Poet i pragut, i kujtesës dhe i vargut kushtrimtar

Nëse flasim për poetikën si hapësirë dhe kujtesë, do të konstatojmë se hapësirat poetike të Ibrahim Berjashit janë një ndërthurje e imazheve shumëdimensionale dhe shumëplanëshe – qoftë në pikëpamjen tematike, stilistike dhe motivuese – imazhe të cilat nuk kanë nevojë për zbukurime shtesë: ato mbartin forcën e vet të mesazheve domethënëse me shprehje konstante që karakterizohen me bartjen e vazhdueshme të disa motiveve apo toposeve të përhershme poetike në formën konceptuale, me konstruktet poetike origjinale

Qazim Muja

Artisti është gjithmonë një i burgosur i frymëzimit që lëviz brenda dhe kundër tij, duke kërkuar çlirimin dhe njëkohësisht duke ndier peshën e tij. Vetëm përmes poetikës së poetëve të vërtetë mund të shohim rrugën e luftës së tyre me intimitetin, i cili, po aq sa lartëson dhe çliron krijuesin, mund ta frenojë e ta kthejë në ankth.
Poezia është një kopje e shpirtit të poetit – një pasqyrë e mendimeve të tij, ndjenjave, frymëzimeve, përvojave, këndvështrimeve mbi botën, njeriun, dashurinë, jetën dhe vdekjen, e cila shfaqet jo si fund, por si vazhdimësi metafizike e jetës. Jacques Prévert do të shprehej: “Poezia është ajo që njeriu ëndërron, ajo që imagjinon, ajo që dëshiron dhe ajo që ndodh shpesh. Është një emër më real dhe më i dobishëm për jetën”. Dhe vërtet, asnjë art tjetër nuk mund të prekë shpirtin e njeriut si poezia, madje edhe vetëm një varg i saj. Prandaj ajo krijohet dhe lexohet me kënaqësi dhe ngjall përjetime intensive të lexuesve. E themi këtë, sepse të kërkosh nëpër emocione apo kujtime, është një proces i mundimshëm, ndërsa regjistrimi i asaj gjendjeje shpirtërore mund të jetë edhe shumë i dhimbshëm. Ajo është takim me botën e brendshme, por edhe me të përbashkëtën njerëzore: shpresat, dashuritë, kujtesën, atdheun, qiellin, me vetë zemrën. Dhe mbi të gjitha – është takim me vetë poetin.
Nuk është e rastësishme që për poezinë e Ibrahim Berjashit duhet filluar me një hyrje të tillë. Sepse krijimtaria e tij është bërë tashmë një shenjë njohëse në poezinë kombëtare moderne shqiptare. Emri i tij rreshtohet natyrshëm në plejadën e poetëve që e kanë zgjeruar hapësirën e gjuhës dhe të përjetimit estetik, duke i dhënë letërsisë sonë një kolonë të re rezonance.
Nëse flasim për poetikën si hapësirë dhe kujtesë, do të konstatojmë se hapësirat poetike të Ibrahim Berjashit janë një ndërthurje e imazheve shumëdimensionale dhe shumëplanëshe – qoftë në pikëpamjen tematike, stilistike dhe motivuese – imazhe të cilat nuk kanë nevojë për zbukurime shtesë: ato mbartin forcën e vet të mesazheve domethënëse me shprehje konstante që karakterizohen me bartjen e vazhdueshme të disa motiveve apo toposeve të përhershme poetike në formën konceptuale, me konstruktet poetike origjinale. Poeti ka hequr dorë nga çdo referencialitet, duke ngritur një sistem poetik të vetin ku metafora dhe simboli bëhen vetë gjuha e realitetit. Për dikë, kjo poezi duket kufi i imagjinatës së pakufishme; për dikë tjetër është rrëfim intim i një shpirti që kërkon sa më shumë dritë. Realiteti shpërbëhet në një ëndërr onirike dhe pastaj kthehet sërish si këngë e së vërtetës, pa u reduktuar në iluzion apo ngushëllim. Në këtë rrafsh, Berjashi u afrohet poetëve si Azem Shkreli, i cili përdor shpesh imazhe onirike dhe metaforike, por ndërkohë që Shkreli shkon drejt abstraksionit, Berjashi qëndron në tokë – në gurë, në prag, në trotuar, në oborrin bosh. Ëndrra tek ai është gjithmonë e lidhur me realitetin, e kthyer sërish në kujtesë.
