P O E Z I : Ali Gjerçbritaj

NUK KAM FRIKË
Unë jam qenie e ngurtë
nuk kam frikë nga predhat
bëhem në çast gur.

Flamurin e hedh në shtizë
mallin e kam qepur në pëlhurë
me ngjyra jete.

Nuk kam frikë ta kthej kohën
që e kam ndezur me qirinj dikur
janë masa të gjurmës time.

ASGJË NUK ËSHTË PËRGJITHMONË
Në këtë botë
nuk jemi përgjithmonë
mbi tokë jo se jo
edhe hidhërimet
edhe problemet
ikin një ditë
siç do ikim edhe ne.
Mua sot më pëlqen
të lagem
të bëhem qull
të eci vetëm
nëpër shi
pa ombrellë
dua që mos ta dalloni
rrjedhën e lotit tim
për kohën që iku.
Në këtë botë
kam humbur shumë
dëm kam çuar
ditë të tëra.
Më të madhin dëm
i kam bërë vetes
kur nuk kam qeshur.

FRYMËMARRJE
Në këtë natë jam në vetën e parë
Frymëmarrjen e kam në të dytën
Me magji i fsheh përkëdheljet
E gjoksi frymon në pritje drithërima.

E preka çastin tim në heshtje
Më kot e kam të ndaloj dorën
Erë ngrohtësie velin e drejton
Në makthin e mallit tim.

Shpejton udhën frymëmarrja ime
Me aromë livande praruar lakuriq
Në dallgë serish shfaqë erë dashurie
Bujshëm frymë marrim ne të dy.

NJË NATË
Me një pëlhurë të bardhë
mbulova vitet e humbura
zbrita poshtë nga dega
shkela borën e virgjër
lashë gjurmë në bardhësi
me çarçaf të qëndisur
mbulova qiellin
ujin e ktheva në avull
për të vrarë frikën
me pelerinë mëndafshi
mbulova trupin tim
ëndrrat e heshtjes
më vunë në gjumë
sonte më duket
fjeta në dy shtretër

KARAVANI
Gjurmët e karvanit tim
me mushka të ngarkuara
e kuaj të mbathur
zbarkuan në horizont
zbuluan udhët e mia
bartëseve u dhashë emër
i pagëzova me jetë
mushkat e ngarkuara
i mbusha më forcë
patkonjtë u bënë hënë
hapën portën triumfale
karvani i çlodhur tash
përtyp tagjinë.

IDILË E HUMBUR
Nuk di si t’i harroj ata sy
Mbeta duke bredhur rrugëve
Guaca në kraharor mu ça
Duke të kërkuar ty.

Kurrë nuk i harrova strehët që priste
Kur në qafë më varej si degë e prerë
Kur mbrëmjeve më hënë të plotë
Yjet na vinin pas e sytë ndrinin fanar.

S’të gjeta dot as në qiell as në tokë
Anekënd i rashë horizontit
Gjurmët tona i paska fshirë koha
Idilë e humbur për mua dhe për ty.

LUNDRIM
Udhëtimi brenda botës time
Lundrim në det pa kufi
E fluturim në gjithësi
Kanë qenë shokët e mi.

Dordolecët në arat e korrura
Janë shokët e mi
Lundrojnë edhe ata si unë
Në kohën që po ik.

Në kalendar çdo ditë
Me një vijë i bie një date
E nata më bëhet më e gjatë
Lundrimi në kohë që iku
Dordolec i vetmuar në tokën djerr.

PLAKU
Në ballin tënd janë shkruar rrudha
Aty ku fle mençuria e shekujve
Në flokët tua të bardha si borë
Rrugëtim motesh tregojnë.

Me shpatulla pak të zvogëluara
Peshë e kohës, lashtësi ashti
Barrë në vargun e shekullit të ikur
Ngarkesë në kurrizin e kërrusur.

Biseda me ty më rrënjosë burrërinë
Fjalët e tua më shtojnë urtësinë
Unë sot jam si ti, më dridhet buza
Në këtë vistër vitesh gjeta udhët e rrëfimit.

MALLI PËR GURË
Nga taverna e godinës
shoh vetëm hekur e beton
edhe ndonjë qiparis mes rrugëve
si gjilpëra stofin shpon qiellin
sot nuk zbrita shkallëve
si ditëve tjera më parë.

I plagosur qëndroj
në tavernën e pallatit me kate
i plagosur sikur arra në degë
e goditur me shkop
mendja më rri atje larg
atje shumë larg i shoh ëndrrat
në muret me gurë të gdhendur
ku kam mbështetur shpatullat
ku përmes dritareve pa parmakë
hynte aromë bjeshke
me shije qershie
ëmbëlsi fiku
e kurorë me gjethe ulliri
atje më shërohen plagët e mia.

Mall kam për ata gurë e mure
ku jeta lindi e mori udhë
valët më hodhën në botën e hekurt
me zemër të thyer, shpirt bosh
malli më përvëloi për gurë e mure
sa të fortë jemi e di pakkush.

JAM LODHUR
Shumë jam lodhur duke tërhequr litarët
Eh sa shumë mendime tërhoqa me ta
Tërhiq e tërhiq litari s’u këput
Sa shumë jam lodhur vetëm unë e di.

Nuk e di mbase ende duhet
Një pjesë jete nga ky shekull
Të copëtohet të bëhet copë e grimë
Me kohën e mbetur të mbylli shtigjet.

Më duket se kot u vë pritë
Hapave që se ndalën dot rrugëtimin
Je i madh në shpirt më thonë
Ke shkelur pa droje në kohëra të mëdha.

Jam lodhur, padyshim jam lodhur u them
Në pah kam nxjerrë copa qielli të ngrirë
Heshtja ime tronditi shekullin e ri
Jam lodhur, jam lodhur në këtë rrugëtim.

KAM MALL
Nuk jam shumë larg por kam mall
Po pse do thoni të mori malli aq shumë
Më ka marrë malli të dal në derë
Të hapi portat në ditë feste në pranverë
Ta çeli, udhë t’i hapi flladit, të marshoj
Era e lehtë të freskoj trupat tonë
E në shtratin tim të hyjë në heshtje
Të hekuros çarçafët e përgjumur
Ta mbush shtëpinë më buzëqeshje
Si dikur kur vija vonë i lodhur
I dehur nga ëndrrat e moshës
Sa mall kam sot të shikoj
Rrjedhën e ujit të kristaltë nën shkëmb
E shijen e rrjedhës ta përpijë
Gjë tjetër në këtë kohë nuk dua
Dua vetëm t’i zbrazë xhepat, ujë të pijë
Pa ikur nga streha ku jam strukur
Kam mall, sa shumë kam mall
Për gurrat e mbushura me valë jete.

Të fundit

më të lexuarat