Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” organizoi më 11-13 shtator 2025 edicionin e 33-të të manifestimit Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”.
Në programin e edicionit të sivjetshëm u mbajt mbrëmja letrare homazh kushtuar shkrimtarit Ibrahim Berjashi, kryetarit të parë të “Art Club”-it dhe njërit prej themeluesve të “Kalimerës Poetike”, i ndarë nga jeta në muajin mars të këtij viti, si dhe dy mbrëmje autoriale kushtuar shkrimtarëve Besnik Mustafaj dhe Ilire Zajmi. Po ashtu në kuadër të këtij edicioni u hap edhe ekspozita/instalacioni “Ofshamë” (Shpella e lakuriqeve) i artistes Zake Prelvukaj, profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe fituese e Çmimit Tradicional të “Art Club”-it vitin e kaluar.
Në fjalën e hapjes, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka folur për ideatorët e manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”, disa prej të cilëve nuk jetojnë më.
“Në atë kohë të pakohë (1993), kur arti dhe kultura shqiptare në Malin e Zi ishin të anatemuara, një grup krijuesish, të tubuar në Shoqatën ‘Art Club’, ideuan dhe krijuan një manifestim letrar në këtë cep të Ilirisë (Ulqin). Ideali i tyre ishte, para së gjithash, krijimi i hapësirës kulturore unike shqiptare dhe komunikimi i letërsisë shqipe me letërsitë tjera në një univers më të gjerë letrar – ballkanik dhe botëror. Koha ka dëshmuar se ata ishin largpamës”, ka thënë ai.
Artistja Zake Prelvukaj ka treguar se nga e ka marrë frymëzimin për ekspozitën/instalacionin me titull “Ofshamë” (Shpella e lakuriqeve), që është hapur në portën e pasme hyrëse në Kalanë e Ulqinit.
“Të vish në Ulqin dhe të qëndrosh indiferente ndaj motiveve që i fsheh nëntoka dhe tradicionalja e Ulqinit, si krijuese isha ndier shumë e zbrazët. Kam ardhur shumë herë dhe më ka ngacmuar pse gratë këtu ose në përgjithësi të rajonit kanë ardhur në Plazhin e Grave. Kështu që unë e gjeta këtu një motiv që s’e ka kush. Për mua sado janë do sharje, do ofshama shumë të rënda, prapëseprapë është një pozitivitet që shqiptarët e kanë trajtuar gruan shumë mirë. Është një pjesë që edhe ajo është ndier mirë aty“, ka thënë ajo.
Mbrëmje letrare homazh për shkrimtarin Ibrahim Berjashi
Mbrëmja e parë e edicionit të sivjetshëm, që është mbajtur në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit, i është kushtuar shkrimtarit Ibrahim Berjashi, për krijimtarinë e të cilit kanë folur përkthyesi dhe kritiku letrar Qazim Muja dhe shkrimtari për fëmijë Xhahid Bushati.
Në vështrimin e tij kritiku Qazim Muja e ka cilësuar Berjashin poet të pragut, kujtesës dhe vargut kushtrimtar.
“Poezia që Ibrahim Berjashi shkruan është moderne, e rafinuar stilistikisht, e pasur me tematikë dhe imazhe poetike. Mesazhet e tij janë universale, të ngrohta, të pasura, ku ndjenja e thellë primordiale e individit dhe jetës zë vend në dashurinë e tij për botën, jetën, njerëzit, familjen. Ai këndon në mënyrën e tij, ka një stil specifik dhe një shprehje e fjalor të pasur poetik me të gjitha tiparet e poezisë së mirë dhe të qëndrueshme”, ka thënë Muja.
Në kuadër të kësaj mbrëmjeje, e cila është udhëhequr nga studiuesja e letërsisë Vediha Gjoni, është bërë edhe përurimi i ribotimit të përmbledhjes me tregime për fëmijë “Floçka e Liqenit”.
Duke folur për këtë libër, shkrimtari për fëmijë Xhahid Bushati, i cili e ka shkruar edhe parathënien, ka thënë se “Floçka e Liqenit” është vepra më e arrirë në krijimtarinë e shkrimtarit për fëmijë Ibrahim Berjashi.
“Vepra qëndron në kufirin ndërmjet letërsisë artistike, historisë, mitologjisë dhe gojëdhënave popullore të trevës së Krajës dhe Ulqinit e rrethinave të tij. Ky libër ruan si amanet trashëgiminë shpirtërore dhe identitetin historik të shqiptarëve në Mal të Zi”, ka thënë shkrimtari.
Gjatë mbrëmjes, vargje të Berjashit ka lexuar aktori Simon Shkreli, poeti Fiqret Mujeziqi ka lexuar një poezi kushtuar Berjashit pas vdekjes, kurse vogëlushja Mejana Dibra ka recituar një poezi të poetit Ibrahim Berjashi.
