Ilirët në kërkim të thesarit të Valdanosit

Vera në Ulqin është përplot me aventura. Fëmijët kanë mundësi të freskohen në detin e kristaltë, të bëjnë zhytje nënujore, aventura me anije dhe gjithçka që u do zemra atyre.
Valdanosi është një kompleks ambienti shumë i bukur. Ndodhet vetëm 4km nga qendra e Ulqinit, në zemër të ullishtës mijëvjeçare dhe ofron atraksione të shumta. Dorarti me shokët dhe shoqet e tij të klasës, Lisën, Qazin, Jarën, Enisin, Elisën, Cenin, Adean dhe Rizuanën çdo ditë shkojnë në këtë plazh me trotinetet e tyre elektrikë dhe deri sa mbërrijnë në plazh ata argëtohen pafund nëpër rrugicat e ullishtës mijëvjeçare. Pjesë e agjendës së tyre ditore është edhe vizita e Kroit të Begut, krua ky i cili ka ujë të bollshëm gjatë gjithë vitit. Aty shuajnë etjen, freskohen dhe pastaj sërish dalin në rrugën kryesore dhe vazhdojnë për në plazhin e Valdanosit. Këtu ky grup i fëmijëve lozin lojërat nga më të ndryshmet, notojnë, zhyten nën ujë dhe eksplorojnë herë anën e majtë andej nga Mendra ku edhe gjendet fanari, e herë në anën e djathtë kah Mavriani, andej ku gjendet pjesa e zhveshur shkëmbore dhe Kroi i Zanave.
Babai i Dorartit është një koleksionist i gjërave antike. Ai mbledh artefakte të vjetra që nga fotografitë, gjërat etnografike e deri te monedhat e ndryshme. Andaj këtë vit, ai, për ta bërë më interesante shkuarjen në plazhin e Valdanosit kishte njoftuar publikisht se me datën pesë korrik do të hedhë në det pesë monedha ilire nga argjendi që i përkasin periudhës kohore të mbretëreshës Teutë e që janë pjesë e koleksionit të tij privat. Të gjithë ata që vijnë të bëjnë plazh mund të marrin pjesë në aventurën e gjetjes së monedhave të argjendit. Ai që gjen monedhën ka të drejtë ta mbajë si trofe dhe si kujtim nga pushimet verore në Ulqin!
Ky lajm mori dhenë. Njoftuan mediat si të shkruara ashtu edhe ato vizuale. Më të zëshmet ishin rrjetet sociale, të cilat edhe i kushtuan rëndësi të veçantë faktit se zhvillohej një konkurrencë e tillë dhe trofé ishin monedhat e argjendta ilire të mbretëreshës Teutë.
Dorarti gjithashtu i njoftoi shokët dhe shoqet e tij për mundësinë e gjetjes së monedhave që do t’i hidhte babai i tij. Ai kërkoi nga ata që të mblidhen ke Kroi i Begut dhe të gjithë së bashku të bëjnë planet dhe të ndërtojnë një strategji se si të jenë të suksesshëm në gjetjen e thesarit.
Të nesërmen në mëngjes filluan të mblidhen te Kroi i Begut. Të parët kishin arritur Dorarti dhe Ceni, pastaj një nga një Enisi, Qazi, Lisa dhe Adea. Kurse të fundit erdhën Jara, Elisa dhe Rizuana.
Shoqe e shokë – mori fjalën Dorarti. Siç keni dëgjuar babai im do të hedhë në det disa monedha argjendi të periudhës ilire. Unë propozoj, që pasi që Valdanosi është plazhi ynë dhe territor që ne e njohim shumë mirë, të marrim pjesë edhe ne si grup në mënyrë të organizuar në gjetjen e këtij thesari.
Poooo, – njëzëri thanë të gjithë.
Unë nuk kam maskë zhytjeje – tha Ceni si më i vogli i grupit.
Nuk ka problem, – ia ktheu Qazi. Ta jap unë një sepse i kam dy. Motra ime nuk e shfrytëzon më, kështu që mund të ta dhuroj.
Cenit i shndriti fytyra nga gëzimi.
