
Në pavijonin e personaliteteve të shquara të Kosovës, një vend nderi zë edhe Prof. Anton Çeta. Bota shqiptare e mban dhe do ta mbajë mend këtë intelektual të ndritur për veprimtarinë dhe punën e tij të madhe që bëri në shumë fusha për popullin shqiptar.
Rrugëtimi dhe formimi intelektual
Kujtojmë se Anton Çeta me prejardhje nga Xhuxha e Krahinës së Fanit të Mirditës lindi në Gjakovë më 3 janar 1920. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Tiranë, Korçë e Milano të Italisë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi në Gjuhë dhe Kulturë Romane. Për një kohë punoi si asistent në Katedrën e Albanologjisë. Me hapjen e Fakultetit Filozofik të Prishtinës, Prof. Anton Çeta u emërua ligjërues për Letërsinë e Vjetër Shqipe. Nga viti 1968 e deri sa doli në pension, vijoi të punonte së bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke kryesuar Degën e Folklorit dhe botimin e revistës “Gjurmime albanologjike” – folklor e etnologji, ku me tërë qenien e tij intelektuale ai do t’i përkushtohet krijimtarisë folklorike, mbledhjes, botimit dhe studimit të saj.
Hulumtues dhe mbledhës i folklorit
Profesor Anton Çeta qe njohës i thellë i shpirtit e i thesareve të kombit shqiptar, studiues e hulumtues me horizont të gjerë të kulturës e posaçërisht letërsisë shqiptare. Ai në mënyrë të veçantë iu kushtua letërsisë gojore popullore shqiptare.
Profesor Çeta letërsisë gojore popullore shqiptare i kushtoi përpjekjet më të mëdha të jetës. Ai la pas si autor apo si bashkautor afro 20 vëllime, bazë e rëndësishme për studimin e folklorit. Po kujtojmë disa prej veprave të tij: “Këngë dasme” I-II, Anekdota I; “Vajtime, gjëmë dhe elegji”. “Rapsodi e një poeme shqiptare” të De Radës; “Në prehën të gjyshes” (1955); “Tregime popullore të Drenicës” I-II(1963); “Kërkime folklorike” (1981); “Nga folklori ynë I-II” (1983-1989) etj.
Kontributi si shkrimtar e përkthyes
Ky mbledhës i shquar i folklorit u bë i njohur edhe si poet-shkrimtar i letërsisë për fëmijë dhe si përkthyes nga frëngjishtja, italishtja e serbo-kroatishtja. Botimi i tij më e njohur për fëmijë është përmbledhja “Në prehën të gjyshes” , ku përfshihen gjithsej shtatë vjersha apo poema të frymëzuara nga krijimtaria jonë popullore, përmes të cilave arrihet efekti edukativ, sepse u rekomandohet fëmijëve rruga e drejtë, forcimi i virtyteve më të larta e më të mira dhe luftimi i veseve të këqija, mosbërja keq askujt. Këto vjersha në formë të gojëdhënave, legjendave e përrallave e fusin fëmijën në botën e pasur të imagjinatave. Si i tillë, ky libër shënon një kontribut të çmueshëm në letërsisë tonë për fëmijë.
Si romanist, Anton Çeta dha një ndihmesë të çmueshme në fushën e përkthimeve nga letërsia frënge. Nga gjuha frënge përktheu disa prej veprave të shkrimtarëve të njohur , Alfons Dodesë dhe Gi De Mopasanit.
Lexuesit shqiptar, në saje të punës së këtij veprimtari tonë të dalluar, patën mundësi t’i njihnin tregimet e shkrimtarit të njohur frëng Mopasanit, në një përmbledhje tregimesh të zgjedhura, si edhe romanin “Vocrraku” të një bashkëkohësi të Mopasanit, jo më pak i njohur sesa i fundit, Alfons Dode-së. Anton Çeta ka përkthyer edhe rreth 20 përrallëza të fabulistit në zë La Fontenit. Anton Çeta, duke i qëndruar besnik origjinalit, e bëri La Fontenin të flasë shqip në atë mënyrë që vërtet duke i lexuar këto përkthime, kemi përshtypjen se janë krijime origjinale.
Ministria e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës të Francës i dha çmimin më të lartë “Palma Akademike” për kontributin që i dha kulturës sonë dhe për afrimin e kësaj kulture me atë franceze .
Anton Çeta është autor edhe i disa përkthimeve nga italishtja, të Alberto Moravias, të cilat u botuan në një vëllim tregimesh të zgjedhura, dhe të Edmond D’Amicis. Ai u mor me shumë sukses me shqipërimin e poezisë italiane, ku shqipëroi një përmbledhje poezish të poetit bashkëkohës italian Vinçenco Santanxhelo.
Kur merrte fjalën Anton Çeta, falej gjaku e zgjatej jeta
Anton Çeta mbeti në kujtesën e njerëzve e të historisë si njeri fisnik e dinjitar, i dashuruar me kulturën e popullit të vet , ashtu si dhe me kulturën perëndimore e me gjithçka bën pjesë në thesarin e krijuar nga mendja e zemra njerëzore. Përveç kësaj ai punoi shumë edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në pajtimin e gjaqeve dhe kontribuoi mjaft edhe në përforcimin e rrugës për liri e pavarësi të Kosovës . Që nga viti 1990 Prof. Anton Çeta u vu në krye të aksionit gjithëpopullor për pajtimin e gjaqeve në Kosovë e jashtë saj, duke dhënë një ndihmesë shumë të madhe për zhdukjen e hasmërive, për shërimin e shoqërisë shqiptare e pajtimin e njerëzve, duke zgjuar ndërgjegjësimin për vlerën e paçmueshme që është jeta, dhuratë e Zotit.
Falë Anton Çetës si kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve, për afro një dekadë, u falën mbi 1800 gjaqe dhe u pajtuan mbi 30 mijë ngatërresa mes shqiptarëve në çdo krahinë të Kosovës e më gjerë. “ Plaku i urtë” siç i kishte dhënë epitetin populli , arriti ta shpëtojë kombin nga errësira shekullore e gjaqeve, nga përçarjet, e vëllavrasjet , të cilat në vitet 1990, në kohët më të vështira në Kosovë, favorizonin vetëm regjimin serb për të sunduar më lehtë shqiptarët. Dhe nuk mund të ishte ndryshe, sepse kur merrte fjalën Anton Çeta, falej gjaku e zgjatej jeta. Në këtë mënyrë, Çeta u bë personazh i nderuar për popullin shqiptar, por edhe frymëzim për shumë të rinj që e ndoqën në rrugëtimin e tij, duke u bërë pajtimtarë të gjaqeve. Është profetike thënia e tij: “Me fal gjakun asht’ burrni, me rujt gjakun e falun asht’ ma zor se sa me fal”. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dekoruar profesor Anton Çetën me “ Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm- Dr. Ibrahim Rugova”. Ky patriot shqiptar vdiq në moshën 75 vjeçare në Prishtinë, në vitin 1995.
