Ali Gjeçbritaj
EH SIKUR TË ISHTE
Mos bërtit,
Do të thonë pastaj, gomar
Pëllet e bërtet
Pse mendon se zëri i lartë?
Të bën më burrë se që je!
Eh, po të ishte ashtu
Do të ishe në krye të kuvendit
Burri i burrave.
Mos u zhvesh!
Do të thonë pastaj….
Bythëjashtë
Pse rri lakuriq terë kohën?
Asgjë të bukur nuk shohim
Në lakuriqësinë tënde
Eh, sikur të ishte ashtu
Pa asnjë dyshim
Majmunët do ishin top modele.
UNË E DI, PO TI
Unë apo ti
Cili vrasim me heshtje
E kush me fjalë nuk e di
Unë di vetëm një gjë
Jo, nuk e dimë as unë as ti
Të tjerët na kanë thënë
Goja ka dalë gjithmonë
E humbur para mendjes
Unë sot e mësova
Për ty gjë nuk di
Ç’punë tash
Duhet të bëj unë
Po aha
Një gjë tash e di
Di vetëm se pas çdo nate
Del një mëngjes i ri
Dhe kush jeton
Edhe këtë e di
Se një ditë do iki në heshtje.
MJERIM
Lulet janë vyshkur
gjethet kanë rënë
asgjë si dikur.
Gurët në mure flenë
shtëpia në heshtje
pullazi kotet.
Pa zjarr në vatër
pa tym në oxhak
pa çelës në prag.
Zë s’dëgjoj gjëkundi
pleq me bastunë
tërhiqen zvarrë.
Vdesin në heshtje
të vetmuar pa u parë
në heshtje hyjnë në varr.
Tek tuk dëgjoj
ndonjë kollë të thatë
brez i shkuar i ngratë.
Kujtojnë kohët që ikën
dashuritë atje larg
që s’duken.
Si zogj të plagosur
kanë bërë gati
fluturimin për parajsë.
NË KUVENDIN E KUJTIMEVE
Sa shumë dëshirë kam të dal
atje lart në pllaja ku mrizojnë zanat
në shpat të malit ku bie kambana
Sa shumë dëshirë kam të dal
në ato maja kur shkrihet bora
të pi ujë, etjen ta shuaj në burim
Dua sot unë vetëm një gjë e dua
të vallëzoj më orën e maleve
ku zanat të zbukurojnë me hijeshi
Në kokën time me flokë bilur si borë
sillen gjithë ditën thëllëzat me unaza
në kuvendin e kujtimeve
sot mbretëron vetmia
KUR TË MË VARROSNI
Një ditë si gjithë të tjerët para nesh
tokës do t’i kthehemi sërish
ajo në gjirin e vet do të na pranojë
mos flisni kur trupin ta lëshoni në dhe
litarët nga duart lironi ngadalë
pesha e trupit ua matë dhimbjen
Kur të më varrosni mos qani me zë
nuk dua të dëgjoj britma
jam në parajsën e marrëzisë time
këtë s’rri dot pa ua thënë
çdo e keqe tash është larguar
për mua e për ju është bërë mirë
Në jetë kam refuzuar të jem ferrë shtigjesh
kam refuzuar të jem gurë që nuk zë myshk
kam kundërshtuar fort të kalëroj kalin qorr
kam kundërshtuar me vendosmëri verbërinë
po ua lë trashëgim brezave që ta dinë
Se sot varrosën një njeri të mirë
KAM DALË
Kam dalë të vjedh
predha mbi fortesë
o Zot na i ruaj mendtë e kresë.
Kam dalë të grabis
puthjet e të dashuruarve
sa keq s’i kisha larë buzët.
Kam dalë të shikoj në qiell
e të mbledh plumba të heshtur
ik budalla se të zë ndonjë qorr.
Kam dalë sot në betejë
të luftoj me shpirtin tim
qenkam vonuar pak më duket .
Kam dalë sonte
t’ia marr shndritjen hënës
ajo kishte rënë në moçal.
Kam dalë sot edhe sonte
dola edhe dje edhe mbrëmë
shtigjet i gjeta të mbyllura.
Prapë nesër do të dal
mbase hasi në gjurmë arratie
ose sutiena në gjokse vetmie.
Rri në punën tënde me arnime ëndrrash!
kot mos e bjerr kohën në pasqyrë!
iku frymëmarrja e moshës së trungut.
ZJARR
Digjet e qetë kasollja në mal
Digjet e shkrumbohet në gjumë
Lagështi e kashtës vrer pjell
Ra ky zjarr në gurin për unur
Digjen në qetësi muret e kullës me gurë
Gëlqerja e shuar u shkri u dogj u bë skur
Kam zgjatur kah zjarri të ngroh duart e ngrira
I ftohtë ky zjarr s’i nxeh dot gjymtyrët e mpira
Zjarre në të katër anët e truallit tim
Dogjën kasollet, kullat, pllajat në bjeshkë
Në fushë beteje luftoj me flakët
Eh ky zjarr nuk çajka kokë për pjellën e vet
Frikacak është zjarri, shumë frikacak
Do shuhej po të mos frynte erë
Nuk e di , por unë besoj që një ditë
Do të na freskojë najniku i Rumisë
HAJNAT
Vijnë, shkojnë
ikin e prap vijnë
na vjedhin
e ne duarkryq rrimë
i shikojmë
i duartrokasim
zë nuk bëjmë
edhe pse e dimë
se na vjedhin
u thurim ode
himne u këndojmë
e ata vjedhin
e vetëm vjedhin
lëkurën na rropën
hajnat
SHIKIM
Jam shtrirë lakuriq në rërën e ngrohtë pranë detit
I gjithë trupi im është mbështjellë me rreze dielli
Qielli sheh gjithë qenien time të ekspozuar
