Melodia e gurit si tingëllimë kujtese

Janë pikërisht gurët e shtëpive dhe të kullave, të cilët në formësimin e tyre estetik mbartin dëshmi nga e kaluara e largët, që mbushin ende sot horizontin me rrëfime përrallore, të figurave mitologjike të mbështjella me bestytni e legjenda. Çdo gur që goditej nga mjeshtri, në mënyrë që forma e tij të jetë më shprehëse dhe më domethënëse, nxirrte tingull. Çdo tingull që dilte nga goditja e gurit përmes daltës me anë të çekiçit, nxirrte nga nëndheu i epikës sonë forma nga krijimtaria e lashtë popullore. Mjeshtri ndërtues nxirrte melodi të caktuara nga goditja e gurëve. Thuhej se guri në atë mënyrë këndonte

Korab Kraja

Dëshmi e sigurt quhet kur një dokument është i shkruar në letër. Po nëse një “dokument” është i gdhendur në gur?
Nuk është e lehtë të gdhendësh një gur. Pra, ta latosh atë në një formë të veçantë dhe ta bësh gurin të përdorshëm për nevojat e ndërtimit. Më e vështirë duhet të jetë gdhendja brenda gurëve, pra gdhendja brenda gdhendjeve, pra diçka si e përgdhendshme. Gurët e tillë, përpos si formë e caktuar, në vetvete përmbajnë një histori dhe përmes gdhendjes tregojnë një rrëfim.
Janë pikërisht gurët e shtëpive dhe të kullave, të cilët në formësimin e tyre estetik mbartin dëshmi nga e kaluara e largët, që mbushin ende sot horizontin me rrëfime përrallore, të figurave mitologjike të mbështjella me bestytni e legjenda. Çdo gur që goditej nga mjeshtri, në mënyrë që forma e tij të jetë më shprehëse dhe më domethënëse, nxirrte tingull. Çdo tingull që dilte nga goditja e gurit përmes daltës me anë të çekiçit, nxirrte nga nëndheu i epikës sonë forma nga krijimtaria e lashtë popullore. Mjeshtri ndërtues nxirrte melodi të caktuara nga goditja e gurëve. Thuhej se guri në atë mënyrë këndonte. Shfaqeshin figura kozmologjike, antropomorfe, zoomorfe, florale, gjeometrike, mbishkrime, por edhe vetë çekiçi apo dalta shfaqeshin mbi gurë, sikur bashkëdyzoheshin dhe shkriheshin në të. Ylli, dielli, hëna, gjarpri, njeriu, bima, vegla e punës, arma, dekorimet gjeometrike, mbishkrimet janë vetëm disa nga shenjat dhe simbolet që shfaqen të gdhendura në gurët e shtëpive dhe të kullave në Kosovë. Në këtë mënyrë, mund të thuhet se çdo gur ngjall një rrëfim, pra ngjall një kujtesë.
Në 110 ndërtime – shtëpi e kulla, janë dokumentuar 615 simbole në librin “Kujtesë në gurë: Gdhendja e simboleve në kulla”, të autorëve Kaltrina Igrishta, Lekë Shala dhe Anduena Halilaj. Llojshmëria e këtyre simboleve, të cilat shprehin teknika të caktuara të gdhendjes së tyre, paraqesin vlerat estetike që përmban një rrafsh arkitektonik në kontekstin e shtëpisë dhe jetës në të. Përmes gdhendjes, punimit në reliev, skulpturës dhe pikturimit, simbolet i japin një shëmbëlltyrë kuptimore më të thellë shtëpisë apo kullës dhe, më përmbajtësore e bëjnë aspektin estetik dhe formësues të saj. Kullës apo shtëpisë, simbolet i shtojnë vlera dekoruese dhe estetike, çka njëkohësisht, ndërtimin e bëjnë me potenciale më të veçanta dhe më strukturuese në domethënie. Ndërsa, në prizmin kulturor, ndërtimet e tilla me përmbajtje zbukuruese të tillë, e bëjnë materialin dokumentues më të plotë dhe i shtojnë metodologjisë kërkimore shkencore edhe aspektin e narracionit popullor.
