Zhvendosja e selisë së myftiut në Podgoricë

Edhe pse selia e myftiut ishte transferuar në Podgoricë që nga viti 1887, Ulqini akoma ruante prestigjin e vet tek institucionet e Perandorisë Osmane, pasi një gjë të tillë e shohim edhe nëpërmjet një dokumenti të Arkivit Osman të datës 22.07.1325 h./ 31.08.1906 m., në të cilin shkruhet “Ülgün müftüsü Hilmi Efendi”, që d.m.th. “Myftiu i Ulqinit Hilmi efendiu”

Mr. Ali Bardhi

Në artikullin e publikuar në numrat e kaluar (në tre vazhdime) kemi trajtuar periudhën e Myftiut të Malit të Zi me seli në Ulqin ndërmjet viteve 1881-1887, kurse në këtë artikull do të përfshijmë periudhën e Myftinisë gjatë viteve 1887-1912, kur selia e saj zhvendoset nga Ulqini në Podgoricë e më pas në Tivar.
Referuar së dhënës së Simo Popoviqit, i cili në vitin 1886 e njofton ministrin për arritjen e lajmit të ardhjes së myftiut të ri në Ulqin dhe kërkesës së tij (S.P.) Qeverisë së Malit të Zi për zhvendosjen e selisë së Myftiut nga Ulqini në Tivar ose Podgoricë (Në telegramin e Simo Popoviqit, ku citohet shprehja “Më njoftojnë…” dhe kërkesa për sqarime nga ministri “Ju lutem më tregoni diçka në lidhje me të… “, lë për të kuptuar se as ai vetë nuk ishte i sigurt për arritjen e myftiut në Ulqin. Ndërkaq, referuar dokumentacionit arkivor që e kemi paraqitur në këtë punim, shohim se myftiu nuk u caktua deri në shtatorin e vitit 1887. Kurse në dokument, ku ceket propozimi i tij për zhvendosjen e selisë së myftiut, duhet që të jetë i saktë pasi është mendim i shprehur nga ai dhe se në fund ashtu edhe rezulton me zhvendosjen e selisë. Shih faksimilet nr. I-II.) dhe së dhënës tjetër të tij një viti më pas (1887), që selia e myftiut të jetë zhvendosur nga Ulqini në Podgoricë (Šerbo Rastoder, Bošnjaci/Muslimani Crne Gore između prošlosti i sadašnjosti, Almanah, Podgorica, 2010., f. 19.), si edhe të dhënave të tjera të Arkivit Osman (Përveç argumenteve të tjera që kemi dhënë në lidhje me transferimin e selisë së myftiut nga Ulqini në Podgoricë në kohën kur Hasan Ismet efendiu ishte myfti, ky dokument na tregon për familjen e tij e cila ndodhej në Podgoricë, pasi të dy fëmijët e tij i vdesin në Podgoricë, fakt i cili nuk është vërejtur deri më tani nga studiuesit. Shih BOA, HR.TO., 50/83), na çojnë në mendimin që selia e myftiut të jetë transferuar në vitin 1887, në kohën e myftiut Hasan Ismet efendiut dhe jo në kohën e Mustafa Hilmiut, siç flitet, pasi ky i fundit në këtë detyrë nuk vjen deri në vitin 1889.
Qeveria malazeze synonte ta zhvendoste selinë e myftiut nga Ulqini në një vend tjetër me më pak myslimanë, larg ndikimit të shqiptarëve, siç edhe u cek në dokumentet e Arkivit Osman të publikuara në artikullin e kaluar, që knjazi nuk mund të pranonte emërimin e një myftiu me kombësi shqiptare, të cilët i cilësonte si komunitet i pamarrëvesh.
Pas diskutimeve diplomatike ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Malit të Zi u arrit konsensusi për çështjen e kombësisë së myftiut, duke i evituar kandidatët me kombësi shqiptare, me të cilën tagri i emërimit të myftiut vazhdohet që t’i mbesë Shejhu’l-islamit dhe më pas pason zhvendosja e selisë së myftiut, pasi siç do të vërehet për të dyja çështjet vërehet arritja e kompromisit ndërmjet palëve.
Vlen të përmendet që edhe pse selia e myftiut ishte transferuar në Podgoricë që nga viti 1887, Ulqini akoma ruante prestigjin e vet tek institucionet e Perandorisë Osmane, pasi një gjë të tillë e shohim edhe nëpërmjet një dokumenti të Arkivit Osman të datës 22.07.1325 h./ 31.08.1906 m., në të cilin shkruhet “Ülgün müftüsü Hilmi Efendi”, që d.m.th. “Myftiu i Ulqinit Hilmi efendiu”. (BOA, MF.MKT., 1014/6.)
