Surrealizmi i një përkrenareje

Korab Kraja

Nëpër male e kreshta të thepisura, dhia ngjitet, vrapon e qëndron krenare mbizotërueshëm mbi truallin që vështron nga lart. Ashtu krenare me përqendrim të plotë sikur vrojton mbi hapësirën që gllabërojnë sytë e saj, që mprehtë tejkalojnë jetën e kodrave të cilat synon t’i çlirojë nga mbulesa që natyra shtrin pamëshirshëm mbi reliev. E pamposhtur, e shkathtë, me tipare interesante që e shndërrojnë dhinë e egër kafshë në kult besimesh dhe në atribute hyjnie. E dalluar nga kafshët e tjera, atributet që ruhen në këtë kafshë kulti, kanë bërë që dhia e egër, të ketë një traditë të lashtë, duke i cilësuar si kafshë më shumë “të shenjta”, e hera-herës edhe si kafshë të mallkuara. E bashkërenditur ndërmjet ciklit të numrave magjikë dhe e ndërthurur ndërmjet mitit dhe përvojës njerëzore të lashtësisë, dhia e egër, si hyjni e pyllit, bëhet pjesë e pashmangshme në ciklin e Eposit të Kreshnikëve, duke u bërë burimi kryesor nga i cili zanat marrin forcën e tyre, konkretisht tri zanat, marrin forcën nga tri dhi të egra:
“Se na i kem sall tri dhi t’egra
e i kanë brinat prej dukatit,
të tanë forcën pre’atyne e kemi”.
(Tirta, Mark, (2004), “Mitologjia ndër shqiptarë, f. 62 dhe 63).
Jo më kot, këtë kafshë kaq interesante dhe kaq të mistershme e bënë pjesë përbërëse të kulturës dhe e bënë pjesë të pandashme dhe përcjellëse të rrjedhës së jetës, duke bërë zbukuruese të orendive, duke e paraqitur nëpër gdhendje druri a guri, në piktura, skulptura, metale, monedha, dekorata, duke e bartur eposin e lashtësisë përmes lahutës me në krye kokën e dhisë të gdhendur në të, me një paraqitje herë asociuese, abstrakte apo realiste. Mbizotërimi i hapësirës së lartësive të papërshkueshme bëhet i prekshëm përmes këngëve në lahutë të një bote të paimagjinueshme. Ashtu me shikim të tejpërtejshëm, fokusuar mbi largësitë e përtejmaleve, ashtu depërtueshëm thellë hedhë shikimin edhe lahutari, i cili forcën për interpretimin e këngëve kreshnike dhe vullnetin për këndimin në lahutë sikur “të tanë forcën pre’saj e merr”.
Në mes të dyshimit të armëve dhe kontradiktave të tjera ndërmjet autenticitetit të tyre dhe historisë së prodhimit, dhurimit, trashëgimit, shitjes, stërshitjes, blerjes, stërblerjes nga njëri familjar te tjetri, nga njëri dukë te duka tjetër, nga një dukë te një kont dhe nga një tjetër dukë te një arkidukë, përkrenarja “në metal të bardhë me një rrip të larë në ar, me një kokë dhie të larë në ar, së bashku me brirët e saj…”, në vitin 1593, bëhen pjesë e kështjellës në Ambras pranë koleksionit të veprave të artit dhe pajimeve luftarake të njerëzve të shquar të shekullit XV-XVI. (Frashëri, Kristo, (2009), “Skënderbeu i shpërfytyruar”, f. 130 dhe 131.) Përkrenaren surrealiste, përkrenaren futuriste, përkrenaren kult të lashtësisë, e dokumenton në vitin 1601 në librin “Augustissimorum imperatorum, serenissimorum regum, atque archiducum, illustrissimorum principum…” (“Mbi perandorët më të guximshëm, mbi mbretërit më të urtë dhe mbi arkidukët, mbi princat më të shquar…”), Jacob Schrenke von Gotzing, kancelar i Grandukës Ferdinand, i cili e përfshin gravurën e Skënderbeut të Giovanni Battista Fontana dhe të Dominicus Custos. Portreti i Skënderbeut i realizuar përmes teknikës së drugdhendjes, paraqitet gjatë gjithë gjatësisë së tij, pra në këmbë, i drejtuar me fytyrë nga ana e majtë e tij, duke paraqitur kështu profilin e fytyrës së anës së djathtë të tij. Me vetulla pak të vrenjtura, që i bien lehtë mbi sy dhe me shikim të përtejshëm që e ndan hunda me kërrusjen e njohur dhe disa vija të fytyrës që e paraqesin Skënderbeun pak të moshuar e mbase edhe të lodhur me mbipeshën e luftërave dhe betejave të njëpasnjëshme. Mjekra e gjatë, me siguri e thinjur dhe me krehje të kujdesshme, së bashku me kapelën me ngjyrë të kuqe të tipologjisë evropiane, mund të asociohet sipas pikturës së vitit 1467 të piktorit Gentile Bellini, paraqesin fisnikërinë dhe aristokracinë e kryezotit të Arbërisë. Në dorën e djathtë mban shpatën e gjatë të larë pjesërisht në ar, derisa tregon në atë drejtim me gishtin tregues të dorës së majtë, si duket në drejtim të shpatës. I pozicionuar në këmbë, pak në të kërrusur në drejtim nga shenja që tregon me gisht, sikur vendosmërinë e tij për të shfaqur atë çfarë ka në mendje e bën me një kthim të lehtë edhe të këmbës së djathtë, të cilën autori i gravurës e paraqet të kthyer andej nga është i përqendruar tërë trupi i Skënderbeut. Simboli i tij skënderbegian dhe identifikimi kryesor i heroit, pra përkrenarja e famshme, gjendet në tokë, sikur është e vendosur me kujdes në fund të këmbëve dhe pret që të marrë vëmendjen e duhur nga pronari i gjithmonshëm i saj, por edhe nga studiuesit krahasimtarë të historisë dhe të artit. I veshur me një veshje fisnike, me qëndisje të kujdesshme që përcakton disa hollësi që paraqesin një personazh solemn të tij, Gjergj Kastrioti rri i pozicionuar si një skulpturë e gjallë, por e gdhendur në gravurë dhe brenda një kamareje në formë altari të harkuar në anën e sipërme dhe të rrethuar nga të dyja anët me shtylla të dekoruara me motive floreale, antropomorfe, që me gjasë paraqesin më shumë engjëjt harkëtarë, luftëtarët në betejë dhe struktura kulmon me kapitelin e rendit kompozitë, që i përgjigjet arkitekturës klasike e zhvilluar në Romë. Tërë ballorja e dekoruar me simbole luftarake, kurora me lule, ku paraqiten armë, flamuj, por edhe fytyra mbi pilastrat e strukturës, mbahen nga bazamenti me dekorim simetrik, të thjeshtë, ku katër figura njerëzore i qëndrojnë pranë pllakës me mbishkrimin e emrit të personazhit: Georgius Castriotus Scanderbeghus.
Në vitin 1904 botohet përmbledhja e stileve dhe ornamenteve botërore, që zgjon kërshërinë e studiuesve mbi kompleksitetin dhe llojshmërinë dekorative mbi orenditë dhe objektet e përgjithshme. “Styles of ornament” (“Stilet e ornamentit”) është vepra më e njohur e arkitektit gjerman Alexander Speltz, i cili në ribotimet e ardhshme të veprës, shton numrin e tabelave nga 300 në 400, që i mundësuan autorit të bëjë një prezantim më të plotë ornamenteve të zhvilluara dhe të renditura përmes një kronologjie dhe një pune me kujdes të jashtëzakonshëm. Siç e thekson botuesi i veprës, në vitin 1910 në Londër: “Të 400 tabelat në të cilat ilustrohen disa stile ornamentesh përmbajnë një seri më të madhe dhe shumë më të larmishme se në çdo vepër të botuar deri më tani, në të vërtetë vëllimi formon një enciklopedi të vërtetë të zhvillimit të evolucionit dhe aplikimit të ornamenteve në arkitekturë dhe në artet dekorative gjatë gjithë epokave dhe duhet të jetë vlerë e madhe për arkitektët, mjeshtrit, dizajnerët dhe studentët”. (Speltz, Alexander, (1910), “Styles of ornament”, nga parafjala e botuesit, f. 3 dhe 4.)
