Një lexim ndryshe i një produksioni të gjerë dramatik

I nxitur, siç e thotë në parathënien e kësaj përmbledhjeje të studimeve e të analizave të tij, nga qëllimi për të mos i lënë për t’u “dënuar me heshtje disa vepra të mira teatrore të realizuara ndër vite”, Gëzim Puka, duke i analizuar tekstet dramatike të trashëgimisë sonë letrare, duke zbërthyer aspekte dhe dimensione të ndryshme të kësaj trashëgimie, synon që, “duke i sjellë në skenën e diskutimit letrar”, t’i kontribuojë inskenimit të tyre, të frymëzojë producentët e regjisorët, shtëpitë teatrore, të instalojë një vetëdije mbi nevojat e komunikimit kulturor e teatror me këto tekste në rrafshe të ndryshme të ekzistencës dramaturgjike e teatrore

Prof. dr. Besim Rexhaj

Gëzim Puka, me librin e tij “Për dramën dhe teatrin” sjell para lexuesit një lexim të ri, ndryshe, të një produksioni të gjerë dramatik, qoftë duke u përqendruar në trashëgiminë dramaturgjike, që nga fillimet e saj, nga “Emira” e Santorit, qoftë në atë bashkëkohore, deri te Serafin Fanko e Stefan Çapaliku.
I nxitur, siç e thotë në parathënien e kësaj përmbledhjeje të studimeve e të analizave të tij, nga qëllimi për të mos i lënë për t’u “dënuar me heshtje disa vepra të mira teatrore të realizuara ndër vite”, Gëzim Puka, duke i analizuar tekstet dramatike të trashëgimisë sonë letrare, duke zbërthyer aspekte dhe dimensione të ndryshme të kësaj trashëgimie, synon që, “duke i sjellë në skenën e diskutimit letrar”, t’i kontribuojë inskenimit të tyre, të frymëzojë producentët e regjisorët, shtëpitë teatrore, të instalojë një vetëdije mbi nevojat e komunikimit kulturor e teatror me këto tekste në rrafshe të ndryshme të ekzistencës dramaturgjike e teatrore.
Synimi i këtillë, tash e një kohë të gjatë qëkur drama e teatri po margjinalizohen në masë të madhe, peshon edhe më shumë kur optika e vrojtimit të këtij studiuesi lëviz e fokusohet në disa nga veprat dhe autorët eminentë të dramaturgjisë shqiptare, siç janë “Emira” e Santorit, “Skënderbeu” i Haxhiademit, “Njollat e murrme” të Jeros, “Tiranozauri” i Trebeshinës, “Çmurosja” e Fankos, “Tri mendje në ankand” e F. Hysit dhe autorë si Çapaliku e Brahusha dhe kur kodet e teksteve të tyre dramatike dekodohen me instrumentet e një qasjeje metodologjikisht eklektike e “kaleidoskopike”, gjithnjë duke përfillur dhe ndjekur natyrën e tekstit dramatik, që e kërkon zbatimin e njërës apo të tjetrës metodë, gjithnjë në përputhje me frymën e veprës dramatike.
Këtu, rrugës së zbërthimit të realitetit artistik të dramës e të teatrit, do theksuar fokusimi i Pukës në kategori e mekanizma esenciale dramaturgjike si: veprimi, rrëfimi, dramatikja, konflikti, intertekstualiteti etj.
Duhen veçuar dy kapituj të librit “Për dramën dhe teatrin”, në të cilët përqendrohet optika e vëzhgimit kritik e analitik e studiuesit Gëzim Puka: së pari, përqendrimi në një komedi sui generis, në komedinë “Dredhít e Patukut” të Fishtës, ku identifikohen, përmes një qasjeje tekstore krahasimtare, deri në imtësi, shkalla e përkthimit, e përshtatjes, e rikrijimit dhe ajo e origjinalitetit të Fishtës së madh kundruall Molierit gjenial, ku do theksuar qasjen metodologjikisht inventive të Pukës kur, si edhe në raste të tjera studimore, e shmang qasjen pozitiviste dhe historicizmin, por çështjet e trajtuara i vendos në kontekst historik e letrar adekuat. Në anën tjetër, optika e vëzhgimeve të Pukës përqendrohet në kritikën e dramës e të teatrit të Josif Papagjonit, ku ndriçon, nga perspektiva të ndryshme të vëzhgimit analitik, aspekte të veçanta të kësaj kritike të personalitetit shumëdimensional të tij.

Të fundit

më të lexuarat