Në mënyrë që të jemi sa më efikasë dhe siç e dimë se plazhi është mjaft i madh, unë propozoj që të ndahemi në tri grupe më të vogla nga tre vetë, – tha Dorarti. Grupi i parë: unë, Ceni dhe Lisa. Grupi i dytë: Qazi, Enisi dhe Adea. Kurse grupi i tretë: Jara, Erisa dhe Rizuana. A pajtoheni, – pyeti Dorarti?
Të gjithë pohuan me kokë.
Në rregull pra. Propozoj që grupi ynë do të quhet ILIRËT nëse pajtoheni edhe ju? – tha Dorarti.
Unë mendoj se më mirë ta quajmë Mbretëresha Teutë, – propozoi Lisa.
Jooo, nuk bën, – ndërhyri Ceni. Grupi ynë ka djem dhe vajza andaj duhet një emër i përgjithshëm. Për shembull unë propozoj Delfinët e Valdanosit.
Nëse nuk ka ndonjë propozim tjetër mund të votojmë mes Ilirëve dhe Delfinëve, – tha Dorarti. Kush është për emrin Ilirët, le ta ngrejë dorën e majtë kurse ata që janë për Delfinët e Valdanosit, dorën e djathtë? – tha Dorarti.
Numërojmë: Rizuana, Enisi, Qazi dhe unë kemi ngritur dorën e majtë. Ceni, Erisa dhe Jara të djathtën, kurse Lisa dhe Adea nuk votuan – tha Dorarti. Me sa shoh, emri do të jetë ILIRËT. Propozoj që udhëheqëse kryesore e grupit të jetë Adea, meqë ajo ka edhe emër ilir. E nëse gjejmë ndonjë gjë nga thesari, Lisa le të jetë ajo që do ta mbajë në shtëpinë e vet si trofe.
Pajtohemi, – thanë të gjithë njëzëri.
Tani Dorarti ia lëshon vendin Adeas, që ajo ta udhëheqë mbledhjen.
Grupi i parë: Lisa, Dorarti dhe Cenoja duhet të eksplorojë qendrën e plazhit prej restorantit e deri te guri nënujor me fytyrën e delfinit. Grupi i dytë: Qazi, Enisi dhe Adea pjesën e majtë të plazhit prej restorantit e deri te Manraqi. Kurse grupi i tretë: Jara, Erisa dhe Rizuana prej gurit delfin e deri te Strofulla e Mrinës së vogël. Terrenin ke anija e fundosur me tulla gjithashtu duhet ta hulumtojë grupi i parë, – tha komandante Adea, e cila kishte marrë qëndrim të strategut ushtarak.
Askush nuk kundërshtoi dhe të gjithë ishin të një mendimi se grupi i tyre – ilirët do të jenë ata që do të gjejnë të gjitha monedhat ilire të argjendit.
Dita e madhe erdhi. Siç edhe kishte premtuar më 5 korrik në ora 10 të mëngjesit, babai i Dorartit së bashku me shokun e tij Tonin – arkeologun, hipur mbi një sup filluan të rremojnë nga Manraqi e deri në anën e djathtë të Valdanosit. Deri aty ku gjenden shkallët rrumbullake. Distanca nga bregu ishte njëzet metra kurse thellësia ishte vende-vende prej gjysmë metri deri në pesë metra. Toni rremonte kurse babai i Dorartit mbante dorën në ujë në mënyrë që mos të shihet se ku kishte lëshuar monedhën. Kur arritën në bregun tjetër ngriti dorën lart dhe shuplaka e hapur tregonte se nuk kishte më asgjë në dorë dhe se gara ka filluar.
U hodhën të interesuarit në det dhe filloi eksplorimi i fundit të detit. Gjiri i Valdanosit është ambient i cili plazhin e ka me gurë të bardhë e të lëmuar por përparësi është se uji gjithmonë është shumë i pastër dhe se fundi shihet si në pëllëmbë të dorës. Të gjithë konkurrentët shpresonin se dielli do t’iu ndihmojë me rrezet e veta duke i bërë monedhat që të shndrisnin ,por peshqit e ndryshëm si bukurinat që kishin barkun e bardhë, oradat, sargjet apo qefulli gjithashtu reflektonin diellin dhe bënin lojën e gjetjes më të vështirë.
Grupi Ilirët i filloi kërkimet. Ashtu siç ishin marrë vesh edhe vepruan. U ndanë në tri grupe me nga tre vetë. Filluan eksplorimin e fundit të detit me qëllim të gjetjes së thesarit.
Ora vajti 12 dhe dielli arriti në zenit. Asgjë askush nuk lavdërohet. Si duket puna është komplikuar. Ilirët dolën nga uji që në ngrohen pak në diell. Askush nuk bëzan. Futen në ujë sërish pas gjysmë ore dhe dalin përsëri pa asgjë. Kaloi dita e parë, e dyta, e treta. Kaloi java. Asgjë askush. Pushuesit kuvendojnë dhe tema kryesore e plazhit është se a do të gjejë ndokush ndonjë gjë. Disa thurin legjenda urbane se ndoshta babai i Dorartit nuk ka hedhë asgjë. Kur papritur një klithje gëzimi dëgjohet nga deti.
Ishte Ceni ai që me grupin e tij kishin gjetur monedhën e argjendit. Ndodheshin mu në mesin e plazhit në vendin ku gjendej shkëmbi me fytyrën e delfinit. Si duket Cenit i kishin ndihmuar peshqit e vegjël të cilët kullosnin algat aty afër. Gëzimi ishe shumë i madh. Grupi ilirët mburreshin me shkathtësitë e veta e turistët vinin të shikonin e të fotografohen me monedhën e mbretëreshës Teutë. O sa gëzim për të gjithë grupin. Në dyqanin e afërt u shitën të gjitha maskat dhe perajat për zhytje nënujore. Konkurrenca u rrit por tani kishin mbetur vetëm katër monedha për të gjetur. Po atë ditë pasdite kur dielli ishte në perëndim dhe deti ishte i qetë fare bonacë grupi i Jarës gjeti monedhën e radhës. Ajo ishte fare afër anijes së mbytur me tulla dhe aty ishte vendi më i zorshëm për eksplorim.
Para se të fillonin të festonin gjetjen e monedhës së dytë nga deti erdhi lajmi se edhe Erisi, Qazi dhe Adea kishin gjetur monedhën e tretë.
Kush ishte me grupin Ilirët tani? Ata mburreshin dhe të nesërmen i gjithë grupi erdhi në plazh me bluza të bardha e që në gjoks kishin figurën e një helmete ilire e në të në formë rrethi i shkruante Grupi i zhytësve ILIRËT nga Ulqini.
Grupi vazhdoi kërkimet për dy monedhat e ardhshme, mirëpo siç duket moti i keq që erdhi të nesërmen kishte bërë që konfiguracioni i fundit të detit të përzihej saqë monedhave iu kishte humbur filli. Kështu, erdhi edhe fundi i verës, e dy monedhat nuk u gjetën fare.
Ditën e parë të shkollës i gjithë grupi në mënyrë triumfuese kishin veshur bluzat identifikuese të grupit dhe me vete morën tri monedhat e gjetura në Valdanos. Në orën e mësimit dhe takimi i parë me shokët dhe shoqet tjerë secili prej grupit tregonte aventurat e verës dhe peripecitë që kishin pasur për gjetjen e tri monedhave të mbretëreshës Teutë. Në fund të orës së mësimit bënë një fotografi kolektive dhe mësuesja e tyre kërkoi nga ata që një ditë të shkojnë së bashku në Valdanos dhe në vend të tregojnë për aventurën e gjetjes së thesarit.
Vera vjen e shkon dhe dy monedhat ende qëndrojnë diku në fundin e detit të Valdanosit. Ato presin që dikush prej fëmijëve zhytës t’i gjejë e ndoshta edhe dikush i ka gjetur e nuk ka treguar. Por, megjithatë hulumtimet nënujore të fëmijëve në Valdanos janë të përditshme dhe ata kënaqen duke hulumtuar fundin e detit, duke njoftuar llojet e peshqve dhe krijesave tjera të nëndetit. Nganjëherë gjejnë edhe copa qeramike të cilat i lënë aty ku janë sepse ato janë pjesë e trashëgimisë së përbashkët kulturore.
Grupi i zhytësve nënujor ilirët nga Ulqini do mbesin heronjtë e verës, sepse gjetën tri nga pesë monedhat ilire të argjendit që i përkisnin periudhës së mbretëreshës Teutë.

Gazmend Çitaku,
Tregim nga romani në dorëshkrim

Të fundit

më të lexuarat