
Rregullat e miratuara në Rregulloren e Bibliotekës së Cetinës, të cilat përcaktonin detyrat për çdo bibliotekë dhe sallë leximi, nxitën një grup intelektualësh të shquar ulqinakë, mes të cilëve ishin: dr. Marko Popoviq (djali i Dukës Sima Popoviq, përndryshe mjek nga Ulqini), Hasan Mavriq, Minja Nikollaidis, Petar Nikoliq, Todor Duçiq dhe Todor Hajdukoviq, të fillojnë nismën e procedurës për themelimin e një biblioteke me një sallë leximi. Personat e përmendur iu bashkuan administratës së parë të sallës së leximit, e cila u zgjerua me anëtarë të rinj (Muho Gjurkonja, Radovan Vukiqeviq dhe Petko Brajoviq). Pas konstituimit të administratës (drejtuesve) së re, dr. Marko Popoviqi u zgjodh kryetar, P. Nikoliqi sekretar, ndërsa Todor Duçiqi arkëtar-bibliotekar. Vendimi për themelimin e bibliotekës u mor nga Komiteti Popullor i Komunës Ulqinit, në vitin 1948. Biblioteka u regjistrua në regjistër me numrin rendor 18.
Në përputhje me nenin 1 të Rregullores së lartpërmendur, që bibliotekat publike dhe sallat e leximit mund të emërtohen sipas një shkrimtari, heroi dhe njeriu të shquar të rajonit përkatës, pasi u arrit pëlqimi i Shoqatës së Veteranëve dhe Komitetit Popullor, biblioteka mori emrin zyrtar: Biblioteka Popullore dhe Salla e Leximit “Mirko Srzentiq” – Ulqin. Ajo u emërtua sipas një studenti nga komuna e Ulqinit, i cili vdiq më 1 shkurt 1935, në luftën për autonominë e Universitetit të Beogradit. Teksti i emrit u gdhend gjithashtu në vulën dhe pullën e parë të institucionit të sapothemeluar.
Biblioteka, siç shkruan Fadil Kroma në librin e tij “Shënimet e bibliotekistit” (f. 45), filloi me një pjesë të librave të gjetur në koleksionet e paraluftës, nga dhuratat dhe me një inventar modest. Kështu, si një feniks, ajo u rilind dhe u ringjall nga hiri i saj. Në fakt, është rinovuar për herë të katërt. Punonjësit e parë e drejtuan dhe u kujdesën për punën e bibliotekës dhe të sallës së leximit në mënyrë vullnetare deri më 10 mars 1955. Siç mësojmë nga gazeta “Pobjeda“ e Titogradit (sot Podgorica), puna e saj nuk është ndier mjaftueshëm në vitet 1950.
“Salla e Leximit të Qytetit ‘Mirko Srzentiq’ në Ulqin ka mbi 1 000 libra nga fusha të ndryshme, por ato nuk përdoren mjaftueshëm. Ato i marrin për t’i lexuar vetëm nxënësit, të cilët i kthejnë pjesërisht. Megjithatë, salla e leximit është e hapur gjatë gjithë ditës, rrallëherë dikush ndalet për të marrë një libër ose për të lexuar shtypin ditor. Përveç kësaj, anëtarët e sallës së leximit paguajnë tarifat e anëtarësimit në mënyrë të parregullt, gjë që e bën të pamundur blerjen e librave të rinj”, shkruan “Pobjeda”, VII/1950, nr. 268, f. 5.
Edhe gazeta “Politika” e Beogradit, e datës 21 nëntor 1950, f. 8, u bënte thirrje banorëve të Ulqinit “të bënin gjithçka që ështe e nevojshme për ta bërë këtë institucion të rëndësishëm atë që dikur ishte: një qendër arsimi, letërsie, aktiviteti politik dhe kulturor”.
Në maj të vitit 1955 biblioteka merr emrin e ri zyrtar Biblioteka e Qytetit me Sallën e Leximit “Mirko Srzentiq”. Lidhur me punën e atyre viteve të kësaj biblioteke ka shkruar ish-drejtori shumëvjeçar i saj, Fadil Kroma, në librin e tij ”Shënimet e bibliotekistit”:
“Këshilli Popullor ndan mjete për blerjen e librave në bibliotekë dhe gjatë vitit 1955 numri i tyre shtohet në 2 300 ekzemplarë. Në këtë kohë bibliotekën e ka udhëhequr Natalia Gazivoda, e cila punonte nga tri orë në ditë pasdite, nga viti 1955-1966. Që atëherë Natalia i është drejtuar Kuvendit të Komunës që të sigurohet një punëtor me orar pune të plotë, por kërkesës së saj nuk i janë përgjigjur pozitivisht”, shkruan Kroma.
Ai shton se “me Vendim të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Biblioteka e Ulqinit në vitin 1963 u zhvendos prej Shtëpisë së Kulturës në hapësirat e Shtëpisë së Kooperativës, karshi tregut të vjetër, në një sipërfaqe prej 120 m²”.
Kroma, por edhe autorët malazezë dr. Dushan Martinoviq dhe Mirosllav Lluketiq, në artikullin “Pozita e bibliotekave popullore në Mal të Zi dhe zhvillimi i tyre” (Cetinë 1965, f. 85), Lluka Gojniq “A ka nevojë Ulqini për bibliotekë?” (“Pobjeda”, XXIV/1967, nr. 2597, III, f. 9), Nikollë Lucaj “Bibliotekë e varfër” (“Pobjeda”, XXIV/1967, nr. 2616, f. 11), Aleksandar Janinoviq “Për kulturën, shuma për kulturën pak” (“Pobjeda”, XXV/1969, nr. 2885, 21. XII, f. 7), për Bibliotekën e Ulqinit shkruajnë:
“Koleksioni i librave në këtë bibliotekë ndodhej në një dhomë jofunksionale, struktura e koleksionit të librave nuk ishte e kënaqshme, nuk ka pasur libra në gjuhën shqipe, megjithëse një përqindje e madhe e përdoruesve ishin me kombësi shqiptare, ambientet e saj nuk ishin të përshtatshme për punë, aty mbaheshin vazhdimisht konferenca e mbledhje, sepse në Ulqin nuk kishte ambiente të tjera të përshtatshme, nuk kishte botime leksikografike, literaturë informative dhe referuese të përgjithshme, të nevojshme për funksionimin e një biblioteke. Literatura dhe veprat marksiste në shkencat natyrore dhe të aplikuara ishin gjithashtu shumë të pakta. Nuk kishte një koleksion librash vendore, kështu që kushdo që ishte i interesuar për historinë ose aktualitetet e Ulqinit nuk mund të gjente asnjë dokument të shkruar ose fjalë të shtypur rreth kësaj treve. Biblioteka ishte pa një punonjës të përhershëm, d.m.th. drejtohej nga një person me kohë të pjesshme. Ishte e hapur vetëm tri orë në ditë (nga ora 15:00 deri në orën 18:00). Megjithatë, numri i anëtarëve nuk ishte aq i vogël. Në vitin 1964 biblioteka kishte 485 anëtarë, por vitin pasardhës vetëm 275. Kishte një nevojë në rritje për të krijuar kushte më të mira, për të shtuar materialin bibliotekar, për të emëruar një person profesional, që nënkuptonte gjetjen e burimeve të përhershme të financimit. Nevoja për zgjidhje të tilla është ndikuar gjithnjë e më shumë jo vetëm nga kërkesat e përdoruesve vendas, por edhe nga frekuenca dinamike turistike, kryesisht e vizitorëve vendas. Prandaj, viti 1965 ishte, në njëfarë mënyre, një pikë kthese, duke u bërë një institucion i pavarur, me financim nga Komuna e Ulqinit. Pavarësisht kushteve të pafavorshme hapësinore dhe të personelit, kjo bibliotekë zgjeron funksionet e saj, ofron gjithnjë e më shumë ndihmë profesionale dhe të tjera për bibliotekat në trevën e Ulqinit, si në promovimin dhe përhapjen e librave në mesin e njerëzve, ashtu edhe në zhvillimin e formave të tjera të aktiviteteve kulturore dhe arsimore. Këto funksione dhe organizimi vetëqeverisës, bazuar në statut dhe akte normative vetëqeverisëse, çuan në ndryshimin e emrit, ndër të tjera, sepse aktivitetet e saj u bënë shumë më të gjera sesa vetëm zona e qytetit. Prandaj, Kuvendi Komunal i Ulqinit, duke marrë parasysh aktivitetet e Bibliotekës së Qytetit, më 4 qershor 1965, mori vendim për transformimin e saj në bibliotekë kryesore (amë). Në përputhje me Ligjin për Bibliotekat e RS të Malit të Zi (Gazeta Zyrtare e RS të Malit të Zi, nr. 22/1965), duke marrë parasysh specifikat e fushave që duhet të mbulojë kjo bibliotekë, janë përcaktuar funksionet e saj kryesore. Pastaj bibliotekat në Shtoj dhe Katërkollë iu bashkëngjitën asaj. Ish-Biblioteka e Qytetit dhe Salla e Leximit u riemërtua në Biblioteka Popullore “Mirko Srzentiq”, duke u bërë kështu bibliotekë për të gjithë zonën e komunës së Ulqinit. Prandaj u shpall biblioteka kryesore (amë) komunale, me detyrën dhe detyrimin për të punuar për zhvillimin e të gjithë aktivitetit bibliotekar në komunë.
Nga 1 tetori i vitit 1967, biblioteka fitoi punonjësin e saj të parë të përhershëm me kohë të plotë. Drejtor u emërua Fadil Kroma, kurse dorëzimin e saj e merr më 29 prill 1966. Vit pas viti, ajo rrit koleksionin e saj të librave dhe arrin rezultate gjithnjë e më të rëndësishme, duke e bërë një nga më të suksesshmet (midis 18 bibliotekave publike në RS të Malit të Zi)”. Biblioteka e Ulqinit “Mirko Srzentiq” u dekorua nga Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës, më 21.10.1982, me Dekoratën e Meritave për Popull me Yll të Argjendtë. Përveç kësaj, ajo u shpërblye me disa mirënjohje, fletëfalënderime e diploma nga institucione e shoqata të rëndësishme në vend.
Merita kryesore për të gjitha arritjet e kësaj biblioteke pa dyshim i takon ish-drejtorit të saj Fadil Kromës, tashmë të ndjerë, i cili shumë herë gjatë punës së tij 36-vjeçare si drejtues i këtij institucioni të rëndësishëm kulturor dhe arsimor u ballafaqua me shumë probleme, kërcënime, gënjeshtra, shpifje e trillime në kohën e sistemit komunist, për shkak të përpjekjeve të tij të vazhdueshme dhe të suksesshme për pasurimin e fondit të saj me libra e literaturë në gjuhën shqipe.
(Fund)