Në kapitullin e Mesjetës, autori bën ndarjen dhe nënndarjen e disa periudhave që përfshijnë stile dhe ornamente të popujve të ndryshëm, në të cilin bën klasifikimin e tyre dhe paraqet përmes një parathënieje për secilën periudhë edhe përshkrimin e objektit në fjalë. “2. Helmet of Georg Castriota Skanderbeg, Duke of Albania (1403-1467)” është përshkrimi mbi vizatimin e dytë me radhë në Tabelën 176 që paraqet veprat e artit gotik në Gjermani dhe Austri. Në faqen 296, të botimit të vitit 1910, përmes një vizatimi të hollësishëm, në anën e djathtë lart paraqitet përkrenarja e Skënderbeut. E kthyer në profil të drejtuar nga ana e djathtë, vizatimi i përkrenares në mes të pesë vizatimeve të tjera në atë faqe, pra në atë tabelë, sikur mbizotëron faqen dhe përmbajtjen me paraqitjen mitike dhe legjendare-epike të saj. Arkitekti Speltz, pra autori i kësaj enciklopedie të stileve dhe ornamenteve, e paraqet përkrenaren nën siglën e artit gotik të Gjermanisë dhe Austrisë, për shkak të vendndodhjes së objekteve që janë gjendur në atë kohë.
Prandaj, autori, pas përshkrimit të vizatimit të dytë, pra të përkrenares së Skënderbeut, që e përshkruan që është “Helmet of Georg Castriota Skanderbeg…”, e paraqet vendndodhjen e saj në Sheshin e Koleksionit të Armëve. (Speltz, Alexander, (1910), “Styles of ornament”, f. 296 dhe 297.) Në këtë sallë, në vitin 1897, një qytetar shqiptar e dokumenton duke i shkruar drejtpërdrejt Faik Konicës, më 15 tetor 1897: “Mësoni se kam pa në Muze t’madh të Vjenës pallën edhe ksulën e t’madhit tonë trim Skënderbegut Fortit. (Konica, Faik, (1897), “Albania”, nr. 8)
Në letrën që i dërgon shqiptari Konicës, me gjasë shkodran, përshkruhet ndjenjë emocionale dhe një vrull që e kaplon vizitorin e armëve dhe përkrenares së Skënderbeut në Vjenë, sa që e mendon i përmalluar, se çfarë nevoje mund të kishte Shqipëria e kohës së tij për Shqipërinë e kohëve të shkuara. Me siguri të kohës së Skënderbeut, ku mbase i mendon me ndershmëri betejat që Gjergj Kastrioti i mbështjellë nën emrin Skënderbe udhëheq në fitoret e arbërve për lirinë e tyre. “…Edhe mue mu mushën sytë me lot, tue menu sa nevojë ka Shqipnia e mjerë me u pru n’kohrat e shkumuna”. (Po aty, vepra e cituar).