Besnik Mustafaj, shkrimtari që braktisi politikën për letërsinë
Mbrëmja e dytë autoriale, e mbajtur në Librarinë “Ulqini”, i është kushtuar shkrimtarit të njohur shqiptar Besnik Mustafaj.
Në bashkëbisedim me udhëheqësen e mbrëmjes, Dr. Sabina Osmanoviq, ai ka folur për shumë çështje që lidhen me krijimtarinë e tij.
Mustafaj ka treguar se në vitin 2007, kur ishte ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, u desh të bënte një zgjedhje ndërmjet letërsisë dhe politikës, dhe se ka zgjedhur letërsinë, të cilën e kishte kultivuar që në vitet ’80 të shekullit të kaluar.
“Erdhi një moment që nuk gjeja kohë të lexoj letërsi. Dhe duhet të bëja një zgjedhje. Ose të rrija ministër dhe ta lija letërsinë, ose të vazhdoja letërsinë dhe ta lija ministrin. Në ato nivele që veproja unë, letërsia dhe politika nuk mund të gjenin një harmoni tek unë. Dhe unë e lashë politikën për t’ia dhënë kohën letërsisë”, ka thënë Mustafaj.
Kritikja e letërsisë Arta Marku – Qëndro ka thënë se në momentin që Mustafaj u përfshi në politikë, ai ishte një emër i njohur.
Duke folur për veçantitë e letërsisë së shkrimtarit, ajo ka thënë se karakteristikë e letërsisë së tij është lidhja shumë e fuqishme me historinë. Lidhur me këtë, ajo iu është referuar disa romaneve të autorit, që brenda tyre kanë shumë histori.
Botuesi Bujar Hudhri, pronar i Shtëpisë Botuese “Onufri”, ka folur për bashkëpunimin e tij me shkrimtarin Besnik Mustafaj.
“Besniku është një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe sot. Letërsia shqipe para viteve ’90 ka njohur emra të mëdhenj. Dhe Besniku është vazhdues i kësaj lloj letërsie”, ka thënë Hudhri.
Lufta si motiv i përhershëm në krijimtarinë e shkrimtares Ilire Zajmi
Shkrimtarja Ilire Zajmi nga Kosova, së cilës i është kushtuar mbrëmja e tretë autoriale, që është mbajtur në Muzeun Etnografik në Draginë, ka treguar se në mesin e shumë temave që prekin veprat e saj, motivi që më së shumti përmendet ose që i është kthyer vazhdimisht është lufta.
Ajo e ka ndërlidhur këtë me përvojën e saj jetësore dhe të popullit të Kosovës në përgjithësi.
“Vazhdimisht ndër të gjitha temat, më së shumti në krijimtarinë time e kam përmendur luftën, duke qenë se kam qenë një fëmijë i brezit të humbur, që ka përjetuar mbylljen e shkollave, mbylljen e universitetit, aparteidin, kohën e helmimeve, luftën, që ka përjetuar edhe kampin e Bllacës, edhe dëbimin masiv. Kjo ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në formimin tim dhe kam pasur fatin të punoj edhe me gazetarë të huaj dhe ta mbuloj edhe atë pjesën e luftës si gazetare. Prandaj kjo ka ndikuar shumë që ta trajtoj këtë temë të luftës dhe të merrem shumë me ato personazhe të cilat i kam takuar gjatë luftës”, ka thënë shkrimtarja.
Për studiuesen e letërsisë Dije Demiri – Frangu, shkrimtarja Ilire Zajmi ka bërë një avancim shumë të madh, një pjekuri shumë të madhe letrare nga viti 1999 kur ka botuar librin e parë deri në vitin 2020 kur ka botuar librin e saj të fundit.
“Janë momente shumë unikale në kuptimin e përjetimit të një dhembjeje kolektive, çfarë ishte dhembja e luftës së fundit në Kosovës, dhe mënyrës se si e paraqet Ilirja. Janë regjistrime që duhet arkivuar në kujtesën kolektive”, ka thënë ajo duke folur për krijimtarinë e Zajmit.
Vetë poetja dhe udhëheqësja e mbrëmjes autoriale – poetja Flutur Mustafa – Pllana kanë lexuar për të pranishmit vargje nga krijimtaria e Zajmit.
Përpos letërsisë, gjatë tri mbrëmjeve kanë shoqëruar me muzikë instrumentistët Anton Kaftalli në violinë dhe Ares Fani në kitarë.
Mbajtjen e edicionit të 33-të të manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi” e kanë mbështetur Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Komuna e Ulqinit, Organizata Turistike Ulqin si dhe partnerët – Ambasada e Republikës së Kosovës, Qendra e Kulturës – Ulqin, Libraria “Ulqini“ dhe Muzeu Etnografik – Draginë.
i. k.
