Jeta e një gjeniu që ka filluar prej hiçit

Fotoekspozita kushtuar aktorit me famë botërore Aleksandër Moisiu është përgatitur nga studiuesi nga Shkodra, Pjetër Logoreci, i cili prej vitesh jeton në Vjenë të Austrisë. Ajo përbëhet nga 44 fotografi dhe dokumente që përjetësojnë figurën e aktorit

Ulqin – Shoqata “Ora” organizoi të mërkurën e kaluar (20 shtator 2023) në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin veprimtarinë “Aleksandër Moisiu – vlerë e teatrit botëror”, në kuadër të së cilës është hapur fotoekspozita “Njeriu dhe artisti” me materiale të panjohura më parë nga arkivi personal i aktorit në Vjenë, si dhe është folur për figurën e këtij aktori të shquar me origjinë shqiptare.
Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e Shoqatës “Ora”, Arjeta Kurti, ka thënë se përmes kësaj fotoekspozite kemi sjellë në mesin tonë figurën e gjeniut të artit skenik botëror me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiut.
“Në këto fotografi shihet qartë jeta dhe vepra e artistit, dokumente të rralla që për herë të parë vijnë dhe shfaqen në qytetin e Ulqinit”, është shprehur ajo.
Fotoekspozita kushtuar aktorit me famë botërore Aleksandër Moisiu është përgatitur nga studiuesi nga Shkodra, Pjetër Logoreci, i cili prej vitesh jeton në Vjenë të Austrisë. Ajo përbëhet nga 44 fotografi dhe dokumente që përjetësojnë figurën e aktorit.
Vetë Logoreci ka folur për jetën dhe veprën e Aleksandër Moisiut që nga fëmijëria e tij e deri në vdekje, si dhe peripecitë e kaluara deri te realizimi i kësaj fotoekspozite.
Ai ka treguar se ka pasur fatin e mirë të jetë pjesë e Teatrit Popullor të Vjenës, ku ka luajtur edhe Aleksandër Moisiu. Kjo i ka ofruar mundësinë që të ketë “kontakt me materialet e Aleksandër Moisiut të cilat nuk ka pasur mundësi kush për t’i gjetur më herët”.
Logoreci ka thënë se gjatë jetës Mosiu është ballafaquar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha ekzistenciale.
“Pra, një jetë e një gjeniu që ka filluar prej hiçit”, është shprehur ai.
Ekspozita ndahet në disa pjesë, që tregojnë për faza të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë si dhe raportet familjare e shoqërore të aktorit.
“E kam filluar me familjen, e kam vazhduar me karrierën e tij aktoriale, mandej vazhdon me filmin, me shoqërinë, dokumentacionin dhe objektet e tij personale, që janë në Arkivin e Vjenës. Mandej e kam përfunduar me dy fotografi që janë mortore, të vdekjes së tij, të panjohura, të padala asnjëherë. Dhe fotografinë e fundit, e kam vënë me qëllim. Është Moisiu në kontakt me shqiptarë, me studentët shqiptarë që kanë qenë shumë në Vjenë”, ka theksuar Logoreci, duke sqaruar konceptin e fotoekspozitës.
Fati i madh që i hapi rrugën e suksesit ishte takimi në Vjenë me aktorin e njohur botëror Jozef Kainc e më pas në Berlin me regjisorin Max Reinhard, me të cilin përbënin dyshen e suksesit të teatrit botëror.

“Reinhard, një gjigant me origjinë çifute, nuk mund të bëhej ai që u bë pa Moisiun, por as Moisiu nuk mund të bëhej ai që u bë pa ndihmën e Reinhardit. Pra, ishte një dyshe që funksionoi shumë mirë. Kjo dyshe më 1910 deri më 1930 ka qenë absolute”, ka theksuar Logoreci


“Pra, Reinhard, një gjigant me origjinë çifute, nuk mund të bëhej ai që u bë pa Moisiun, por as Moisiu nuk mund të bëhej ai që u bë pa ndihmën e Reinhardit. Pra, ishte një dyshe që funksionoi shumë mirë. Kjo dyshe më 1910 deri më 1930 ka qenë absolute”, ka theksuar Logoreci.
Një prej dokumenteve më të rëndësishme të paraqitura në ekspozitë është një vërtetim i lëshuar nga Argjipeshkvia e Kishës Autoqefale Ortodokse në Durrës që tregon se Moisiu ishte ortodoks shqiptar. Ky vërtetim i shërbeu për të shpëtuar nga përndjekja e nacionalsocialistëve të cilët dyshonin se ai ishte çifut.
Duke folur për kontributin e Aleksandër Moisiut për teatrin, kritiku i filmit Ali Salaj ka thënë se ai paraqet kulmin e aktrimit, i cili arriti të evokojë me lirizëm të hollë personazhet e interpretuara.
“Kontributi i tij aktoresk vazhdon të jetë aktual, frymëzues dhe joshës edhe sot. Ai mbetet një figurë e fuqishme historike për të cilin u shkruan një mori veprash dhe librash biografikë nga autorë të ndryshëm si Bardhyl Kosova, Selman Vaqari, Vangjel Moisiu etj. Në këtë kuadër veçohet libri biografik ‘Aleksandër Moisiu, Trieshtë-Berlin-Nju Jork. Një legjendë aktrimi’ i autorit gjerman Rudiger Shaper, i cili në vitin 2000 e promovoi në gjuhën gjermane në Berlin. Kritiku i filmit Shaper e ringjalli edhe një herë krijimtarinë e aktorit të madh”, është shprehur ai.
Salaj ka vlerësuar se “ekspozita e hapur në qytetin e Ulqinit është një homazh dhe një rikujtim nga artdashësit e këtushëm për një emblemë të kulturës dhe artit shqiptar dhe të atij ndërkombëtar Aleksandër Moisiu”.
Drejtori i Muzeut të Ulqinit, Gazmend Kovaçi, ka folur mbi trashëgiminë kulturore të Aleksandër Moisiut.
Ai ka veçuar sidomos dokumentin e lëshuar nga Argjipeshkvia e Kishës Ortodokse Autoqefale në Durrës, i cili tregon për origjinën e tij dhe na mundëson që emri i tij të jetë i shkruar në shqip, krahas gjuhës gjermane dhe italiane.
“Me këtë dokument Aleksandër Moisiu na ka lënë një trashëgimi të madhe kulturore përmes veprës së tij artistike”, ka thënë Kovaçi.
Ai ka vërejtur se ndonëse teatri dhe filmi përbëjnë dy fusha të rëndësishme të historisë së një kulture, sa i përket qytetërimit shqiptar ato mbeten të pastudiuara, rrjedhimisht nuk e kemi të shkruar historinë e teatrit tonë.
Gjatë aktivitetit profesoreshat e Shkollës së Muzikës në Ulqin, Fatime Buzuku dhe Merita Subashiq – Shabanoviq kanë luajtur në piano një pikë muzikore.
Fotoekspozita kushtuar Aleksandër Moisiut është hapur më herët edhe në Vjenë, Shkodër, Tiranë, Prishtinë, Korçë.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat