Antologji e re letrare e Hajro Ulqinakut

Antologjia është letërsi kushtuar Ulqinit, frymëzuar nga bukuria e tij, e këtij qyteti që ka frymëzuar të gjithë ata që patën fatin ta shijojnë, përjetojnë këtë qytet të rrallë, i cili i mahniti krijuesit të cilët i kushtuan vargje, rreshta nga zemra Ulqinit gjatë shekujve

Asllan Bisha

Hajro Ulqinaku përgatiti një antologji të re letrare. Ai është shkrimtar i njohur i letërsisë për fëmijë. Kryesisht ka shkruar prozë për fëmijë me temë nga vendlindja – Ulqini dhe është autor i 30 veprave letrare. Njihet si shkrimtar i detit të Adriatikut, ndërsa Petro Marko është shkrimtar i njohur i detit Jon. Janë dy krijues që të mahnisin. Veprat e tyre letrare nuk po i radhisim, sepse janë të shumta, derisa tregimet e tij janë të skalitura në lektyrën shkollore.
Kësaj radhe Hajro Ulqinaku përpiloi një antologji të mrekullueshme letrare, të titulluar “Barka ime, Ulqini”, me redaktor krrijuesin ulqinak Jaho Kollari, ndërsa recensent i librit është Dr. Haxhi Shabani, poet dhe studiues i letërsisë. Botimin e kësaj antologjie e ka mbështetur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, kurse editor është Ramadan Mehmeti.
Antologjia është letërsi kushtuar Ulqinit, frymëzuar nga bukuria e tij, e këtij qyteti që ka frymëzuar të gjithë ata që patën fatin ta shijojnë, përjetojnë këtë qytet të rrallë, i cili i mahniti krijuesit të cilët i kushtuan vargje, rreshta nga zemra Ulqinit gjatë shekujve.
Autori e nis librin me krijimtarinë gojore, me këngë që iu kushtuan qytetit, të cilat janë perla të rralla të letërsisë popullore, si në vargje, por edhe në prozë. Krijuesit derdhën talentin dhe dashurinë ndaj këtij qyteti të lashtë, trajtuan edhe ngjarjet e rënda historike, sepse Ulqini ra në kthetra të robëruesve dhe pushtuesve të ndryshëm, por gjithmonë gjeti forcën për të ruajtur rrënjët e lashtësisë. Po ashtu prozat popullore flasin për fatin e qytetit, lashtësinë.
Autori Hajro Ulqinaku me mjeshtëri e përpiloi këtë antologji, që është xhevahir letrar, dhuratë e madhe që lindi nga dashuria e tij për qytetin, të cilin e skaliti në prozë mjeshtërisht. Dhe është me fat që gjithë këtë dashuri dhe zell ia dhuroi qytetit të tij Ulqinit, të cilin e dashuron.
Në kapitullin e parë shënohen legjendat e rralla, si Tyrbja në Ranë, flitet për fatin e qytetit të rrethuar nga venecianët. Dhe “shpëtimtar nga rrethimi ishin dy vëllezërit dervish”, të cilët i organizuan banorët të “rrahin” detin, i cili u trazua, çoi dallgë dhe shpëtoi Ulqini nga pushtuesit venecianë. Këtë legjendë e shënoi Gjergj Gjokaj, intelektual nga Malësia.
Po ashtu në libër janë shënuar shumë legjenda nga Dr. Bahri Brisku etj.
Përpiluesi Hajro Ulqinaku është kujdesur të përmbledhë shumë emra të mëdhenj që patën fat ta takoninin Ulqinin dhe të cilëve u la mbresë, si udhëpërshkruesi turk Evlija Çelebiu, i cili përeç tjerash thotë se qyteti ruhej nga 700 trima shqiptarë.
Po ashtu Sami Frashëri shkruan për Ulqinin, ku thotë se brenda Kalasë janë 100 shtëpi dhe se bëhej tregti me 400-500 anije.
Dinko Franetoviq shkruan për detarinë e Ulqinit, fragment i përkthyer nga Hajro Ulqinaku. Gjithashtu udhëpërshkruesi çek Jozef Jan Svatek.
Po ashtu shumë ulqinakë, si Sami Flamuri, Enver Mollabeqiri, Jaho Kollari e shumë të tjerë kanë shkruar për Ulqinin dhe janë përfshirë në këtë libër, ashtu si edhe Ibrahim Berjashi, Simo Popoviqi etj.
Një kapitull i veçantë i librit është Ulqini në prozë. “Fejesa në djep” nga Dom Ndoc Nikaj, po ashtu përmendet Ramiz Kelmendi, Mehmet Kraja, Basri Çapriqi, Erik Kosh “Duke kërkuar Mesinë”, Andrej Nikollaidis, Asllan Bisha “Nusja e detarit”, Hasan Ulqini, Moikom Zeqo, Muzafer Çaushi, Nexhat Halimi, Vehbi Kikaj “Në lundrën ‘Teuta’”, Rifat Kukaj, Tofik Shurdha, Ruzhdi Hasanaga, Jovan Nikollaidis.
Recensenti Dr. Haxhi Shabani e përmbyll librin duke theksuar se “Barka ime Ulqini” është libri më i madh i shkruar për Ulqinin.

Të fundit

më të lexuarat