Pas emërimit të Hasan Ismet efendiut në detyrën e myftiut, ai qëndroi rreth dy vite me një pagë prej dy mijë e pesëqind (2500) kurushëve. (BOA, İ.MMS., 93/3916, f. 10; HR.TH, 75/68, f.1.) Duke qenë se ai qëndroi vetëm dy vite në detyrën e myftiut, nuk posedojmë dokumentacion të mjaftueshëm mbi veprimtarinë e tij, e cila më tepër duhet të ketë qenë në kuadër të ndreqjes së marrëdhënieve ndërshtetërore. Shohim përpjekjet për hapjen e disa shkollave (mektebeve) në Podgoricë e Ulqin pas një kohe që kishin qenë të mbyllura.
Sipas një dokumenti të Arkivit Osman të vitit 1889, të cekur më lart, shohim se ai dha dorëheqje nga detyra e myftiut pas vdekjes së dy fëmijëve të tij në Podgoricë. (Në dokument ceket se myftiu Hasan Ismet efendiu dha dorëheqje nga detyra e myftiut pas vdekjes së dy fëmijëve të tij në Podgoricë. Shih BOA, HR.TO., 50/83.) Po sipas një shkrese tjetër të Shejhu’l-islamit, Omer Lutfi, dërguar Ministrisë së Jashtme, datë 28 shaban 1306 h. / 27 prill 1889 m., shohim se në këtë datë Hasan Ismet efendiu dha dorëheqje nga detyra e myftiut dhe në vend të tij u emërua Mustafa Hilmi Tikveshliu. (BOA, HR.TH., 88/86, 28 prill 1305 rumi / 27 prill 1889 m.); İ.MMS., 93/3916.
Mustafa Hilmi, i biri i Mahmud Agës Sinan Zade, lindi në vitin 1306 h./1860-61 m. në kazanë e Tikveshit. Pas shkollimit ka kryer shumë detyra. Ka folur dhe shkruar gjuhën turke dhe arabe, ndërsa i ka folur gjuhën bullgare dhe boshnjake. Më 27 shaban 1306 / 28 prill 1889 u emërua myfti i Malit të Zi. Për më tepër shih Arkivin e Meshihatit – MŞH. SAİD, 134/20/8.) Në këtë detyrë myftiu i ri u caktua me një pagë prej 1777,18 kurushëve nga Perandoria Osmane dhe 2 000 frangave nga qeveria malazeze. (MŞH.SAİD, 134/20, f. 10.)
Referuar dokumentacionit osman shohim se Hasan Ismet efendiut dhe Mustafa Hilmi Tikveshliut për punën e tyre në Mal të Zi u akordohen medalje nga knjazi. Sipas një dosjeje të Arkivit Osman të datës 20 korrik 1309 rumi / 2 tetor 1893 shohim se Qeveria e Malit të Zi i kishte akorduar H. Ismet efendiut medaljen e Danillos pas dhënies së dorëheqjes e cila erdhi si shkak i vdekjes së dy fëmijëve të tij në Podgoricë. Po sipas një dosjeje tjetër të Arkivit Osman të vitit 1897 shohim lejen e dhënë edhe për Mustafa Hilmiun nga Qeveria osmane për marrjen e medaljes së Shën Savës nga Qeveria serbe dhe atë të Danillos nga ajo malazeze përpara se të shkarkohet. (BOA, HR.HT., 196/25.) Kurse më herët, më 19 shaban 1309 h / 19.03.1892, ai kishte marrë një medalje Mexhid-i Nishan të kategorisë së tretë. (MŞH.SAİD, 134/20, f. 9.)
Nga sa shihet, ndërtime të reja të xhamive dhe mejtepeve/shkollave thuajse nuk ka pasur deri në vitin 1887, kur u normalizuan marrëdhëniet ndërshtetërore për çështjen e myftiut, kurse morën hov pas emërimit të myftiut të tretë Mustafa ef. Hilmiut.
Sipas një dokumenti të datës 05.08.1899 shohim kërkesën e banorëve të fshatrave Krruç, Krythë dhe Salç drejtuar myftiut të myslimanëve të Malit të Zi, për ndërtimin e xhamisë (Hajrullah Hajdari, Ulqini në dokumentet malazeze (1880-1915), Art Club, Ulqin, 2018, f. 231.), gjë e cila do të realizohet.
Sipas një dokumenti/shkrese të nënshkruar në vitin 1904 nga myftiu i Malit të Zi, Mustafa Hilmi, shohim se kjo Myftini, e cila administronte tre kadillëqe, numëronte dyzet (40) xhami – Kadillëku i Ulqinit (13 xhami), Tivari (11 xhami) së bashku me një pjesë të Krajës (7 xhami), Podgorica (7 xhami) së bashku me Spuzhin dhe Nikshiqin me nga një xhami. (Hajrullah Hajdari, po aty, ff. 270-171.) Kurse nga një shkresë tjetër e myftiut në vitin 1911 shohim listën e të gjithë imamëve dhe mësimdhënësve të mejtepeve – Kadillëku i Ulqinit (11 xhami dhe 3 mektebe/shkolla), i Tivarit dhe Krajës (18 xhami dhe 2 mektebe), i Podgoricës (5 xhami dhe 3 mektebe), i Nikshiqit (1 xhami) dhe i Goriçanit (1 xhami) me gjithsej 36 xhami. (Hajrullah Hajdari, po aty, ff. 329-330.) Në listën e dytë kemi rënien e numrit të xhamive nga 40 në 36. Më poshtë po paraqesim listën e xhamive dhe klerikëve (imamëve) pranë tyre në Mbretërinë e Malit të Zi:


