë “Fletë e grisur në librin e historisë”, ai shkruan: “Rrënjët – t’k’putura, në zemër tjetër / Belbëzim – pa ndjesi, të vjetër / Nuk lind – djalë, As – s’vehet unazë / Fletë e grisur – në Librin e historisë!” Këto vargje janë metaforë e dhimbjes kolektive, e plagës së historisë që nuk shërohet, por mbetet si kujtesë e gdhendur. Një poezi e fuqishme ku metaforat e thëna sikur flasin për një popull të plagosur.
Në një tjetër poezi, “Dashuria e vetme”, poeti thotë: “Atje ku deti ta dhuron diellin, / të përkëdhelë butë e pa fund / Ishte, m’mbeti dashuri e vetme Ulqini!” Këtu, vendlindja është kthyer në dashuri të përjetshme, në një simbol që e ushqen shpirtin dhe e mbart poetin në çdo kohë. Një poezi e ndjeshme, ku ndjenja ngjitet në mbijetesë, në një kontrast mes dëshirës dhe përsëritjes mitike të vendlindjes. Në këtë varg sintetizohet fuqishëm: dashuria për vendlindjen, përkujdesja e detit si nënë që do e përkëdhelë gjithmonë.
Po aq prekëse janë vargjet e poezisë “Ma kthe lirinë”: “Altari i mungesës sate është fantazmë e kristaltë / Pak edhe mund të vdesim, / Edhe të murosemi në Rozafat/ Ma kthe lirinë, se mbetëm pa fjalë që të dy.” Këtu, poezia bëhet një thirrje intime për rikthim, për plotësim, për çlirim të shpirtit, ku gjejmë një lloj rikthimi të thellë në mitologjinë lokale, nostalgjinë dhe kërkimin e lirisë. Kjo lirikë përçon një boshllëk emocional dhe një dëshirë për rikthim dhe përfshirje.
Dhe, së fundi, në poezinë “Takohemi n’ëndrra t’bardha”, Berjashi shkruan: “Ofeli, a mund t’kthehet / Shekulli i munguar / Dua t’them diçka n’vesh / Takohemi n’ëndrra t’bardha, / që t’lindim përsëri.” Këto janë vargje rilindjeje apo ringjalljeje – një ftesë për të besuar se përmes ëndrrës dhe artit, gjithmonë është e mundur të fillojmë përsëri. Një poezi që të fton në dialog, por edhe të detyron në reflektim. Reflektimin mbi kohën e kaluar dhe dëshira për një rilindje apo ringjallje poetike.
Në thelb, Berjashi është poet i një kohe që ka ditur ta thërrmojë në vargje, duke i dhënë asaj një vazhdimësi të re në art. Poezia e tij është përballje me kujtesën historike dhe personale, me përvojën e jetës dhe me kërkimin e kuptimit. Ai nuk i shmanget as dhimbjes, as pritjes, as zbrazëtisë – përkundrazi, i kthen ato në shenja poetike që për lexuesin bëhen përvoja të njohura dhe të ndjeshme. Poezia e tij na kujton se fjala nuk është vetëm art, por edhe kujtesë, kushtrim dhe përjetim. Ai mbetet poet i gurit dhe i lules, i vatrës dhe i kujtesës, i vetmisë dhe i shpresës – një zë i pashuar në korin e letërsisë shqipe.
Si përfundim, poezia që Ibrahim Berjashi shkruan është moderne, e rafinuar stilistikisht, e pasur me tematikë dhe imazhe poetike. Mesazhet e tij janë universale, të ngrohta, të pasura, ku ndjenja e thellë primordiale e individit dhe jetës zë vend në dashurinë e tij për botën, jetën, njerëzit, familjen. Ai këndon në mënyrën e tij, ka një stil specifik dhe një shprehje e fjalor të pasur poetik me të gjitha tiparet e poezisë së mirë dhe të qëndrueshme. Andaj dhe poezia e tij mbetet një prani e rrallë në letërsinë tonë: një shenjë e identitetit kulturor, një kujtesë e pazëvendësueshme, dhe një dëshmi se fjala poetike është gjithmonë një strehë ku njeriu mund të gjejë vetveten, gjë që e rendit ndër poetët që mbeten për t’u nderuar dhe që qëndrojnë në vertikalen kulturore dhe shpirtërore të thesarit poetik kombëtar.
Dhe në fund, po përmend një moment të veçantë nga koha pak më parë se poeti të shkonte në amshim, Testamentin Poetik të Ibrahim Berjashit – “Dua të jetoj”
Në muajt e fundit të jetës së tij, poeti Ibrahim Berjashi më la një fjalë që sot më kumbon si një kushtrim i brendshëm, si një shenjë e pavdekësisë së tij poetike. Gjersa po punonim në përgatitjen e një përzgjedhjeje me rreth 150 poezi, ai kërkoi që kjo përzgjedhje e poezive të tij, pa e ditur se do jetë e fundit, të mbajë titullin e thjeshtë, por dhe madhështor, siç shprehej ai: “Dua të jetoj”.
Tani më del se ky titull, apo kjo fjali, nuk është vetëm dëshirë e njeriut që shikon përballë vetes peshën e kohës (sepse nuk ishte në moshë të thyer), por është edhe pohim i poetit ndaj jetës, ndaj krijimit dhe ndaj kujtesës kolektive. Te kjo fshihet thirrja e njeriut që e ndjeu zbrazjen e vendlindjes, mërgimin e njerëzve, zbehjen e pragjeve e të vatrave. “Dua të jetoj” nuk është vetëm zëri i poetit, por edhe zëri i gurëve, i pragut, i vendlindjes së tij që kërkon të mbetet gjallë.
Sot, kur flasim për veprën e tij, e kujtojmë dhe e nderojmë, e kuptojmë se kjo thirrje e tij “Dua të jetoj” nuk ishte vetëm për të mos ikur fizikisht apo biologjikisht, por për të mbetur emri i tij në varg, në fjalë, në kujtesën e lexuesit dhe në shpirtin e kulturës sonë. Me këtë, Ibrahim Berjashi do t’i lërë vetes, por dhe neve një testament poetik: të jetojmë përmes poezisë, përmes fjalës së tij që tashmë është bërë dritë e përhershme, ndërsa ne, miqtë, kolegët e tij, shoqata jonë (Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”), do ta marrim si obligim që këtë amanet të tijin ta realizojmë deri në fund. (Fund)
(Vështrimi është lexuar në mbrëmjen letrare homazh kushtuar Ibrahim Berjashit, më 11 shtator 2025, në kuadër të manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”)
