
“Zhdukja e artizanatit dhe e veglave të vjetra për përpunimin e plisit, kapelës tradicionale shqiptare, e ndërlikon fushatën për futjen e plisit në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s”, thuhet në fillimin e tekstit të shënimit “Plisi nuk duhet të ekzistojë vetëm në muze”, i publikuar në faqen e portalit “Plava e Gucia sot”.
Dyqani në këndin ku punonte dhe ruante veglat tradicionale të punës, 85-vjeçari nga Peja, Nijazi Kasapi, tashmë është shndërruar në një ndërtesë moderne.
Në vazhdimin e tekstit të shënimit në fjalë theksohet se Kasapi mësoi të bënte plisin – kapelën tradicionale shqiptare, në moshën 12-vjeçare. Tani profesioni i tij si plisbërës pothuajse është zhdukur. Edhe kërkesa për kapelat tradicionale të bardha ka rënë, po ashtu ka rënë edhe interesi për të mësuar se si përgatitet. Në vend që t’ia dorëzonte veglat e tij anëtarit të familjes, siç bëri babai i tij me të, Kasapi ia dorëzoi veglat e tij të punimit të plisit Muzeut të Pejës.
Plaku 85-vjeçar, Nijazi Kasapi nga Peja, mjeshtër i njohur dhe i rryer i punimit të njërës prej pjesëve përbërëse dhe të pandara të veshjes kombëtare shqiptare për meshkuj (burra), plisit (kapelës së bardhë), ka thënë se është shumë i mërzitur që i kanë prishur shtëpinë për të ndërtuar ndërtesa dhe se nuk ka mundësi të mbajë në shtëpi veglat e vjetra të punës. Ka mundësi, thuhet në tekstin e shënimit, që plisi dhe veglat e vjetra të punës, të bëhen një artefakt i ruajtur vetëm brenda katër mureve të muzeut. Brezat e ardhshëm mund të mos e njohin kapelën e bardhë (plisin) si pjesë të pandashme të kulturës shqiptare. Shqiptarët e moshuar refuzuan ta hiqnin plisin nga kokat e tyre, edhe kur kjo i bëri ata shënjestër të persekutimit etnik.
I mallëngjyer dhe emocionuar, mjeshtri i madh i zanatit të vet, Nijazi Kasapi, në shenjë vlerësimi dhe respekti, kishte vënë plisin e tij në një manekin të veshur me rroba kombëtare në buzë të katit të dytë të muzeut.
“Ai plis ishte i imi. Kur erdha (në muze), pashë që ky (manekini), ka një plis të bardhë të ri. E hoqa atë dhe e vendosa timin që t’i përshtatej më mirë”, ka rrëfyer Nijazi Kasapi në një intervistë për “Prishtina Insight”.
Fillimisht, në punëtorinë e tij në qendër të Pejës në vitet e 80-ta, pastaj në shpinë e tij në periferi të qytetit në vitet e 90-ta, veglat e tij bënë rrugëtimin e fundit për në Muzeun e Pejës.
Në vazhdën e tekstit të shënimit me peshë dhe vlerë shkruan se zejtari i vjetër pejan Nijazi Kasapi, ka thënë se ka vendosur t’ia dorëzojë veglat e tij muzeut, sepse kishte frikë se mos i dëmtonte koha dhe njerëzit.
Qeleshepunuesi pejan, mjeshtri i denjë dhe i paepur i zanatit të vet, Nijazi Kasapi, duke treguar për veglat e vjetra të punimit të plisit, të cilat i ka dorëzuar në Muzeun e Pejës, është shprehur: “Sa më shkojnë dëm, më mirë ruhen në muze, ruhen e herëdokur dikush i sheh. Kam pasur shumë mjete të punës, por tash kur më është rrëzuar shtëpia m’i kanë marrë… një takmak që punohet, ma kanë marrë një rroshe, m’i kanë marrë do fëkuesa, ato janë mangu. Nuk e di kush i ka marrë, duke e rrëzuar shtëpinë gjithkush hynte…” ka rrëfyer me mallëngjim mjeshtri i vjetër Nijazi Kasapi.
