KUNGULLI ZILIQAR
I tronditur nga xhelozia,
Thërras mjekun, më goditi aritmia!
Koka sikur tullumbace,
Është vaskë apo kanaçe?
Këtë aventurë s’e ka bërë as bukla,
24 orë kukulla dhe vetëm kukulla!
Jam modele në Caravajkë,
Bukuroshe, jo kukuvajkë!
Kungulli ishte thermi, pupërr,
Grykës i pangopur, u bë sa një lundër!
Mbase në kopshtin tjetër,
Mund të bëhem edhe pjepër!
STINËT ME KAPELË
Stolisur mrekulli
Trëndafil e qershi,
Ylber dallëndyshe,
Blerim e jo ndryshe.
Në krahë e në bisht,
Kjo na qenka Pranvera.
Cicëron krejt lirisht,
Përqafon si përhera.
E kur piqet fiku,
Troket në derë korriku,
Maestrali ledhaton butë,
Në fushë e bregore,
Nga bjeshka zbret një sutë,
S’ngopet dot me akullore.
Posa shkolla çel pantaren,
Edhe shkronjat si valë deti,
Buzëqesh fshati e qyteti.
SHTËPIA E MOÇME
Më fal foleja ime e ngrohtë
Asnjëherë s’të kam braktisur nga zemra
Ti je dashuria ime e parë
Të paska munguar liria e derës së hapur!
Asnjë i porsalindur
Të shalojë kuajt e mejdanit
Jam riatdhesuar që të zhduk izolimin tënd
Do të vesh këmishë të bardhë edhe kapelë trëndafili
Të mbjell edhe një fik të blertë
Fruta pastron gjakun edhe josh dashurinë
Zana dhe Sokoli ringjallin oreksin
Si natën e parë brenda lëkurës sate
Shtëpia ime, fortesë e Perëndisë.
ZEMRA E NËNËS
Brenda saj
Është një fole
Kurrë s’të lë vetëm
Të ngroh si diell
Edhe ta shton jetën
Rrjedh si lumë
Kur të vë në gjumë,
Bëhet zog e mal,
S’e kursen veten,
Edhe shpirtin ma fal.
Aty banon drita
Edhe rrezet e hënës,
Nuk ka në botë,
Më të ëmbël
Se zemra e nënës.
Ajo m’porosit:
Harabel me flatra,
Mos bredh n’fshat e n’qytet
Se zemrën nënës,
Po ia pëlcet!
EKSPOZITË E PAPARË
Kërmilli briartë, bëri kryevepër,
Tha merimanga, me gojën e vet
Madje shkroi edhe në letër.
Maestro si ky s’ka në planet.
Shtëpitë me fytyrë nga deti,
Vinjeta e piktura, një mijë,
Festoi i gjithë qyteti,
“Buzëqeshje çdokujt…”
Regjistroi edhe kamera,
- Sa shumë bëri bujë!
“Personazhe të artit modern”
Vlerësoi sopranoja Gjinkallë
Ky është fenomen,
Ekspozitë e paparë!
Kampione e gjithë fisit,
Vulosur, e nënshkruar
Në librin e Ginesit.
BRESHKA SHPALLET BUKUROSHE
Solemnitet, i rrallë në botë,
Shpallet breshka, seks bombë!
Pilivesa ashpër reagon e vërret,
“Gaforrja ende s’u ngop, ryshfet!”
Kandidatja, si shalqi, pa qoshe,
Çmenduri, të zgjidhet bukuroshe!
“Unë, krahët me fletë, stolisur me ar,
Të gjithë më thonë, je hyjni e paparë”
Kjo gallatë, furtunë në det e në mal,
Çmimi zonjushës, gjoja iu fal!
Breshka mblodhi fis, shoqëri pa fund,
Rivalet të pëlcasin në qytet e katund!
Për këtë triumf që s’paguhet me para,
Shtroi koktejin, më të madh se një kala,
MACA ME TAKA
Më e përkëdhelura e lagjes
Sytë sikur ia djeg flaka
Paksa edhe grindavece
Kjo zonja me taka.
Kordelen e artë rreth qafe
Pa i duartrokitur gjatë
S’e bën asnjë llafe
Qoftë ditë apo natë.
Kur fle gjumë në shtrat,
Ose ftesë për koktej merr,
Parfum kundërmon, larg,
Përgjigjet vetëm në viber.
Edhe kur është zgjuar,
S’e fsheh një sekret,
Do mirënjohje të praruar,
Nga zoti president!
PANAIRI I KËLYSHËVE
N’mes të pyllit nën pisha t’blerta,
Këlyshët hapen panair,
Dërguan pesë milionë ftesa,
Por, dikujt s’i erdh mirë!
Dëgjoi ketra për këtë ngjarje,
N’fillim e mori, krejt hajgare,
Por, kur puna erdh në fije,
Sa nuk plasi prej xhelozie!
Festa hyri në katalog,
Lëshon shtat për çdo motmot,
Përshëndesin edhe dallëndyshet,
Këtë mrekulli që bëjnë këlyshët!
