Tuz – Mbrëmje autoriale me shkrimtarin, poetin, gazetarin, publicistin, eseistin dhe grafik dizajnerin, Albert Vataj u organizua të enjten mbrëma (25 Janar 2024) në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia”.
Adhurues të fjalës së shkruar në këtë eveniment kulturor u njohën gjerësisht mbi kontributin e z. Vataj, dhënë në shumë fusha të jetës shoqërore ku ai ka vepruar dhe ku ende vazhdon të veprojë. Krijuesi Vataj tha se, rruga nëpër të cilën ka kaluar ai dhe ku ai shpërfaqet si krijues, ka qenë shumë e vështirë, me shumë privime e sfida, por për të ndjekur ëndrrën e tij, ai tha se ka pasur guximin që të ngulmojë drejt realizimit të saj.
I pyetur nga moderatorja e mbrëmjes se pse ai ka zgjedhur që të jetë shkrimtar e poet, ai u përgjigj se “të merresh me shkrim është një lloj nevoje për çlirim, një lloj aspirate që individi e sidomos krijuesi, e ka në kërkim të vazhdueshëm”.
“Ai është i rrethuar në një realitet i cili është i përbërë nga histori, nga personazhe, nga përjetime, nga ndjenja që janë pjesë e tij dhe që janë copëza të shpërndara në realitet. Ato hidhen brenda meje dhe aty krijoj një lloj lënde dhe kjo formalizohet në atë që shkruaj”, u shpreh Vataj.
Ai më tutje nënvizoi se e veçanta e të shkruarit është se krijuesit u flasin njerëzve në aspektin shpirtëror. “Ne vetëm shpirtërisht mund t’u flasim atyre. Dhe mendoj se ia kam arritur që ta çoj fjalë timen aty ku ngacmoj shpirtin e njerëzve të ndjeshëm”, u shpreh shkrimtari, Albert Vataj.
I pyetur për kohën që po jetojmë sot, në një kohë të zhvillimit të teknologjisë digjitale, z. Vataj tha se brezi i sotëm nuk ka gjëra që kanë pasur gjenerata që i përket ai, por tha se rinia sot është më e zonja se brezi i vjetër.
“Zhvillimi i teknologjisë është gjeja më e mrekullueshme dhe shpërblimi më i madh për njerëzimin. Ne kemi mundësinë të jetojmë çdo cep të botës, të përjetojmë çdo vepër arti, të njohim çdo autor. Pra, mjafton të shfrytëzojmë mundësinë që na jep interneti dhe ne jetojmë dhjetëra jetë brenda një jete të vetme”, theksoi Vataj.
Duke folur për gjuhën gege e cila i karakterizon veprat këtij autori, Vataj tha se me përdorimin e gegnishtes, ai përpiqet që me mundësinë e tij, ta ruajë këtë gjuhë përmes të cilës, siç tha, u bëhet homazh monumenteve të letërsisë shqipe, duke përmendur këtu, At Gjergj Fishtën me veprën e tij “Lahuta e Malcisë”.
“Në vetvete vargjet e mia janë fjalor, fjalë që me kalimin e kohës mund të vdesin nga mbulesa e harresës, dhe ne nuk mund ta aprovojmë një vrasje të një thesari të tillë. Ne na lind nevoja që ta mbrojmë atë, ta përfaqësojmë atë dhe ta shkruajmë atë, e të përpiqemi të bëjmë maksimumin. Pra, secili nga ne, me të shkruar, me të folur e me të promovuar, mund të vendosë një gurë në themelet e kësaj ngrehine” u shpreh Vataj.
Ndërkohë, duke folur mbi lirinë e fjalës dhe mundësitë që sot shumëkush mund të bëhet “shkrimtar”, z. Vataj tha se sot, kushdo që ka një lek në xhep dhe që i mbush mendjen vetes se mund të bëhet shkrimtar, e bën këtë, por, ajo që tipat e tillë, siç i quajti ai, i shkaktojnë dëm shoqërisë, është se, ata “shkrimtarë” kërkojnë që kjo antivlerë të imponohet.