(Vijon)


(Vijon nga numri i kaluar)
Nuk është i vetmi që i kujton ato kohëra dhe që përmes tyre edhe kryetrimin. Soditja e armëve bën që shëmbëlltyra e Skënderbeut të shfaqet me një ringjallje të pastër, si duket që përmes përkrenares të shfaqet hija e tij, mbase përmes syve të çuditshëm të dhisë në përkrenare paraqitet rrezatueshëm pranë armëve të tij:
“Lum ti moj Shqipëri! thashë
Armët’ e ti kur i pashë
Ndë Belvederë në Vjenë,
Sikur pashë Skënder-Benë…”
(“Parrajsa”, nga përmbledhja “Parrajsa dhe fjala fluturake”, shkruar nga Naim Frashëri)
Pra, është vet fuqia e pakontrolluar që përshkon ndjenjat e Naimit kur sheh armët e heroit, i bëhet sikur sheh vet heroin me to. “Armët’ e ti kur i pashë… sikur pashë Skënder-Benë…” Dhe, sikur mos të mjaftonte përfytyrimi imagjinar i poetit, përmes krahasimit analogjik dhe metaforik që bën ndërmjet figurës njerëzore me shpendin pëllumb jo të çfarëdoshëm, sepse nuk do të mjaftonte si i tillë, por duhej të ishte “i shkruar” dhe objekteve luftarake të tij, nuk kursen lëvdatat që i bën Shqipërisë, duke e çmuar dhe vlerësuar Shqipërinë se cilin luftëtar lindi dhe se ai luftëtar e ngriti të lumen Shqipëri duke ardhur “…të shpëtonjë mëmëdhenë…” (“Skënderbeu”, nga poema “Histori e Skënderbeut”, pjesa e gjashtë, shkruar nga Naim Frashëri). Dhe, çfarë nëse Skënderbeu ringjallej nën përfytyrimin e vagullt të poetëve e të kapë armët e mos t’i përdorë ato? Çfarë kuptimi mund të ketë Skënderbeu pa përkrenaren e tij, e sidomos pa armën e tij dhe që armën mos ta vringëllojë e ta përdorë fuqishëm, madje kësaj herë me një fuqi mbinatyrore? Me një ndjeshmëri të thellë dhe emocionuese, nën një vijë melodike të lehtë të përbërë me një fuqi hyjnore, poeti e përcjell kompozimin kushtuar kryeheroit me vargjet:
“…shpata’e tij tha malin m’dysh e çan
Me nji t’rame nji ushtri përlan…”
(“O Ju Male”, elegji nga fjalët e Llazar Siliçit, kompozuar nga Çesk Zadeja, për filmin “Skënderbeu”)
Figura e Skënderbeut bëhet disi e paimagjinueshme pa përkrenaren e famshme të tij dhe bëhet disi e zbehtë dhe e mangët. Sado që Skënderbeu të paraqitet i fuqishëm, mbi kalin në pozitë sulmi apo solemniteti, apo në këmbë, me shpatë në pozitë sulmi apo qëndrimi, me shqiponjën e familjes së Kastriotëve në gjoks, mburojë apo në flamur, pa përkrenaren karakteristike, të përkufizuar me rrethin a germat e mbishkrimit në të, e sidomos pa kokën e dhisë mbi përkrenare, Skënderbeu në një mënyrë a tjetrën nuk është i tëri, pra nuk është i plotësuar. Sikur i tërë përfytyrimi mbi heroin është i përmbledhur në përkrenaren e tij. Siç e thekson edhe Moikom Zeqo, se “përkrenarja është një metaforë shënjuese e një identifikimi të patjetërsueshëm”, se përfytyrimi mbi Skënderbeun është i pashmangshëm pa helmetën e tij, se “me dëshirë, apo pa dëshirë, me inteligjencë apo me shpërfillje, duam, apo nuk duam” krijon imazhin e përkrenares “madhështore dhe të tmerrshme, epike, mitologjike, biblike, surrealiste, futuriste, poetike, fatale dhe ngadhënjimtare.” (Zeqo, Moikom, (2018), “Për një shpjegim të ri, origjinal të përkrenares së Skënderbeut”, gazetatema.net). Vetë përkrenarja me kokën e dhisë është bërë simbol qëndrese, është bërë simbolikë mbi lirinë, është bërë shëmbëlltyrë e popullit që udhëhiqet nën flamurin e Kastriotëve dhe është bërë histori e mitizuar dhe e çmitizuar e Skënderbeut.
