
Në vend të hyrjes
Në këtë artikull do të trajtohet periudha e Myftinisë me seli në Ulqin ndërmjet viteve 1881-1887, kurse në artikullin e ardhshëm studimi ynë do të përfshijë periudhën e Myftinisë gjatë viteve 1887-1912, kur selia e saj do të zhvendoset nga Ulqini në Podgoricë e më pas në Tivar.
Që të shihet konteksti i periudhës në të cilën trajtohet tema jonë rreth myftiut në Malin e Zi, e shohim të nevojshme që në fillim të bëjmë një hyrje të shkurtër përshkruese të rrethanave historike.
Në prag të Kongresit të Berlinit (1878) qytetet më të rëndësishme si Ulqini, Tivari dhe Podgorica administroheshin nga Vilajeti i Shkodrës. Këto njësi administrative kishin qendër Shkodrën, nga e cila administroheshin. Për rrjedhojë, edhe besimi islam administrohej nga myftinia e këtij sanxhaku/vilajeti. Për momentin nuk kemi të dhëna që përpara vitit 1878 këto qytete të kenë pasur myftinitë e veta, njëjtë si shumë kaza të tjera në Perandorinë Osmane. Ndërkaq, të dhënat arkivore na japin të kuptojmë se këto kaza kanë pasur kaditë apo naibët (gjykatësit) e vet, myderizët etj.
Situata e re politike solli ndryshimin e kufijve, nga ku në vitin 1878 Tivari dhe Podgorica i takuan Malit të Zi pasi edhe përkundër mbrojtjes u zaptuan me luftë dhe me vendimin e Kongresit të Berlinit, datë 13 korrik 1878, Fuqitë e Mëdha e njohën pavarësinë e shtetit të Malit të Zi. Ndërsa Ulqini, si rezultat i rezistencës më të madhe të ulqinakëve me rrethinë dhe ndihmës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përkohësisht kaloi nën administrimin e qeverisë së re të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dega e Shkodrës. Kjo situatë zgjati deri në momentet kur qeveria osmane e shpërndau Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe qeverinë e saj, dhe si shkak i presionit të Fuqive të Mëdha në nëntorin e vitit 1880 Perandoria Osmane detyrohet që Ulqinin t’ia dorëzojë Malit të Zi. (Synimet e Malit të Zi për t’u shtrirë edhe më tej nuk ndaluan pasi në Kongresin e Berlinit kishte marrë miratimin për aneksimin e Plavës dhe Gucisë. Por pas dështimit për dorëzimin e Plavë-Gucisë dhe Hotit e Grudës Malit të Zi, konsujt e Anglisë dhe Austro-Hungarisë në Shkodër, përkatësisht Green dhe Lippich, ditët e para të majit 1880 morën iniciativën për të përgatitur një projekt tjetër. Më 11 qershor 1880 propozimi i Rusisë iu njoftua Fuqive të Mëdha për projektin i cili përfshinte dorëzimin e Ulqinit me rrethina dhe bregdetin e tij Malit të Zi. Gjatë gjithë kësaj periudhe, nga Fuqitë e Mëdha vetëm konsullata italiane në Shkodër ka qenë në anën e shqiptarëve, Ulqinit, madje duke i ndihmuar me ar dhe para. Por betejave diplomatike dyvjeçare të Portës së Lartë me Fuqitë e Mëdha dhe në mënyrë të veçantë të Abedin Pashë Dinos për mos dorëzimin e Ulqinit po u vinte fundi dhe më 26 nëntor 1880 Ulqini iu dorëzua Malit të Zi. Shih Xhafer Sadiku, “Si iu dha Ulqini Malit të Zi‟, publikuar në www.Koha.mk, 08.11.2020)
Në kuadër të këtyre ngjarjeve sillen edhe vendimet e përcaktuara në Kongresin e Berlinit (1878) në nene të veçanta për situatën e krijuar. Ne do të ndalemi në ato pjesë që tema ka në shqyrtim, ku neni 27 ndërlidhet me liritë fetare dhe organizimin e tyre në Malin e Zi. Sipas këtij neni, besimet fetare dhe feja nuk mund t’i ndalohen asnjë individi, garantohet e drejta e jetës, punës etj. Njëherit garantohet e drejta e lirisë dhe e ushtrimit të të gjitha kulteve të huaja, ku do të jenë të sigurta për të gjithë banorët e Malit të Zi sikur edhe për të huajt dhe asnjë pengesë nuk mund t’u bëhet, qoftë administratës hierarkike a komuniteteve të ndryshme, qoftë raporteve të tyre me krerët e tyre shpirtërorë. (Jusuf Buxhovi, Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878, Faik Konica, Prishtinë, 2012, ff. 325-349.
Në kuadër të njohjes së Malit të Zi nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1878, ai u detyrua që të pranojë edhe komunitetet e tjera si ai katolik, mysliman etj., të cilat numëroheshin si të huaja, me arsyetimin që të dy këto komunitete selitë e tyre i kishin jashtë Malit të Zi. Bisedimet për arritjen e marrëveshjes (concordatit) për Kishën Katolike në Mal të Zi, ndërmjet Vatikanit dhe Malit të Zi filluan në vitin 1879 dhe zgjatën tetë vite, deri në vitin 1886, nga ku u vendos admnistrata (Selia) në Argjipeshkvinë e Tivarit. Edhe për pjesëtarët e besimit islam në Mal të Zi u veprua njëjtë, vetëm se zbatimi filloi në fillim të vitit 1881, disa muaj pasi Malit të Zi iu dorëzua Ulqini, ku u vendos edhe administrata (selia).