“Dhe kjo është ajo që duhet t’i bëjmë qëndresë. Pastaj, koha është gjykatësi më i mirë që seleksionon. Megjithatë, rreziku është sepse e dëmtojmë cilësisht shkrimtarin, lëndën dhe krijohet një imazh i gabuar”, tha Vataj.
I pyetur nëse epoka e teknologjisë digjitale mund ta rrezikojë librin apo mediat tradicionale si gazetat, etj., z. Vataj tha se në diapazonin e përgjithshëm shikohet si rrezik, mirëpo letrën në mënyrë absolute, nuk mund ta asgjësojë.
“Pasi që për ne që shkruajmë dhe lexojmë, letra është pjesë e jona dhe derisa ne të jemi gjallë, do të përpiqemi ta mbrojmë dhe ta mbajmë në jetë këtë krijim”, u shpreh Vataj, duke vlerësuar shumë edhe mundësitë digjitale që ofrohen sot.
Shkrimtari në vetvete, tha ai, është një shkrues i kujtimeve e rikthimit në jetë të ngjarjeve që janë hedhur në kohë.
“Shkrimtari e sjell në të sotmen, e mishëron në shpirtin e tij dhe e bie aq të gjallë, sikur i përket të sotmes. Koha sado të kalojë nuk e ndryshon esencialisht, sepse substanca ajo është. Mendoj se krijuesit kanë prirje që të jenë në mes dy skajeve, pra janë zëdhënësit më të mirë që mund të jenë” theksoi ndër të tjera Vataj.
Z. Vataj ndër të tjera foli edhe për përvojën e tij të gjatë si gazetar në media, ku tha se shprehja e fjalës ka pasur më liri në kohën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, se sa sot.
“Në kuptimin e asaj, që të dëgjohet fjala. Në kuvend, ai që flet dëgjohet nga të gjithë të tjerët, kurse sot nuk mbetet njeri pa folur por askush nuk ia vë veshin”, tha mes tjerash Vataj.
Veprimtaria e krijuesit Vataj është kryesisht e fokusuar në portrete të paautorizuara dhe në kritikë arti, por jo vetëm. Ai tregoi se pse pikërisht është përqendruar në këto dy drejtime.
“Unë kam shkruar jetshkrime, përjetime, përsiatje e profile dhe kjo është një mirënjohje që unë jam përpjekur që ta them në mënyrë origjinale. Dhe kam takuar burra në moshë të cilët janë përlotur nga shkrimet e mia. Nuk e di se pse kam pasur aftësinë të di histori dhe të preki pika të dobëta shpirtërore të një individi ku unë kam shkruar, duke e njohur historinë dhe jo me rekomandim të dikujt, pasi këtë pjesën e rekomandimit e kam tmerr”, u shpreh z. Vataj, duke shtuar se personalitetet për të cilët ai ka shkruar, i përkasin fushave dhe zanateve të ndryshme të shoqërisë.
Ndërkaq, mes shumë tematikash, z. Vataj ka folur edhe mbi etnografinë. Ai ka thënë se etnografia është thesari më i çmuar dhe më autentik me të cilin shqiptarët përfaqësohen dhe njihen në botë. Ai ka përmendur këtu hyrjen e xhubletës në UNESCO, pas një sfide shumëvjeçare.
Albert Vataj ka lindur në Shkodër, ku dhe ka mbaruar Universitetin “Luigj Gurakuqi”, për degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, ku më pas u shpërngul në Tiranë. Ka një eksperiencë shumëvjeçare, si gazetar, korrespondent, reporter, redaktor dhe grafik dizajner në: “Korrieri”, “Koha Jonë”, “Muzgu”, “Shkodra”, “Liria”, “Lajmëtari”, “Malësia”, etj.. Është bashkautor i librit për fëmijë: “Më quajnë Gegë Marubi” dhe autor i librit “Më quajnë Arkitekt Sinani”. Gjithashtu, ka edhe botimet e veta me poezi: “Ngrehinë spazmash”, “Përqafim me klithmën”. Përmbledhje në gegnisht, impresione, përsiatje dhe ese të titulluara: “Shkodër locja”, si dhe “Korifejt e artit”, ese mbi jetën dhe veprën e pesonaliteteve të artit.
t. u.