I udhëhequr nga frymëzimi, si kronik i jetës shpirtërore të njerëzve të ambientit të vet, Ibrahim Berjashi ndërton kullën e tij të poetikës për të rritur në katër vëllime me poezi: “Lule prej guri”, “E tej malësi e det”, “Orët e vetmisë” dhe “Gati u harruem”, në të cilat që nga fillimi e deri në fund eksploron kodet poetike të praktikës së vargëzimit modern, duke kërkuar në mënyrë selektive nuanca, ngjyra, imazhe, kompozime metaforike të fuqishme, lojë me ritmikën, me shprehje të figurshme me komunikimin poetik të lirë… Shumë sinestezi të ndritshme, figura të pazakonta kontribuojnë që përjetimin poetik ta bëjnë madje të prekshëm.
Një nostalgji e pandërprerë e përshkon poezinë e tij, veçanërisht atë të fillimeve: mall për vendlindjen, për njerëzit e thjeshtë të Krajës, për figurat legjendare dhe mitologjike, për pleqtë e urtë që u dridhet zemra nga kujtimet, për diçka që ishte dhe më nuk është. Poeti vajton për atë që lë përgjithmonë, për të mbetur vetëm në kujtime. Si një zog kur del nga foleja dhe kthehet disa herë për të parë nëse gjithçka është në rregull për të ardhur përsëri tek ajo. Por zogu kthehet, e njeriu, fatkeqësisht, shpeshherë jo, sepse proceset shoqërore nuk janë gjithmonë të favorshme.
Kështu Berjashi në poezinë e tij mbetet brenda po asaj dhembjeje që ai dhe njerëzit e tij të botës reale kanë në shpirt, duke kujtuar Etlevën ilire, Tanushën – nusen e ublave, zanat e krojeve, personazhe të legjendave dhe miteve – Rozafën, Doruntinën, Gjergj Elez Alinë, Ago Ymerin, Gjeto Basho Mujin etj., por edhe ata pleqtë gojëmbël që u dridhet zemra – Halilin, Islamin, Qazimin, Nurijen, gurgdhendësin Nuh Ymerin, Xha Selën, Musë Tahir Bajraktarin që bën dasmë të madhe për të marrë nuse Gjylën e Riza Topallit e të tjerë, që të gjithë njerëz të thjeshtë e të dashur të vendlindjes, legjendarët dhe të zakonshmit, mbeten pjesë të pandara të jetës së tij, në çdo vend ku poeti gjendet, duke mbjellë një pjesë të vetes aty në rrënjët e tokës së vet dhe duke u dhënë jetë, shpirt, ujë, bukë e kripë e zemër sipas zakoneve të moçme. Me mesazhe të tilla janë pothuaj të gjitha poezitë në dy përmbledhjet e para – “Lule prej guri” dhe “E tej malësi e det”, përmendim: Në Vaun e Peshkut, Nata në Shestan, Kur shkoj në Arbnesh, Natja e mirë, Maja e Rumisë, Në Liqenin e Labeatëve, Këngë majekrahu, Varri i Kurtit… Dhe, të gjitha këto poezi, në kuptimin e ndjesisë së tejskajshme shpirtërore, seç e kanë një element Shirokian të moderuar (të tipit “Shko dallëndyshe”, të një nostalgjie dhe idile të jashtëzakonshme, sepse dikur kishte frymë dhe jetë në vendlindjen e poetit, në Krajë: “ – Natja e mirë! / shpërthejnë urimet / si potpuri këngësh popullore / kur vjen mëngjesi në Krajë”. Ose: “E kur ia merr këngës / Mehë Beqë Nila / malet ngrihen në këmbë / Bien pushkë”. Dhe e gjithë kjo më vonë, bëhet mall i papërmbajtshëm për poetin: “Biro, na dogji malli”, varg që poeti na e thotë përmes gojës së babait, që në Krajë dhe jo vetëm prore do të mbetet si moto e kodizuar, bëhet shenjë identitare e dhimbjes së mërgimit (poezia “Kur shkoj në vendlindje”), sepse tani “Dhentë i ka vrarë moti / kulla është shembur deri në themele” (poezia Fqinji im). Dhe në këtë sens, ai i afrohet Esad Mekulit, por, ndryshe nga Mekuli, i cili shpesh e universalizon përvojën, Berjashi e ruan individualitetin e vendlindjes, duke e bërë poezinë e tij një rrëfim të veçantë, të lidhur ngushtë me një hapësirë të caktuar.
Struktura e pasur melodike e poezisë së Berjashit, e shoqëruar me vargje shprehëse dhe polimorfizëm formal (fjala është për vargje të huazuara nga tradita jonë popullore, sidomos të baladave popullore, të riformësuara me metatekst duke i shndërruar ato në vargje të lira të thyera ritmikisht, si poezi të modernes, poezi të jashtëzakonshme me mesazhe edhe filozofike), është e ndërthurur në mënyrë të pandashme me korelacionet koloristike të imazheve të cilat pa dyshim që ngjallin te lexuesi një përshtypje unike të “shkëlqimit arketipal” të poezisë së tij. Ja një shembull konkret për këtë në poezinë “Blega”: “Mos qaj trim, o i paganë! / Se nuk jam-o un’ e shkretë, / por e kam-o nji tem vlla!…” dhe pason metateksti i mrekullueshëm: “Dita shndërrohet / në legjendë / dhe matet / me të rrahura zemre…” për të vazhduar: “- Ku ra Gjoni, bini ftoni; / Ku ra Blega, bini shega;” pastaj: “Ç’ke dele që blegëron? / Kam nevojë me blegerue!… / O ti zog, qi k’non n’at’ gem, / malli po m’çon për vendin tem”, pastaj poezia “Larg ma livdojshin nji vashë”.
Dhe pikërisht në këtë poezi, motivi i së cilës është vjelë nga populli, ashtu si dhe vargjet te poezitë e mësipërme, Berjashi gjen pikërisht atë numrin magjik – fatsjellës – numrin shtatë, i cili si simbol duket se lidhet ngushtë me kodet etike të tij. (Shtatë ditë e shtatë net, / Përtej shtatë bjeshkëve e shtatë deteve, / – Ç’ma livdojshin nji vashë! / Shtatë mijë vjet kam vrapuar, / Me atin e Gjeto Basho Mujit, / Me mbërrijtë në atë fushë të Ilirisë), pra, në Iliri, për të cilën poeti domosdo e lidh fatin dhe jetën e tij, aty ku ai gjen Anzotikën, hyjneshën e përbetueme n’qumshtin e detit me të cilën marrin udhën e diellit, emblemë kjo e poezisë së dashurisë me simbolikën e vet: “Anzotikë, marrim udhën e diellit. / Sa e randë asht vjeshta. / Mos e hiq unazën e gishtit, / Së paku derisa t’jemi gjallë, / E dashura (ar)mike.”, ashtu si dhe poezitë “Afreskë”, “Zbritje solemne”, “M’a kthe lirinë”, “Dafinë” e shumë të tjera me motive dashurie.
Në poezinë e Ibrahim Berjashit, moderniteti ka gjetur justifikimin e tij për aq sa përmbush kushtin bazë të poezisë së mirë. Poezia e mirë është ajo që krijon dhe zhvillon gjuhën duke gjetur vlera të reja fjalësh dhe duke zbuluar marrëdhënie të reja midis ideve dhe koncepteve të ndryshme. Dhe pikërisht kur është fjala te gjuha, poeti dallon shkëlqyeshëm gjuhën e letërsisë e cila nuk është e njëjtë me normën standarde, sepse përdoret në mënyrë më të lirë, më krijuese dhe shpesh shkel rregullat gramatikore ose stilistike për qëllime artistike. Përdor mjete stilistike: metafora, simbolizëm, ritëm, lojë fjalësh, strukturë të pazakontë. Përfshin dialekte, duke përdorur mes tjerash edhe një gegërishte të ëmbël dhe shumë të pasur, pastaj zhargone, arkaizma, gjuhë të shpirtit apo të emocioneve. Gjuha e Ibrahim Berjashit, në secilën këngë të përmbledhjes, merr shkallë të ndryshme konkretizimi, energji dhe forcë emocionesh. Përshkrimet dhe simbolet poetike janë të zgjuara dhe të habitshme, dhe janë shprehje të drejtpërdrejta të një mendimi dhe përjetimi real të shprehura me fjalë të fuqishme (si “i burgosur i fjalës”, do të thoshte Hajdeger), të renditura në mënyrë adekuate në vargje, në një ritëm që lind natyrshëm nga çdo varg i strofës dhe i poezisë, duke arritur kështu harmoninë midis strukturës vokale të fjalëve, mendimit dhe kuptimit emocional, mbase edhe me përdorimin e shpeshtë të apostrofit, duke i mundësuar lexuesit të njohë dhe të përjetojë gjendjen shpirtërore të poezisë, me ritmikën e saj, por dhe me dhembjen. Sepse ai identifikohet me të. Përdor edhe figurat stilistike me vetëdije dhe është shumë bindës dhe i aftë të shprehë opinionet, emocionet dhe, në përgjithësi, dëshirat dhe mesazhet e tjera nëpërmjet tyre. Poezitë e tij lëvizin si një lavjerrës i “orës” së poetit që lëkundet mes personales, autobiografikes, rrëfimtares për njerëzit dhe arealin e vendlindjes së tij.
Poezia “Unë, ti dhe Jesenini” është një shembull tipik i dhembjes kushtuar humbjes së mikut të tij, por ku poeti, ashtu si në vajtimet e njohura nga tradita jonë, shfrytëzon rastin të përmendë copëza nga historia e kombit për ta ngritur edhe më lart këtë dhembje, për t’i dhënë mbase edhe ngjyrime kolektive, e njohur kjo te poeti jonë i njohur Ali Podrimja: “Pse m’shikon ashtu nën sy / Edhe me heshtje m’flet shumë… / “Miku im i shtrenjtë, lamtumirë, / ty këtu në shpirt të kam ta dish…” / A s’më thue ç’kishte të re në Spi, / A i binte kush lahutës? / Po këmbonë ogiçi, kishte? / Dedë Gjo’ Luli, / A mbushej frymë me valëvitjen / E flamurit n’Bratilë?…” e kështu me radhë, duke e përcjellë mikun e tij me lule Ilirie.
Një ndjenjë po kaq e veçantë dashurie dhe konsiderate i përshkon edhe poezitë e tjera, përkushtim për figurat e njohura të kulturës sonë, por edhe të afërmve të tij, si Lasgush Poradeci, Ali Podrimja, Shime Deshpali, Esad Mekuli, Rikard Ljarja, Simë Dobreci etj., si dhe babait, nënës, bashkëshortes, djalit etj.
Në poezinë më të re Berjashi bën shmangie të mëdha duke arritur efekte të jashtëzakonshme me ekspresivitetin, reduktimin dhe abstraksionin, si postulate bazë të artit dhe letërsisë moderne. Por njëkohësisht duket sikur na thotë edhe se nuk ka poezi nëse nuk është subverzive, nëse nuk është rebelim. Hermetizmi i tij tani është më i theksuar, por brenda kufijve që prapëseprapë lexuesi ta kuptojë poezinë e tij me të gjitha mesazhet që bart në vete. Edhe simbolika e tij na bëhet më e theksuar, e në veçanti ajo e orës me shumë kuptime na bëhet më dominuese. Ora, qoftë e djallit, që na ka molisur, qoftë e shtëpisë – së cilës të gjitha kopetë e yjeve ia kemi falur, qoftë e Rumisë, si qenie mitike, qoftë si fat apo kob njerëzor i paradestinuar, apo qoftë edhe si orë e thjeshtë që mat çastet e jetës deri në fundin e saj. Pra, këtë do ta quaja – ora e poetit Berjashi. Por po kaq e fuqishme na del edhe simbolika e murit, ujit, pasqyrës, ullirit etj.

(vijon)

Të fundit

më të lexuarat