PLAGË
Shiu bie butësisht mbi Valdanos, mbi tokën ku hajduti fshihet, i neveritshëm zëri i tij, si një rrufe ngjyrë gri. Dashuria digjet kaq egër e pikëllueshëm, zëri i tij pa pytje-përgjigje në Ullishtë lëshoi rrënjë. Mjerë zemrat kur dashuria vdes e ngrirë nën gjethet e ullinjve të mykur, ankimet e detit përtypen nëpër dhëmbë.
ME GLLËNJKË PIHEJ PIKA E UJIT
Deti shungullues rrëfyeshëm i shmanget bregut, shkëmbi me shekuj dëshmon lëkurërrjepësin e vet, brenda tij fundoset zotësia e valëve, kush duhej dergjur në këtë botë me sy të zgurdulluar kur në largim peshqit i turren thatësisë, gllënjkë nga një gllënjkë pihej pika e ujit.
NUK ARRITA TI SHMANGEM DETIT
U pata ulur në cep të detit si një shkëmb pranë një ujëvare, shikimi m´i zuri sytë pa dritë porsi një dallgë e ngrirë mes malesh, shkëmbinjsh shtriva duart ta (k)thej pamjen, për hir të kodeksit ta ruaj fjalën... Por sarrita dot t´i shmangem detit, më pushtoi pa i mbështjellë fjalët rreth qafe.
STUHI
Këtu në Ulqin yjet lundrojnë në boshllëk, qielli zbraz breshëri nga barku, ndryshimet ngurtësohen nga stinët, furtunat e rrëfejnë detin, dielli percepton në heshtje funeralin, çafka nuk di të këndojë, shkëmbinjtë ruajnë amanetin e shtegtimit, deti jetësoi ditët në kalendarin e jetës, koha avash avash pa gjurmë konsumon stuhi.
PERËNDIMI NË DET
Fjalë e shkëmbinj perëndimi ulet në gjunjët e detit, kërkon fjalë-xhevahirë. Koha ikën, koha vjen, rinia humbet në ngashërim, fjalë e lirë u lidh nyjë, ky shekull po vdes duke kërkuar gojë që përtypin ankimet nëpër dhëmbë.
PËLLUMBA NË KALA
Karajeli shkundi blirin, petalet u shkanë përdhe. Dy pikla valësh kërcyen si fjolla bore në pranverë mbi shkëmbinjtë e thepisur, çafkat e Kalasë çukisnin përtej rrugës, pas Limanit një grusht pëllumbash me flatra të padukshme fluturuan.