Ornamentika e shfaqur përmes kulteve, besimeve popullore, shenjave identifikuese me domethënie apo edhe pa to, i shtynë kërkuesit, zbuluesit, dokumentuesit që të merren edhe me një lëmi të veçantë për një popull dhe një kulturë – me krijimtarinë popullore. Është e dëshmuar, se kjo krijimtari për një popull përbën vlera identitare, që e bëjnë jetën e atij populli më të pasur stilistikisht, estetikisht dhe kulturalisht. E ka thënë Jokilehto, se “trashëgimia kulturore mund të përkufizohet si korpus i tërë shenjave materiale – qoftë artistike apo simbolike – të dorëzuara nga e kaluara për çdo kulturë dhe, për rrjedhojë, të gjithë njerëzimit.” Të tilla janë edhe simbolet në kullat e në shtëpitë tona. Janë identifikuese për ne, por në të vërtetë ato janë treguese të një njësimi apo edhe përngjasimi për tërë njerëzimin. Ato bëhen kështu, urë lidhëse ndërmjet popullit tonë me të tjerët, si mjet komunikues në bashkësinë kulturore dhe historike të vlerave të përbashkëta në kohezionet tradicionale. “Brinjët, shtëpisë i japin mbrojtje nga syri i keq (Durham 1909) duke përfaqësuar forcë dhe agresivitet, por edhe mbarësi dhe fat (Krasniqi 1984), simbolikë e përhapur në kulturën mesdhetare (Conrad 1957)”, shkruhet në faqen 14.
Në 166 faqe, autorët arkeologë dhe etnologë e dëshmojnë profesionin dhe njëkohësisht pasionin e tyre si obligim moral dhe profesional. Ashtu si e kaluara e kullave mbetet e dëshmuar përmes rrëfimeve të gdhendura në gurë, Igrishta, Shala dhe Halilaj kujdesen që atë ta bëjnë dëshmi shkencërisht të qasshme në letër. I ndarë në gjashtë kapituj kryesorë dhe në shtatë nënkapituj plotësues, libri përbën edhe një veçanti tjetër simbolike. Atë çfarë e trajton, pra simbolikën mitologjike dhe bestytnore përmes dekorimeve, libri bëhet pjesë, dashje a padashje, e simbolikës së bestytnisë numerologjike. Gjashtë kapitujt dhe shtatë nënkapitujt përbëjnë një kontekst interesant të shkëputur nga vetëdija popullore e besimit në të ashtuquajturit “numrat magjikë”, gjegjësisht numrat tek, e konkretisht numrat tre, gjashtë, shtatë, nëntë e dymbëdhjetë. “Tri herë”, në këtë rast dy herë nga tre, “shtatë herë” – si shtatë fusha, lumenj, kodra e male – e plotësojnë narracionin epik të librit. Si dhe, pjesa e fundit dhe mbase më e rëndësishmja, është dokumentacioni, në të cilën gjendet baza e të dhënave për çdo simbol. Kështu, në dy pjesët kryesore që e përbëjnë librin, pjesa e tretë mund të thuhet se është kulminantja e tij. Në këtë rast, sikur me të, pra me të tretën, goditet fuqishëm konteksti mbi të cilin libri hulumton, tregon dhe dëshmon. Një kontekst i tillë i pikëvështrimit të tij, e bën librin “Kujtesë në gurë” një vepër monumentale, gjithëpërfshirëse në rrafshin e hulumtimit të simbolizmave dhe konteksteve të ornamentikës dekoruese të kullave dhe shtëpive. Me këtë përmbajtje domethënëse dhe mjaft të prekshme në rrafshin hulumtues, libri bëhet fjalor i komunikimit, por libri bëhet edhe doracak i përdorimit të shpeshtë. Sepse në të, pra në këtë “’fjalor’ tekstual-grafik”, mund të gjendet një përmbajtje që i tejkalon perceptimet e zakonshme dhe futet në thellësitë e narrativës së jashtëzakonshme ornamentike.
Kapitulli i parë përshkruan në pika të shkurtra synimet e librit dhe njohjen e tematikës që ai trajton. Derisa në kapitullin e dytë bëhet një përshkrim i shkurtër i kullave si ndërtim i veçantë arkitekturor dhe si tipologji e spikatur në ndërtimin popullor në Kosovë, kapitulli i tretë rrëfen gdhendjet, simbolet, si dhe dokumentimin e tyre tek autorët e ndryshëm dhe ato të gjendura në terren. Tërë këto të dhëna me vlera të veçanta historike dhe shkencore, të përshkruara shkurtimisht mbi parimin e elaborimit të përnjohjes, i bëjnë vend kapitullit të katërt dhe të pestë, çka mund të konsiderohen më përmbajtjesorët: gjeneza dhe simbolet. Në të parin bëhet përpjekja e shpjegimit të gjenezës së simboleve, duke iu referuar autorëve mesjetarë, por edhe bashkëkohorë, dhe ndikimet historike nga e kaluara deri te shtresëzimet dhe mbishtresëzimet kulturografike që e përbëjnë arealin e Kosovës. Shprehimisht, kjo dukuri përbën një marrëdhënie kulturash ndërmjet popujsh, të dalluara në epoka dhe në institucione, si vlera apo edhe kundërvlera të popullit. Derisa një herë ato shfaqen fuqishëm në praktikën popullore, misionet fetare bëjnë që ato të zhduken, por edhe të shndërrohen në praktika të reja, si përditësime jetësore nga kultura pagane në atë fetare. Një praktikë e tillë, me një ndikim të thellë popullor dhe që i tejkalon suazat e perceptimit të bestytnisë dhe eposit, është simboli i pajtimit të gjaqeve, në kullën e Osdautajve në Isniq. Duket sikur të gjitha mitologjitë e së kaluarës i përkulen këtij simboli. Prandaj, në kapitullin e pestë, që bën paraqitjen e simboleve, numërohen 615 të tillë, të shfaqur në elemente të caktuara të shtëpisë, në brendësi dhe në jashtësi, në dyer e në dritare, në qoshe të shtëpisë apo në mes të tyre, në katet e poshtme, por edhe në ato të sipërme, të shfaqura si gdhendje a skulpturë a reliev, të gërvishura apo të pikturuara, e përbëjnë kështu korpusin e larmishëm të simbolizmave të diellit, hënës, yllit, yll e hënës, hënë e yllit, hënëyllhënës, hënës së re, të plotë a të vjetër, shuplakës së dorës, gjinjve, gjarprit të mbështjellë, të shtrirë, në lëvizje a në sulm, buklës, ujkut, luanit, zogut, gjelit e pëllumbit, pemës e lules, trekëndëshit, katërkëndëshit e shumëkëndëshave të tjerë, kryqit, vijave paralele a zigzage e deri te kompaktësia gjeometrike e rrethit, e sidomos të mjeteve të punës, si çekiçit, gërshërëve, kosës, e deri te mbishkrimet e fjalëve, datave a citimeve.
Tërë ky korpus kaq i madh, kaq i gjerë, kaq i larmishëm dhe kaq i shumëllojtë, i jep librit “Kujtesë në gurë” një kujtesë të rrëfyer mbi të parrëfyeshmen, na e sjell të kaluarën e hijezuar në ngjyrshmërinë e dokumentimit analogjik, përmes syrit të arkeologëve dhe etnologëve. Libri si i tillë, shërben si udhërrëfyes dhe fjalor figurativ dhe dokumentues për arkitektët, arkeologët, etnologët, antropologët, historianët, kostumografët, regjisorët, shkencëtarët, studiuesit e lexuesit e vullnetshëm të librit. Dashamirët e simboleve me këtë vepër mund t’i thellojnë njohuritë mbi simbologjizmat dhe figurizmat e krijimtarisë popullore të shqiptarëve, duke e plotësuar kështu gamën e njohurive mbi dijen e shumështresësisë kulturore të plastikës dekorative të arkitekturës popullore. Për dashamirët e ilustrimeve, në këtë libër gjenden grafikat e simboleve dhe një kapitull i veçantë i titulluar “Dritëshkronjat”, në të cilin janë të paraqitura fotografitë si dokumentim grafik.
Për t’u thelluar më tepër në gjithësinë e simboleve të librit dhe për t’u orientuar mbi udhëtimin epik të narracionit të tij, lexuesi mund të gjejë bibliografinë, listën e figurave, shtojcën e përbërë nga tabelat, hartat, grafikonet, shpjegimet mbi metodologjinë e punës, si dhe mund të gjejë të dokumentuar tërë simbolet në bazën e hollësishme të të dhënave që identifikon simbolin në numër rendor, vendndodhje, trevë, datë dhe specifika të tjera teknike.
Ashtu si epika legjendare që vjen si tingull i mbrujtur nga lahuta, libri “Kujtesë në gurë: Gdhendja e simboleve në kulla” vjen si tingëllimë e daltës së mjeshtrit popullor nga nëntoka e epikës legjendare.

Të fundit

më të lexuarat