
Të shkruash për adoleshentët duhet të depërtosh brenda shpirtit të tyre njerëzor, të prekësh fjalët që u dalin nga shpirti, t’ua kuptosh buzëqeshjen, të ndiesh lotin që shket fshehurazi tek lë gjurmën e fajit apo të pafajësisë, të mos e ndërpresësh melodinë, që gurgullon brenda hovit rinor të vashës apo djalërisë.
Shpirti i adoleshentit nuk është si shkëmbi i fortë, por është i prekshëm dhe i gjallë. Arsyetimi i shëndoshë mbillet në saje të komunikimit. Të komunikosh mbi parime të shëndetshme, do të thotë të prekësh skajet e shpirtit. Gjuha e komunikimit është e ndërsjellë. Kjo gjuhë nuk mund të anashkalojë filozofinë e jetës, qëllimin përse kemi ardhur në jetë, jemi kalimtarë të rastësishëm apo kemi një mision për të përçuar me qenien tonë.
Në rrugëtimin e fëmijës tonë, drejt aspiratave që ai kërkon të realizojë dhe të arrijë në jetë, ndër më të rëndësishmet është që fëmija ynë duhet të kuptojë ekzistencën e tij. Jo rastësisht ka ardhur në jetë, jo rastësisht frymon në këtë jetë. Kjo pjesë shumë e rëndësishme e edukimit të tij të mirëfilltë ka të bëjë me kulturën prindërore dhe me atë të mësimdhënies.
Kuptimi i rëndësisë së ekzistencës është kusht themelor për zgjidhjen e shumë problemeve dhe dinamikave që zhvillohen në jetën e fëmijës tonë. Çdo problematikë është e zgjidhshme, kur kuptojmë dhe përvetësojmë atë çfarë është më e rëndësishme në qenien tonë, marrëdhënien e dashurisë mes njëri-tjetrit.
Mungesa e konceptit të dashurisë në jetën e fëmijës bëhet shkak i shumë problematikave të cilat nuk mund të anashkalohen pa e prekur këtë edukim, i cili anashkalohet jo pak nga prindër dhe mësues. Të priresh drejt botës së interesit individual është gabim jo i vogël gjatë periudhës së edukimit shpirtëror dhe atij moral të fëmijës. Bota e interesit është mjaft e vogël në krahasim me atë të dashurisë. Po kjo botë e vogël sa vjen e po zmadhohet brenda shpirtit të fëmijës tonë. Kjo botë bëhet shkak konflikti interesash, të cilat shfaqen në botën krijuese të shpirtit të fëmijës duke sjellë pasoja të rënda në mirërritjen e tyre. Krahasimisht, interes dhe dashuri nuk shkojnë me njëra-tjetrën, e kjo pabarazi sjell lëkundje të forta në psikikën e fëmijës tonë. Është më bukur të duash pa e përfshirë interesin, sesa të ngatërrosh dy botëkuptime të ndryshme. Interesi shfaqet në sjellje, në veprime që pasojnë njëra-tjetrën, qoftë në marrëdhënie, qoftë në botëkuptim.
Fëmija adoleshent është në fazë rritjeje, e kjo faze e ndan, por edhe e bashkon. Ajo çka duhet ndarë është falsiteti në sjelle, është egoizmi në të shprehur, është shfaqja e fenomenit interes në marrëdhënie sinqeriteti, të cilat formojnë një botë ku nuk jep, por kërkon vetëm të marrësh atë që nuk është e vërtetë dhe e drejtë. Nëse bota e interesit përfshin sjelle që bien ndesh me konceptin e dashurisë së ndërsjellë, atëherë problemet që lindin mes fëmijësh adoleshentë, agravohen dhe sjellin për pasojë ndarje. Këto ndarje reflektojnë armiqësi, jo në sipërfaqe të sjelljes, por në brendësi të tyre. Shpirti i adoleshentit përpunon të dhëna në kohë rekord, por marrja e këtyre të dhënave dorëzohet vetëm në serverin qendror të trurit të fëmijës, atje ku grumbullohet gjithçka që fëmija kërkon prej vetes dhe të tjerëve. Të gjitha këto të dhëna, reflektojnë sjelle të ndryshme, që nga ato më të sinqertat e deri tek ato manipulative. Në këtë qendër grumbullimi informacioni, fëmija fillon të zgjedhë sipas dëshirës dhe vullnetit të tij mendor edukativ. Vullneti i fëmijës në të zgjedhur karakterizon atë anë pozitive të tij duke ndarë të mirën nga e keqja.
Fëmija adoleshent ndien nevojë të theksuar për dashuri, e këtë dashuri e kërkon edhe në vështirësi, ku mund të gjendet pa vullnetin e tij. Dashuria e munguar e bën agresiv, e bën të mos këshillohet me prindër apo mësues, të anashkalojë shoqërimin me bashkëmoshatarë. Shpirti i tij lufton si luftëtari në betejë për të mos humbur në vorbullën e ndjenjave që luftojnë me njëra-tjetrën.
Çdo prind duhet ta kuptojë gjendjen e fëmijës kur ai reflekton këto trazira në sjelle. Kjo gjendje nuk mund të anashkalohet duke u marrë përciptas me të, por prania e prindit pa e gjykuar sjelljen e tij, bën që shpirti i tij të qetësohet nga një fjalë e ëmbël, nga një përqafim i dhënë plot dashuri, nga një këshillë e mjaltëzuar. Fëmija ynë ka shumë nevojë për këtë përkrahje, për këtë moment kaq të rëndësishëm në gjendjen ku ndodhet. Jo të gjithë dinë të dhurojnë dashuri, jo të gjithë dinë të këshillojnë me dashuri, jo të gjithë dinë të përqafojnë me dashuri, por kjo mungesë në kulturë sjelljeje krijon imazhe ku fëmija formon brenda botës së tij atë që percepton me konceptin e pasigurisë.
Ta ndiesh dashurinë deri në qelizë, është virtyt shpirtëror. Kur ndien edhe dhuron. Ndjeshmëria është pasqyrë e shpirtit që rrezaton dashuri, e në mungesë të kësaj ndjeshmërie, jemi dhe bëhemi problematikë si për veten, ashtu edhe për fëmijën tonë. Sjellja prindërore shpeshherë nuk prodhon këtë lloj ndjeshmërie, por kërkesë llogarie. Brenda kërkesës së llogarisë, shpeshherë futemi në grackën e kënaqësisë për vetveten, sepse vetvetja nuk na lë të shohim përtej logjikës dhe mendimit tonë. Ky lloj funksionimi nuk është frytdhënës, por krijon deficite që formojnë boshllëqe të cilat nuk mund të mbushen. Shpirti i zbrazur i një fëmije adoleshent nga mungesa e dashurisë, është tokë e thatë ku nuk mbjell dot asgjë të bukur.
Fëmijët që rriten pa dashurinë dhe fjalën e ngrohtë të prindit apo mësuesit bëhen produkt i mangësive të asaj çka vlen më shumë, dashurisë, që dhurohet falas dhe jepet falas nga të gjithë.
