
Në kontekstin e skulpturës publike monumentale, është vështirë të flitet për kategori fikse të këtij lloji të artit, por mund të flasim si për një medium të kuptuar gjerësisht që merret me probleme të caktuara shoqërore. Pavarësisht ndikimeve të formave të artit, forma tradicionale e skulpturës publike monumentale është ende një formë e rëndësishme e krijimtarisë dhe e kritikës artistike. Për më tepër, si art publik, monumentet publike shpesh kanë qenë në qendër të debateve dhe, madje, edhe protestave ideologjike gjatë viteve, të cilat në disa raste kanë çuar edhe deri në shkatërrimin e tyre të dhunshëm, ose mënjanimin nga hapësirat publike për ku ishin të dedikuara. Në thelbin e artit monumental, qëllimi është që simbolikisht të përçojë vlera, identitet dhe kujtesë kolektive përmes prezantimit të figurave historike apo edhe të figurave të tjera me peshë identiteti nga të gjitha fushat (kulturë, art, shkencë etj.). Teoria e artit pohon se fuqia e një skulpture monumentale nuk qëndron vetëm në stilin apo materialin, por në aftësinë e saj për të komunikuar me publikun, për të evokuar emocione dhe për të përcjellë mesazhe universale.
Duhet të mësohemi me lirinë estetike. Në vend që të paragjykojmë një vepër, ose ta mohojmë, vetëm e vetëm sepse nuk është ajo që “jemi mësuar të shohim”, duhet të mësohemi të shohim më thellë, duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me pluralizmin estetik
Në fillim të qershorit të vitit 2025, në Ulqin, nga një juri e respektuar dhe shumë profesionale, u përzgjodh vepra fituese për monumentin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut që do të vendosej pikërisht në qytetin e Ulqinit. Skulptura fituese – një kompozicion bashkëkohor i stilizuar dhe simbolik – ngjalli menjëherë debate dhe ndarje emocionale në opinionin publik. Pati përkrahje, por edhe reagime kundërshtuese, kryesisht nga individë apo grupe që nuk përfaqësojnë fushën e artit – të historisë apo kritikës vizuale.
Ky shkrim, më shumë si opinion sesa si kritikë arti, nuk synon të mbyllë debatin, por të hapë një dritare interpretimi më të thellë për të kuptuar pse një monument i tillë nuk duhet parë si problem, por si mundësi për emancipim estetik dhe kulturor. Në shembullin konkret kemi përplasje mes dy rrymave në art – të ashtuquajturës rrymës realiste heroike kombëtare (siç është monumenti i Skënderbeut në Tiranë) dhe rrymës bashkëkohore konceptuale (siç është monumenti fitues nga konkursi), që të dyja njëjtë të rëndësishme për historinë e artit.
S’ka dyshim se Skënderbeu është figura më përfaqësuese e identitetit shqiptar. Monumenti i tij nëpër shumë qendra kombëtare dhe botërore (si ai në qendër të Tiranës, Prishtinës, Tuzit e gjetiu) është kthyer në simbol kombëtar. Ai paraqitet si kalorës luftarak, me shpatë të ngritur, hipur mbi kalë – në një kompozicion klasik që ndjek shembujt e skulpturës heroike evropiane të shek. XIX-XX. Është një vepër e qartë, e fuqishme dhe emocionale, është një ikonë që ka hyrë në kujtesën kolektive shqiptare si imazh klasik i heroit kombëtar, me pamje sfiduese drejt horizontit – një ikonografi e zakonshme në skulpturën që glorifikon heronjtë luftarakë. Është një vepër që është modeluar me mjeshtëri në traditën e skulpturës realiste dhe funksionon në mënyrë të qartë, duke qenë e drejtpërdrejtë, e lexueshme, me patos heroik. Ajo nuk flet vetëm për Skënderbeun si individ, por është një simbolizuese e idealit të rezistencës dhe krenarisë kombëtare në një gjuhë të thjeshtë vizuale. Andaj dhe kjo skulpturë është bërë pjesë e identitetit vizual dhe emocional të shqiptarëve, ndaj dhe si e tillë ka një status kanonik dhe mitik.
Ndërkohë, monumenti për Ulqinin i përzgjedhur nga konkursi bën një shmangie, ndryshim të thellë të paradigmës. Ai nuk e paraqet Skënderbeun si një individ të vetëm në pozicion heroik, por si pikë qendrore të një bashkësie, të një kompozicioni që përbëhet nga disa figura njerëzore të stilizuara – pa fytyra të detajuara – që qëndrojnë përballë një figure kryesore me mantel të ngritur, si flamur dhe, sipas meje, me atribute të bollshme njohëse që e karakterizojnë figurën e heroit kombëtar. Kjo vepër nuk na tregon “çfarë ishte Skënderbeu”, por çfarë simbolizon ai për ne sot.
