Një monografie madhe për Bojkun e vogël

Shaqir Ismaili shënoi edhe folklorin e fshatit të tij, por edhe fjalë të urta popullore. Shënoi krojet e Bojkut, emra të gjithë autoktonë dhe emrat e burimeve të fshatit, të cilat kanë rëndësi gjuhësore. Ato kanë interes edhe për autoktoninë dhe pasurinë e kësaj ane. Pra, Shaqir Ismaili shkroi dhe botoi një monografi për Bojkun, fshatin e vogël të Anës së Malit

Asllan Bisha

Bojku është fshat i vogël në Anë të Malit – Ulqin, i cili është qepur rrëzë malit të Rumisë. Aty ka lindur Shaqir Ismaili, i cili në Katërkollë e kreu shkollën fillore, kurse shkollën e mesme në Prishtinë. U diplomua për hoxhë, por nuk gjeti punë në vendlindje. U punësua si imam në veri të Malit të Zi. Jeta e largoi nga fshati i tij Bojku, u martua në Sanxhak dhe u vendos në Sarajevë, ku punoi. Por shpirti dhe dashuria e tij s’u largua kurrë nga Ana e Malit dhe Bojku i tij, sidomos kur filloi pleqëria. Shkroi për fshatin e tij të dashur. Hartoi monografinë të cilën e zgjeroi pas provimit të diplomës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës. Pasi u pensionua, “mbeti” në Sarajevë. Imam Shaqir Ismaili i kushtoi fshatit të tij monografinë me titull ”Bojku në Anë të Malit”, të cilën e botoi Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini. Libri përbëhet nga 227 faqe, ku redaktor është Dr. Nail Draga, ndërsa recensentë Ali Salaj, intelektual i dalluar, dhe Ruzhdi Poda, po ashtu njeri i lapsit dhe intelektual nga Ana e Malit e Shqipërisë. Siç dihet, pas vendosjes së kufirit, Ana e Malit shtrihet në dy shtete – Shqipëri dhe Mal të Zi. Sipërfaqja e përgjithshme e Anës së Malit është 160 km katrorë, ku 30 për qind e territorit i përket Shqipërisë, ndërsa 70 për qind është në kuadër të Malit të Zi.
Bojku ka lartësi mbidetare 200-300 m dhe pozitë të volitshme gjeografike. Në monografi Ismaili shkruan për rrethanat historike të fshatit Bojk dhe Anën e Malit, dukuritë që i bazon në fakte shkencore, flet për të kaluarën historike, për përhapjen e kristianizmit në këtë anë. Ai shënon se kristianizmi në tokat iliro-shqiptare ka filluar të përhapet me ardhjen e romakëve. Po ashtu ai e trajton në monografi periudhën e sundimit të Perandorisë Osmane. Në shekujt XV-XVI Ana e Malit ishte e banuar nga shqiptarët, ku shumica ishin të besimit katolik dhe një përqindje e vogël të besimit islam. Ky imam dhe studiues shpjegon realisht vjetërsinë e kësaj ane. Me interes është tabela e vendbanimeve në Sanxhakun e Shkodrës të vitit 1614. Supozohet se toponimi Bojk rrjedh nga antroponimi Bojk. Shaqir Ismaili flet për toponimet e këtij fshati që janë dëshmi e lashtësisë, thotë se në Bojk pasardhësit e Gjinit janë Djegajt.

Duhet theksuar se Anës së Malit i mungon një monografi e plotë, ku do të jenë të shënuara pasuritë shpirtërore të Anës së Malit, por edhe bukuritë e saj. Duhet të kenë një monografi edhe fshatrat tjerë të Anës së Malit, qoftë ato që sot i takojnë Malit të Zi apo Shqipërisë. Një monografi e tillë i mungon Anës së Malit të Komunës së Ulqinit. Për çudi, një projekt i tillë nuk po realizohet ende! Kjo do ta begatonte shkencën shqiptare


Një kapitull i veçantë i është kushtuar edhe islamizimit të popullsisë. Ai shënon se Ana e Malit u pushtua nga turqit në vitin 1479, kur u pushtua edhe Shkodra. Islamizimi i popullsisë u bë deri në mesin e shekullit XVIII. Po ashtu shkruan për shpërngulje të popullsisë së kësaj ane, vë në pah se ka pasur shpërngulje edhe nga Ana e Malit për në Zarë të Kroacisë, gjë që e dëshmon me fakte. Ai tregon për ndërtimin e xhamive dhe thotë se xhamia e parë në Anë të Malit ishte xhamia e Kravarit. Xhamia e Krythës përfshinte banorët prej Katërkollës deri në Megjureç, të cilët vinin në këtë xhami. Xhamia e Millës u ndërtua në vitin 1770. Po ashtu thekson se fshati Bojk nuk kishte xhami. Ajo u ndërtua në vitin 2001.
Shaqir Ismaili përshkruan kohët e vështira, sëmundjet në fshatin Bojk dhe Anën e Malit. Sqaron se gjatë kohës së LNÇ-së, banorët e kësaj ane punonin atë pak tokë dhe jetonin pa shpresa se do t’i ndihmonte shteti. Ai bën fjalë për arsimimin pas Luftës II Botërore. Flet për nxënësit që u regjistruan në vitin shkollor 1946-1947, por prej të gjithë fëmijëve të regjistruar nga Bojku, vetëm Shaqir Ismaili e vazhdoi shkollimin. Ai flet për varfërinë e fshatit Bojk të Anës së Malit. Shënon plagën e dhimbshme të emigrimit gjatë viteve 1950-1970. Përshkruan tërmetin e vitit 1979, i cili rrënoi çdo shtëpi në Bojk.
Shaqir Ismaili shënoi edhe folklorin e fshatit të tij, por edhe fjalë të urta popullore. Shënoi krojet e Bojkut, emra të gjithë autoktonë, dhe emrat e burimeve të fshatit, të cilat kanë rëndësi gjuhësore. Ato kanë interes edhe për autoktoninë dhe pasurinë e kësaj ane. Pra, Shaqir Ismaili shkroi dhe botoi një monografi për Bojkun, fshatin e vogël të Anës së Malit, një monografi me interes, siç është edhe libri i Fadil Salës “Shtodri i Bregut të Bunës”.
Duhet theksuar se Anës së Malit i mungon një monografi e plotë, ku do të jenë të shënuara pasuritë shpirtërore të Anës së Malit, por edhe bukuritë e saj. Duhet të kenë një monografi edhe fshatrat tjerë të Anës së Malit, qoftë ato që sot i takojnë Malit të Zi apo Shqipërisë. Një monografi e tillë i mungon Anës së Malit të Komunës së Ulqinit. Për çudi, një projekt i tillë nuk po realizohet ende! Kjo do ta begatonte shkencën shqiptare.

Të fundit

më të lexuarat