E tërë veprimtaria e Bashkësisë së Fesë Islame është financuar nga mjetet vetanake, përkatësisht nga të ardhurat vakëfnore.
Me Kushtetutën e Principatës (1905), (neni 40) feja islame ka pasur statusin e besimit të pranuar, pra nuk ka qenë e barabartë me besimin ortodoks dhe me Kishën Ortodokse të Malit të Zi, pasi që këto kanë gëzuar statusin e institucioneve të veçanta shtetërore. Kisha Ortodokse e Malit të Zi ka qenë e proklamuar si kishë shtetërore, kurse besimi ortodoks si besim shtetëror dhe veprimtaria e saj financohej nga shteti. Në nenin 129 të Kushtetutës thuhet: ”Qeverisja e brendshme e besimit muhamedan i takon Myftiut të Malit të Zi.”, përkatësisht Shejhu’l-Islamit në Stamboll.)
Edhe pse në këtë Kongres u garantua e drejta e organizimit të administratës hierarkike të komuniteteve të ndryshme fetare në Malin e Zi, për atë islam nuk gjeti zbatim deri pas vitit 1880 kur Ulqini do t’i dorëzohet Malit të Zi dhe Kongresi i Berlinit do t’i mbyllë punimet e veta.
Në rrethanat e reja të krijuara në këtë Kongres, ajo që mund të bëhej për Ulqinin ishte që të sigurohej garantimi i disa të drejtave më të avancuara, si e drejta e jetës, e pasurisë, sidomos e fesë dhe të drejta të tjera (Kristaq Prifti, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1880, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1978, ff. 134-135.), të cilat vijnë si pasojë e dorëzimit të Ulqinit pa luftë.
Për të parën herë, pas vendimit të marrë në vitin 1878 në Kongresin e Berlinit, neni 27, i cili garanton të drejtën e organizimit të administratës hierarkike të komuniteteve të ndryshme fetare në Malin e Zi, kemi një aktmarrëveshje konkrete për Ulqinin, të nënshkruar gjatë dorëzimit të qytetit dhe rrethinës së tij Malit të Zi, më 25 nëntor 1880 në Kunje nga përfaqësuesi i kryekomandës së Malit të Zi dhe kryekomandantit të divizionit të Shkodrës për Perandorinë Osmane. Sipas nenit 2 të kësaj marrëveshjeje, qeveria malazeze zotohej se do t’i respektojë të drejtat, jetën dhe nderin e banorëve që nuk duan të largohen… duke iu përmbajtur Traktatit të Berlinit. Neni 3 thotë se me një marrëveshje të posaçme osmane-malazeze do të rregullohen çështjet e vlerësimit të pasurive të shtetit, institucioneve fetare, në përputhje po me Traktatin e Berlinit. Ndërsa neni 4 e obligon qeverinë malazeze që t’i quajë të vlefshme të gjitha aktet e lëshuara nga gjykatat dhe autoritetet osmane në lokalitetet e ceduara. (Hajrullah Hajdari, Ulqini në dokumentet malazeze (1880-1915), Art Club, Ulqin, 2018, ff. 50-52.)
Në këtë kuadër iu kushtua vëmendje edhe fesë islame në Ulqin, që pasoi me vendosjen e administratës (selisë) së myftiut në Ulqin, pasi ishte me rëndësi për Ulqinin dhe për vetë Perandorinë Osmane, sepse përbënte një lloj kompensimi për qytetin dhe njëherit mundësonte edhe ruajtjen e vazhdimësisë së integritetit të institucionit islam si qendër e Malit të Zi të kohës, por duke mos patur fatin e vendeve të tjera, si Tivari, Nikshiqi, Podgorica, të cilët ishin marrë me luftë pa një marrëveshje konkrete në favor të organizimit të jetës fetare të tyre dhe për rrjedhojë këto qytete kishin pësuar dëmtime materiale dhe njerëzore. (Deri në vitin 1912 vetëm kazatë/qytetet si Ulqini dhe Podgorica, të cilat kishin popullsi të besimit islam, si edhe Tivari e Nikshiqi që kishin shumë pak, i kaluan nën administrim Malit të Zi, kurse qytetet e tjera të besimit islam që sot ndodhen në veri të Malit të Zi akoma i përkisnin Perandorisë Osmane. Nga një dokument i Arkivit Osman i vitit 1884, që mban vulën e ambasadorit osman në Cetinë, Ahmed Xhevat Pashës, shohim që ta ketë njoftuar Stambollin se 8 000 banorët e besimit islam të mbetur në Ulqin dhe Podgoricë, gjegjësisht në Malin e Zi, akoma ruajnë besnikërinë ndaj Padishahut. Nga ky dokument shohim se përveç popullsisë së besimit islam të mbetur në Ulqin dhe Podgoricë, në numër të paktë kishte Nikshiqi, që para lufte ka pasur 750 shtëpi, tani i kanë mbetur vetëm 20 prej tyre; Kollashini ka pasur 300 shtëpi, ndërsa tani kanë mbetur 30 shtëpi, kurse në Tivar kanë mbetur afërsisht 20 shtëpi, nga ku totali i popullsisë së besimit islam të mbetur në vitin 1884 në Mal të Zi arrinte në 8 500 banorë. Njëherazi duhet cekur se gjysma e kësaj shifre ndodhej në Ulqin, çka e bënte më të rëndësishëm si vend. Shih BOA (Arkivi Osman i Shtetit – Stamboll), Y.PRK.EŞA, 4/31.
Kjo gjë do të bëhet shkak që akoma më tepër Padishahu të ruante ekskluzivitetin e emërimit të myftiut si më përpara në Malin e Zi.)
(vazhdon)
