
Sari bardheblu i Nënë Terezës, petku i Nënë Terezës dhe i Motrave Misionare të Dashurisë, është simbol i paqes, i bamirësisë, i thjeshtësisë në të gjithë botën. Kryqi, i qepur në shpatullën e majtë, simbolizon Jezusin në kryq si çelësi i zemrës së Misionareve të Dashurisë. Ngjyra e bardhë e sarit është simbol i së vërtetës dhe i pastërtisë, tre shiritat blu simbolizojnë tre kushtet e jetës rregulltare: varfërinë, bindjen dhe çiltërsinë e shërbimit të sinqertë, falas, për më të varfrit, kështu shpjegon faqja e internetit të Kongregatës së Motrave Misionare të Bamirësisë origjinën e veshjes rregulltare të Nënë Terezës dhe motrave të saj, thuhet në një njoftim të Radio Vatikanit, ndërsa thekson se ishte 17 gushti i vitit 1948 — 75-vjet më parë — kur Nënë Tereza veshi, për herë të parë, sarin e bardheblu me vijën e blu anash petkut të dallueshëm të një jete tё re rregulltare, për të hyrë në botën e të varfërve.
Arsyen se pse Nënë Tereza kishte zgjedhur të veshte pikërisht këtë uniformë, e shpjegon motra Gertrude e “Misionarëve të Bamirësisë” të urdhrit të Nënë Terezës: “Nëna jonë Tereze”, kujton motra Getrude – “zgjodhi veshjen e saj dhe të motrave të saj ngjyrat bardhë e blu, sepse ngjyra e bardhë është simbol i pastrisë dhe i së vërtetës, ndërsa tre shiritat blu, simbolizojnë tre kushtet, që bëjnë rregulltarët: kushtin e varfërisë, të pastrisë, të dëgjesës”. Për më tepër, ka shpjeguar ajo, Nenë Tereza e zgjodhi këtë veshje 75-vjet më parë, për t’u ngjarë grave që fshinin rrugët e që mbanin sari të ngjashme dhe përshtatshme edhe për klimën dhe atmosferën e varfërisë në Kalkutë.
Siç dihet tanimë, Shën Nënë Tereza është bërë një simbol universal, një figurë e dashur jo vetëm për besimtarët, por edhe për jobesimtarët dhe besimtarët e feve të ndryshme, anembanë botës, sidomos në radhët e shqiptarëve, pa dallim feje a krahine. Është vështirë të thuhet numri i saktë, por dihet se për Nenë Terezën — fituesen e Çmimit Nobel dhe dekoratave të tjera ndërkombëtare, anembanë botës — janë shkruar qindra libra, mijëra artikuj, filma dhe dokumentarë të llojllojshëm, në gjuhët kryesore të botës.
Unë nuk isha në dijeni të ndonjë poezie kushtuar Nenë Terezës, as në nivel kombëtar as ndërkombëtar, megjithëse mund të ketë të tilla poezi në gjuhë të ndryshme – por ndërkohë, rastësisht ndesha në një poezi të poetit, shkrimtarit dhe atdhetarit nga Kosova, të ndjerit Jakup Ceraja – Poeti i sfidave të përhershme dhe i atdhedashurisë — botuar me 18 gusht të vitit 1984, në revistën Drita, organ i Ipeshkvisë së Kosovës, dedikuar Nënë Terezës. Siç duket, i emocionuar dhe i frymëzuar shumë nga jeta e murgeshës shqiptare, poeti Jakup Ceraja ka përpiluar vjershën, e rrallë edhe për nga subjekti, me titull, thjeshtë: Nënë Tereza. Po e sjell për lexuesin e interesuar në këtë 75-vjetor të 17 gushtit të vitit 1948 — kur Nënë Tereza veshi, për herë të parë, sarin e bardheblu – petkun identifikues të saj dhe të motrave të Urdhrit fetar, themeluar prej saj.
“Nënë Tereza”
Nga Jakup Ceraja
Është një këngë e re shqiptare
që peshohet në një fjalë të madhe
e kënga quhet Nënë me germa të mëdha,
është një fjalë e vjetër shqiptare
që peshohet vetëm me këngë të madhe
e fjala quhet Nënë me germa të arta.
Nënë Terezë, o bijë e këtij trualli dëshmorësh
a matet largësia mes meje e Teje
nga këtu e në Indi
me kilometra e mile
kur me dashurinë e zemrës sate
thuret vargu im i ri
e me hirësinë e asaj fytyre
vargun vërtetë e bëj poezi
për njeriun, jo vetëm me emër
që beson në të vërtetën,
e kush beson në të vërtetën
beson në Dritë të patjetërsueshme
beson në ardhmëri të amshueshme,
ndaj dhe vargu për ty rrodhi vetë,
ndaj dhe kënga për ty s’mban ofshamë.
Ti Nëna jonë e madhe me dafinë në dorë,
vërtetë s’ke pushtet me polici e ushtri,
s’ke as banka me dollarë as arka me ar,
por atë që ke Ti në të gjakut damarë,
në gjuhën paqësore e në sytë ngushëllues
nuk e ka asnjë pushtet i botës moderne
me ushtri e polici e teknologji
se forca jote ushqehet prej Hyut
dhe i shërben njeriut që edhe buka i mungon.
Nënë Terezë, o Gonxhe e këtij populli të lashtë,
Ti motër me nënën time të ndjerë,
e cila kurrë nuk vuajti nga fanatizmi
pse e kuptoi me kohë ndasinë tragjike të njerëzve,
kishte dashuri më shumë se qumësht në gjinj
dhe me qumësht e dashuri më rriti mua
e u bëra njeri, më parë se poet,
-sa mirë,
dashurisë së saj sot i dhe krah Ti –
Ti që hyre e devotshme në çdo shtëpi! —
Nga Jakup Ceraja (18 gusht 1984)
Shën Nenë Tereza
Poeti e shkrimtari Jakup Ceraja
Në një tubim para disa viteve, me rastin e 80-vjetorit të lindjes dhe 13-vjetorit të kalimit në amshim të poetit Jakup Ceraja kishin marrë pjesë edhe një numër personalitetesh kulturore e politike të Kosovës, si veprimtarët e çështjes kombëtare, i ndjeri Adem Demaçi dhe ndjeri Dom Lush Gjergji, në përurimin e një pllake përkujtimore kushtuar poetit Jakup Cernaja në fshatin e tij të lindjes, Cerajë, të komunës së Mitrovicës, aty ku poeti ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij. Dom Lushi, siç dihet është biografi zyrtar i jetës dhe veprimtarisë së Shën Nënë Terezës – me dhjetëra libra e qindra artikuj – me atë rast, shpjegoi historinë e kësaj poezie të Jakup Cerajës, kushtuar Nënë Terezës. Duke vlerësuar shumë punën, veprat dhe figurën e poetit Jakup Ceraja, veprimtari i çështjes kombëtare dhe kleriku i lartë i Kosovës, në atë tubim, ka shprehur respektin e madh që ai ruante për Jakup Cerajën. Duke thënë se vjersha e poetit Jakup Ceraja ishte e para poezi shkruar në Kosovë, kushtuar Nënë Terezës dhe shpjegoi pak histori në lidhje me këtë: “Dikur moti më erdhi një zarf nga Mitrovica dhe kur e hapa vërejta një vjershë kushtuar Nënës Tereze, shkruar nga poeti Jakup Ceraja. Ishte poeti i parë këtu ndër ne në Kosovë që kishte shkruar një poezi për Nënën Terezë. Ai ka shkruar me përkushtim dhe në shkrimet e tija ka vetëm vlera të mirëfillta. Tani kur erdha për herë të parë këtu në fshatin e Jakupit, kuptova pse shkrimet dhe poezitë e tij ishin me aq domethënie e kuptim dhe kishin kaq shumë vlerë”, ka thënë, ndër të tjera, Dom Lush Gjegji, në lidhje me poezinë e parë ndër shqiptarë, kushtuar Nënë Terezës, të poetit Jakup Ceraja nga Mitrovica e Dardanisë.