Shënime:
(Në vitin 1880, kur Ulqini me rrethinë i kalon Malit të Zi, kanë ekzistuar dymbëdhjetë (12) xhami, duke filluar brenda qytetit me Xhaminë e Kalasë (qytetit), Limanit (Meteriz më pas), Ranës, Pashës, Mezjahit (Pazarit), Kryepazarit, Lamit, Bregut dhe Merasë, kurse në rrethinë ishin xhamia e Kollomzës, Pistullit dhe Zogajve dhe e Krruçit për të cilën kërkesa u bë në vitin 1899.
Po kështu, sipas një shkrese të Myftiut të myslimanëve të Malit të Zi dërguar udhëheqësit krahinor në Tivar në vitin 1904, shohim se në bazë të raportit të kadiut të Ulqinit, Hysein Mujalit, në Ulqin dhe rrethinën e tij ishin 13 xhami.
Por në listën e xhamive dhe imamëve në Mbretërinë e Malit të Zi të cekur, nuk dihen arsyet e mos regjistrimit të Xhamisë së Ranës dhe të Bregut së bashku me imamët të tyre, pasi ato edhe më pas vazhduan që të ushtronin aktivitet. Ndërkohë që Xhamia e Limanit (Meterizit), e cila figuron si e regjistruar në listën e vitit 1911, kishte kohë më përpara vitit 1891 që ishte shndërruar në kishë ortodokse, pasi nga një dokument i Arkivit Osman të Shtetit në Stamboll të vitit 1891 shohim ankesën e muhaxhirëve ulqinakë të vendosur në Shkodër, të cilët protestuan nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme osmane kundër prishjes së varrezës së kësaj xhamie dhe shndërrimin e xhamisë në kishë ortodokse nga malazezët e vendosur në këtë mëhallë. Shih BOA, HR.TH. 108/103, f. 1.
Kurse xhamitë e fshatrave të trevës së Anës së Malit deri në vitin 1913 ishin nën administrimin e Myftinisë së Shkodrës, gjegjësisht Vilajetit të Shkodrës. Por pas këtij viti, për një kohë statusi i tyre mbeti i padefinuar pasi nga një dokument i arkivit të Cetines i vitit 1915 shohim kërkesën që i shtron myftiu i Malit të Zi Karagjuzoviq, ministrit të Arsimit dhe Punëve Kishtare në Cetinë për lejimin e administrimit të xhamive në Anë të Malit, porse ministri nuk ia lejon një gjë të tillë duke iu përgjigjur se derisa të mos rregullohet përfundimisht çështja e myslimanëve të vendeve të reja që i kanë takuar Malit të Zi në Luftërat Ballkanike, nuk mund të kryeni juridiksion ndaj tyre dhe pushteti i myftiut nuk mund të shtrihet jashtë kufijve të vjetër të Malit të Zi (1880). Shih Hajrullah Hajdari, po aty, f. 407.
Fillimi i luftërave ballkanike (1914-1918) bëri Malit të Zi t`i vështirësohet akoma më tepër administrimi i trevës së Anës së Malit e që në fund rezultoi me humbjen e pavarësisë së Malit të Zi dhe krijimin e Mbretërisë SKS, çka lë për të kuptuar që administrimi i xhamive të kësaj treve të mbesë pezull.
Sipas dokumentacionit të arkivit të Bashkësisë Islame vërehet se xhamitë e fshatrave të Anës së Malit u përfshinë në administrimin e Myftinisë në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, ku sipas disa shkresave shohim se në vitin 1921 vakëfet e këtyre xhamive i jepnin raporte financiare të punës së vet Mehqemesë së Ulqinit (Kadiut të Ulqinit)).
(Referuar dokumentacionit arkivor osman, fshati Goranë në periudhën osmane ka qenë pjesë e Kazasë së Ulqinit, por pas kësaj periudhe ai i kaloi në administrim Tivarit.)
(Kurse xhamitë e tjera të zonës së Krajës, si ajo e Skjesë, Arbneshit, Ostrosit të Vogël dhe Ostrosit të Madh vazhduan si më përpara në varësi të Myftinisë së Shkodrës.)
(Dy xhamitë e mbetura në Nikshiq dhe Zetë (Gent) funksiononin në kuadër të Myftinisë së Malit të Zi dhe kadiut të Podgoricës. Ndërkaq xhamitë e kazasë së Tuzit, njëjtë si ato të Anës së Malit dhe një pjese të Krajës, vazhduan që të mbesin nën administrimin e Myftinisë së Vilajetit të Shkodrës.)

(vijon)

Të fundit

më të lexuarat