Vallja e Xhemiles

Kodra e Bashbylykut është në pjesën bregdetare, e mbushur me pyll karakteristik mesdhetar, ndërsa pjesa tjetër e kodrës e mbushur me ullinj shumëvjeçar. Mbas 500m lundrimi arritëm te hyrja brenda gjirit Mendra me plazhin rreth 100m të gjatë. Pas kodrës së Mendrës është Lugu i Xhemiles. Sikurse Kodra e Mendrës, ashtu edhe te Lugu i Xhemiles është pylli karakteristik

Gani Karamanaga

Prej Puntës së Nuradinit deri te Lugu i Xhemiles
Me sandall u nisëm prej Puntës së Nuradinit deri te Lugu i Xhemiles. Së pari është plazhi “Limani 1” (ne e kemi njohur si plazhi “në të Metës”), duke lundruar vazhdojmë te gjiri Limani 1 (ne e kemi njohur si “Zhuri”), më pas lundrojmë midis Gurit të Madh dhe Kodrës së Limanit e deri te Gjiri i vogël i Bashbylykut. Nga aty shihet Kepi i Bashbylykut. Kodra e Bashbylykut është në pjesën bregdetare, e mbushur me pyll karakteristik mesdhetar, ndërsa pjesa tjetër e kodrës e mbushur me ullinj shumëvjeçar. Mbas 500m lundrimi arritëm te hyrja brenda gjirit Mendra me plazhin rreth 100m të gjatë. Pas kodrës së Mendrës është Lugu i Xhemiles. Sikurse Kodra e Mendrës, ashtu edhe te Lugu i Xhemiles është pylli karakteristik me pemë ilçe dhe marança.
Druri i marançës është me ngjyrë të verdhë dhe kafe, ndërsa në muajt e vjeshtës dhe dimrit fitojnë frytet, të cilat kur piqen kanë ngjyrë të kuqe. Kur ishim fëmijë 13-15 vjecar kemi shkuar deri te kodra Mendra dhe hanim frytet e pemëve të tij, por duhet patur kujdes sepse nga ngrënia e shumë frutave mund të dehemi.
Para se arrijmë deri te Gjiri i Valdanosit, Lugu i Xhemiles është më i bukuri.

Legjenda për Xhemilen
Para treqind vjetësh, në këtë luginë e mbytën në mënyrë brutale nusen e re, Xhemilen, me bukuri të rrallë. Gazetari dhe shkrimtari ulqinak Ali Llunji, në bazë të kësaj legjende shkroi dramën ”Lugu i Xhemiles”. Po i përshkruajmë disa fragmente nga kjo vepër:
Këtu e treqind vjetë më parë, në Ulqin jetonte një vajzë shumë e bukur. Emrin e kishte Xhemile. Ishte aq e pashme saqë e lakmonin shumë djem konaqesh. Xhemilja e re si vera, e njomë si thëllëza, qëndiste në gjergjef. Bëhej gati për nusëri… Pëlqente një djalë të varfër, por babai i saj – kapedan anijeje, e martoi për një detar. Pak kohë kaloi me të dhe e la të vetmuar. Lundronte deteve për të siguruar jetesën. Detari i ri e la gruan në amanet. Dorëzanët – lugëtarët bënë hatanë. Medet, medet… Atë natë vrau rrufeja. Ishte kohë e ligë. Bubullonte, vetonte. Dy gra vinin rrugicave të kalldrëmeve të ullishtës… dy hijeve nën qyrqe, ua dorëzon nusen e re… Ajo dridhej si shelgu… këputën rrugën nën hijen e Mendrës dhe u futën thellë në pyll… që andej lugu u bë me gjak… çdokund fluturon shpirti i saj. Sa në tokë, sa në det, sa herë që dëgjoni ushtimë deti – gjëmon zërin e saj, sa herë dëgjohen klithma pulëbardhash janë thirrjet e saj. Këtu ditë e natë dëgjohen gjëmë, klithma…

Vallja e Xhemiles
Vallja e Xhemiles është luajtur në Kalanë e Ulqinit – në Ulqinin e vjetër:
“Xhemile, Xhemile
Mos ma ban me hile
Xhemile çyçeku
Hije të paska jeleku
Xhemile si hana
Ma bukur se nana
Dola jasht’ e binte borë
Xhemilen e kam në dorë
Dola jasht’ e binte shi
Xhemilen e kam kajshi
Aman, aman,
Xhanëm aman”.

Në bazë të burimeve, legjenda për Xhemilen duhet të jetë e lidhur me këtë këngë. Përpara Vallja e Xhemiles si dhe vallet tjera janë kërcyer në oda të mëdha, ku kanë kërcyer çiftet. Në kohën e sotme, këto valle luhen më rrallë dhe kërcimi është edhe individual, por më së shumti kërcimi është masiv.

Të fundit

më të lexuarat