
Lulash Palushaj lindi në vitin 1944, në Bëkaj të Trieshit të Malësisë së Madhe. Shkollën fillore e kreu në Tuz, normalen në Shkup, ndërsa Fakultetin Filozofik – dega Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Përveç misionit të arsimit nga veprimtaria e tij pedagogjike, është veçuar me aktivitetin në jetën kulturore-artistike, duke bërë koreografi e regji të veprave dramatike.
Ai po ashtu është edhe misionar paqeje, vazhdimisht është aktivizuar te “Besëlidhja e Malësisë”. Përveç punës arsimore e pedagogjike ai veçohet me veprimtari krijuese, ku deri me tash ka botuar një numër të konsideruar veprash.
Ka botuar vëllimet poetike “Rrajë të ndame” dhe “Votra ime”; botimin etnografik “Malësia dhe fiset e saj” – dy vëllime, romanin “Malësorja e bjeshkëve tona”, vëllimin me ese “Oqeani që përpin”, romanin “Nusja me duvak të bardhë”, librin me refleksione filozofiko-historike “Lot që nuk teren – zemër që s’pushon” dhe “Me zotin flas shqip”. Ndërsa në vitin e kaluar ka botuar dy libra: “Ma shkretnuen zemrën”, si dhe “Fjalë të Malësisë së Madhe – visar që s’duhet harrue”, ku janë përfshirë rreth tre mijë fjalë, frazeologji dhe shprehje idiomatike.
Duke pasur parasysh veprën e tij mjaft të gjerë e të llojllojshme dhe veprimtarinë e tij atdhetare, Lulash Palushaj është dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë me dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Libri “Ma shkretnuen zemrën” është një botim i veçantë, i cili paraqet vazhdimin e opusit të tij eseistik, që pasurohet me të dhëna dokumentare e historike. Ky libër, në të cilin pa hezitim e them se ka trajtuar apologjinë e historisë së popullit tonë, është i veçantë për nga koncepti dhe përmbajtja e tij. Kemi të bëjmë me çështje të cilat nuk janë personale apo krahinore, por në nivel kombëtar.
Fotografia në ballinën e librit “Ma shkretnuen zemrën” është monumentale, e cila tash është bërë edhe punim artistik me vlerë, jo vetëm kombëtare, por ndërkombëtare. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse ka të bëjë eksodin biblik të shqiptarëve nga Kosova në vitin 1999. Ishte kjo koha e neofashizmit serb, i cili në strategjinë e tij kishte spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, por dështuan në realizimin e një projekti të tillë të kobshëm. Sepse organizimi i brendshëm i shqiptarëve në Kosovë, përmes rezistencës së armatosur nga ana e UÇK-së e të ndihmës së NATO-s përfundimisht Kosova u çlirua nga okupatorët serbë. Në lidhje me këto çështje autori na ofron të dhëna me interes, sepse kemi të bëjmë me një periudhë kohore e cila ka qenë e njohur për të gjithë ne. Të dhënat e ofruara janë komplekse në diakroni e sinkroni, duke qëndruar në raportet shoqërore të kohës deri në ditët tona.
Pikërisht, edhe ngjarjet e muajit shtator të këtij viti në veriun e Kosovës, dëshmojnë se shqiptarët kanë arsye të jenë të shqetësuar, sepse nuk thuhet kot se “uji fle por hasmi nuk fle”. Kemi të bëjmë me padrejtësitë të cilat kombi shqiptar i ka përjetuar në vazhdimësi nga shekulli XIX e deri në ditët tona.
Me këtë botim, Palushaj dëshmon se është njohës i historisë dhe çështjes kombëtare, duke shprehur mendimet dhe pikëpamjet personale për të kaluarën dhe të tashmen. Në botim ofrohen të dhëna me fakte për çështjet e trajtuara nga kohërat me të hershme, deri të politikat ditore.
Autori në këtë botim dëshmon dashurinë për trojet kombëtare, por edhe për figura të mëdha kombëtare, duke theksuar në mënyrë të veçantë Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, Adem Jasharin e Shën Terezën, emra që nderojnë kombin dhe lartësojnë atdheun, Shqipërinë. Ne këtë aspekt ai nuk harron Malësinë e Madhe, duke prezantuar ngjarje e ndodhi të cilat kanë pasur personazhet malësorë, të cilët kanë nderuar këtë krahinë në veçanti, e popullin shqiptar në përgjithësi. Kemi të bëjmë pikërisht me Malësinë e Madhe e cila qëndron në piedestalin e historisë kombëtare me ngjarje dhe personalitete patriotike.
Duke lexuar këtë libër, lexuesi e kupton se kemi të bëjmë me një autor që ka dashuri të madhe për atdheun dhe të ardhmen e tij. Ai nuk ngurron të prezantojë padrejtësitë të cilat i kanë përjetuar shqiptarët nga fqinjët tanë, të cilët kanë përgatitur elaborate për shfarosjen e popullit tonë. Kemi të bëjmë me padrejtësitë historike, të cilat janë dëshmuar dhe dokumentuar në shumë aspekte. Por, nuk heziton të shprehë qëndrimin inferior të politikës shqiptare ndaj dukurive të ndryshme me pasoja kombëtare. Aspirata e autorit mbetet preokupim jetësor kombëtar, e ai është që populli shqiptar të bëhet një dhe i pandarë, siç ka qenë dikur.
Autori Palushaj, i lindur dhe i rritur, duke punuar dhe jetuar në Malësi, nuk ka qenë statik, por ka medituar dhe ka mbledhur material, duke i përgatitur për botim në kohë me të mira. Kemi të bëjmë me kohën e monizmit, e cila nuk ishte në favor të botimeve në shqip nga qasja ideologjike. Ishte koha kur shqiptarët në Mal të Zi, nuk kanë mundur të botojnë, sepse për të shpalosur realitetin ata do të kishin pasoja.
Por, me rënien e sistemit shoqëror socialist e komunizmit si ideologji, nga viti 1990, edhe për shqiptarët filloi një frymëmarrje e re edhe në fushën e botimeve, sepse një numër i konsideruar shqiptarësh u paraqitën me botime të profileve të ndryshme shkencore, letrare e publicistike.
Në numrin e autorëve të tillë bën pjesë edhe Lulash Palushaj, i cili opinionit i ka dhuruar botime me vlerë. Botimet e tilla dëshmojnë horizontin e autorit dhe guximin e ballafaqimit me çështje të cilat kanë qenë preokupim personal dhe profesional. Por, ndonëse autori ka vite qe është vendosur në SHBA, Miçigan-Detroit ndonëse është larg vendlindjes, ai atë e ka me vete, sikur e kanë edhe të gjithë mërgimtarët tanë në diasporë.
Duke e uruar për punën e deritashme krijuese, nga autori presim që opinionit t’i dhurojë edhe vepra tjera, të cilat do t’i pasurojnë bibliotekat e lexuesve të pasionuar ne vend dhe në diasporë.
(Lexuar me rastin e përurimi të librit me 14.10.2023, Ethno museum-Draginë)