Në vazhdimin e mëtejmë të tekstit të shënimit thuhet se në ditët e sotme rinia është e fokusuar më së shumti në profesione që nuk kanë të bëjnë fare me zanatet dhe trashëgiminë. Kasapi ka thënë se plisi krijohet shumë rrallë, vetëm për të mos u harruar, dhe më pas ka shtuar: “Unë kam qenë 12 vjeçar kur ia kam nisë me u marrë me përpunimin e plisit. Se baba u nda me vëllezër e duhej unë t’i ndihmoj. Se ky zanati ynë është vështirë të punohet. Duhet bile dy vetë me qenë, se shkon procesi si zinxhir”, ka shpjeguar ai.
Në tekstin e shënimit shkruan se Kasapit i pëlqente të krijonte plisin tradicional, veçanërisht kur njerëzit ishin të interesuar t’i blinin ato. Tani vullneti i tij ka rënë për shkak të rënies së interesit.
“Nuk kam menduar ta vazhdoj traditën, se këto zejet e vjetra krejt janë ka mbesin. Askush më nuk po e bën plisin e bardhë. Ka mbetur veç për ndonjë zijafet, a për ndonjë dasmë a shyhret, ceremoni, se kurrkush nuk e bën më”, ka rrëfyer Kasapi. Ai ka frikë se tradita e punimit të plisit do të zhduket, por ai ende ka shpresë se teknologjia moderne mund ta mbajë gjallë plisin.
Punimi i plisit me kohë po lihet se tash është vetëm një zanatli që e mban këtë zanat në Pejë, Afrimi. Ai po merret me të dhe është i vetmi. Do të ishte keq të harrohej, se ky është simbol me qindra vjet i shqiptarisë” është shprehur plaku 85-vjeçar.
Në shënim shkruan se nga Japonia është duke u lobuar për Kosovën në UNESCO, dhe në vazhdim thuhet se jetesa në një kontinent tjetër e ka penguar Mithat (Micky) Haxhiislamin të kontribuojë dhe të promovojë kulturën dhe trashëgiminë shqiptare. Edhe pse ka studiuar për stomatologji dhe ka biznes në Japoni, Haxhiislami me origjinë nga Peja, ka bërë vazhdimisht fushata virtuale për përfshirjen e plisit në UNESCO.
“Çdo ditë në Facebook marr tre-katër njoftime nga Haxhiislami që publikon foto të vjetra dhe bën thirrje për njohjen e kulturës shqiptare. Prandaj për mua kjo gjë nuk është aspak e vështirë dhe e bëj me kënaqësi dhe krenari”, ka thënë Haxhiislami në një intervistë për “Prishtina Insight”.
Për më shumë se 12-vjet, ai ka shpenzuar 30-60 minuta çdo ditë duke e ndarë këtë promovim dixhital. Duke jetuar në Japoni, një vend që vlerëson trashëgiminë kulturore për 20 vjet, Haxhiislami thotë se është më tej i frymëzuar për të bërë të njëjtën gjë për kombin e tij.
Rutina e harresës së historisë u promovua nga reagimet komuniste në Shqipëri dhe Jugosllavi. Sipas Haxhiislamit, kësaj praktike duhet t’i jepet fund. Haxhiislami ka filluar lobimin përmes rrjeteve sociale për plisin vitin e kaluar. Ndërsa për xhubletën, një veshje tradicionale shqiptare që disa muaj më parë u regjistrua në UNESCO, ai loboi çdo ditë për pesë vjet, Haxhiislami beson se do të duhet kohë që plisi të futet në Listën e Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s në nevojë për mbrojtje urgjente, por shpreson jo aq sa koha që i është dashur xhubletës.
(Vijon nga numri i kaluar)
Mithat (Micky) Haxhiislami thotë se institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë nuk kanë kontribuar sa duhet për ta ruajtur plisin si trashëgimi kulturore. Në këtë drejtim ai shprehet: “Është për keqardhje që Kosova ende nuk ka arritur të bëhet anëtare e UNESCO-s, sepse kjo sigurisht po e vështirëson situatën më shumë, mirëpo shpresoj se qeveria shqiptare do të veprojë njëjtë dhe për plisin siç veproi për Xhubletën, Kcimin e bjeshkës me tupan te Tropojës, Ritualin e lashtë te shtegtimit të bagëtive, Kcimin e Logut, etj”.
Në tekstin e shënimit vërtetë me vlerë shkruan se avancimi i mjeteve të punës për krijimin e plisit jo vetëm që zvogëlon autenticitetin, por edhe e bën të pamundur aplikimin e tij në UNESCO, sepse organizata i njeh vetëm ato zeje me të cilat punohen duke përdorur metoda tradicionale sipas Haxhiislamit.
