NUK ARRITA T`I SHMANGEM DETIT
U pata ulur në cep të detit
si një shkëmb pranë një ujëvare
shikimi m´i zuri sytë pa dritë
porsi një dallgë e ngrirë
mes malesh, shkëmbinjsh
shtriva duart ta (k)thej pamjen
për hir të kodeksit
ta ruaj fjalën…
Por s`arrita dot
t´i shmangem detit
më pushtoi
pa i mbështjellë fjalët rreth qafe
STUHI
Këtu në Ulqin
yjet lundrojnë në boshllëk
qielli zbraz breshëri nga barku
ndryshimet ngurtësohen nga stinët
Furtunat e rrëfejnë detin
dielli percepton në heshtje funeralin
çafka nuk di të këndojë
shkëmbinjtë ruajnë amanetin e shtegtimit
Deti jetësoi ditët
në kalendarin e jetës
koha avash avash pa gjurmë
konsumon stuhi
PERËNDIMI NË DET
Fjalë e shkëmbinj
perëndimi ulet në gjunjët e detit
kërkon fjalë-xhevahirë
Koha ikën, koha vjen
rinia humbet në ngashërim
fjalë e lirë u lidhe nyjë
ky shekull po vdes duke kërkuar
gojë që përtypin ankimet nëpër dhëmbë
PËLLUMBA NË KALA
Karajeli shkundi blirin
petalet u shkanë përdhé
Dy pikla valësh kërcyen
si fjolla bore në pranverë
mbi shkëmbinjtë e thepisur
çafkat e Kalasë çukisnin
përtej rrugës pas Limanit
një grusht pëllumbash
me flatra të padukshme fluturuan
RRËNJË PAGANE
Fjalë e pathënë
mes erërash
zgalen mes stuhish
fjalën ilire e gjymtuan shekujt
koha në atë kaos
la pas qindvjeçarësh fjalë pagane
të padjegura
karajeli frynte e shqyente
përmes territ
mes erërash mbijetuan
rrënjët pagane
