
Në muajin gusht të vitit 2023 doli nga shtypi libri me titull “Nga krijimtaria popullore e Dukagjinit” e autorit të ndjerë (post mortem), Demë Gashi bashkë edhe me tri vepra tjera të tij: 1. “Nëpër oda burrash”, 2.”Gjysagjeli” (botim i dytë) dhe 3. “Tri drama”, të cilat për shtyp i përgatiti ekipi punues në përbërje: Enver Ulaj: Redaktor dhe recensent, Nexhmedin Beqiraj: Lektor, Xhavit Thaçi: Përgatitja teknike, Berat Thaçi: Ballina dhe Drenusha Zajmi: Piktore, të botuara nën përkujdesjen e familjes së autorit në Shtëpinë botuese “Libri im” dhe të shtypura në shtypshkronjën “FAB Advertising” në Pejë.
Redaktori dhe recensuesi, Enver Ulaj, veprën “Nga krijimtaria popullore e Dukagjinit” të autorit të ndjerë Dem Gashi, të cilën bashkë me tri veprat tjera të sipërpërmendura e përgatiti për shtyp në dakordim me ekipin punues, e ndau në dy pjesë: I. Lirika popullore dhe II. Proza popullore, në të cilat janë përfshirë 300 krijime popullore origjinale që paraqesin një botë që sot nuk ekziston me.
Pjesa e I – Lirika popullore përbëhet prej 75 ninullash, 111 këngësh kanagjeqi, 22 këngësh bjeshke dhe 57 këngësh e lojëra fëmijësh.
Pjesa e II – Proza popullore, prej 36 krijimesh popullore në prozë.
Recensionin e vet kushtuar veprës në fjale të autorit Demë Gashi, Enver Ulaj e fillon: “Një punë e shkëlqyeshme është bërë nga studiuesit dhe intelektualët kosovarë gjatë viteve të 70-ta, është pa dyshim edhe mbledhja e folklorit, vjelja e një pasurie popullore e krijuar ndër shekuj, pak para se ajo të marrë rrugën e pashmangshme të zhdukjes.”.
Profesori Adem Gashi (tani i ndjerë) nga fshati Baran i Poshtëm i Komunës së Pejës, është një nga këta persona që materialin e mbledhur e ka grumbulluar e sistemuar ndër vite dhe e ka sjellë në ditën e sotme pothuaj të gatshme për botim dhe në vazhdim ka shtuar se “janë 300 krijime popullore origjinale, një pjesë e të cilave të befasojnë me bukurinë e tyre, që na paraqesin një botë që sot nuk ekziston më. Merita e autorit është se ai i ka mbledhur ato pikërisht në kohën kur ato zhvilloheshin dhe i ka sjellë deri në kohën tonë. Vetëm disa dekada nga ajo kohë, ne sot jemi dëshmitarë se këngët e djepit po zhduken fare. Ashtu si djepi që nuk përdoret më, ndërsa fëmijët vihen në gjumë me tingujt muzikor dhe me smartfonë”.
Recensuesi dhe redaktori i kësaj vepre, por edhe i tri të tjerave të sipërpërmendura, Enver Ulaj thekson në tekstin e recensionit se edhe kanagjeqet e sotme nuk ngjajnë me ato të kohës së autorit, as me vajin e çikave që vënë kanën, as me këngët që ua këndojnë atyre. Lexuesi i sotëm i ri, nuk do ta kuptojë lehtë atmosferën e dhimbjes që sillte dikur ndarja e vajzës dhe vajin e ditës së kanagjeqit, sikurse s’mund t’i kuptojë pjesët humoristike të futura në mes të këtyre të seancave të vajtimit, që kishin për qëllim të zbusin atmosferën me strofa humori nga më të papriturat dhe më befasueset. Shakaja dhe përqeshja për dhëndrin dhe miqtë duhet parë pikërisht në këtë funksion për të zbutur emocionet ne ndejën e vajzave dhe si një shaka e një konteksti të caktuar, e jo asnjëherë si nënçmim për familjet. Ato duhet lexuar më shumë si thumbime dashamirësie, që çojnë në të qeshura dhe çaste gazmore të ditës së fundit të beqarisë së nuses, pasi në Dukagjin dihet se respekti dhe vlera e miqësisë ka qenë e pa çmim, e vendi i mikut ka qenë gjithmonë vend i nderit dhe në ballë të oxhakut.
Recensuesi Ulaj në vazhdim të tekstit të recensionit të vet dedikuar veprës në fjalë thekson se njëjtë është edhe me ciklet tjera lirike: “Bjeshkët ka kohë që janë të zbrazëta dhe vashat më nuk këndojnë qafave, sikurse delet nuk kullosin më rudinave. Edhe lojërat tingullore dhe lëvizore të fëmijëve sot po ndërrohen nga lojërat elektronike, apo lojërat në distancë. Ajo atmosferë e jetës idilike baritore te ‘Këngët e bjeshkës’ na sjellë kumbimet e një kohe të shkuar, aty ku më së shumti grupe vajzash pas punëve të ditës me bagëtinë dhe bulmetin, këndojnë e luajnë, thumbojnë njëra-tjetrën apo qeshin dhe ëndërrojnë, ashtu si fëmijët këndojnë këngët e lojërat e tyre, përcjellin radhën e veprimit a këndimit, apo ndjekin njeri-tjetrin fushave si keca”.
Koncipuesi i tekstit të librit “Nga krijimtaria popullore e Dukagjinit”, Enver Ulaj, konfirmon se këngët e mbledhura nga Demë Gashi, na sjellin këtë botë të harruar dhe pa kthim. Mëria e tij më e madhe ka qenë se ka zgjedhur pikërisht këto katër tema, ato që po shkonin drejt zhdukjes, por edhe për zgjedhjen e bukur të tyre. Ulaj në vazhdim ka shtuar se “këngët në të shumtën e rasteve të befasojnë me shprehjet dhe figuracionin, me dëshirat e kreativitetin e nënave që këndojnë mbi kokë fëmijës së vet, djalë apo vajzë”. Urimet pasqyrojnë dëshirat e kohës, thekson Ulaj dhe shton se edhe ato janë lënë ashtu në origjinal si i ka hasur studiuesi, duke përfshirë edhe përmendjen e personazheve të kohës së ish Jugosllavisë, apo në ndonjë rast edhe terminologjisë.
Redaktori i veprës në fjalë, Enver Ulaj, në vlerësimin kushtuar asaj thotë: “Ndonëse krijimet janë vërtetë të shkëlqyeshme dhe befasuese, puna e autorit, Demë Gashi, në aspektin shkencor, ka mangësinë e të dhënave për qëmtimin, pasi në pjesën më të madhe mungojnë treguesit e emrave, mosha apo viti i shënimit, por kjo nuk heq asnjë materialit të shkëlqyeshëm burimor të tubuar”.
Në pjesën e dytë – të fundit të përmbajtjes së veprës, janë përfshirë edhe një numër (36) i krijimeve në prozë popullore. Rrëfime të shkurta, anekdota, histori nga vendi e nga bota, që shprehin urtinë popullore dhe japin porosinë për situatat e caktuara jetësore. Siç shihet, disa prej tyre janë të bazuara në histori dhe personazhe të vërteta dhe të njohura, e një pjesë janë krijuar nga imagjinata popullore që ka krijuar modelet e veta të të rrëfyerit dhe dhënies së mesazhit që të gjitha këto rrëfime e kanë.
Ekipi punues i përgatitjes së veprës “Nga krijimtaria popullore e Dukagjinit”, ka mbajtur variantin e ruajtur nga autori i ndjerë Demë Gashi, që përmban formën gjuhësore të origjinalit të grumbulluar me gjithë pasurinë dialektore të të folmes së Rrafshit të Dukagjinit. Ndërhyrjet janë bërë vetëm në raste të domosdoshme, por pa prekur strukturën e saj dialektore dhe të grupit të caktuar shoqëror që e flet atë. Për fjalët më të rralla, ato që kryesisht nuk gjenden në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, janë ofruar shpjegimet përkatëse, në mënyrë që teksti të jetë i kuptueshëm për të gjithë.
Kryesuesi i ekipit punues të përgatitjes së kësaj vepre për botim, Enver Ulaj, në fund thekson se me publikimin e saj lexuesve dhe studiuesve ju kanë ofruar një material të mirë burimor dhe origjinal të mbledhur dhe të ruajtur me kujdes dhe si një lëndë e mirë për të njohur shpirtin krijues të popullit, në krijimet lirike dhe në prozë.
Përndryshe, autori i veprës me titull “Nga krijimtaria popullore e Dukagjinit”, Demë Gashi, i lindur në vitin 1938 në fshatin Baran i Poshtëm i Komunës së Pejës, ka studiuar për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Universitetin e Prishtinës dhe pjesën më të madhe të jetës ia ka kushtuar punës në arsim. Fillimisht që nga viti 1963 ka punuar arsimtar në Shkollën Fillore “Vëllazërimi” në Baran e pastaj profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në paralelen e ndarë të Gjimnazit “11 Maji” të Pejës në Baran deri në vitin 1981 dhe më pas drejtor i Kooperativës bujqësore të Baranit.
Ka vdekur në moshën 66-të vjeçare në vitin 2004.
Gjate gjithë jetës dhe pas pensionimit, ai ishte dashamirës dhe adhurues i librit dhe letërsisë. Ka shkruar, botuar, ka mbledhur folklor dhe i ka punuar dhe ripunuar disa herë punimet e veta, pjesa më e madhe e të cilave gjatë gjithë jetës së tij mbetën në dorëshkrime. Libri i parë me krijime për fëmijë “Gjysagjeli” u botua në vitin 1981. Në vitin 2018 u botua një pjesë nga krijimtaria e tij që u përmblodh me titullin “Pranverë në dimër”.
E gjithë krijimtaria e tij tani post mortem botohet e plotë në katër vepra, titujt e të cilave janë cekur më lartë.