Punimi i plisit është mjaft i vështirë dhe merr 14 faza. Çdo fazë duhet të dokumentohet me përpikëri në mënyrë që të përgatitet një dosje e duhur për aplikimin në UNESCO.
“Do të ishte mëkat i madh nëse punimi me metoda tradicionale i plisit do të zhdukej plotësisht. Kjo kurrë nuk do të na falej. Mos të harrojmë që plisi në kuadrin e veshjeve tona ka një rëndësi të jashtëzakonisht të madhe, qoftë si funksion, por edhe si simbol kombëtar”, ka konfirmuar Haxhiislami. Dëshira e tij kryesore është që institucionet e Kosovës të shpenzojnë më shumë për trajnimin e plisbërësve në mënyrë që ata t’u shërbejnë gjeneratave të reja dhe ndajnë kulturën shqiptare me të huajt që vijnë për të vizituar Kosovën.
Në tekstin e shënimit “Plisi nuk duhet të ekzistojë vetëm në muze” shkruan se pranimi i plisit në UNESCO si artizanat i mbrojtur, do të sillte përfitime financiare nga kjo organizatë, gjë që do të ishte motivim i mirë për të rinjtë, për të vazhduar këtë traditë mijëvjeçare – thekson Haxhiislami. Edhe pse kanë mbetur vetëm disa familje që e kanë ruajtur dhe trashëguar zanatin e punimit të plisit, por për sa kohë që ekzistojnë ende plisi ka mundësi të pranohet në UNESCO si një artizanat i mbrojtur kulturor, shprehet ai. Por, dora institucionale është jashtë dorës së tij.
“Sigurisht që vullneti i dy qeverive nuk është aspak i mjaftueshëm për momentin, por besoj se kjo gjë do të ndërrojë nëse ne të gjithë bëjmë më shumë presion, që ata të merren me këtë gjë urgjentisht”, ka veçuar Haxhiislami. Sipas tij, pa ndihmë financiare është e vështirë të bëhet diçka. Këtu një rol efektiv mund ta luajnë edhe shoqatat e ndryshme shqiptare në mbarë botën.
Në mënyrë që plisi të kthehet në modë, Haxhiislami propozon organizimin “Ditës Kombëtare të Plisit”, për të promovuar veshjen e plisit, Garda Kombëtare e Nderit, përfaqësues të bizneseve në panairet botërore dhe të tjerë do të vishnin plisin.
Në tekstin e shënimit në fjalë shkruan se në ditët e sotme plisi vishet vetëm në festa kombëtare, në ndeshje futbolli, në takime familjare, apo në çdo tubin me karakter më patriotik.
Etnologu Valon Shkodra thotë se në të kaluarën një numër i konsiderueshëm njerëzish të moshave të ndryshme mbanin plis. “Për festat kombëtare plisi përdoret edhe më shumë nga të gjitha moshat, që dalin për të festuar”, thekson Shkodra. Sipas etnologut në fjalë, fakti që e gjejmë në këngët popullore, fjalët e urta, besimet dhe besëtytnitë e bën plisin një simbol të identitetit kombëtar. Pothuajse çdo shpi shqiptare që ka apo ka pasur një të moshuar mbi 70-vjeç, që ka veshur një plis të bardhë apo edhe të zi. Në pjesën kryesore të dhomës, plisi zë një vend të veçantë në shenjë respekti për moshën e tij dhe personin që e ka mbajtur.
Në vazhdim të tekstit të shënimit shkruan se emri plis besohet se e ka origjinën nga termi i lashtë grek ‘pilos’, i cili përshkruan një kapelë bosh. Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe fjala plis përshkruhet si një copë tekstili që nuk është e thurur por e punuar me lesh të ngjeshur dhe lahet disa herë me sapun.
Etnologu Valon Shkodra vlerëson se tashmë shitja e plisit nuk është si dikur pasi nuk ka një dyqan të veçantë vetëm për ta. “Plisi gjendet në të gjitha dyqanet e suvenireve, tregjet dhe disa muzeume, por nëse e krahasojmë me të kaluarën, ky zanat po përballet me vështirësi të mëdha, kemi edhe zejtarë që e njohin mirë këtë punë, por për shkak të ekzistencës së tyre ekonomike i kanë ndryshuar profesionin”, ka konfirmuar ai.
(Fund)
