
Studiuesi serioz dhe i përkushtuar i letërsisë shqipe, Prof.Dr. Anton Nikë Berisha, më 7 gusht të këtij viti ka mbushur 77-vjet. Ata që e njohin këtë figurë të dalluar të letrave shqipe, besoj se do të pajtohen me vlerësimin se mosha për të është thjeshtë vetëm një numër, kur bëhet fjalë për krijimtarinë letrare e studiuese e cila nuk ka ndaluar, por ajo fatmirësisht vazhdon për të mirën e brezave të tashëm dhe të ardhshëm shqiptarë. Puna e tij krijuese, hulumtuese dhe shkencore, e cila të mbushë me kulturë dhe dije, është tejet e madhe, për të mos thënë e jashtëzakonshme për rrethanat tona. Kontributi i tij në letërsinë shqipe, si në atë të krijimit artistik letrar, ashtu edhe në atë të studimit dhe interpretimit letrar, është një arritje e madhe në fushën e studimit të letërsisë. Kjo tashmë është e njohur gjithandej.
Kush është Anton Nikë Berisha?
Ky autor i mbi 50 veprave letrare dhe studimore mbi të gjitha është njeri i mirë e i thjeshtë, me një kulturë të gjerë, një mik i sinqertë, e pastaj një intelektual me përmasa mbarëkombëtare, profesor, poet, shkrimtar, përkthyes e studiues i mirëfilltë, i respektuar nga autoritete shkencore e letrare shqiptare e më gjerë. Diskursi i tij letrar e studimor është i gdhendur, i thellë, i skalitur e efektiv. Ky nivel arrihet, sigurisht, falë talentit, përkushtimit krijues dhe vetëdijes së lartë për misionin e fjalës së shkruar, por Anton Nikë Berishën si krijues, shkrimtar e studiues dhe posaçërisht si intelektual, e karakterizon edhe guximi për ta thënë troç atë që sheh dhe ndien, në të gjitha rastet dhe rrethanat.
U lind më 7 gusht 1946 në fshatin Ujmir të Klinës (Kosovë). Nga jetëshkrimi i tij mësojmë se arsimin shtatëvjeçar e ka përfunduar në vendlindje, për ta vazhduar më pas në Prishtinë, ku ka përfunduar Shkollën Normale ( më 1966) dhe studimet në Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Dhjetë vjet më vonë ka kryer studimet e rregullta pasuniversitare pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku mori titullin e Magjistrit të Filologjisë. Po në këtë Universitet më 1981 ka mbrojtur tezën e doktoratës shkencore. Profesor Antoni nuk kënaqet me njohuritë e fituara studimore në Prishtinë e Zagreb, prandaj vazhdon t’i zgjerojë ato në Universitetin e Gëtingenit, gjatë vitit universitar 1978/79 si bursist i DAAD-së dhe 1984/85, ndërsa specializohet në Universitetin e Mynihut të Gjermanisë në vitin akademik 1992/93 ku fitoi një bursë nga Fondacioni “Alexander von Humboldt” .
Ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Deparamentin e Foklorit, në Katedrën e Albanologjisë të Universitetit të Mynihut, ku mbajti seminaret mbi linguistikën e përgjithshme dhe indoevropiane, ndërsa nga nëntori i vitit 1993 ka punuar si profesor i Letërsisë Shqipe në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe – Departamentin e Linguistikës, të Fakultetit të Letërsisë dhe Filozofisë të Universitetit të Kalabrisë, ku për vite me radhë ka qenë profesor i Letërsisë Shqipe.
Krijues e studiues serioz e i palodhur
Veprimtaria letrare e Anton Nikë Berishajt filloi me poezinë për të rritur, botuar në revistën letrare “ Jeta e re” ( Prishtinë), në vitin 1965 . Krijimtaria e tij e mirëfilltë ka filluar në vitin 1968 me një punim të tij kushtuar porosive në tragjedinë e Shekspirit “Hamleti” dhe në “Histori të Skënderbeut”, të Naim Frashërit dhe me një vështrim që i bën poezisë së Migjenit “ Të lindet njeriu”, për të vazhduar pastaj në fushën e studimeve të letërsisë shqiptare , për të qenë të pandashme deri në vazhdimësi deri në ditët e sotme. Nga veprat e tij të shumta, të cilat kritika e kohës dhe studiuesit shqiptarë dhe të huaj i vlerësuan lart veçojmë: “Mundësi interpretimi”, “Teksti poetik”, “Veçanti ligjërimesh poetike”, “Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, “Çështje teorike të letërsisë”, “Nënë Tereza në shtatë shpalime”, “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës”, “Njëmendësia e fjalëve”, “Mundësi interpretimesh letrare”, “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, “Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës dhe të Fishtës”, ”Larmi vëzhgimesh letrare”, “Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjeve të lashta të jetesës së njeriut tonë”, “ Ligjërime rreth tekstit letrar poetik”, “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe” etj.
Fitues i disa shpërblimeve e çmimeve
Për kontributin e tij të madh, Anton Nikë Berisha, është vlerësuar me disa shpërblime e çmime. Ai mori Shpërblimin e Dhjetorit të KSA-së të Kosovës, shpërblimin “Hivzi Sulejmani”, shpërblimin “Asdreni”, shpërblimin “Giorge Mangone” të Sindikatës së Pavarur të Shkrimtarëve Italianë, shpërblimin “Azem Shkreli” të Komunës së Pejës ,shpërblimin “Beqir Musliu” të Komunës së Gjilanit, shpërblimin “Din Mehmeti” të Universitetit të Gjakovës, “Fehmi Agani” dhe Medaljen presidenciale të meritave të Republikës së Kosovës. Ai po ashtu është fitues i “Muzës së Agimit” dhe çmimit tradicional “Ora e Tahir Deskut” të Komunës së Klinës.
Si përfundim
Me këto dhe veprat e tij të tjera që janë botuar e ribotuar deri më sot, gjatë gati gjashtë dekadash të kaluara , Anton Nikë Berisha, jo vetëm që e pasuroi opusin krijues të tij, por gjithsesi edhe bibliotekën dhe letërsinë shqiptare. Ai theu kufijtë gjeografikë, krahinorë e ideologjikë, duke u prezantuar si një studiues me integritet të plotë, i cili respekton integritetet e tjera, aty ku duhet të respektohen.
Po e mbyll këtë shkrim me një thënie të cilën për momentin nuk po më kujtohet se ku e kam lexuar: “Rinia është një vepër e natyrës, ndërsa mosha është një vepër arti”.
Urime për fëmijërinë e dytë ! Gëzuar 77-vjetorin e lindjes profesori ynë!