Dhia e egër, e lartësive të paarritshme, hyjnia e pyllit, kafsha totemike në mes legjendës dhe mitit, paraqitet në helmetën, jo thjeshtë si zbukurim, por si përcjellëse e fatit, e misticizmit dhe e ndërmjetësisë kohore që vjen nga e kaluara për të depërtuar përmes valëve të furtunave që sjell bashkëkohësia e shekullit të pesëmbëdhjetë. Dhe, bëhet e tejkohshme, ashtu si kaloi shekujt dhe u ringjall mbi helmetën e metaltë, mori fatin e stoicizmit dhe përfaqësoi vet fortësinë e metalit, por me shndritje ari, që paraqet një simbol artistik që shpreh imagjinaren ndërmjet artit kulturor dhe artit të luftës. Shpreh lashtësinë e popullit me besëtytni në kafshët toteme, që i bartin pjesët e kafshëve për t’u sjellë fat e mbarësi, por shpreh fijen përcjellëse përmes flijimit dhe rigjallërimit. Paraqet një vepër të hershme të ekspresionizmit që shfaq lëvizja surrealiste, nëse mund të quhet e tillë për atë kohë, të një stili të papërcaktuar, që luhatej në njërën anë ndërmjet ekstremeve të vrojtuesve si përjetues të fenomenit racional Skënderbe dhe të organikës emblematike dhe absolute të pamjes abstrakte, kujtimprurëse dhe të papërcaktuara të fenomenit irracional të epokës Skënderbegiane. Mund të duket si vepër e nënndërgjegjësimit të Dalisë dhe të nënvetëdijes njerëzore të realitetit të Frojdit, që shpreh një pamje të qartë ëndërruese, që përcjell shpërthime të kubizmit dhe kolazhit apo një mjet të Bretonit, për të ribashkuar sferat e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme të përvojës së botës së ëndrrave dhe fantazisë, që të bashkohen me botën e përditshme racionale në “një realitet absolut, në një surrealitet”. (Britannica.com: Surrealism).
Përjetimi i përkrenares së Skënderbeut dhe shpatës me këllëf, mund të bëhet sot gjatë vizitës në Muzeun e Historisë së Artit, në Vjenë, i cili zë vend të veçantë në Sallën VI, me numër të inventarit për shpatën dhe këllëfin A 550 dhe A 127 për përkrenaren. Në përshkrimin e përkrenares shkruan:
A 127
SKANDERBEG-HELM
“Kjo përkrenare u përmend për herë të parë në arkiva në 1596 në të ashtuquajturën Armatën e Heronjve të Arkidukës Ferdinand II të Tirolit në Kështjellën Ambras pranë Innsbruck. Atje ai përfaqësoi Georg Kastriota, i njohur si Skënderbeu (1405-1465), i cili kishte arritur famë evropiane përmes luftës së tij kundër Perandorisë Osmane në Rilindje. Përkrenarja është një fragment i një sallete italiane. Mbishkrimi në shiritin e kokës është i shkruar me shirit të vogël dhe lexon “In/pe/ra/to/re/bt”. (khm.at/de)

Ndërsa, në përshkrimin e shpatës me këllëf, shkruan:
A 550
SKANDERBEG-SCHWERT
“Kjo shpatë mund të gjendet për herë të parë në vitin 1596 me atribuimin e Georg Kastriotës, të quajtur Skënderbeu (1405-1468) në të ashtuquajturën Armatën e Heronjve në Kështjellën Ambras pranë Insbrukut. Tehu i gjerë është me dytehëshe dhe e rrumbullakosur në fund. Në pjesën e përparme ka zbukurim gjethesh të ngulitura me ar në bazën e tehut. Medalja e rrethit tregon dekorimin e vijës që imiton formën e karaktereve arabe. Doreza në formë turke ishte ndoshta një shtesë e mëvonshme.” Në pjesën e brendshme të këllëfit gjendet mbishkrimi me ngjyrë vaji të kuqe nga Armatura e Ambras: “Skanderwech”. (khm.at/de)

Përkrenarja me kokën e dhisë sikur bart mbi supet e saj tërë trimërinë, historinë, politikën, marrëdhëniet ndërkombëtare, forcën, magjinë dhe besëtytninë e një populli. Më në fund është bërë kult më vete, ashtu si kulti i dhisë së egër që në një periudhë me një përvojë të gjatë kohore kalon nga kafshë e bjeshkëve në hyjni, përkrenarja bëhet kult mbi imazhin e Skënderbeut që mbizotëron kohezionin e përqendrueshëm largpamës. Vetë përkrenarja flet mbi të gjitha ndodhitë dhe vetë përkrenarja bëhet udhëheqëse e rrëfimeve. Përkrenarja e Skënderbeut bëhet simboli i vetë luftëtarit dhe udhëheqësit. Përkrenarja merr natyrshëm vetë trajtën dhe simbolikën e Skënderbeut.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat