
Viti i ri shkollor sapo ka filluar. Fillimi i shtatorit gjithmonë është i ngrohtë dhe plot me ditë me diell, andaj edhe mësimdhënësit mundohen që të zhvillojnë sa më shumë aktivitete jashtëshkollore. Të njoftojnë fëmijët me bukuritë e Ulqinit, të vizitojnë muzeun, kalanë ilire por edhe orët e edukatës fizike t’i bëjnë në det. Kujdestarja e klasës së Dorartit në marrëveshje me babanë e tij kishin planifikuar një shëtitje nëpër ullishtën mijëvjeçare të Ulqinit dhe kështu të vizitojnë trungun më të vjetër të ullirit në Ulqin e që ai kishte hiç më pak se dy mijë vjet.
Mosha, e ullirit, shumë e madhe dhe e paimagjinueshme për fëmijë bëri që kureshtja e tyre të jetë shumë e madhe për të parë e prekë diçka kaq të vjetër. Kështu të gjithë konfirmuan ardhjen në këtë shëtitje nëpër ullishtë.
Fëmijë – tha mësuesja. Në ora nëntë takohemi para ullirit ke Kryepazari. Me vete duhet të merrni ujë, ushqim të lehtë, mbathje adekuate për ecje, kapele që të mbroheni nga dielli si dhe më kryesorja të pajiseni me buzëqeshje dhe humor të mirë.
Ashtu u tha e ashtu u bë. Të gjithë duke mos munguar, madje para orës nëntë, ishin tek ulliri i Kryepazarit. Grupi i nxënësve u nisën për në aventurën e ullishtës. Rruga që duhej përshkuar ishte relativisht e gjatë. Fëmijët duhej të ecnin diku rreth shtatë kilometra, por siç thonë bjeshkatarët kjo rrugë i takon vështirësisë shumë të lehtë.
Sapo kaluan njëqind metrat e para babai i Dorartit urdhëroi që grupi të kthejë në të djathtë sepse do të fillonin ngjitjen e parë duke lënë rrugën kryesore me qëllim që të ecin pranë shtëpive të lagjes.
Pasi që fëmijët ishin ende të pushuar ngjitja e parë ishte e lehtë dhe kur arritën në pikën më të lartë u dha urdhri që të ndalojnë sepse tashmë gjendeshin para shtëpisë së shkrimtarit. Ata e thirrën të dalë e ta takojnë. Shkrimtarin e përqafuan dhe e përshëndetën me shumë dashuri e mirësjellje kurse gjysho shkrimtari fëmijëve u dhuroi nga një libër dhe nga një ëmbëlsirë. Fëmijët e gëzuar vazhduan rrugën dhe sapo kaluan shtëpitë e para vërejtën se ullishta ishte vetëm disa metra në të djathtën e tyre. Nga ana e majtë ende mund të shihej deti, natyrisht vende-vende sepse shtëpitë e reja që ishin ndërtuar ndalonin pamjen. Rruga e kësaj lagjeje ishte e ngushtë dhe gjarpërore. Duke qeshur e kënduar arritën te një krua i cili vërehej se dikur kishte qenë një krua shumë i bukur. Në të majtë ishte një pus i mbyllur, kurse në mur kroi i cili nuk kishte ujë të rrjedhshëm. Rreth kroit shihej një kalldrëm i bukur kush e di sa qindravjeçar?! Fëmijët nuk deshën të pushojnë por gjithsesi bënë fotografitë.
Grupi vazhdoi rrugën dhe tani ishin mu në hyrjen e ullishtës shekullore. Rruga sa vinte e ngushtohej. Kaluan nëpër disa shtëpi të vjetra ku rruga nuk ishte më rrugë, por vetëm rrugicë ku mezi kalonin dy veta. Nga ana e djathë gjithnjë ullishta dhe ajo çka të gjithë vërejtën përveç ullinjve ishin muret e ndërtuar me gurë. Kaluan edhe shtëpitë e fundit dhe tashmë u futën në zemër të ullishtës. Ullinj mijëvjeçarë nga të dyja anët. Duke u ngjitur kënga kishte ndaluar, por ambienti ku gjendeshin ishte shumë piktoresk. Trungje të mëdha ulliri me forma të ndryshme. Disa ngjasonin me hundën e njeriut, disa me ndonjë kafshë dhe fëmijët mundoheshin që gjatë rrugës të identifikojnë sa më shumë forma të ndryshme të trungjeve të ullinjve. Meqenëse rruga ishte vetëm në ngjitje të lehtë, fëmijët tash pak ishin edhe të lodhur, por koha për pushim ende nuk kishte ardhur. Ndaluan në një vend ku babai i Dorartit u tregoi se në atë murin aty dy metra larg rrugës është kroi që njihet me emrin Kroni i thatë. Ky krua, tregoi ai, më shumë nuk ka ujë se sa që ka andaj edhe ashtu quhet.
Por, fëmijë nëse ndokush nga ju ka mbetur pa ujë tani do shkojmë në drejtim të një kroi i cili ka ujë të bollshëm gjatë gjithë vitit – tha babai i Dorartit.
Do shkojmë te Kroni i Begut – ia priti Dorarti. Aty kishte edhe fëmijë tjerë që e dinin ku ndodhej ky krua mirëpo nuk kishin kaluar përmes kësaj rruge që kalonte mu nëpër zemrën e ullishtës andaj edhe ishin pak të hutuar.
Që të mbërrijnë te kroi i dëshiruar fëmijët u deshën që të zbresin nëpër sofat e një ullishte me trungje shumë të bukura e me zgavra shumë të gjëra sa që mund të futeshin diku dy e diku edhe tre fëmijë. Duke zbritur fëmijët pa ndërprerë luanin, vraponin dhe bashkërisht bënin fotografi të shumta. Atraksion ishin shkallët për zbritje prej sofe në sofë. Në të vërtetë ato ishin vetëm disa gurë të lënë jashtë murit nja njëzet centimetra dhe të vendosura asisoj që mund të ngjiteshe ose të uleshe prej sofe në sofë me shumë lehtësi. Ah, sa njerëz praktikë ishin të parët tanë, për çdo gjë kanë menduar.
Dita ishte e shkëlqyer dhe rrezet e diellit thyheshin nëpër gjethet dhe trungjet e ullinjve duke krijuar një ambient përrallor. Babai i Dorartit dhe kujdestarja e klasës tashmë kishin mbërritur te kroi, kurse fëmijët ende vraponin rreth trungjeve shekullore dhe bënin lojëra. Këtu ishte vendpushimi i planifikuar më parë andaj edhe kur u mblodhën fëmijët, kujdestarja u tha që të pushonin sepse koha ishte për të ngrënë. Dikush nxori bukën, dikush pemët e të tjerët ende eksploronin ambientin. Ata që kishin shpenzuar ujin tani kishin mundësi të mbushnin ujë të freskët nga Kroni i Begut. Ora bënte të veten dhe shpejt u dha urdhri që të vazhdohet rruga. Tashmë fëmijët ecnin mbi histori. Kjo rrugë nëpër ullishtë ishte qindravjeçare e ndoshta edhe mijëvjeçare. Kalonin nëpër gurë të lëmuar që koha dhe njerëzit në të kaluarën që kishin kaluar atypari i kishin lëmuar. Ajo çka vërehej ishte se të parët tanë kishin pasur kujdes gjatë ndërtimit të rrugës, sepse anash dallohej sistemi i kanalizimit të ujërave atmosferikë apo i mbledhjes së ujit. Kalldrëmi i vjetër dallohej vende-vende, por më i bukuri ishte pranë ullirit trungmadh, për të cilin të gjithë pajtoheshin se kishte mbi njëmijë vjet. Aty edhe u fotografuan më së shumti, sepse rruga e vjetër e kalldrëmuar dhe vjetërsia e trungjeve të ullinjve bënin që këso pamjesh të kishin parë vetëm nëpër filma.
Vazhduan rrugën dhe shpejt dolën nga ullishta në rrugën kryesore të asfaltuar që të çonte për në Valdanos. Por jo, grupi duhej vazhduar ecjen përmes ullinjve kështu që u ndalën para tabelës ku shkruante Rruga e Bishtit.
Është për t’u theksuar se shumë toponime të ullishtës kanë emra interesante si p.sh.: Qafë, Bisht, Anamalit, Lugu i Xhemiles, Bashbylyk, Ullinjt e Ali Shahit etj. Grupi eksplorues vazhdoi rrugës së moçme për në Bisht. Kjo ishte një prej rrugëve të vjetra të cilën ulqinakët e moçëm e kanë shfrytëzuar për të shkuar në ullishtat e veta në Valdanos, por edhe në anijet që i kishin të gastuara atje. Njëherë u ulën teposhtë dhe pastaj kur arritën te dyzimi i parë i rrugës ndaluan sepse nuk e dinin nga duhej shkuar. Por, babai i Dorartit u tha se ata duhej të merrnin krahun e djathtë ku kishte ngjitje. Fëmijët tashmë ndjenin pak lodhje por e dinin se ishin shumë afër ullirit dymijëvjeçar. Dhe me të vërtetë nuk vonoi shumë dhe një ulli jashtëzakonisht i madh i llojit “kazan”, i përbërë prej disa trungjeve u shfaq para tyre. Kishin mbërritur para ullirit më të vjetër të Ulqinit. Por a është ky më i vjetri? Për momentin po. Ky ishte më i vjetri që dihej. Ekspertët e pylltarisë kishin bërë përcaktimin e vjetërsisë dhe ky kishte dalë dymijë vjet i moçëm.
Fëmijët përqafonin ullirin e vjetër. E dinin se kishte qenë i robëruar mes pyllit më shumë se pesëdhjetë vjet. Por tash ishte i lirë dhe kërkonte kujdes, kërkonte dorën e njeriut, kërkonte mbrojtje.
Fëmijë – tha babai i Dorartit, ulqinakët e vjetër kanë një thënie Ulliri është si nana, sa herë t’i kthehesh ai të shpërblen. Siç po e shihni edhe vetë degët janë përplot me fruta ulliri që do të thotë se ka me qenë sezon i mirë.
Fëmijët u futën mes ullirit dymijëvjeçar dhe të gjithë së bashku bënë shumë fotografi kolektive të cilat i publikuan në faqet e tyre të rrjeteve sociale. Të gjithë kishin një mesazh: Apel institucioneve vendore. Ta mbrojmë dhe të kujdesemi për ullirin më të vjetër të Ulqinit.
Duke pushuar pranë ullirit dymijëvjeçar dhe meqë plazhi i Valdanosit ishte shumë afër e rruga vetëm në zbritje, të gjithë u pajtuan që të vazhdojnë rrugës së vjetër dhe të dalin në det ku do të freskoheshin, meqë dita ishte shumë e nxehtë. Babai dhe kujdestarja e klasës së Dorartit njoftuan prindërit e fëmijëve se grupi eksplorues i nxënësve do t’i presin prindërit në plazhin e Valdanosit. E caktuan edhe orën e takimit dhe fëmijët atë ditë dolën jashtëzakonisht të kënaqur sepse kishin ecur rrugëve të vjetra të ullishtës duke shijuar bukuritë e trungjeve të ullinjve qindra e mijëravjeçar, pastaj kishin parë kroje të vjetra e mbi të gjitha kurora ishte ulliri i vjetër dymijëvjeçar. Ora në natyrë ishte përmbyllur me freskim në ujin e detit të kristaltë dhe kishin mësuar shumëçka që nuk kishin ditur e që kishte të bënte me vendlindjen e tyre.
Tregim nga romani për fëmijë dhe të rinj në dorëshkrim.
