Çamëria si preokupim profesional dhe kombëtar

Nail Draga

Botimet që trajtojnë tema nga hapësira etnogjeografike shqiptare janë inspiruese për lexuesit e pasionuar, sepse janë në favor të avancimit të njohurive të identitetit kombëtar shqiptar. Në këtë gamë të botimeve të tilla vend të veçantë zënë ato kushtuar krahinës martire të Çamërisë, ku studiues të profileve të ndryshme kanë dhënë kontributin e tyre profesional e kombëtar në favor të shpalosjes së vlerave shumëdimensionale të këtij mjedisi të hapësirës shqiptare.
Në lidhje me këtë çështje kontribut të rëndësishëm ka dhënë pedagogu dhe studiuesi Selman Sheme (1946-2025), i cili opinionit i është prezantuar me botime të veçanta nga fusha e gjeografisë, ku krahina e Çamërisë ishte preokupim i veçantë profesional. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe, sepse ai ishte me origjinë nga kjo krahinë, andaj çdo botim i tij paraqet homazh për këtë mjedis të hapësirës etnogjeografike shqiptare, e cila padrejtësisht iu shkëput Shqipërisë. Me këtë rast do të trajtojmë botimin “Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë”, botuar nga SHB “West Print” – Tiranë, në vitin 2012.
Në këtë botim autori trajton trojet shqiptare dhe regjionalizimin etnogjeografik, ndërsa më pas ofron të dhëna për ndarjen rajonale etnografike të Shqipërisë në shek. XIX-XX, duke vazhduar me veçoritë e përgjithshme fiziko-gjeografike në përgjithësi e ato gjeografiko-etnologjike të Çamërisë. Në veçanti janë trajtuar rajonet gjeografike të Çamërisë, si ai i Filatit, Gumenicës, Paramithisë, Margëlliçit, Pargës, Prevezës, Artës dhe Janinës.

Çamëria – preokupim profesional
Nga përmbajtja e prezantuar del se autori si preokupim profesional ka krahinën e Çamërisë, e cila gjendet në pjesën jugore të hapësirës etnogjeografike shqiptare, e që shtrihet nga liqeni i Butrintit dhe lumi i Pavllës në veri e deri në gjirin e Artës në jug. Kemi të bëjmë me një krahinë që, ndonëse e banuar me shumicë absolute shqiptare, në saje të vendimeve të Konferencës së Londrës (1913) iu dhurua Greqisë.
Nga ajo kohë e më pas shqiptarët e kësaj krahine vazhdimisht kanë qenë të rrezikuar nga pushteti grek, duke përjetuar dhunë, vrasje e shpërngulje me qëllim të politikës së tyre të spastrimit etnik nga popullsia shqiptare. Kemi të bëjmë me politikën greke të asimilimit dhe helenizimit të popullsisë shqiptare sipas “Megali idesë”, proces i cili ka vazhduar vite më radhë, duke arritur kulmin në vitet 1944-1945. Kemi të bëjmë me projektin qeveritar grek të spastrimit etnik të Çamërisë nga shqiptarët dhe atë kryesisht nga ata të fesë islame, ndërsa ata të fesë ortodokse llogariteshin si grekë!

Politika greke e spastrimit etnik në Çamëri
Për të arritur këtë qëllim, ata i përdorën të gjitha mënyrat: si grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, burgosjet, torturimet e popullsisë, dëbimet me dhunë e deri te masakrat e përgjakshme. Po ashtu pushteti grek veproi me kapacitet të plotë për të ndryshuar strukturën etnike të popullsisë nëpërmjet kolonizimit të krahinës, duke vendosur kryesisht kolonë grekë por edhe vllehë të ardhur nga pjesët e ndryshme të Greqisë, por edhe nga Azia e vogël, në saje të marrëveshjes së Lozanës (1923) për shkëmbim të popullsisë në mes Turqisë e Greqisë. Ishte kjo marrëveshje e cila ka goditur shqiptarët e fesë islame, rreth 55.000, sepse politika greke i konsideronte si turq, andaj i ka dëbuar për në Turqi. Në këtë drejtim, spastrimi etnik ka qenë i pranishëm edhe jashtë Çamërisë, në vendbanimet shqiptare në Kostur e Follorinë, ku u shpërngulën rreth 35.000 shqiptarë, duke i detyruar të vendosen në Turqi. Por, megjithë këto shpërngulje të dhunshme, deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, Çamëria vazhdonte të ishte një krahinë etnike homogjene, ku mbi 82% të popullsisë e përbënin shqiptarët.
Sipas statistikave greke të vitit 1937, Çamëria kishte 279 fshatra me një popullsi prej 112.619 banorë, nga të cilët 20.200 banorë ishin grekofonë dhe 92.419 ishin shqiptarë. Popullsia shqiptare përbëhej nga 59.419 banorë të fesë ortodokse dhe 33.000 banorë të fesë islame.
Procesi i shpërnguljes së popullsisë çame nga trojet e veta u fut në një fazë të re gjatë luftës italo-greke (1940-1941) dhe arriti pikën më kulmore me ngjarjet e vitit 1944-1945. Goditja fatale e popullsisë shqiptare ka ndodhur më 27 qershor 1944, ku forcat e EDES-it grek, nën udhëheqjen e gjeneralit Napoleon Zerva, kryen një nga masakrat më të rënda ndaj shqiptarëve të Çamërisë në qytetin e Paramithisë. Rreth 600 burra, gra dhe fëmjë u vranë barbarisht. Në muajt që pasuan, mbi 2.700 shqiptarë të tjerë u masakruan, u dogjën 68 fshatra dhe 5800 shtëpi.
Si pasojë e këtij gjenocidi ishin të detyruar të shpërngulen nga vatrat e tyre në Çamëri rreth 35.000 shqiptarë myslimanë, të cilët u vendosën në Shqipëri, ndërsa një pjesë në Turqi. Dhe nga këto masakra nuk mbeti asnjë shqiptar i përkatësisë islame, nga del se spastrimi etnik kishte edhe karakter fetar.

Shqiptarët ortodoksë drejt asimilimit
Pas Luftës së Dytë Botërore, popullsia shqiptare ortodokse në Çamëri e gjetiu në Greqi është përballur me politikë diskriminuese, raciste e asimiluese, sepse pushteti grek ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe e me këtë edhe mësimin e saj në shkollë. Nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i shqiptarëve në Greqi, por sipas të dhënave për vitin 2006, në strukturën e grupeve etnike shqiptarë janë 1.5%. Ndërsa sipas llogaritjeve të thjeshta, nga 11 milionë banorë të Greqisë, grupi etnik shqiptar në tregues absolut arrin në rreth 165.000 banorë. Pjesa më e madhe e kësaj popullsie shqiptare ortodokse jeton në Çamëri, si dhe në rrethet e Prevezës, Artës e Janinës. Ndonëse procesi i asimilimit e ka bërë të veten, gjuha shqipe flitet në familje dhe e rezervuar në mjedise publike. Përfundimisht, popullsia shqiptare në Çamëri, e ndodhur nën trysninë e helenizimit nëpërmjet diskriminimit e persekutimit nuk e deklaron publikisht identittein e vet kombëtar.

27 qershor 1944 – Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë

Në kohën e diktaturës, në Shqipëri deri në vitin 1991 masakrave të grekëve kundër çamëve nuk i është kushtuar vëmendja e duhur. Vetëm në pluralizëm kjo çështje mori peshën e duhur, duke njohur opinionin e gjerë me pozitën e popullsisë çame. Në nderim të martirizimit të popullsisë çame, Kuvendi i Shqipërisë, më 30 qershor 1994, shpalli 27 qershorin si “Ditën e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”, duke e përfshirë në kalendarin kombëtar përkujtimor.

Zgjidhje sipas standarteve ndërkombëtare
Me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, nga viti 1991, ndonëse janë bërë përpjekje për të zgjidhur çështjen çame, asnjë qeveri e Shqipërisë nuk ia ka arritur që me Greqinë të gjejë gjuhë të përbashkët, duke mbetur çështje e pazgjidhur. Sepse çështja çame nuk është vetëm çështje e të drejtave dhe lirive të individit, apo të pronës, por është më shumë, sepse është çështje politike e cila kërkon zgjidhje sipas standarteve demokratike ndërkombëtare.
Sipas të dhënave, numri i përgjithshëm i popullsisë çame në Shqipëri është rreth 250.000, të cilët në Çamëri kanë pronat e tyre duke qenë trashëgimtarë legalë, por qeveritarët grekë refuzojnë të trajtohet kjo çështje, madje nuk lejojnë që çamët të shkojnë as si vizitorë në trojet e tyre stërgjyshore. Pavarësisht raporteve politike në mes dy vendeve, çështja e Çamërisë kërkon zgjidhje sipas standarteve ndërkombëtare, ku Shqipëria si shteti amë duhet të luajë rolin që i takon në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar.

Literaturë e detyrueshme jo vetëm për nxënësit
Duke marrë parasysh vlerën shumëdimensionale të këtij botimi, mendoj se ai duhet të jetë si literaturë e detyrueshme jo vetëm për nxënësit në shkollat fillore e të mesme, për t’u njohur me të kaluarën dhe të tashmen e kësaj krahine të martirizuar shqiptare.
Krahas paraqitjes tekstuale, botimi është i pasur me shumë fotografi të natyrës së Çamërisë dhe monumenteve të kulturës në këtë mjedis. Ndërsa vlerë e veçantë të këtij botimi paraqet përkthimi i tekstit në gjuhën angleze, që do t’iu shërbejë edhe lexuesve të huaj për të kuptuar të kaluarën dhe të tashmen e kësaj krahine etnogjeografike shqiptare.

Të fundit

më të lexuarat