Mbaj mend kur në fillim të vitit 2018, një konkurs për monumentin “Servantesi dhe Dulçinea”, shpallur nga Organizata Turistike e Ulqinit, një iniciativë jashtëzakonisht me vlerë, u përplas me të njëjtat debate, gjë që bëri që monumenti mos të realizohet asnjëherë (!). E gjithë kjo nxjerr në pah një problematikë më të thellë kulturore: mungesën e kulturës së debatit mbi artin, dhe atë që filozofi Theodor Adorno e quante “mospërgatitje për të duruar prurjet e reja”
Kundërshtimet ndaj kësaj skulpture moderne nuk janë të papritura. Ato vijnë si rezultat i mosnjohjes së gjuhës së artit bashkëkohor, që shpesh paragjykohet si “i pakuptueshëm” apo si “i çuditshëm”. Në anën tjetër, kulti i ikonës ekzistuese, ka abstraktuar çdo përpjekje për të paraqitur figurën ndryshe dhe tani, një përpjekje e këtillë shihet si fyerje. Këtu kemi edhe mungesën e edukimit estetik, ku publiku nuk ka pasur kontakt të mjaftueshëm me skenën e artit modern, në rastin konkret, kalimi nga heroi si kalorës, në një hero si ide dhe të asaj që mbase është edhe më e rëndë – kemi të bëjmë me një hapësirë publike të paekuilibruar artistikisht, ku shpesh opinionet e pavlefshme bëhen më të zëshme se mendimi profesional, ku mungesa e kritikës së specializuar në diskursin publik, lejon opinionin e pakualifikuar të bëhet referencë. Mbaj mend kur në fillim të vitit 2018, një konkurs për monumentin “Servantesi dhe Dulçinea”, shpallur nga Organizata Turistike e Ulqinit, një iniciativë jashtëzakonisht me vlerë, u përplas me të njëjtat debate, gjë që bëri që monumenti mos të realizohet asnjëherë (!).
E gjithë kjo nxjerr në pah një problematikë më të thellë kulturore: mungesën e kulturës së debatit mbi artin, dhe atë që filozofi Theodor Adorno e quante “mospërgatitje për të duruar prurjet e reja”.
Por çfarë sjell kjo skulpturë që gjithsesi duhet mirëpritur? Rinovon përfaqësimin e një figure mitike, duke e afruar me gjuhën e brezit të sotëm, e ndanë peshën heroike të individit (Skënderbeut) me bashkësinë – duke mbetur një njeri që shpëton popullin, por njëkohësisht edhe një ide që buron nga populli; e fton shikuesin të mendojë dhe jo vetëm të admirojë; dhe më në fund e vendos Ulqinin në hartën e artit bashkëkohor publik, si një qytet që guxon të dalë nga klishetë. Dhe, jam më se i sigurt se këto dy vepra mund të bashkëjetojnë. Madje kjo duhet të ndodhë. Nëse në Tiranë, Prishtinë, Tuz e gjetiu kemi Skënderbeun si ikonë historike, në Ulqin mund të kemi Skënderbeun si figurë të hapur për interpretim. Kjo nuk është përplasje. Është plotësim. Sepse, thënë në mënyrë simbolike, një komb që njeh vetëm një imazh të vetvetes është një komb që rrezikon të ngurtësohet. Ndërsa një komb që lejon veten të shihet në pasqyra të ndryshme, është një komb që është i gjallë. Andaj dhe duhet të mësohemi me lirinë estetike. Në vend që të paragjykojmë një vepër, ose ta mohojmë, vetëm e vetëm sepse nuk është ajo që “jemi mësuar të shohim”, duhet të mësohemi të shohim më thellë, duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me pluralizmin estetik.
Monumenti i Skënderbeut në Ulqin nuk është një “zëvendësim” i legjendës, por një interpretim bashkëkohor i saj. Nuk ka vetëm një mënyrë për të nderuar figurat kombëtare. Skënderbeu mbi kalë është legjenda. Skënderbeu konceptual në Ulqin është pyetja.
Të dyja janë të nevojshme për një komb që kërkon të jetë i gjallë në kujtesë, por edhe i lirë në interpretim.
Prandaj dhe artin e monumenteve duhet ta shohim si një mundësi për të krijuar një dialog dhe për të nxitur reflektim në shoqëri. Në vend që të polarizohen, këto dy qasje mund të shërbejnë si një urë lidhëse për të kuptuar historinë tonë kolektive në një mënyrë më të gjerë dhe më të thellë.
Përfundimisht, monumenti i Skënderbeut në Ulqin është më shumë se një strukturë fizike; ai është një pikë takimi për histori, për politikë dhe gjithsesi për art. Diskutimet rreth tij mund të jenë të ndërlikuara, por ato ofrojnë një mundësi për të reflektuar mbi identitetin dhe marrëdhëniet ndërkulturore në përgjithësi. Debati rreth këtyre dy skulpturave është i natyrshëm në një shoqëri që përpiqet të balancojë traditën me modernitetin. Njëkohësisht është një akt kulturor trimërues që kërkon të shpalosë një interpretim të ri, jo të imitojë të kaluarën. Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se arti publik nuk është zbukurim, por formë komunikimi, e cila shpesh ngre pyetje, shkakton debat dhe e zgjat jetën e figurave historike në mënyra të reja, duke e ditur se arti është gjithmonë një pyetje.
Kjo skulpturë përdor gjuhën e skulpturës bashkëkohore: forma të stilizuara, mungesën e detajeve natyraliste, simbolikën e hapur, strukturën skenike dhe dramatike që të fton në lexim më të thellë. Është një kompozicion narrativ, më shumë se një ikonë klasike. Ajo kërkon një publik të edukuar estetikisht, të gatshëm të shohë përtej literalitetit. Dhe pikërisht këtu lindin kundërshtimet e pavenda. Përndryshe do të duhej që në nivel kombëtar të hapim një manufakturë, apo fabrikim serik të monumentit (ikonik) dhe ta vendosim gjithandej nëpër qendra shqiptare e gjetiu si figura shahu që me kalimin e kohës frikësohem se do të bëhej monotone dhe madje-madje as që do ta vënë re kalimtarët e zakonshëm.
Në fund, sido që të jetë dhe sido që të bëhet, shpresoj që monumenti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Ulqin të mos pësojë fatin e monumentit të Servantesit dhe Dulçinesë.
