Pa gjuhë nuk ka letërsi

“Gjuha letrare shqipe nuk më ka zhgënjyer asnjëherë. Mos të supozojë dikush se me dialekt arrin të realizohesh më mirë se me gjuhën letrare shqipe! Unë e përdori edhe dialektin, edhe të folmen arkaike, edhe gjuhën letrare, por shkrimin kryesor e kam në gjuhën letrare”, ka thënë Kraja.

Ulqin – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Libraria “Ulqini”, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Mal të Zi, kanë organizuar të enjten mbrëma (30 nëntor 2023) mbrëmje autoriale me shkrimtarin Mehmet Kraja. Në bashkëbisedim me gjuhëtarin, poetin dhe gazetarin Dr. Haxhi Shabani, në mbrëmjen e titulluar “Liria e shkrimtarit” Kraja ka folur për çështje të ndryshme që lidhen me krijimtarinë e tij, ndikimin e vendlindjes në krijimtarinë e tij, raportin gjuhë-letërsi, lirinë si koncept filozofik, letërsinë shqipe në Kosovë në kohën e socializmit, letërsinë shqipe sot etj.

Kraja si një mit për shkrimtarin

Shkrimtari ka thënë se vendlindjen e tij Krajën e përjeton ashtu siç do të dëshironte që ajo të jetë dhe jo siç është. Për këtë arsye, ai ka thënë se Kraja për të funksionon si një mit, si rrëfim, si ëndërr. “Kjo është ajo Kraja të cilën unë gjithnjë e dua dhe e mbaj me vete”, është shprehur shkrimtari, duke pohuar se sot nuk ka dëshirë të shkojë fare në Krajë dhe ta shohë ashtu siç është. “Kam qejf ta shoh ashtu siç e mendoj, siç e kam ëndërruar gjithmonë. Kjo domethënë që diçka nuk më pëlqen nga ajo që ekziston aktualisht dhe ajo është zbrazësia e madhe dhe vetmia e atij vendi. Nuk më pëlqen vetmia”, ka theksuar ai. Ndërsa qyteti i Ulqinit, ku shkrimtari ka kryer shkollën e mesme, ka thënë se e lidh më shumë me leximet e tij. “Ulqini lidhet më shumë me një situatë jetësore kur fillon e vetëdijesohet njeriu se ku gjendet dhe çfarë bën. Unë në Ulqin kam filluar të shkruaj. Domethënë, si nxënës i gjimnazit kam filluar të shkruaj, kam filluar edhe të botoj në atë kohë”, ka thënë Kraja, duke treguar një moment interesant kur si gjimnazist kishte dërguar tregimin e parë për t’u botuar në revistën “Jeta e Re”, e cila në atë kohë drejtohej nga shkrimtari i njohur Esad Mekuli, i cili i kishte dërguar telegram dhe e kishte pyetur Ibrahim Berjashin se kush është ky (që ka dërguar tregimin).

Letërsia si pjesë e disidencës nacionale

Shkrimtari ka thënë se ndryshe nga sistemet komuniste të tjera të Lindjes, ku disidenca ka qenë ideologjike, në Kosovë ka qenë thellësisht nacionale dhe vetëm nacionale. Ai ka thënë se “me ndonjë përjashtim të vogël, të gjithë shkrimtarët e Kosovës ishin të përfshirë në këtë disidencë”. Kraja ka treguar se për të mos u ballafaquar me sistemin komunist të kohës dhe mjetet e tij represive, në vitet ’70 dhe ’80 të shekullit të kaluar, në poezinë dhe prozën e tyre shkrimtarët kanë përdorur metaforën dhe veçmas alegorinë. Vetë Kraja ka thënë se e ka bërë këtë në dy romanet e tij: “Udhëzime për kapërcimin e detit” dhe “Net bizantine”. Ai ka kujtuar se romanin “Udhëzime për kapërcimin e detit” e ka shkruar në vitin 1982, në përvjetorin e demonstratave, kur në Prishtinë ishte vendosur ora policore. “Dhe kjo atmosferë e tillë e represionit, kur objektivisht Prishtina përjetonte ditët e saj më të egra, nuk kishte mënyrë tjetër që të shprehesh përveçse përmes një mesjete, përmes ndjekjes së atyre të cilët ruanin, personat që ishin kalorës, murgj, priftërinj dhe ruanin identitetin, e mbronin identitetin në mënyrën e tyre. Me anë të kësaj metafore, unë mendoj se u shpreha për atë për të cilën nuk arrita që të shprehesha ndryshe në një rrethanë të tillë”, ka thënë shkrimtari.

Gjuha është mrekullia e letërsisë

Duke u përgjigjur në pyetjen mbi raportin ndërmjet gjuhës dhe letërsisë, shkrimtari ka thënë se pa gjuhë nuk ka letërsi, ashtu siç nuk ka pikturë pa ngjyra dhe nuk mund të ketë muzikë pa tinguj, dhe se gjuha është mrekullia e letërsisë. Ai ka thënë se ka pasur fatin të jetojë në një mjedis me pasuri të tillë gjuhësore siç është Kraja, jo shumë larg nga vendi ku flitej gjuha e Buzukut, ka qenë i familjarizuar me gjuhën e Mjedës dhe me poezitë e Fishtës që ishin pjesë e valleve krajane. Pas kësaj ka ardhur periudha kur ka lexuar shumë dhe e ka njohur gjuhën letrare shqipe. “Duke u përpjekur ta njoh këtë gjuhë letrare dhe duke pasur me vete një trashëgimi të tillë që e përmenda, mendoj se kjo është ajo që ka krijuar personalitetin tim gjuhësor, i cili, mendoj unë, është personaliteti më i zhvilluar në çdo pikëpamje, sepse derisa fantazia letrare mund të zhvillohet, mund të marrë dimensione të ndryshme, herë mësohet, herë zhvillohet vetvetiu, gjuha është korniza brenda së cilës duhet të vendoset kjo fantazi dhe kjo imagjinatë letrare”, ka theksuar Kraja. Ai ka thënë se gjuha letrare shqipe nuk e ka zhgënjyer asnjëherë. “Mos të supozojë dikush se me dialekt arrin të realizohesh më mirë se me gjuhën letrare shqipe! Unë e përdori edhe dialektin, edhe të folmen arkaike, edhe gjuhën letrare, por shkrimin kryesor e kam në gjuhën letrare”, ka thënë Kraja.

Keqkuptimi i lirisë

Keqkuptimin e konceptit të lirisë shkrimtari është përpjekur ta pasqyrojë te romani i tij i fundit “Liria ime”, i cili është botuar në vitin 2021. Sipas tij, askush nuk e përjeton lirinë në shkallë të mjaftueshme, të gjithë dëshirojnë më shumë dhe liria nuk ofron asnjëherë atë që ëndërrojmë. Kjo ka ndodhur edhe në Kosovë, ku njerëzit kanë menduar se me fitimin e lirisë të gjitha problemet do të zgjidhen. “Përkundrazi, shumë probleme të reja lindin dhe në shumë situata krijohet një konfuzion brenda vetë personit dhe vetë njerëzve, sepse njerëzit kanë ëndërruar shumë dhe mundësitë për ta realizuar atë që kanë ëndërruar janë të kufizuara”, ka thënë Kraja. Por çfarë ndodh me lirinë tonë? “E kemi ëndërruar shumë dhe kemi ëndërruar realisht më shumë sesa që ajo mund të ofrojë. Por liria ka edhe aspektin e saj tragjik, ka edhe aspektin e asaj të paarritshmes. Lumturia njerëzore është përtej lirisë. Ajo nuk varet shumë as nga liria, as nga rrethanat, por është një gjë që e synon njeriu edhe përtej rrethanave, edhe përtej jetës, e synon deri në amshim”, është shprehur Kraja, duke treguar se këto motive i ka shndërruar në romanin “Liria ime”, i cili merr personazhet e caktuar të cilët e përjetojnë lirinë në mënyrë tragjike. Mehmet Kraja ka lindur në fshatin Kështenjë të Krajës, në vitin 1952. Deri tani ka botuar 37 vepra, përfshirë romane, përmbledhje me tregime, drama, kritikë dhe publicistikë etj. Vlerësohet si njëri ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë së sotme shqipe. Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës nga viti 2005, kurse prej vitit 2019 kryetar i saj.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat