
Viteve të fundit, në botë, shumë aktuale është çështja e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore jomateriale si dhe vendosja e kulturës në funksion të zhvillimit të turizmit, gjegjësisht zhvillimit të një segmenti të turizmit, pra atij kulturor.
Termini trashëgimia kulturore jomateriale në botë ekziston tash disa vite. Ekuivalenti i saj në gjuhën shqipe është shprehja kultura shpirtërore. Një nga përkufizimet e para të kulturës është dhënë nga E. Tylor, në të cilin ai thotë se kultura është një tërësi komplekse që përfshin njohuritë, besimet, artin, moralin, ligjin, zakonet dhe të gjitha aftësitë dhe zakonet e tjera që njeriu i ka fituar si anëtar i shoqërisë.
Të mërkurën më 24 janar 2024, në kuadër të emisionit “Gurra popullore” pranë televizionit kombëtar Top Channel ansambli i këngëve dhe valleve nga Ulqini bëri një prezantim dinjitoz të vlerave të trashëgimisë shpirtërore, etno-kulturore dhe folkloristike të Ulqinit.
Më konkretisht nën organizimin e z.Munib Abazit i cili ishte edhe ura lidhëse mes Ulqinit dhe televizionit të lartpërmendur u bë e mundur që një delegacion i përbërë prej grupit të valltarëve të SHKA “Olcinium”, grupit të instrumentistëve “Marinarët” dhe gjashtë këngëtarëve profesionistë të udhëhequr nga sopranot Gjylie Pelinku-Hoxha dhe Egzona Salaj, të bëjnë një prezantim dinjitoz dhe shumë të pasur të këngëve, valleve dhe ushqimit tradicional ulqinak.
Në panelin prezantues ulqinak në krye të saj ishte Kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Omer Bajraktari i cili shkurtimisht e prezantoi Ulqinin si destinacion turistik. Pastaj Munib Abazi solli Ulqinin dhe Anën e Malit përmes gatimeve ushqimore më reprezentative tradicionale të cilat janë karakteristikë e shqiptarëve të kësaj treve. Jeta Hoxha foli lidhur me veshjet e femrës të rajonit të Ulqinit. Ajo duke nxjerrë në pah nga një të veçantë prej secilës veshje të femrës shqiptare nga Ulqini, shpalosi gjashtë veshje karakteristike: veshjen e malësores me xhubletën e UNESCO-s, shestaneshën me veshjen e saj të ngjashme me bustin e gruas nga Dimali, bergacoren me koloritin e saj të veçantë, anamaleshën dhe krajanen me bardhësinë ilire dhe ulqinaken me veshjen e nuses mbuluar me arë duke vënë theksin në kapelën përplot flori e që në gjuhën lokale quhet “Hillallyk”. Edina Mustafiqi përafroi jetën kulturo artistike të Ulqinit përmes skenës dhe trupës teatrale Teuta. Musa Hoxha, koreograf me profesion, nxori thelbin e disa prej valleve ulqinake duke vënë theksin në vallen e peshkatarëve e që si valle është e veçantë sepse përveç se luhet vetëm në Ulqin ajo në vete ka të ndërthurur edhe temperamentin me elemente të komunitetit afro-ulqinak. Komunitet ky që për fat të keq tanimë është shuar. Gazmend Çitaku, në pika të shkurtra, prezantoi një historik të themelimit të Ulqinit përmes burimeve të antikitetit dhe gjetjeve arkeologjike si dhe foli lidhur me lashtësinë dhe prejardhjen e emrit të Ulqinit.
Programin e pasur kulturo artistik të gërshetuar me këngë e valle e përcolli grupi muzikor i instrumentistëve “Marinarët” nën udhëheqjen e Jonuz Muharremit. Këngët nga treva e Ulqinit u interpretuan nga këngëtarët: Eliza Markiqi e veshur me veshjen kombëtare të Klleznës, Nexhat Kalziqi, soprano Egzona Salaj e veshur me veshjen e Anës së Malit, Ismet Aloshi, soprano Gjylie Pelinku-Hoxha me veshjen e Ulqinit dhe Mjeshtri i madh Gëzim Salaj. Të gjithë këta bylbyla të këngës popullore sollën këngë që këndohen në Ulqin dhe rrethinë kurse ShKA “Olcinium” i cili mu atë ditë festonte tre vjetorin e themelimit në mënyrë perfekte performoi: Dasmën e Ulqinit, Vallen e peshkatarëve dhe Vallen e Rexhep Agës.
Stafi realizues i emisionit “Gurra popullore” mbetën të mahnitur me programin e përgatitur nga ulqinakët, pastaj me shumëllojshmërinë dhe koloritin e veshjeve, llojllojshmërinë e ushqimeve tradicionale shumë të shijshme dhe unikate, melidiozitetit dhe harmonisë së këngëve e valleve si dhe me informatat e precize lidhur me Ulqinin. Edhe pse sipas skenarit emisioni që duhej xhiruar duhej të ishte i mjaftueshëm për një orë transmetim kamerat nuk u ndalën për një kohë të gjatë andaj edhe shumë skena u xhiruan jashtë skenarit e që e begatuan edhe më shumë programin në fjalë.
Grupi i ulqinakëve, mysafirë të Top Channel-it, këtë mini ekskursion e filluan në Tiranë, vazhduan në Durrës dhe e përfunduan në hapësirat televizive të një prej televizioneve më të fuqishme në rajon. Çdo gjë rreth organizimit ishte në nivelin më të lartë duke filluar nga autobusi modern, akomodimi në hotelin me pesë yje që nuk mungonte asgjë, pritja në zyrën e nënkryetarit të Tiranës dhe në fund spektakli të cilin e xhiruan me performancat brilante të këngëve dhe valleve popullore të Ulqinit.
I gjithë stafi i televizionit mbeti tejet i kënaqur, por edhe ulqinakëve që performuan do t’iu mbesë një kohë të gjatë në mendje e gjithë ecuria e xhirimeve në një ambient dhe staf tejet profesional. Në fund Munib Abazi i dhuroi nikoqirit Edi Manushit një shishe me vaj ulliri nga ulliri i vjetër 1500 vjeçar si dhe Gazmend Çitaku po Manushit i dhuroi një komplet me libra autor i të cilave është ai.
Eksperienca të tilla ndodhin rrallë herë andaj edhe janë mbresa që të mbesin të skalitura në kujtesë të mirë dhe mëndje për gjithë jetën. Andaj edhe ftojmë lexuesit e këtyre rreshtave që më datë 11 shkurt 2024, me fillim në ora 14 të ndjekin emisionin “Gurra popullore” në kuadër të Top Channel dhe të kënaqen me programin e pasur kulturo-artistik të përgatitur nga ulqinakët.
